30/5/08

Intervistë ekskluzive e E.Venizelos, dhënë N.Agos

Evangjelos Venizelos, është politikan grek, deputet i Selanikut. Zgjidhet qysh nga viti 1993. Pedagog i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e njohur “Aristotelios”. Gjithashtu, pedagog nderi i Universitetit La Trobe të Melburnit. Autor i një sërë librash e studimesh shkencore. Ka kaluar në një sërë postesh qeveritare si: Zv/ministër i Presidencës Qeveritare dhe Zëdhënës Shtypi i Qeverisë, Ministër i Shtypit dhe Mjeteve Informative Publike,Ministër i Telekomunikacioneve,Ministër i Drejtësisë, Ministër i Kulturës,Ministër i Zhvillimit, Industrisë,Turizmit,Energjitikës, dhe Teknologjisë. Të gjitha këto me Partinë Socialiste Greke (PASOK) . Sot konsiderohet politikani më i përshtatshëm për të drejtuar partinë dhe vendin. Në zgjedhjet partiake, humbi garën për drejtimin e partisë nga Jorgo Papandreu.

-Zoti ministër, 10% e popullsisë greke përbëhet nga emigrantët. Keni vënë re edhe ju, prezencën e varfër të tyre në media?

-Eshtë e vërteta se, kemi të bëjmë me një nënpërfaqësim të dukshëm të emigrantëve, në mediat vendase.Si ato elektronike edhe në ato tradicionale të shkruara. Gjithashtu, është një e vërtetë jo e këndshme, ekzistenca e sterotipeve. Stereotipeve negative për emigrantët, të cilat edhe riprodhohen. Natyrisht, në plot raste, është dhënë kujdesi të kapërcehen këto stereotipe, me qëllim që të mos kultivohet, në një pjesë të madhe të opinionit publik, imazhi i një emigranti-të huaji-kërcënuesi. Vënia e emigrantëve në të njëjtin anë, me krimin e organizuar ose ordiner, si dhe reagimi pasiv i opinionit publik grek, kur viktima të akteve kriminiale janë emigrantët, ose kur ka raste krimesh mes emigrantëve, janë dy shembuj karakteristikë. Ndoshta, disa, mbase dhe mendojnë se jeta e emigrantit kushton më pak ,nga ajo e qytetarit grek, mirëpo kjo, do të qe tragjike ,nëse pranohej. Është diçka e papranueshme, që duhet ta kapërcejmë përgjithmonë.
-Cili është mendimi juaj, për temën e mprehtë të fëmijëve të emigrantëve? Të lindur në Greqi, pjestarë të arsimit grek, e megjithatë, qëndrimi ndaj tyre është si të jenë emigrantë.
-Fëmijët që lindin në Greqi, e logjikshme do të qe, me lindjen e tyre, të marrin dhe nënshtetësinë greke. Eshtë, gjithsesi, paradoksale, fëmijë që kanë lindur në Greqi, flasin greqishten, në të vërtetë si gjuhë amtare, kanë studiuar në sistemin arsimor grek të të gjitha shkallëve, të mos quhen grekë. Janë fëmijë që kanë përjetuar si atdhe Greqinë, që janë rritur me kulturën greke.

-Iniciativat e fundit të PASOK-ut, përsa u përket emigrantëve, duken pozitive. Do të pasohen nga të tjera?
-PASOK-u ka marrë disa iniciativa, për integrimin e barabartë të emigrantëve. Si në shoqërinë greke, po ashtu edhe në tregun e punës dhe sistemin politik grek. Fakti që vetë PASOK-u, ka hapur dyert për të gjithë emigrantët, dhe sillet ndaj tyre si anëtarë dhe miq të barabartë, fakti që i fton të marrin pjesë në procedurat e brendshme partiake, është karakteristike e synimeve që ka. Paskëtaj, detyrim por dhe premtimi ynë është, qeveria e ardhshme e PASOK-ut, të përmbushë të gjitha boshllëqet përkatëse ligjore.Kushtetuta jonë, mundëson pjesmarrjen e emigrantëve në lëmin politik, në kuadrin e zgjedhjeve bashkiake, të prefekturave, dhe në të ardhmen atyre periferike. Dhe natyrisht, propozimi ynë është, të bëhet më racionale, më bashkëkohore ligja për nënshtetësinë, me qëllim që njerëz, të cilët kanë lidhur përfundimisht ,ekzistencën e tyre dhe të familjes me Greqinë, që punojnë e jetojnë në Greqi, që ingranohen në realitetin shoqëror dhe atë kulturor grek, të përfitojnë edhe nënshtetësinë greke, sikurse ndodh në shumicën e vendeve të BE-së.
-Kur do të arrijmë të shohim emigrantët, pjesmarrës në çështjet e pushtetit lokal? Eshtë, dua të besoj, në kuadrin e barazisë, kjo.

-Kushtetua jonë, na lejon të inkuadrohemi në atë që vendos Këshilli i Evropës.Domethënë, të sigurohet pjesmarrja e emigrantëve, në zgjedhjet lokale.

-Besoni , sakaq, se vetë shoqëria, është e gatshme të pranoj një proçedurë tejet "radikale" për të?

-Do përpiqemi të ndodhë, sa më shpejt që të jetë e mundur.Nuk e di nëse opinioni ka për të rezultuar i pjekur. Mund të ndeshim edhe rezistencë, por duhet të bindim qytetarët, se është tejet e rëndësishme, për ekzistencën e vetë shoqërisë, të mos ketë njerëz të kategorisë së dytë, që jetojnë në vendin tonë. Bashkëqytetarë tanët, teorikisht dhe praktikisht. Të cilët duhet të kenë të drejtën e të shprehurit, të drejtën e mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe të drejtën e bashkëformimit të jetës së qytetit.
-Zoti Ministër! Pas 16 ose dhe 17 vjetësh qëndrimi të një emigranti në vend, është e nevojshme të vërtetoj ky njeri, se është i ligjshëm dhe i përhershëm, me qëllim që të mos torturohet kaq barbarisht në radhët e bashkive dhe të prefekturave?

-Ekzistojnë një sërë ankilozash burokratike në legjislacion, të cilat torturojnë ,fatkeqësisht, njerëzit. Dikush që jeton, me të vërtetë ,kaq vite, që punon, që ka ose duhet patjetër të ketë sigurime sociale, që paguan taksat,është e mundur të mos jetë i ligjshëm? Personalisht, më vjen keq sinqerisht për këtë, sepse ekzistojnë këto ankilozat burokratike,ngulmimet e kota, të cilat nuk përkojnë me një model modern evropian të funksionimit të shtetit.

-Nga ana tjetër, metoda e “qepjes dhe shqepjes” së legjislacionit grek, nuk duhet dikur të marrë fund?

-Nuk është vetëm fenomen grek ky.

-Natyrisht, por meqë flasim për Greqinë.

-Kjo temë është Komunitare. Inflacioni ligjor, e ka zanafillën shumë herë, nga Komuniteti Evropian dhe Konventat Ndërkombëtare.Ekziston një numër i madh udhëzimesh, rregullash e marrëveshjesh, që shkakton proporcionalisht dhe një numër të madh ligjesh.
-Deri aty sa, zoti Berlusconi, emëroi një ministër më vete, për “zbardhjen” e legjislacionit italian dhe atij Komunitar.

-Edhe këtu në Greqi, duhet të bëhet një kodifikim i madh kombëtar i legjislacionit, me qëllim që të jetë i kuptueshëm edhe për qytetarin. Është një vepër e madhe dhe me vlerë, të bëhet ky kodifikim. Një vepër e ngjashme me Kadastrën Kombëtare.
-Sot, në shkollat greke, në cikin e ulët vetëm, marrin pjesë afërsisht 130.000 fëmijë emigrantësh. Nëse, madje, marrim si shembull komunitetin shqiptar, që është dhe më i populluari, numri i fëmijëve pjestarë, është mjaft i madh. E quani të logjikshme, t’u jepet e drejta këtyre fëmijëve, me qëllim që të mos humbasin kontaktin me gjuhën amtare të prindërve, të munden ta mësojnë atë në mënyrë të organizuar?
-Jam krejt dakord me këtë që thoni! Sikurse ne , kemi pretendimin të mësohet greqishtja në Gjermani,Amerikë,Australi dhe gjektë, patjetër, edhe këta fëmijë, duhet të mësojnë gjuhën e prindërve! Është fare e qartë kjo. Nuk mundemi t'a kërkojmë për grekët e diasporës dhe ne të mos e lejojmë për fëmijët e emigrantëve shqiptarë(dhe jo vetëm për ata), që shkollohen në sistemin arsimor grek. E quaj të vetëkuptueshme! Dhe jo vetëm për hatër të dendësisë së komunitetit tuaj. Akoma dhe për komunitetet më të vogla. Dhe përgjithësisht, duhet të sillemi ndaj emigrantëve, ashti siç duam të sillen ndaj grekëve emigrantë, në shtetet e tjera. Është fare e thjeshtë, formula këtu.
-Zoti Venizelo, ju falemiderit me të vërtetë për bisedën tonë dhe për mirësinë që patët të më ftoni në zyrën tuaj.

-Kënaqësia ishte e imja. Dhe gëzohem të ndaj mendimet me një gazetar emigrant.Dhe nuk dua të “humbemi”, sepse dua edhe unë të jem në dijeni të ndodhive në komunitetin shqiptar.

Inervista u botua në gazetën "Tribuna" dhe në greqisht në blogun personal këtu!

25/5/08

Protagonistët (28)

Qeveria e Kosovës, në miratimin e Festave Shtetërore, nuk përmend si të tillë, 28 Nëntorin. Dhe me plot të drejtë. Kanë kaluar 18 vjet, nga dita kur në Shqipëri lindi opozita dhe bashkë me të, lindi dhe debati mbi festat kombëtare. Qysh atëherë, sikurse edhe herë të tjera e kemi përmendur, ndodh çudia e pazakontë( gjetkë) por fort e kuptueshme(për realitetin shqiptar). Me të majtët në pushtet, festat kombëtare janë dy. Ndërsa me të djathtët, njëra ikën e mbetet vetëm tjetra. Argëtues si realitet, nuk ke çfarë thua. Paskëtaj, asnjë pretendim ndaj Kosovës të festojë pavarësinë tonë. Akoma nuk kemi vendosur ne, cilat janë festat tona kombëtare. Ngjajnë mësëshumti me Pashkët Ortodokse. Festa në lëvizje.

Në fakt, jam i bindur se edhe ti miku im, je argëtuar plot herë me tituj bombastikë të shtypit në atdhe. Thua, se pas një gjumi letargjik që zgjati 45 vjet, vërshuan nga thellësia e fantazisë gazetareske, metaforat më të çuditshme që mund të trillojë ndokush. Kështu, mund të ndeshësh diku titullin “Kryeministri me Parlamentin në xhep” dhe pyet veten; kaq parlament të vogël kemi në Shqipëri, apo kryeministri ynë ka xhepat më të mëdhenj në botë?! Edhe pse “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura”, dyshoj për përmasat e xhepave. Tek e fundit, çfarë më parë do të nxenë ata xhepa të bekuar?! Kësisoj, shtypi duhet të kërkoj të tjerë tituj, për të qenë i besuar. Xhepat e Kryeministrit janë të mbushura, por nuk besoj me Parlament.Ndoshta me parlamentarë!

Diku, më zuri syri të shkruhej, për "fatin e keq" të një Kryekomunari që e diktuan, pasi pati falsifikuar dëftesën e shkollës së mesme. Problemi nuk është tek falsifikimi i dëftesës, ma do mendja, por tek tessera e partisë që ka patur në xhep. Se, patjetër që do të kishte patur tjetër fat, nëse ajo që mbante në xhep, ishte blu. Si qielli në Maj. Dhe jo me nuanca rozë, që të shpien në të tjera rrugica idesh. E madje, e bëjnë goxha të kujdesshëm kontrollin. Ndërsa, ajo bluja (sot) dhe ajo e kuqja (dje), kanë fituar imunitet nga falsifikimet. Sidomos, të ndodhura në xhepin e duhur. Me të duhurën në xhep, polici bëhet drejtor shkolle e brigadieri bëhet shef komisariati.

Do më thuash që, këto janë çështje të njohur në Shqipëri, dhe tashmë, askënd nuk befasojnë. Qartë! E përmenda për rifreskim dhe rikujtim të ndonjë militanti që, akoma nuk ka marrë shpërblimin për militantizmin. Ka kohë, që të bëhet qoftë dhe për pak muaj, ndonjë shef dogane apo drejtor spitali. Eshtë jashtë specialitetit the?! E pastaj? Ku është problemi këtu, kur si dje si sot, partia mbi të gjitha?! Nuk durohet ,vëllezër, të jenë në poste e me ofiqe, ata që nuk kanë djersitur për partinë. Ndaj, sa më shpejt të jetë e mundur, rikthim në atdhe dhe rehabilitim. Të rropatesh për ditën e punës, kur bashkëmilitanti yt, vjel frytet e fushatës elektorale në tribunat partiake, është e padurueshme. Fundja, kur je me partinë, diploma nuk kontrollohet.

Kontrollohet vaji në Greqi e del i përzier me vaj makinash. Ç’nuk dëgjojmë këtyre kohëve. Më shumë përmban gazolinë, sesa kikirik, shishja që shkon e merr në merkato jot shoqe. Ka ardhur koha, të mbash një raport të hollësishëm, për datat dhe sasinë e konsumimit të vajit. Duhet të dish, o lum miku, kur e ke datën për të bërë servisin e radhës. Është pas 3000 km, pas 5000 km apo është pas...dy kg vaj e pastaj të çojnë direkt në sanatorium? Mirëpo, edhe këto probleme janë në përfundim se, për pak ditë rikthehet në Evropë Xhorxh W.Bush. dhe ti, fort mirë e di se, atje ku ka probleme, ka dhe zgjidhje. Je me fat, byrazer, që problemet e tua me vajin do ti dëgjoj Kryeplanetari. Nga goja jote e në vesh të madhërisë së tij! Kaq shpesh udhëtime në Evropë, nuk po bën kreu i ekzekutivit tonë.

Mirëpo ai është i justifikuar. Ka marrë përsipër, të bindë shqiptarët kokë më kokë, për dobinë e ftesës së Shqipërisë në NATO. Më bën habi, është e vërteta, ankthi i kryeqeveritarit tonë, për të shkuar vetë e të bindë popullin, se ftesa është e dobishme. Nuk e kuptoj dot ankthin që e ka zënë. Ose nuk ka besim tek elektorati, dhe mendon se ka të bëj me një turmë me të meta mendore, që gjithçka shohin, lexojnë e dëgjojnë, nuk janë në gjendje ta kuptojnë, ose nuk është dhe kaq i sigurtë për dobinë e ftesës. Një tjetër version i mundshëm, është dhe ai që bën fjalë për rivalitet ndaj Edi Ramës. Ky i fundit, bën dialog për Shqipërinë e “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura” monolog për NATO-n. Kësisoj, me këtë rast bëjnë dhe një vizitë "gju më gju me popullin".

Por ndërsa pushteti viziton popullin e kurrgjë nuk i ndodh, kur gazetari viziton pushtetin, ka raste që ndodh edhe e kundërta. Sot, të jesh gazetar në Shqipëri, është pothuajse e sigurtë se dikur ke për të ngrënë dru. Jo shumë ditë më parë, patëm thënë që vendin tonë nuk e kishin në listë në raportin vjetor të “Gazetarëve pa Kufij”. Dhe ishim të “ngazëllyer” se, me siguri do të kishim qenë në vendin e parë për dhunën ndaj tyre. Përditë e dikush dhunohet. Njëherë deputeti, herën tjetër gjyqtari, pak më tutje kryebashkiaku e kështu me radhë. Të gjithë nguten të "zbusin" gazetarët. Profesioni i gazetarit në Shqipëri, po bëhet mision i rrezikshm.

17/5/08

Protagonistët (27)

Ç’javë qe dhe kjo që kaloi?! Nga të fillosh e ku t’i japësh fund. Bisedës bëhet fjalë se java, vetë fillon edhe po vetë ia del përtej. Le të fillojmë nga ato që na trishtojnë fillimisht. Sipas kërkimeve të Institutit Ndërkombëtar për Emigracionin, 1.093.000 shqiptarë e kemi braktisur atdheun e po kërkojmë fatin nëpër botë. 30% e popullsisë jemi jashtë saj. Κjo, ama, është edhe pozitive. Këtu nuk po e gjejnë hesapin ata që janë atje, merre me mend të ishim të të gjithë bashkë. Mirëpo, çdo e keqje, sjell një të mirë. Dhe e mira është se, nga gjiri ynë, domethënë nga gjiri i emigracionit, doli koreografi i Kalomirës, këngëtares që përfaqëson Greqinë në Eurovizion. Merre me mend të mos ishin hapur kufijtë. Edhe Kalomira nuk do të kishte koreograf shqiptar, por edhe Shqipëria do kishte 30% më shumë popullsi.

Ndaj ju them vëllezër se, çdo e keqje ka një të mirë. Ka raste që e mira, është vetë Kalomira, madje. Ndërkaq , janë kaq të shumta belatë që e kanë zënë Greqinë saqë, as morri vesh njeri se në Eurovizion po shkon me koreograf shqiptar. Më shkon në mendje një djallëzi po, po rezervohem. Hajde fundja po e ndaj me ju se, këtu jemi si një familje. Më thotë një mendje t’i dërgoj një haber Anthimos së Selanikut,Psomiadhit të Selanikut, Karaxhaferit të…për pak të Selanikut dhe Papathemeliut të Selanikut! Ups! Këta qenkan të gjithë të Selanikut. Me vend do të qe të njoftoja vetë Selanikun. Një referendum duhet në këto raste. Rrezikoj, nga ana tjetër, të akuzohem se nxjerr sekretet kombëtare, dhe i bëj keq imazhit të emigrantit. Ç’e vret mëndjen dhe ti?! Jemi kaq shumë në emigracion që, një ia prish mijra ia ndreqin.

Këtu nuk e vret mendjen Greqia, ty të zuri emocioni?! Ke kaq shkaqe të tjera të emocionohesh. Të përlotesh mund të të them. Here nga gëzimi e here nga trishtimi. Për trishtimin e thamë në fillim. Jemi shpërndarë si zogjtë e korbit. Gëzimin po ta sjell me marifet, kur thonë se, gëzimi i tepërt dëmton, po aq sa edhe trishtimi. Parlamenti shfryu dosjen e Ina Ramës për Mediun. Ta thashë troç tani se, nuk të mbaja dot më në pritje. Po si e shfryu do më pyesësh, dosjen e Inës, Parlamenti për Mediun?! E pra, këtu qëndron ajo që të thashë më lart, për gëzimin. Inës , ka gjasa ti qe fryrë një dosje për Mediun dhe , deputetët tanë, nga frika se mos i pëlciste ia shfrynë. Përherë kam qenë i sigurtë për kujdesin e deputetëve tanë për dosjet. Sidomos ato të fryrat.

Por jo vetëm deputetëve tanë, u fryhen dosjet e ata kujdesen t’i shfryjnë. Edhe vetë Kryeministrit, i janë ngritur nervat. Në atdhe, ose u fryhen (dosjet) dhe u a shfryjnë, ose u ngrihen (nervat) dhe u a ulin. Por ,ka të drejtë Kryeministri, të mos i hamë dhe hakun. Ka plot 56 ditë që nuk gjen dot një zv/kryeministër. Gjithë natën vret mendjen, e tërë ditën shkarravit letra, por më kot. Asgjëkund nuk gjendet një zv/kryeministër. Atdheu im, më dhimbsesh por edhe krenohem me ty. Nuk ke drita, nuk ke ujë, nuk ke rrugë, nuk ke drejtësi, nuk ke zv/kryeministër, por ama, ke Grëdecin, ke Mediun, ke NATO-n, ke tubimet e Metës, ke shëtitjet e Ramës, ke premtimet e dhëna të Salës.

Se shqiptari, po dha fjalën, ther djalën! Mjafton të mos jetë djali i tij. Bie fjala, dha fjalën qeveria se, Gërdeci do të ribëhet si më parë. Ndokujt i tingëlloi si ajo parrulla e realizmit socialist: t’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat. Ka gjasa, ata që sot premtuan rindërtimin e Gërdecit, të kenë qenë dhe parrullahedhësit e djeshëm. Kaq shumë ngjajnë realizmi socialist dhe Gërdeci. Njëri u braktis pas 45 vjetësh e tjetri pas 45 ditësh. Kohë të tjera, moderne dhe të shpejta. E pastaj, dëgjon se do të hyjnë në grevë urie banorët. Jam i bindur se, nuk kanë dëgjuar ato që tha Kryeministri javën që shkoi në Bruksel. Përsëritja mëma e dijes: Më quani Njeriu i Premtimeve të Mbajtura! Ai e tha, nuk mban dhe përgjegjësinë nëse askush nuk e beson.

Këtu, nuk besojnë grekët Kryeministrin e tyre që, u thotë se, nuk janë në krizë ekonomike. Bankat konfiskojnë përditë qindra shtëpi dhe automjete, benzina është kthyer në send me vlerë, papunësia dhe inflacioni ecin me hapa galopante, e sërish, kreu i ekzekutivit të Greqisë( kusur që të gjen kur lexon kaq shumë shtypin e atdheut), krizën nuk e sheh askund. Është ngjitës virusi i verbimit të politikanëve. Edhe ka gjasa të jetë virus që kap ata që lëvizin në të djathtë. Shohin turbull në blu.

Po nuk lëvdove shtëpinë tënde, bie tavani e të zë në kokë. Mos u tremb, o lum miku, se ne që jemi në emigracion, shumica shtëpitë me qera i kemi. Koka është jona po, kalimtarë jemi mbi këtë botë. Dhe meqë thashë shtëpia, po të them për strehën. Për strehën e re të ProtAGOnistëve. Çdo të mërkurë, nga ora 13:00-14:00 me orën e Greqisë, tashmë dëgjohemi në frekuencat e radios 105,5 FM “Sto Kokkino”. Morëm zgjerim, një …aneks! Drejtor të paça!

Thanë:
Të gjithë të zemëruarit, merren në brendësi me çështjet e hakmarrjes. Kështu, fantazia e tyre, në kohën që zgjohet, u shkakton të njëjtën kënaqësi si ajo që na shfaqet nëpër ëndërra.
Aristoteli

9/5/08

Protagonistët (26)

Tani ta besojmë, apo të bëjmë sërish të habiturit?! Gazetarët pa Kufij në raportin e tyre vjetor, na vënë në dijeni se rrezikojmë. Rrezikojmë natyrisht po, jo në Shqipëri dhe Kosovë! Dhe kjo, jo se kemi arritur kulmin e demokracisë. Akoma jemi aty nga fillimi. Nuk rrezikojmë se nuk na kanë në listë. Nuk na numërojnë e kemi fjalën. Midis 98 shteteve ku u vëzhgua liria e shtypit, nuk patëm fatin të ishim. Tani, kujt versioni ti besosh; atij të mospërfilljes apo atij të “perfeksionit” dhe “lirisë” së pakufizuar? Asnjërit. Gjithsesi, më shumë rrezikojnë kolegët në Spanjë dhe në Itali. Por edhe në Francën e Brunës.Botë e çuditshme dhe Evropë e habitshme! Na për diçka që mund të krenohemi tek evropianët. Ata edhe rrezikojnë!

Dikur nga goja e kryeministrit shqiptar, dilnin vetëm shfryrje mbi “kriptokomunsitët”, “enveristët”, “nanoistët” e të tjera fruta të jetës politike shqiptare(sic).Vetëm për...ProtAGOnistët nuk pati folur! Tashmë, që këto inate të së kaluarës (jo dhe kaq të largët) janë futur në sirtaret e rënda të Kryeministrisë, kreu i ekzekutivit, që të jemi dhe koherentë me shtypin e atdheut, është i angazhuar me të tjera kokëçarje. Të heq a të mos e heq imunitetin e Mediut? Ta shkarkoj apo jo Ndokën? Si i bëhet hallit me Sefgjinin, e të tjera të tilla vogëlsira qeveritare e parlamentare. Paralel, na ka dhënë fjalën se, në Evropë do të vemi, qoftë dhe duke kaluar nga mali. Këto që ngjanë me parrullat e realizmit socialist e planet e kooperativave të lavdishme bujqësore, nuk na trembin. Reformës agrare i tutemi disi se, mishi e leshi na janë mbaruar.

Këto vitet e fundit, jemi bërë dëshmitarë të ilariteteve festive të qeverive shqiptare. Shpjegohem, që të mos keqkuptohem: me të djathtën në pushtet Shqipëria është çliruar më 28 Nëntor të 1944-ës.Me në pushtet qendrorët e majtë (si të duket fjala e re që gjeta?), jemi çliruar më 29 Nëntor, po të vitit 1944. Për vitin bien dakort. Data i ngatërron disi. Ajo që nuk u ka shkuar akoma në mendje të djathtëve, është të ndryshojnë Ditën e Dëshmorëve. Çuditërisht, festohet (akoma) në 5 Maj. Madje, homazhe sivjet bëri edhe Ministri i Mbrojtjes. Për Kryemnistrin nuk bëhet fjalë se, sikurse e theksoi dhe ai vetë, duke qenë “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura”, ishte për vizitë në Bruksel tek shoku Baroso.

Meqë jemi tek Brukseli e tek zoti Baroso( e përmendëm si “shoku” më lart për respekt të datës së takimit), as njëri e as tjetri nuk ishin të gatshëm të na thonë ndonjë datë për nisjen e bisedime për anëtarësim. Problemi, sigurisht, është tek Baroso pasi nuk dimë sa e mban fjalën. Asnjë dyshim nuk kemi për “NPM”-në pasi, sikurse ai vetë e ripërsëriti edhe nga Brukseli, është “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura”. Akoma na gjëmojnë veshët nga çjerrjet festive e thirrjet për të përmbysur gjithçka komuniste e “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Gjithsesi, vonesa e vogël(!) 17 vjeçare që mund të vihet re, assesi nuk ka të bëj me politikën e kreut tonë të ekzekutivit, pasi, edhe njëherë e përsërisim, ai është “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura”!

Sikurse i fjalës së mbajtur është edhe Putin. Jo vetëm që me madhështi e dorëzoi presidencën tek i besuari dhe i përkëdheluri i tij Medvedev, por për të qenë i sigurtë se nuk do devijojë nga direktivat që i ka dhënë sampisti bjond e ish agjenti i KGB-së, bëri një lëshim e merr postin e Kryeministrit. Sa njeri i dhimbsur është... tavarish Putin?! Sa njeri me sedër e sentimental.Nuk mund të braktis kaq ftohtë Kremlinin, ndërkohë që, fare lehtë, mund të zgjidhet nesër pasnesër edhe Car i ardhshëm i Rusisë.Mua , o lum miku, ky shkëmbimi i posteve në Rusi më sjell ndërmend paksa Shqipërinë. Thua të kemi akoma në subkoshiencë lidhje që bijetojnë akoma nga Hrushovi?!

Mirëpo, meqë po flasim për fjalët e mbajtura , le ti përmbahemi korrekt temës e ti referohemi edhe mikut të shqiptarëve e të të gjithë popujve të shtypur nëpër botë.Edhe atyre që i shtyp vetë Amerika, përfshirë këtu afganët e irakianët, duke u dhuruar atyre një demokraci shtypëse. Kështu, Bushin e madh e të vërtetë, javën që shkoi, e pamë duke vallëzuar e duke i rënë daulles.Shumëkush, ka menduar se e bënte nga gëzimi i ikjes së Putin-it nga presidenca ose i ardhjes në presidencë të Medvedev-it. Ose akoma akoma, nga gëzimi që u takua Saliu me Baroson në Bruksel e biseduan për të ardhmen tonë. Dështuam mund t’u them se, arsyeja e vallëzimit ishte përgatitjet për dasmën e së bijës.

Dukuri e pashpjegueshme kjo e vitit 2009, që ka zënë gjithandej kanceleritë evropiane e botërore. Dikush martohet, dikush ndahet e sërish martohet, dikush tjetër ndahet por nuk martohet, një tjetër martohet por për t’u ndarë, e ndonjë tjetër, edhe nëse nuk martohet, e sigurtë është se ndahet. E mes këtyre, tek-tuk dikush gëzohet për ndarjet dhe martesat e të tjerëve duke dëfryer me martesën që ndodh në familjen e tij. Gjithsesi , ky është një vit krejt i veçantë. Një vit i mbarsur katërcipërisht me ngjarje. Për të mos thënë, me mbarsje që ndodhin në sallonet presidenciale e ato kryeministrore. Meteorologët, ndërkohë, gjithandej parashikojnë mot me re të mbarsura!

Thanë:
Ashtu sikurse shpata e ndërtuar nga metal me vlerë është mjaft elastike, kështu dhe fisniku i vërtetë, është më tepër i kujdesshëm dhe i durueshëm, në sjelljen e tij ndaj vartësve.
Plutarku

Mund ta lexosh edhe tek Tribuna

3/5/08

Protagonistët (25)

@ Le të shpresojmë, miku im, se me Pashkët je likuiduar! E trete kecin e rakia të doli. Dhallë ta bëjnë kokën këto festat. Meqë thashë festë, më erdhi ndërmend biseda me një koleg këto ditë.Ne shqiptarët- më thoshte,-duhet të jemi kombi më me fat në rruzull. Ky është xurxull mendova. Fatin tra e kemi, vazhdonte. Ka pirë i shkreti, pëshpërita. Kushedi ç’raki do ketë hedhur qysh në mëngjes?! Dhe jo vetëm e kemi sa një tra (fatin), vazhdoi ai, po nuk e kemi kuptuar. Kujt kombi tjetër i ka ndodhur të erret me një palë festash e të gdhihet me dy? Ore ne nuk kishim brekë dy palë, e u bëmë dhe me festa rezervë. Vetëm ne jemi që, fjetëm në 90-ën me 28-29 Nëntorin dhe u zgjuam në 91-shin me 15 Gushtin e me 25 Dhjetorin. Tashmë, edhe për të dhënë hua kemi festa.

@ Deri dje, nëse lajmin e mëposhtëm e lexoja pa emra dhe adresa, mëkat është miku im po, për në Shqipëri do më besohej se mund të ndodhte. Bie alarmi i një banke. Patrulla e policisë shkon në vendngjarje, sakaq alarmi ka pushuar(ka një afat kohor dhe ai dreq që zgjat), sheh derën e bankës që nuk është e dhunuar dhe...largohet! Nga brenda, “dy persona të mistershëm” siç i quan një gazetë, tërhiqnin nja 300.000 evro dhe zbraznin rreth 60 kuti me depozitime sendesh me vlerë. Mirëpo, ç’faj ka këtu policia kur ata hynë nga dritarja dhe jo nga dera?! Hajdutët vajti të kapte policia, jo dhe... mashtruesit! E gjitha kjo, ndodhi në lagjen e VIP-ave, Kifisia të Athinës! Që ngjajmë kaq shumë me grekët, na jepet mundësia ta vërtetojmë çdo ditë. Ka raste edhe natën. Ose fundja në errësirë.

@ Duhet të jemi të lumtur , të dashur kolegë. Të lumtur dhe mirënjohës ndaj drejtorit por dhe shtetit. Kujt shteti do më pyesësh?! Shtetit bazë dhe atij rezervë. Këto janë prioritetet e të qenit me dy shtete. Fakti i të qenit me një drejtor, vetëm si shenjë pozitive mund të vlerësohet. Të lumtur pasi këtu tek TRIBUNA, mund të martojmë, fejojmë e divorcojmë kë të duam dhe të mos rrezikojmë vendin e punës! Gjetkë, ka raste që rrezikohet jo vetëm vendi i punës, por dhe vetë drejtori. Një fjalë hodhi për presidentin Putin një gazetë Moskovite se gjoja po bëhej gati të martohej dhe të nesërmen u kyç! Gazeta kuptohet, jo martesa.

@ Ndaj them që, le të shijojmë lirinë e fjalës dhe mosçensurën që kemi fatin të përjetojmë. Megjithëse, me kryeminstra Berishën dhe Karamanliun, kurrë nuk rrezikon një gazetë të mbyllet. As ata të kenë lidhje jashtëmartesore. E shumta që mund të pësosh prej këtyre është të mos qeverisesh. Punë e madhe. Mos vallë ata që i kanë kryeministrat me të dashura, qeverisen më mirë?! Nuk e pe se çfarë i ndodhi Sarkozy-së?! Një vit kaloi nga fitorja në vota por sikurse pranoi, mendjen e kishte tek Carla. Një vit bëri të besonte se flinte në të njëjtin krevat me të. Edhe francezët, një vit për të kuptuar budallallikun që e votuan!

@ Sa më pëlqen demokracia shqiptare! Më pëlqen se, është si të thuash, një demokraci a la cart! Një lloj demokracie që shkon me gjithçka. Mund ta veshësh me trike leshi në Gusht e me mëngë zhapone në Shkurt! Kurrë nuk të shtrëngon e nuk të besdis. Bie fjala, do Prokuroria ti heqë imunitetin një deputeti për një lloj Gërdeci. U harrua si ngjarje Gërdeci po, vazhdon prokuroria të kërkojë gjilpërën në kashtë. Gjithsesi, të djathtët në pushtet nuk janë dhe...kondra, nuk janë po, jo dhe kaq pavarësi për prokurorinë, këmbëngulin. Kanë frikë se, ballaidiset nga pavarësia e tepërt. Hetoi deputetët thonë po, për ti arrestuar të na pyesësh. Zbavitës, nuk të duken?! Jo të ngrihen dhe këmbët ti bien kokës. Demokracia kalon nga Kuvendi , jo nga Drejtësia.

@ Lëmsh përpara porte, do trasmetonte me zërin i tij legjendar Ismet Bellova. Nga e majta Edi Rama(bashkë me “Dialogun me Shqipërinë), krah tij Ilir Meta, krah Metës afër qendrës Ceka dhe Gjinushi e përballë tyre Sali Berisha me Ndokën, Lesin,Mediun dhe...Gërdecin! Topi mungon! Përcaktojmë se bëhet fjalë për rrumbullakun me ajër dhe jo atë me karrigen në Presidencë! Në portë të gjithë ne. Edhe pse barrikada, duket e pa përshkueshme në pamje të parë, golat nuk numërohen. Sa të thuash “shyqyr Perëndi”, menjëherë të vjen të bërtasësh “ruajna Zot”! Ata që dikur rrokeshin e pëqafoheshin, tani i hedhin letra nën derë njëri-tjetrit si...Jovan Bregu shokut drejtor!

@ Berlusconi i ka fitoret në xhep.Të dielën zgjidhet Kryeministër e një javë më vonë, ndalohet publikimi i fotove me femrat që e argëtojnë. Tashmë, argëtohet publikisht me të gjithë italianët.
Ashtu, krejt spotanisht më vjen të pyes: si do të reagonte vallë kryeministri ynë, nëse Gërdeci pati ndodhur në qeverisjen socialiste? As ta mendosh nuk mundesh! Ajo prrofka që tha se, Blush ka vjedhur romanin e gjyshit, nuk zihet. Ka imunitet për prrofkat!
Lidhjet e forta miqësore mes Moskës dhe Athinës nuk më çudisin. Ajo që më frikëson është koha. Në Moskë bie shi. Jemi mësuar keq këtu në Athinë. Vetëm pluhur kemi. Dhe në mbyllje një lajm nga përtej oqeani: shtypi në Shqipëri ndën presioin e polikës dhe ekonomisë. Nuk më besohet.Amerika na do të keqen. Përveç Bushit.

Thanë:
Është mangësi e njohur e njeriut, të mos shqetësohet për furtunën që vjen, kur akoma është bunacë!
Makiaveli

Protagonistët (24)

@ Akoma nuk mundem të kuptoj, pse kaq "mosmirënjohës" ata të Shkupit. Të na thonë ore byrazer, sa duan? Greqia u taks 75.000.000 evro (në intervistë, jo në të vërtetë që të bien dakort të ndryshojnë emrin, dhe ata përgjigjen se nuk “jemi tregëtarë”. Shkupianë( siç themi kristianë), thoni po ore, të shohim nëse ka para korrnaci Alogoskufi(Ministër i Ekonomisë). Ndaj e thotë Dora, mos u frikësoni se mund ti japë në të vërtetë! Nuk është kaq dorëlëshuar sa ç’duket në ekrane e mikrofone. Në të vërtetë, unë prisja ndonjë kundërofertë.Bie fjala, të deklaronte Cervenkovsi që, i japim Greqisë dhuratë 76.000.000 evro dhe të heqë dorë nga pretendimet emërore. Do më thuash ku do ti gjente?! Teorikisht mund edhe ti gjente, ashtu siç qe dhe oferta e Dorës!

@ E vetmja zgjidhje është të shkoj ushtar në Irak. Pas 16 vjetësh në Greqi dhe përderisa nuk parashikohet të marr nënshtetësinë greke. Nga andej, duke luftuar për demokracinë dhe mirëqenien e irakianëve( dhe le të mos e dinë këtë e le të mos e vlerësojnë “mosmirënjohësit” irakianë), do futem në radhë për të marrë nënshtetësinë amerikane. Përse, çfarë kanë më shumë ata të njëzet e dy që e morën javën që shkoi?! Natyrisht, do më thuash, që ka njëfarë rreziku kjo se, mund të më ridërgojnë në Irak dhe prej andej, ka gjasa të kthehem thjesht si një, ushtar i vdekur me nënshtetësi amerikane. Atëherë, do të jem flijuar për "atdheun", veçse. Sa gëzueshëm dhe heroike dëgjohet ë?! Shpejtoni të deklaroni pjesmarrje. Pasaportat ju presin.

@ Është më se imediate , të gjithë shqiptarët që janë jashtë qeverisë, të fillojnë të bëjnë kursime. Do më thuash, sa shqiptarë nxë qeveria jonë?! Nuk e di, varet nga gjerësia që ka! Kursimet na duhen për tu ardhur në ndihmë atyre që na drejtojnë. Ata e kanë mendjen tek drejtimi, jo tek fitimi. Sikur ta kishin tek fitimi, do na hidhnin me ndonjë greminë. Tani që e kanë tek drejtimi, në greminë hidhemi vetë. Ata hidhen andej këndej nëpër banka për të derdhur ato pak të holla që fitojnë. Por edhe ato që u bëjnë dhurata. Në kohën e lirë, kalojnë dhe nga hipoteka. Rregjistrojnë ndonjë truall a apartament. Gjynah ti lenë pa rregjistrime.Pastaj, sa kohë do jenë në qeveri?! Kush shpejtoi, bloi!

@ I feksi Familjes Xhani! Do më pyesësh cila është familja Xhani e çfarë i feksi?! Familja Xhani , pikësëpari, është një familje italiane që qeveria shqiptare i shkeli truallin. Deri këtu asgjë për tu habitur. As e para dhe as e fundit. Ka familje shqiptare që u ka shkelur fytin. Mirëpo familja Xhani, nuk ngjan me këto të tjerat.Ose thënë më mirë, drejtësia që ajo iu drejtua , nuk qe dhe kaq e verbër. Kësisoj, e detyron shtetin shqiptar ta kompesojë atë, për shkeljen e truallit e ndërtimin e ambasadës tonë në Romë(këty hyn dhe drejtësia me sy) me 750.000 evro! Përnjëherë shteti ynë, konform ligjeve, miratoi buxhetin. Nuk kam dyshim se kemi shtet të disiplinuar. Mjafton të kesh drejtësinë e duhur. Jashtë Shqipërisë, kuptohet!

@ Opozita në atdhe e përçarë! Eja të bëjmë të gjithë sëbashku tani të habiturit. Në fakt, opozita me qeverinë, nuk del dhe kaq e përçarë. Absurditete Shqipërie. Mirëpo, opozita nuk është vetëm. Ka dhe ajo opozitën e saj. Vetëm qeveria rezulton të jetë më vete. Vetëqeverisje pa qeveri. Ndërsa opozita, edhe pse në opozitë, e ka një opozitë. Lëmsh me opozita e me qeveri. Problemi i opozitës është se kush do të marrë postin e kryeministrit kur të vijë dita të qeverisë. Shqetësime logjike e të mbështetura. Ai është dhe synimi kryesor. Kush do të bëhet kryeministër. Në djall të vejë opozita e qeveria. Grumbullime, ç’rregullime, akuza, mallkime, lavdërime, pagëzime e votime, të gjitha në altarin e shenjtë të Kryeministrisë! Punë e vështirë kariera kryeministrore.

@ U përjashtua Greqia nga protokolli i Kiotos. E pastaj? Fundja, në protokollin e Kiotos janë të mbledhur 174 shtetet që ndotin ambientin në rang botëror. Midis tyre, nuk bën pjesë Amerika. Asnjë arsye nuk ka të jetë.Ajo prodhon vetëm 20% të mikroorganizmave që fluturojnë në atmosferë. Greqia nga ana e saj, ka arsye të forta të mos shqetësohet për përjashtimin. Ç’punë ka një shtet kaq i pastër me...ndyracakët? Këtu ambienti nuk ndotet.Ka fakt më të besueshëm nga rasti i vetë ministrit të ambientit? Për të mos ndotur kryeqytetin, jo vetëm po e ndërton vilën në fshat, por edhe jashtë vijës së verdhë. Pluhuri gri në të verdhë, nuk është?! Pas kësaj, askush nuk duhet të ketë iluzion për përjashtimin nga protokolli! Vetëikje për ajrim ishte.

@ Yni është prioriteti të gjejmë armikun edhe në strofkën më të errët ku është futur. Ndoherë, ai paraqitet fillimisht si mik e shpëtimtar e më vonë, qoftë dhe momentalisht të bjerë ndesh me atë që ne kemi idealizuar, fiton me...djersën e ballit, titullin e armikut. Prokurorja Del Ponte, ndjekësja e pathyer e kriminielëve të luftës në ish-Jugosllavi Mlladiç e Karaxhiç, kësikohe ka fituar kundërshtimin, për të mos thënë urrejtjen e shqiptarëve. Shkakun e gjeti vetë ajo, duke akuzuar kosovarët për tregëti organesh të serbëve gjatë konfliktit etnik! Nytyrisht, një pretendim kaq pompoz, duhet të mbështetet në fakte. Por gjithsesi, mësimin e mban në vetvete. Larg idealizimeve duhet qëndruar. Dhe ne si komb, e kemi në gjak idealizimin.Përherë ekspertë të na rrëzohet qielli në kokë!

Thanë:
Pak njerëz e kanë në natyrën e tyre, të nderojnë shokun e tyre të lumtur, pa asnjë lloj xhelozie!
Eskili

Protagonistët (23)

@ A je i gatshëm të japësh një përgjigje në një pyetje të thjeshtë dhe paqartësi të protAGOnistëve? Në atdheun e çudirave, Ministria e Ekonomisë( ka dhe të tillë, mos nënqesh) , kërkon nga gazetat që, në stafin e tyre, të kenë një numër të caktuar gazetarësh, sipas faqeve dhe rubrikave! Këtë e kërkon Ministria e Ekonomisë! Vetvetiu lind pyetja: mos vallë ministri ynë i nderuar, ka ngelur ende tek sistemi i mëparshëm socialist? Zoti drejtor, më duhet këtu të bëj një sugjerim të vogël. Sipas direktivës më të re të ministrisë, ju duhet të bëni një inventar të stafit. Si shumë jemi grumbulluar kohët e fundit. Pa shihni njëherë, mos ndoshta duhet të bëni disa rrallime këtu. Të jemi konfrom direktivave, jo për tjetër arsye.

@ Edhe njëherë që shumica parlamentare greke, u përpoq të shpikte, nuk paskej qenë e thënë ta arrinte. Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, nuk pranoi versionin demokratiko-pluralisto-neo demokrat që, në rezultatin përfundimtar të votave që merr partia në pushtet, të numëroheshin edhe fletëvotimet e bardha. Jo në ngjyrë, në përbërje. Në votë, si me thënë. Kjo, aspak nuk bëhej që të merret një vend në Paralament xhaxhai i Kryeministrit. Ishte thjesht një rastësi. Jam gati të besoj se, atje në Strasburg, ka keqdashës të shkencës. Por edhe të zbulimeve që Greqia është e gatshme ti falë njerëzimit. Si munden, vallë, ti kthejnë shpinën këtyre hapave gjigande që bën demokracia në vendin që u lind?! Rekuizita ishte goxha tërheqëse, pavarësisht mosbesueshmërisë evropiane. Dështim kolektiv!

@ Është tashmë fakt i padiskutueshëm. Kemi p(r)apë Berluskonin! Kur them e kemi, e kanë dua të them. I sapo ngjyer e sapo zgjatur, sërish në karrigen perandorake të të shkurtërve! Madje, ajo që trumbetoi me rizgjedhjen Silvio, ishte shpërngulja e rezidencës qeveritare. Dhe për pak e kisha besuar se ishte metodë e partive socilaiste kjo.Rama në Vorë e Papandreu në Larisa. Njëri tek bujqit e tjetri tek të bombarduarit. Por nuk mund të ngelej pas Silvio, assesi. Merr kortezhin qeveritar seniore Berlusconi dhe në Napoli. Atje ku digjen rrugëve mbeturinat këtu e muaj. Nuk mundet të qëndrojë larg nga një shfaqje e tillë miliarderi italian. Këta të pasurit, kanë ca kapriçio të pakuptueshme nga ne qytetarët e thjeshtë. Duan ndonjëherë të ndjehen edhe ata mbeturina.

@ Ishin me mend pleqtë e moçëm që kishin nxjerrë shprehjen për “kadiun” dhe për davanë! E kujtuam këtë duke lexuar një lajm që vjen nga Irani i largët. Shefi i Policisë së Teheranit, dora e çeliktë e ligjit islamik në shtetin e Ahmadinexhadit, ndodhet në arrest e përgatitet për gjyq. Konkretisht tani, përse e kanë futur shefin në të freskët?! Ky që thua, miku im, qe edhe ndjekësi më i betuar i të rinjve dhe të rejave që kryenin marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. Një ngjashmëri e vogël me Mitropolitin Anthimos të Selanikut, është rastësi. Dënohet me ligj e quhet prostitucion akti seksual jashtë martese. Me organin (e ligjit) në dorë, shefi u kap me gjashtë prostiuta tek i “dënonte” konkretisht. Qe zhveshur dhe vetë, madje. Konkretisht!

@ Oshtëtin e gjithë Evropa, oshëtin Rusia mbanë! Kur flitnim për të shkurërit e kësaj bote që qeverisin gjithandej, nuk kishim përllogaritur se, kemi të bëjmë me një komplot të vërtetë! Për Sarkozy të kam thënë kaq herë dhe, me siguri tani, nuk do që ta dëgjosh më. Qartë! Po shejtani flë e ti shkon e zgjuan ama. More sa xhelozë janë këta burrat e shkurtër?! Carla Bruni ti, Alina Kabaeva unë! Aspak mos u trëmb se, as ti nuk ke Brunin e as unë Kabaevën. Putin e ka Kabaevën. Zyrtarisht jo akoma po, po afron. E ndau dhe ai Ludmillën. Mikrobi presidencial. Hall që i gjeti gratë e politikanëve. Asgjë nuk i shqetëson më shumë se zgjedhjet. Parashikoj sabotazh këtej e tutje nga vetë gratë.

@ U gjend dhe mënyra për të harruar Gërdecin! Madje u gjend kaq lehtë. Xha Sabriu i Republikanes dhe avokat Ngjela( ky është edhe deputet përveçse Spartak dhe avokat), i kërkuan kryeministrit , presidentit, kryeprokurores dhe parlamentit, të shkarkojë nga puna Bollanon e Himarës. E dëgjoi një polic, që ka përvojë në dëgjime qysh nga koha kur ruante bagëtitë e i mbante veshët ngrehur natën, tek kërkonte policë grekë për të rrahur himariotët se, ata që kanë dërguar atje i rrahin shqiptarçe! Ku të ha e ku të gris o xha Idris! Sidoqoftë, po qe se të rreh polici grek, të rreh me takt. Megjithatë, nuk e kuptova unë këtë: kur të zgjedh elektorati, të shkarkon ...inati? Ejani në vete se po qesh qyteti e fshati!

@ Yni nuk qe po, gjëmën e bëri e na vjen keq. “Titaniku” u fundos nga bullonat e dobët. Diç më thotë se do kenë qenë bullona Kavaje! Presidentit të ardhshëm Medvedev, i pëlqen “Joga”. Patjetër e ka filluar për të patur qëndrim konstant ndaj Putin! Mënyrë tjetër të menduari, i duhet Turqisë! E tha Babaxhani de, Ministri i Jashtëm i Erdoganit. Babaxhan burrë, pasardhësi i Osmanllinjve! Në Shqipëri, po mendohen të heqin Skënderbeun. Nga sheshi jo nga detyra. Habitem, si nuk ka zbritur akoma e tu hyjë me atë shpatën e gjatë. Ka ardhur koha të hipë atje ...Sabri Godo. Si pensionist e historian. Ma do mendja më i dobishëm do jetë atje sesa poshtë e duke folur. Qoftë edhe në vithe të kalit. Çlirimtar!

Thanë:
Ligësia, nuk ka nevojë për kultivim. Mbin pa asnjë përgatitje, sikurse farat e egra të hedhura mënjanë!
Henri Lakorder

Protagonistët (22)

@ Ashtu është dhe dyshim mbi këtë, nuk mund të ketë. Festat i patën munguar Shqipërisë. Të mblidhej paria e të dëgjoheshin bandat muzikore. Të viheshin në rreshtin e parë udhëheqësit e të parakalonte toga e nderit. Të vishnin zonjat kostumet e shtrenjta e të bënin parukeritë krehjet speciale. Të lustronin zotërinjtë këpucët dhe shoferat të bënin servisin më të kujdesshëm për makinat luksoze. Të merrnin ftesat familjet e larta e të hidhnin sytë zonjushat majtas-djathtas për dhëndurrët e ardhshëm. Të mblidheshin edhe njëherë si dikur në koktejet e hotelit “Dajti” apo “Tirana”. Të krekoseshin krah ambasadorëve të huaj që tashmë nuk dyshohen për agjentë të imperializmit. Të festojmë njëherë, byrazer, për një ftesë. Një ftesë që fsheh poshtë mbështjelles së saj ,ndoshta, edhe ndonjë mëkat.

@ Edhe pas veto-s së miqve grekë për mosthirrjen e FYROM-it në NATO, Ballkani ngelet i njëjti. Trevë me zemërime e konflikte të vogla. Zënka e kokëfortësi. Kapriçio liderësh e shtrirje dore ndaj të fuqishmit. Nga njëra anë Amerika, që bën mikun e të vegjëlve, nga ana tjetër Rusia që bën armikun e Amerikës. Kur grinden elefantët në ujë, zakonisht e pësojnë bretkosat. Shqipëria nuk ka arsye të jetë e trishtuar. Ftesën e mori. Pavarësisht se, edhe pa ftesë, besnikërinë ndaj të madhit e kishte treguar. Tashmë, na duhet të rendim. Atje ku ka vatra të nxehta. Të dërgojmë ushtarët tanë. Jemi të gatshëm të sakrifikohemi për Afganistanin e Irakun? Duhet, patjetër. Brenda kufijve, sakrifikohemi edhe pa NATO-n. Me armët që NATO-ja nuk i pranon.Vetëvritemi. Mjerueshëm!

@ Është në natyrën e njeriut të urrej. Sikurse dashuron. Por edhe të dashurojë për të urryer. Ndërlikime të thjeshtësisë njerëzore. Bota ,urren këto ditë flakën. Urren në të vërtetë atë që do. Ndaj dhe e urren. Nuk do ta shohë të ndizet atje ku urrehet njeriu. Liria, mbijetesa. Kina është shurdhuar. Të mëdhenjtë e botës janë bërë memecë. Një kor i madh shurdhmemecësh. Që rend pas flakës olimpike. Të cilën herë e fik e herë e ndez. Herë e fsheh për të mos e fikur ata që duan të ndizet por jo mbi fikjen e shpresës. Botë e shurdhët. Disa bëjnë zhurmë për të drejtat e tibetianëve. Tu jepet pavarësia, dëgjohen të belbëzojnë. Janë të njëjtit që për Kosovën thonë ndryshe. Tibeti është larg.Kosova aspak!

@ Ishte ndoshta e pritshme. Berluskoni shrehet publikisht dhe këmbëngul për gjatësinë. E ka , thotë, më të gjatë, shtatin, nga Putin dhe Sarkozy. Bën vaki. Madje kam bindjen se e ka dhe më të zi. Flokun. E ngjyen me këna njëherë në pesëmbëdhjetë ditë, na bëjnë me dijeni miqtë tanë në Itali. Nuk e di nëse e ka dhe më të re. Bashkëshorten. Për Sarkozy-në nuk ka asnjë dyshim. Jo vetëm e ka më të re(nga Berluskoni e Putin) por edhe italiane. I ngelet Berluskonit të ndajë të sotmen e të rimartohet me një franceze. Të marrë hakun e kombit. Habitem si i shpëtoi Karla Silvios. Me siguri, nuk ka kaluar nga kanalet që zotëron. Me ruse, nuk bëhet fjalë. Nuk flasin italisht. Janë dhe bionde.

@ Ora për udhëtim. Udhëtim në atdhe. Me të njëjtën mënyrë, këtu e vite, shteti grek i dërgon emigrantët me leje. Çdo pranverë ( doemos kur afrojnë Pashkët e ortodoksëve), çdo Gusht e çdo fundvit, nga blloku i liridaljeve grisen tre fletë. Për secilin nga ne. Nuk është keq. Ushtria i ka dhe këto vështirësi. Nuk jemi ushtarë? E pastaj? Të bëjmë dhe disa parashikime: në ditët e kthimit, me siguri kanë për tu prishur kompiuterat e Kakavijës nga ana e Greqisë. Nga ana e Shqipërisë, në vajtje, doganierët do lenë mbi tavolinën e punës të holla evro. Akoma dhe polici që ul trarin e fundit për në atdhe, ka për të bërë kompetentin, mbase i ngelet ndonjë e...hollë edhe atij. Atdheu i çudirave na pret!

@ Ushtria shqiptare, pjesë e NATO-s. Të paktën kështu, justifikojmë dhe gatishmërinë për të dërguar trupa në Afganistan dhe Irak. Janë detyrime të Alenacës. Ata që kishim dërguar kur akoma nuk ishim të ftuar të Aleancës, ishin pararoja. Tashmë do të shkojnë forcat mësymëse. Kur të anëtarësohemi plotësisht, është radha e prapavijës. Me vrullin dhe entusiazmin që kemi ne nga ftesa, nuk do shumë të shrehim vullnetin për të çuar ushtarë edhe në hënë. Çdo bëjnë në hënë? Të mbrojnë flamurin amerikan që ngriti atje astronauti Armstrong. Nuk është e drejtë të mos tregojmë solidaritet. Kaq shumë po na përkrah Amerika. Le që, akoma nuk kemi plotësuar “borxhin” e Vietnamit. Vërtetë nuk ishim atëherë aleatë po, miku i mirë, kurrë nuk harron.Më mirë vonë se kurrë!

@ Ylli me pesë cepa i pret! Duan s’duan, uniformën do ta veshin. Le të jenë akoma dhe antikapatë. Në Fier, bie fjala, të gjithë ata të rinj që qarkullojnë në rrugë, janë a priori të dyshimtë për moskryerje të ushtrisë. Asgjë nuk i shpëton. As sakatllëku. Ushtarë do ti shpien, jo ...shkencëtarë. Mblidh e përcill. Ndoshta këto janë dhe reformat e reja që duhen kryer për anëtarësimin. Rekrutim masiv. Pa dallim feje, krahine, sëmundje dhe mangësie mendore. Mjafton të jenë meshkuj. Dhe të rinj. Ushtria mbi të gjitha. Rrezik, nuk ka të dukshëm.Përveç atij të boshatisjes së reparteve ushtarake. Ka gjasa, kur të vijë anëtarësimi i plotë, ushtria të festojë me pacientët e spitaleve të të çmendurve. Në sup armë! Të heshturit janë të dobishëm.


Thanë:
Të hakmerret ndokush, qoftë dhe ndaj armikut të tij, është gjë e keqe. Të mos hakmerret ndaj askujt, është shpirtlartësi!
Volter

Protagonistët (21)

@ Zoti( që nuk besoj) të më nxjerr gënjeshtar po, jam i bindur që presidentit të Amerikës (dhe miqëve të saj kudo në botë), i japin “kinino” të skaduara! Po po! Nuk ka tjetër shpjegim. Lart më lart o shokë, flamurin e...gafës, po e çon komandanti i planetit. Dëgjo se çfarë lëshoi...zëbilbili e sypetriti njëherësh: jam i bindur që Ukraina një ditë do ti bashkohet Aleancës Atlantike, në të mirë të sigurisë së vetë qytetarëve të saj por edhe atyre demokratë në të gjithë botën. Dua të besoj se Rusia, nuk do të përdorë veton për një hap të tillë! Driiiiiiiiing! Akoma nuk i kanë thënë që Rusia nuk është anëtare e NATO-s, edhe pse karriera presidenciale po përfundon. Fli o komandant me fletë, fli!

@ Ne specialistë futbolli nuk jemi. Topin e dimë vetëm që, brenda është i mbushur me ajër. Madje, vetë i kemi rënë edhe kur ishte me lecka ose edhe me ...kashtë. Mirëpo, siç na thoshin asokohe “specialistët” e partisë se fasulja është mishi i fukarait, mund të parafrazojmë thënien dhe ta paralelizojmë me futbollin. Bukë, bie fjala, mund të mos ketë për darkë shqiptari po, topin do ta ndjekë. Dhe këtët topin tonë, e morën mësysh. Diç më thotë se, qyshkur u nakatos Topi me rrumbullakun, mori tatëpjetë. FIFA dhe UEFA kanë përjashtuar futbollin tonë nga radhët e tyre. Kjo ka rindodhur në Shqipëri në 1997-ën. Atëherë, madje, përfaqësuesja luante nëpër Evropë që të mos rrezikonin të ardhurit nga plumbat. Tani, rrezikon topi nga politikanët.

@ Tashmë, jam i sigurtë se Enver Hoxha ka vdekur! Domethënë, ka vdekur përfundimisht, dua të them. Madje ka vdekur dhe e kanë futur shtatë pashë thellë, saqë, asnjë kontakt të mos ketë me ato ç’ka ndodhin mbi tokë. Se, miku im, ndodhin të pa ndodhura ndonjëherë. Dëgjohen të pa dëgjuara. Nexhmije Hoxha, as më shumë e as më pak, është kthyer, tashmë, në përkrahësen më të zjarrtë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Përfshi edhe Bashkimin Evropian. Ajo që më shqetëson, është tmerri që do ndiejnë banorët e kodrinave të Tiranës kur të shohin fantazmën e Enverit tek rend në mesnatë për të gjetur anëtarët e Byrosë, ti thërrasë në mbledhje urgjente. Armiku i brendshëm po kërcënon themelet e diktaturës së proletariatit. Rroftë Partia!

@ Lajme që vijnë nga toka e çudirave. Nga vendi ku çudia, tashmë, nuk të çudit më e absurditeti është natyralizëm. Shipëria drejt NATO-s si ushtar i palgosur! Me zvarritje e ka fjalën. Qeveria fsheh koston finanaciare të tragjedisë së Gërdecit. Pse, e di qeveria koston që ta fshehë? Flirti femëror, humbje kohe. Prit gomar të mbijë bar, me një fjalë. Berisha në krye të delegacionit të Lojrave Olimpike në Kinë. Kjo është dhe rezumeja e lajmeve. Perëndimorët kritikojnë ashpër Pekinin për dhunën e ushtruan në Tibet. Gëzohem shumë, mirë se na erdhët , thotë e djathta qeverisëse shqiptare! Me kësi vogëlsirash, le të merren progresistët. Ne jemi pro të fortit. Ku bën bam e ku ka tym, Shqipëria shkon me vrap të japë ndihmë.

@ Eshtë e njohur debulesa e “ProtAGOnistëve” për politikën dhe politikanët amerikanë. Preferencat nuk fshihen. Dhe nuk kanë dhe arsye, mund të plotësoja. Ajo që më ka vënë në mendime këtyre ditëve, ku dua dhe ndihmën tënde miku im, është çfarë do të ndodhë në “Shtëpinë e Bardhë”. Nëse Hillary( gjë nuk duket se do të ndodhë por le të jemi të përgatitur) fiton maratonën elektorale dhe së fundi bëhet presidente, çfarë ka më shumë gjasa të realizohet ; të rikthehet Monica e ti bëj shoqëri Billit apo të zbulojë Hillary ndonjë punonjës të shkallës së ulët dhe të “hakmerret” për fustanin e njollosur të mandatit të ish-presidentit saksofonist? Diç më thotë se, “veglat frymore” janë më të preferuarat e familjes Clinton. Botë e mbrapsht!

@ Pas vizitës së disa funksionarëve të shtetit të(disa) shqiptarëve në Greqi, një miku im student, shprehu shqetësimin dhe kureshtjen, nëse dinë atje në Tiranë, numrin e atyre që studiojnë universiteteve helene. Natyrisht, përgjigjia është e thjeshtë. Edhe për ata por edhe për ne. Për ata, ngaqë është kaq e ndërlikuar një proçedurë e tillë saqë, do të qe luks t’u kërkohej të angazhoheshin me kësilloj “kokëçarjesh” studentore. Fundja, studentët as tregëti armësh bëjnë, as kontrata rrugësh lidhin, as imunitet parlamentar zotërojnë e as “reformues të shtetit” mund të quhen. Për ne, akoma më lehtë. Nuk bën ti shqetësojmë, si ta themi?! Sill në mend ti pyeste ndokush, për nxënësit shqiptarë që shkojnë në shkollat greke në të gjitha shkallët e arsimit. Ekuacion i pazgjithsëm!

@ Nuk besoj se zbulon ndokush...rrotën nëse thotë se, në Shqipëri, je ai që deklaron. Me një fjalë, deklaro se je dentist, bie fjala, dhe të nesërmen, radha jashtë banesës për të ndrequr dhëmbët, i ngjan radhës së qumështit në vitet e ndërtimit të socializmit me forcat tona. Mirëpo, kjo nuk është dhe kaq e çuditshme. Vetë shteti bën të pamundurën të deklaroj se është diçka tjetër nga ajo që duket. Ish polici emërohet mësues, ish- zetoristi drejtor i seksionit të investimeve, ish-mësuesi shef komisariati në polici, e kështu me radhë. Rëndësi ka rehabilitimi i “tanëve”. Me çdo kusht e me çdo mënyrë. Cili është detyrimi, i thua doganierit, dhe ai të përgjigjet serbes: për shtetin asgjë, për mua shikoje vetë! Jo po, do skuqet!

Thanë :
Nëse nuk mbjellin pemën e diturisë kur jemi të rinj, nuk do të na japë hijen kur të jemi plakur!
Lordi Cesterfield

Protagonistët (20)

@ Unë, Sali Berisha, deklaroj se për herë të parë në jetën time, kam dëgjuar fjalën Gërdec, më 15 mars të këtij viti!
Kjo është deklarata e fundit e kryeministrit shqiptar. Disa në atdhe, u kapën pas kësaj deklarate kaq të thjeshtë dhe flasin për “skandal” e për mosnjohje nga ana e kreut të qeverisë të territorit të vendit të cilin ai drejton. Nuk janë në vete, mund tu them me plot gojën. Si mund të dijë kryeministri ynë të gjithë territorin e vendit? Pse, gjeolog është ai apo gjeograf? Selia kryeministrore , pastaj, as në Vorë është e as në Gërdec. Armët dhe municionet, as në “Parkun Rinia” janë e as tek “Liqeni Artificial”. Madje as në Farkë. Atje të mbysin vetë varkat, nuk duan ndihmë!

@ Plumbi del me plumb, ka thënë një heroinë që nuk më vjen ndërmend. Çfarë të kujtojë më parë njeriu, kur rrethohet kaq shtrëngueshëm nga heronj të përditshëm?! E megjithatë, mund të kishte thënë që, gëzimi del me gëzim, vaji me vaj ( të vajtueshëm, doemos) por edhe dasma me dasëm! Sido që të formulohej tekstualisht thënia, diku, dikur, zbatim do të gjente. Le të marrim martesën si shembull. Martohet , bie fjala, preidenti i Francës dhe bëhet goxha bujë?! Me të drejtë. Mori nuse, jo shaka. Por edhe ish-gruaja, nuk qëndroi duarkryq. Mori për krahu të dashurin e saj( të radhës) dhe vendosi kurorën( e radhës) në New York. Proekupime serioze që të bëjnë të solidarizohesh me ta. Fshati digjet, kurva krihet, thotë gojëmjalti popull.

@ Vilson Blloshmi e Genc Leka. Në muajin Mars të viti 1977, dy poetët u pushkatuan në Shqipëri për “krime politike dhe ekonomike”. Sigurisht, ata që i “hetuan” dhe më në fund edhe i pushkatuan, të vetmin justifikim që kishin ishte...ekspertiza shkencore! “Asgjësimi i armiqve” dhe jo gjetja e fakteve, ishte qëllimi. Disa thonë Maji e të tjerë bëjnë fjalë për Marsin. Por të gjithë, megjithatë, janë të mendimit se i detyrohemi ti bëjmë një festë të përvitshme. Për poezinë bëhet fjalë dhe, kur duhet t’i festojmë?! Homazhe për Gencin e Vilsonin kur do bëjmë? I çuditshëm atdheu. Të vret kur i këndon të vret dhe kur hesht! Ka raste kur të vret dhe kur krijon. Vrasës i poetit, vetëm një atdhe i pashpirt mund të jetë.

@ Kujt shqiptari nuk i ka ndodhur ti ketë mbajtur inat një tjetër shqiptar?! Ndoshta, duhet të jemi kombi me inatçinjtë më të shumtë në Europë. Për planetin, nuk po e vë dorën në zjarr. Inati mban më shumë tek injoranti. Sa më shumë inatoset, aq më tepër bëhet qesharak. Zakonisht, inatçiu, është edhe keqbërës. Aq shumë jemi të infektuar si komb nga mikrobi i inatit saqë, edhe shteti i mban inat vetevetes. Nuk shpjegohet ndryshe. Në Mars të 2007-ës, ish-presidenti i vendit alarmohej për gjendjen e armatimeve në Shqipëri. Kërkonte të takonte kompetentët e ministrisë përkatëse dhe ata...i mbanin inat. Nuk shkonin ta takonin me justifikime idiote. Shtet qesharak me funksionarë të papërgjegjshëm apo shtet i papërgjegjshëm me funksionarë qesharakë është ky shteti shqiptar? Ndoshta të dyja!...

@ Miqtë e mëdhenj të Shqipërisë së vogël, festuan këto ditë. Festuan për luftën. Festuan 5-vjetorin nga dita kur kaq bujarisht u falën demokracinë irakianëve. Më parë i kishin falur demokracinë afganëve. Akoma më herët e patën bërë edhe me vietnamezët. Gjatë festës u përmendën edhe disa shifra. Shifra të vdekurish. Katërmijë ushtarë amerikanë dhe aleatë të tyre janë flijuar deri tani në “bulevardet e demokracisë” irakiano-amerikane. Krejt mosmirënjohës në fakt po tregohen edhe ata. Është e mundur të të vij okupatori dhe ti të mos e presësh me buqeta lulesh?! Kështu pati thënë ministri i mbrojtjes i Bushit. Me lule do të na presin. Do më thuash që, nuk pritet pushtuesi me lule. Një fjalë goje është. Kur të pushton Amerika, është pushtim tërheqës! Pushtim demokratik.

@ Erdhi koha e biondeve! Poshtë brunet! Përpara se të nxitohesh e të më akuzosh për thirrje anti-zeshkanesh, më duhet të sqarohem. Në Kremlin, u themelua partia e parë në botë, me qëllim mbrojtjen e biondeve. Do më pyesësh nga do ti mbrojë partia?! Me të drejtë shqetësoshesh. Unë feminist nuk jam dhe, as ndonjë problem nuk kam me biondet. Në të kundërt madje. Kam disa miq të mitë që, më lutin të ndërhyj e të pranohen në radhët e partisë së sapokrijuar. Edhe këta burrat, mos dëgjofshin grumbullim biondesh se, të vetmen gjë që mendojnë, anëtarësimi në radhët e tyre është. Në fakt, programi ...biondor, përmban edhe anëtarësimin burrëror. Nuk përjashton, madje, as zeshkanet. Demokracia dhe pluralizmi ideor, zënë vendin kryesor në partinë e sapokrijuar.

@ Greqia fqinje ndodhet në një dilemë të fuqishme kësi kohe. I duhet të vendosë se si i pëlqen të emërtohet fqinji i saj verilindor. Nuk është asapk e thjeshtë. E kemi rithënë që, pagëzime të tilla sjellin ...kokëçarje dhe dhimbjemëndsh! E megjithatë, ka gjasa as kësaj here të mos bien në ujdi për emrin. Kohë të vështira për pagëzime. Sakaq, uji me bollëk në Shqipëri. Jo për pagëzime, për ndriçime. Drita elektrike që solli partia( me rastin e rrreshjeve të pallogarituar), thuhet se këtë vit, nuk do t’u mungojë shqiptarëve. Me të parë e me të bërë. I besohet qeverisë? Qeveria e ka në dorë edhe gurin edhe arrën. Sot të vret e nesër të qan. Të qan komunalja në fakt se, janë boshatisur shtëpitë. Punë qeverie!

Thanë:
Mirësjellje është të përballosh me qetësi dhe pa zemërim, banalitetin e të tjerëve.
Stendal

Protagonistët (19)

@ Gërdeci! Fshat në afërsi të Tiranës. Aty, qeveritë shqiptare patën grumbulluar për asgjësim, një sasi të madhe municionesh luftarake. Në ndihmë u patën ardhur edhe kolegët amerikanë. Të punësuar, përveç të tjerëve, qenë dhe fëmijë të mitur. Në datën 15 Mars, nga një pakujdesi njerëzore(?), njëra prej depove u hodh në erë duke mbjellë vdekjen dhe shkatërrimin kudo. Pas kësaj, pritet që qeveria të ngarkoj me faj televizionet, radiot, gazetat, faktorët atmosferikë, ish-komunistët(që janë jashtë qeverisë), njerëzit që vdesin kaq shpejtë, lumenjtë që rrjedhin poshtë, ujin e kripur të detit, “tradhëtarët socialistë”, rritjen e çmimeve të naftës, fëmijët që punonin atje dhe nuk shkonin në shkollë, shtëpitë e ndërtuara me material të dobët, barutin që kur e vë me zjarrin bashkë shpërthen, xhamat e dritareve që thyhen lehtë.

@ Pushteti! Teorikisht ,është vullneti i popullit, që shprehet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike, i cili ka për detyrë administrimin e të gjitha segmenteve që përbëjnë një territor të organizuar. Të ekonomisë, drejtësisë, infrastrukturës, mbrojtjes kombëtare, arsimit, shëndetësisë, ruajtjes së rendit, sigurimin e kushteve minimale të sigurisë në vend, mbrojtjen e çdo qytetari nga rreziqe që mund ti kanosen atij, të brendshme ose të jashtme. Në raste urgjente, gjendet pranë qytetarëve me përkujdesjen e duhur dhe me ndihmën që vetëm ai është në gjendje të ofrojë, si organi më i lartë dhe më kompetent. Nuk neglizhon në detyrimet ndaj popullsisë dhe nuk është indiferent ndaj asgjëje që do të vinte në rezik sigurinë kolektive. Të gjitha këto, (duhet të) ndodhin, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë!

@ Kryeministri! Personi që kryeson Këshillin e Ministrave. Zakonisht, dikush që njeh mirë shkencat politike. Pas votimeve të lira dhe demokratike, ku secili shpreh vullnetin e tij për atë forcë politike që ai beson se do ta qeverisë më me efikasitet, drejtuesi i partisë që merr shumicën e votave, ngarkohet nga Presidenti me detyrimin e formimit të qeverisë. Emëron në qeveri personat më të kualifikuar që mund të ketë në dispozicion, me qëllim që ti vijnë në ndihmë qytetarëve, duke drejtuar produktivisht institucionet që u besohen nga kreu i qeverisë. Mban në mbikqyrje të gjitha ministritë dhe është në gatishmëri për të zgjidhur çdo problem që lind në vend. Bashkërendon veprimet me ministrin që ai vetë ka emëruar në ministrinë përkatëse. Përjashtohet rasti kur ushtrohet detyra në Shqipëri!

@Armët! Qysh nga epoka e shfaqjes së tij mbi tokë, njeriu, shpejt konstatoi se ishte i dobët ndaj kafshëve të tjera, dhe duke përdorur logjikën, mundi t’u shtonte armëve natyrale(thonjtë, dhëmbët), armët e ndryshme primitive, që me kalimin e kohës, bashkë me evolimin njerëzor, evoluan dhe ato. Revolucioni më i madh në fushën e armëve, përjashto këtu shpikjen e armëve atomike që friksësojnë edhe vetë poseduesit, erdhi me shpikjen e barutit. Qysh atëherë, duke marrë parasysh forcën e pallogaritshme që fiton ai pas ndezjes dhe shpërthimit, kanë ndodhur miliona vdekje prej armëve. Ka raste që, kur shpiken armë të reja, asgjësohen modelet e vjetra. Personeli që merret me këtë proces, është posaçërisht i kualifikuar. Nuk lidhet detyrimi i mësipërm me Shqipërinë. Atje, mund ta bëjnë edhe fëmijët!

@ Drejtësia! Njëri nga faktorët bazë të demokracisë. Qysh në lashtësinë e largët, kur personi shkel ligjin, ndërhyn drejtësia dhe e ndëshkon atë. Pa drejtësi, vetëm në xhungël funksionojnë. Atje, drejtësia është aftësia e më të fortit. Luani shqyen e copëton sorkadhen, tigri, pa u ndrojtur nga askush, në mes të ditës mund të vrasë një zebër. Në ambjentet ku jetojnë njerëzit, kur dikush sulmon dikë, ndeshet me ligjin. Atje ku drejtësia funksionon normalisht, sistemi quhet demokratik. Dhe në demokraci, shteti dhe personi, janë të barabartë përpara ligjit. Kur shteti shkel të drejtën e personit, ndëshkohet. Kjo ndodh atje ku ka drejtësi të mirëfilltë. Ato ç’ka thamë më lart, kurrsesi nuk mund të gjenjë zbatim në Shqipëri. Në atdheun tonë, drejtësi është e drejta e shtetit. Shteti s’gabon!

@ Gënjeshtra! Është një fjali ose fjalë që përdor dikush me qëllim që të bind publikun se është e vërteta. Sakaq, ai vetë, e di se kjo është gënjeshtër. Ka gënjeshtra “të bardha”, ose thënë ndryshe të padëmshme, por ka dhe gënjeshtra “të zeza”, që hyjnë në kategorinë e shpifjes. Tek e para bëjnë pjesë ato që nuk dëmtojnë askënd. Tek e dyta, hyjnë ato gënjeshtra, që kanë për synim, jo vetëm të dëmtojnë dikë, duke shpifur diçka që assesi nuk qëndron si e vërtetë, por në thelb, fshehin dhe qëllime të këqija që ndërthuren me përfitime personale. Gënjeshtari, nuk është gjë tjetër, veçse një spekulant i rrezikshëm dhe njeri me probleme patologjike në ndërgjegje. Kur është shteti gënjeshtar, ka drejtësi, kur është personi, e përbuz dhe shpërfill!

@ Demokracia! Kuptimi i vërtetë i saj, do na thoshte Platoni, gjendet në qiell. Por fatkeqësisht, nuk na është bërë e njohur. Sipas Platonit, demokracia është mbizotërimi i lavdisë ndaj filozofisë, me një fjalë i mendimit ndaj diturisë. Ndaj dhe ai e urrente demokracinë. Për Aristotelin, edhe pse demokracia ishte element i domosdoshëm për qeverisjen, qëndronte larg të qënit një zgjidhje e mjaftueshme. Beatrice Webb, nuk kundërshtonte demokracinë kur thoshte“ demokracia nuk është shumëfishimi i mendimit të naivëve” edhe pse në të vërtetë, kërkonte nga demokracia kulturim të vërtetë dhe të gjerë të popullsisë. Poeti thotë: demokracia të ngroh gjakun si vera. Në atdheun tonë, ka (jo pak) raste kur ajo që quhet demokraci,disave(të paktë në numër) u ngroh xhepin, me gjakun e disa të tjerëve pa xhepa.

Thanë:
Mallkimi i së keqes është se, vazhdon e pjell të keqen!
Fridrih Shiler

Protagonistët (18)

@ Edhe pse ne si komb, ç’nuk kemi bërë për këta miqtë e mëdhenj të përtejoqeanit, ata prapëseprapë, thua se na kanë ndonjë inat të vjetër, nuk rreshtin së nxjerruri probleme dhe duke gjetur ndonjë “hollësi” që na prish imazhin në botën e jashtme. Se mirë që konstatojnë ndonjë mangësi të vogël tek-tuk, ndonjë shkelje ose abuzim mospërfillës, ndonjë kleçkë që nuk prish punë po, është e nevojshme këto ti bëjnë raporte e stërraporte?! Mirë keni ecur na thonë po, keni ca shkelje të të drejtave të njeriut, ca gjakmarrje, ca keqtrajtime në burgje, ca korrupsion në polici, ca censurime në shtyp, ca mungesa kushtesh sanitare në burgje, ca shitje grash e fëmijësh e ku di unë të tjera “hollësira”. Për të reja na i thoni këto tani?!

@ E lexove shpresoj, miku im, lajmin që erdhi nga Nju Yorku! Po e bëj një rifreskim, për të mirë apo për të keq. Në deponim publik u detyrua të ekspozohet aleati politik i Hillari Clinton-it zoti Eliot Spizer, Kryeqeveritar. Ç’deponim, do më pyesësh, o lum miku?! Këtu qëndron problemi. Deponoi se, edhe pse i martuar dhe me tre fëmijë(ti rrojnë meqë erdhi fjala),vetëm një ditë përpara datës së të dashuruarve, u takua me një prostitutë në një hotel luksoz në Uashington. E pranoi këtë edhe vetë “dëmbërësi”. Shuma që pagoi, madje, afronte të katërmijë dollarët. Kjo familja Clinton, si rrufepritës i tërheq këto ...jashtëmartesoret! Nga dora në dorë stafeta, nga presidenti tek kandidatja. Këto shohin amerikanët dhe, me kalë të bardhë do ta shpien Obamën në Washington.

@ Deputetët e partisë në pushtet në Shqipëri, kanë zënë radhë në zyrën e ankesave. Të Kryeministrit, natyrisht. Janë me të vërtetë në siklet. Ankohen për mospërfillje nga ana e ministrave. Të cilët, ministrat, disa prej tyre janë edhe deputetë por, është karrige më e rehatshme ajo e ekzekutivit(më pëlqen që kam futur në fjalor edhe terma modernë të gjuhës politke të atdheut)! Deputetët, meqë vjen fjala, nuk ankohen për hallet e tyre. Më së shumti për elektoratin e kanë merakun. Sigurisht! Askund në botë nuk ka deputetë që ankohen për hallet e tyre. Vetëm për zgjedhësit. Të tyret i zgjidhin qysh nga dita që shkelin këmbën në Parlament. Ndokush edhe më parë. Ndonjëri edhe pas mandatit. I ndjej parlamentarët e merakosur! Fundja , për elektoratin e bëjnë.

@ Shejtani është duke fjetur, ti vete dhe e zgjon, thonë andej nga anët tona. E pastaj, e kam unë fajin që merrem me Nicola Sarkozy-në dhe me të shumëlakmuarën e tij Carla Bruni. Besoj se të ka rënë edhe ty në vesh lajmi. Është pak si...shtatzënë Carla. Qenka “shpirto” presidenti. Pa dale tani se, llogaria nuk po më del mua. Domethënë , ka gjasa pasardhësi të jetë ngjizur pa arritur akoma në shkallët e Bashkisë çifti presidencial? Këto janë shembuj të keq, zoti president. Pavarësisht nëse në programin tuaj elektoral, bëhej fjalë për ardhjen sa më afër me shtresat e ulëta dhe me njohjen e të drejtave të grave për të qenë të pavaruara dhe sovrane(!), fakti i shtatëzanisë së Brunit, është në favor të së majtës!

@ Në Greqinë fqinje, kohët e fundit janë të zhytur në mendime të thella. Nga ta nisësh e ku ta përfundosh?! Por ajo që i proekupon më shumë është gjetja e një emri për FYROM-in. Të mësuar fqinjët tanë jugorë me ritet fetare të dhënies së emrave, tashmë, që duhet një emër jo i lidhur me fenë, vështirësohen tejmase. Sepse, do të qe krejt e lehtë nëse i duhej dhënë Shkupit një emër nga një dhespot ose një peshkop. I vinte një... Sotir atje prifti dhe, mbaronte ahengu. Mirëpo këtu, duhen shkelur ritet, byrazer. Eja tani dhe pagëzo sllavomakedonët. Të qe në dorën tonë, të shqiptarëve, e kishim gjetur emrin pa u lodhur hiç. Nga lista e gjendjes civile, zgjidhnim më të volitshmin. Ose më të ...lejueshmin!

@ Babaxhan burrë na qenkej ky Kryeministri i Turqisë! Ditën e festës së gruas( të tijës dhe të të gjitha grave të botës) u bëri thirrjeve turkeshave të bëjnë secila nga tre fëmijë! Perëndimi ,tha, ka në plan ta zhdukë kombin turk, ndaj e vetmja rezistencë është të shtojmë popullsinë! Dreq o punë! Edhe kërkon të “zhdukë turqit” Perëndimi, edhe i lutet Perëndimit Erdogani të bëhet pjesë e Perëndimit Turqia! Na ke ngatërruar aga bej efendi! Si e justifikon këtë , çfarë xhevapi i jep zotrote? Këta perëndimorët, derbederë burra e batakçinj mund të jenë po, ti që ua di mirë këto qëllimet e zymta, si të ka marrë koka erë dhe do të bëhesh si ata? Edhe me perçe edhe me minifunde, nuk para shkon, Tajip aga!

@ Po gazin( e të qeshurit) si mund ta mbash kur dëgjon lajme të tilla?! Dje u prit në Tiranë nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar... tek kush të shkon mendja? Mikele Placido, zotëri. Nuk e njeh? Dhe pastaj, ngaqë nuk e njeh ti, e ka fajin qeveria për këtë?! Ku e kishe mendjen ti kur ne bridhnim zyrave të këshillit popullor të lagjes dhe të fshatit për të ndjekur “Katanin”?! Pse nuk thua ti që, paske shpëtuar në fill pa u akuzuar asikohe për devijim nga mësimet e partisë?! Film me seri or mik, Katani! Dhe ne shqiptarët, mund edhe të vonojmë në disa gjëra por, për të harruar, nuk harrojmë. Argëtuesit e publikut gjatë realizmit socialist, meritojnë nderin e udhëheqësve tanë sot.

Thanë:
Dashuria dhe logjika, ngjajnë me diellin dhe hënën. Kur lind njëri perëndon tjetra!
Ciceroni

Protagonistët (17)

@ I përulem fantazisë shqiptare! Vetëm brenda një dite, ranë në një mendje 250 persona dhe kaluan... rubikonin politik. Nga selia rozë e Edi Ramës, gjetën strehë në selinë e kuqe me gërma të bardha të Ilir Metës. Nga selia në seli, me një firmë ranë në ujdi. Sikur përherë bashkëkombasit të merreshim vesh kaq lehtë dhe masivisht, me siguri, do të ishim për studim shkencor si komb. Si e tha Ben Blushi atë barcaletën mo, si e tha? Partia Socialiste është si autobus i viteve ‘80 ku shkruhet mos i fol shoferit?! Beni ecën vetë po, pa autobus mesa duket se, akoma shkruhet kjo. Ata që mungojnë në Shqipëri, janë autobusat. Vështirësohen të gjejnë vend parkimi nga Mercedes-at e djelmoshave që interesohen për të mirën e shumicës!

@ Rruga Durrës – Kukës, po ndërtohet me ritme të shpejta, mësojmë. Madje, jo vetëm po ecën shpejt po, në vazhdën e saj ka filluar dhe mbjelljet. Ka filluar mbjelljen e kasolleve. Në zonën e Oroshit historik në luginën e Fanit, banorët i kanë lënë kullat historike të shumëkënduara dhe mitizuara pothuajse nga Kadareja i madh, për t’u strehuar në kasollet moderne të kohëve demokratike. Askush nuk mund të akuzojë këtu qeverinë se, sillet shtazërisht me banorët e zonës. Atyre u është dhënë koha e mjaftuehme për të gjetur strehim. Ndaj dhe janë ndërtuar fortifikimet dhe tunelet e famshme. Mbase nuk na sulmoi dot sërbi, sovjetiku dhe...kinezi po, në punë na hyjnë. 5 ditë, natyrisht që janë të bollshme për të gjetur dikush strehim. Qoftë dhe nga përkujdesja demokratike!...

@ Për çdo gjë mund të akuzohet pushteti lokal në Shqipëri por, për mungesë frymëzimi, assesi! Ndoshta në këtë kuadër, këto ditë u pagëzua një shesh në Shqipëri dhe mori emrin e një albanologu hungarez. Këtej e në vazhdim, xhiroja kryeqytetase, nuk përfundon tek stacioni i trenit por tek... Franz Nopcsa! Të prirur ndaj të resë dhe sidomos asaj të reje që vjen nga jashtë, me vrullin që kemi marrë, aspak çudi nuk do të më duket nëse një ditë emërtojmë ish-qytetin Stalin që e ripagëzuam Kuçovë, me emrin e mikut të ngushtë të shqiptarëve anembanë botës, të shumëlavdishmit Xhorxh W. Bush! Në shkëmbim të Nopcs-ës, hungarezëve do t’ju huazojmë, vetë Skënderbeun! Me kalin e me lulishten bashkë. Po e pret bashkëluftëtari Janosh Huniadi, i shqetësuar për vonesën!

@ Postin dhe rolin e presidentit të republikës, kushdo e respekton dhe të gjithë e nderojmë. Aq më tepër që, presidenti ynë, është nga ata politikanë të cilët, nuk kanë të kaluar të rënduar politike. Vjen kjo ngaqë, nuk pati mbajtur ndonjëherë post qeveritar. Mjafton tesera e partisë të bëhesh akoma dhe president, në atdheun e çudirave. Mirëpo, me futbollin, lidhjet presidenti i ka të forta. Mjaft të forta, madje. Të cilat, nuk burojnë vetëm nga mbiemri. Por edhe nga dashuria për të. Fakti më konkret për këtë, është ndërhyrja për shkarkimin nga detyra e ...trajnerit të “Tiranës”! Dëshira e të madhit, detyrim për klubin! Rast argëtues, nuk je dakord?! Kur të gjitha problemet e atdheut janë të zgjidhura, përse të mos angazhohet dhe me skuadrën e zemrës?

@ E di që, sa herë i referohem mikut tonë të madh Xhorxh Bush, ndonjëri edhe më mërzitet. I ngelet qejfi se, kur tjetri të shan mikun, është sikur të ka sharë dhe ty. Po unë, o lum miku, nuk kam asgjë me këtë kodosh. Goxha burrë është dhe, e pastë me nder e me lezet Amerika që e ka. Po kur mbin atje ku nuk e mbjellin, është si barishtet në foragjere, siç do thoshte dhe një miku im ish-agronom! Duhet spërkatur. Vajti Kondoliza, krahu i djathtë i (kara)Bushit, në Lindjen e Mesme dhe Izralei me një të shtirë, 100 të vdekur la në Rripin e Gazës. Mere me mend të dilnin për vizitë të dy krahët e të madhit?! Do kishin arritur saçmet deri në...Fushë Krujë!

@ Dhe meqë jemi tek kufiruajtësi i planetit( kësaj here, asgjë nuk më shpëton nga inkuizicioni), si tu duk vizita e Ahmanedinexhadit në Irak? Thua ti ketë marrë lejen Shtëpisë së Bardhë për të fluturuar mbi territorin ajror të Irakut demokratik? Ç’lidhje ka Shtëpia e Bardhë me hapësirën ajrore irakiane the?! Ka pak, i dashuri im. Këtu, para pak ditëshësh Bushi, i bëri thirrje Turqisë të... shejtojë në ndërhyrjen e saj në Irakun verior! Jo të mos sulmojë një shtet “sovran” e të “pavarur” por të nxitojë se, ka dhe vetë ushtria e “të madhit”, municione që duhen harxhuar. Planet luftarake, nuk janë si planet pesëvjeçare që kishim ne njëherë e një kohë. Janë plane afatshkurtra dhe kërkojnë disiplinë në zbatim. Hera-herës, kërkojnë edhe realizim! Qoftë dhe me gjak...

@ Jemi gjitonë dhe si të tillë, kemi edhe kusure të njëjta. Ose të ngjashme. Këto ditë, KESH-i është për të dalë rrugëve me pankarte dhe tabela entuziasmi. Nuk është vetëm ai që, e lë konsumatorin pa dritë elektrike(që solli partia, siç thoshte dhe kënga)por edhe kolegët e tyre jugorë. Terr vënd-vënde kemi edhe në Athinë. Këtu korenti nuk mungon, mungojnë elektricistët që do ngrenë levat e gjeneratorëve. Por janë dhe egoistë fqinjët tanë se, një shpallje formale të bëhej nëpërmjet shtypit dhe mund t’u huazonim ne, dhjetra të tillë që merren tashmë me punë , jashtë specialitetit të tyre. Mosmarrëveshje me Shkupin për emrin dhe mungesë energjie janë proekupimet kryesore të qeversië greke. Përkundrazi, qeveria jonë, problemin e Shkupit e ka zgjidhur. Edhe të errësirës!

Thanë:
Ruhu nga njeriu që papritur fitoi forcë të pamerituar!
Edgar Li Masters

Protagonistët (16)

@ Ndoshta qe e pritshme, me thënë të vërtetën, por jo kaq shpejt. E majta shqiptare, mësëfundi, u përça edhe zyrtarisht. Për hir të traditës, duhet përmendur shprehja popullore që, më mirë se cilado tjetër, pasqyron atë ç’ka ndodhi në kryeqytetin e ...koalicioneve të prishura: bukën bashkë, as qentë nuk e hanë, ka thënë gojëmjalti popull dhe, mund të thotë ndokush që, kishte pasur parasysh majtistët shqiptarë! Nuk e di nëse e keni marrë vesh po, në Shqipëri, nuk ka një të majtë! Ncuq! Ka disa të majta që, herë mblidhen e bëhen bashkë e herë ikin e ndahen veç. Të mbledhura ose të shpërbëra, qëllimin për të mbajtur të djathën në pushtet, e realizojnë me sukses. Paradokset, kanë kohë që nuk të befasojnë në Tiranë.

@ Mirëpo, të majtat kur janë fqinje, shohin njëra-tjetrën dhe...flasin përçart. Ndryshe nuk mund të shpjegohet. E majta në Greqi, bie fjala, kur vjen llafi për pavarësinë e Kosovës, të djathtën e lë në baltë. Qeveria e djathtë greke, akoma nuk ka vendosur nëse do ta njohë Kosovën e pavarur( që me siguri ka për ta njohur), mirëpo kjo, aspak nuk e pengon të majtën (e copëtuar dhe këtu) të shpreht publikisht kundër saj. Midis tyre, i pari që nxitoi të shprehë kundërshtinë e tijë, ishte Jorgo Papandreu. Të bën çudi që, një parti progresiste, ku të dielën që sapo shkoi, bëri zgjedhjet për në kongresin e saj, pas së cilës rendin dhe shqiptarë ( që mesa duket nuk e kanë mësuar qëndrimin e prijësit të tyre), është kundër vetëvendosjes!

@ E madhe qoftë ose e vogël, unaza të përcakton. Me unazë je i martuar, pa unazë je beqar. Deri këtu, çdo gjë në rregull. Me një përjashtim, veçse. Kur unaza është e vogël dhe ndodhet në Tiranë, fsheh në gjirin e saj gjurmë arkeologjike! Por edhe kala, mund të fshehë. Gurë gurë bëhet kalaja, fjalë fjalë bëhet hataja. Vallë, sa fjalë akoma, ka për të mbajtur në gjirin e saj kjo unaza e vogël e Tiranës?! Me siguri, jo aq sa mbajti zogu i zi. Mes zogjsh dhe unazash po rimëkëmbet mëmëdheu. Gjithsesi,keq nuk është kjo. Shkasi për frymëzim për mjeshtrat e fjalës, u gjet. Mes borive marramendëse të Benz-ave që zvarriten rrugëve të tymosura të Tiranës, lartohen rrënojat e kalasë së vjetër të kryeqytetit! Kryevepër!

@ Mirëmëngjes Amerikë! Aty ku demokracia jote nuk vihet në dyshim (nga ne shqiptarët) një ish i burgosur politik shqiptar, ndjehu në lëkurë demokracinë tënde. Përpara syve të fëmijëve të mitur, policia në Nevada, i ekzekutoi bashkëshorten me një plumb. Zhurma nga papagallët dhe lavdithurësit e demokracisë përtejoqeanse, kësaj here nuk u dëgjua. Doemos, ka tjetër vlerë një vdekje nga dora e policit amerikan, dhe tjetër ajo që vjen nga polici grek, bie fjala. Fundja, Amerika na shpëtoi. Kësisoj, edhe mund të na... rrallojë. Në fshatin tim, kemi një shprehje popullore për këto raste: kur të q... katiu, themi, kush ta bën davanë?! Tani, kush qe dhe cili është katiu, mos e kërko miku im. Ai që të mbron, edhe mund të vrasë! Të vret më mirë miku...

@ Rusia , mike e vjetër e Serbisë, nxitoi dhe kësaj here ti gjendet pranë motrës së saj Ballkanike. Herë me pritje në Kremlin të krerëve të irrituar të Beogradit, e herë me vizita në Beograd, të krerëve të shqetësuar të Kremlinit. Kohët ndryshuan dhe bota, pothuajse, ka marrë tjetër pamje nga ajo që la trashëgimi Stalini dhe Titua, por asgjë nuk ka ndyshuar në përkrahjen që jep Rusia nënë për Serbinë bijë. Herë-herë, më mbërthen një frikë. Më zë temrri, mund të them. Në gjumë përpëlitem e shoh ëndërra me kinezë. Rroftë shoku Mao! Poshtë shovinistët jugosllavë dhe revizionistët sovjetikë. Nuk jam mirë, nuk jam mirë! Barë do hamë dhe armikut, dorën nuk ja shtrijmë! Kam ethe! Po flas përçart! Ndërtojmë socializmin me forcat tona!

@ Historia përsëritet ose si farsë ose si komedi. Kështu thonë, të paktën, ata që e kanë përjetuar. Askujt nuk i pëlqen, ma do mendja, të bëhet pjesë e një historie si ajo që çoi në rrënimin dhe pothuajse në greminën e luftës vëllavrasëse , Shqipërinë në vitin 2007! Askush dhe asnjëherë. Mirëpo, për të mos u ripërsëritur farsa e asaj kohe të mallkuar, nuk mjafton vetëm dëshira. Më me rëndësi duhet të jetë, nxjerrja e mësimeve. Mesa duket, disa i lexojnë mbrapsht mësimet e asaj periudhe. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Dhe këtu, as humori hyn e as komedia të bën të qeshësh. Në shtypin shqiptar, diku me gërma të vogla, u bë fjalë për një ringjallje piramidash! Le ti kemi sytë hapur, kësaj radhe...

@ Kohët e fundit, moda mbizotëruese e komunitetit shqiptar në Greqi, është përpjekja për ...grupim. Gjithandej e përditë, mësojmë për grupime, bashkime, vëllazërime e përqafime. Me çdo mënyrë, tregojmë në praktikë, sa të ndjeshëm jemi të gjithë ndaj asaj që ndryshe quhet , përfaqësimi në jetën e përditshme të shtetit ku nevoja ekonimike fillimisht dhe rrjedha logjike e jetës m’andej na sollën. Mirëpo, na vjen dhe paksa ligësht. Na vjen ligësht se, ku ti lemë dhe këto shoqatat? Hajde se, po i lemë dhe shoqatat, po kryetarët e tyre të nderuar? Një ëndërr ka patur çdo shqptar që respekton vetveten: një ditë të bëhet kryetar. Mund të quhemi, ndryshe,komb kryetarësh! Shembujt i kemi përreth...

Thanë:
Që ta shkruash mirë historinë, duhet të jetosh brenda një vendi të lirë!
Volter

Protagonistët (15)

@ Ndoshta këto ditë, tema mbizotëruese është mëvetësia e Kosovës. Nuk është pak, pas afro njëqind vjetësh predominimi nga vullneti serb, të vetëvendos për fatet e veta, populli kosovar. 17 shkurti, ka për të ngelur i gdhendur me gërma të arta në historinë e re të Kosovës. Tashmë, kanë edhe vëllezërit kosovarë shtetin e tyre. Të ndrydhur kosovarët kaq vjet nga zgjedha serbe, shteti do të ketë periudhën e nevojshme të “neglizhencës” qytetare. Mjafton të mos i ngjaj në neglizhencë shtetit fqinjë të Shqipërisë mëmë. Si e pati thënë poeti:
Prej teje dua, dreq o punë,
t’i ngjash në pamje nënës shumë,
kurse prej meje merr pak brumë(!)
nga hovi plot shkujdesje,
por nga mëkatet që kam unë
mos merr dhe asnjë presje!...

@ Në Qipro u kthyen përmbys parashikimet e ekspertëve. Presidenti Papadhopulos, ngeli nga...gomat dhe e parakaluan rivalët, si nga e djathta ashtu dhe nga e majta. Si qendror që është, Papadhopulos, strikt i qëndroi dhe qendrës së humbjes. E megjithatë, Kosovën nuk ka për ta njohur askush nga fituesit e së djelës. Ka arsye politike një vendim i tillë, por ka dhe disa ekonomike. Mbaj mend që, Sllobodani i famshëm i Serbisë, disa milionë dollarë të “fituar” nga bankat e shtetit që drejtonte, i pati vendosur për ti “mbrojtur” në bankat qipriote. Nuk lidhet ngjarja me ndonjë marrëveshje të dyshimtë mes të dy vendeve,assesi, po ku gjetkë, sesa në një vend të pavarur dhe të zhvilluar ekonomikisht, sikurse është Qiproja, ruhen dollarët më mirë?!

@ Pas festimeve të radhës dhe haresë së justifikueshme, në atdhe, po mendojnë seriozisht edhe për shtetin. Për shtetin që sjell pushtetin. Në thelb të interesimit për shtetin, përherë të interesuarit, synimin e kanë tek pushteti për të patur shtetin. Nga selia rozë, lëshohen herëpasëhere deklarata mbi zgjedhjen e kryeministrit nga ana e tyre, dhe jo nga ndonjë seli me ngjyrë tjetër. Është me rëndësi, për ta,të zgjidhet kryeministri që mendojnë ata, por të ketë edhe ngjyrën e duhur. Se, bie fjala, fitojnë ata në zgjedhje dhe kryeministri është ngjyrë e kuqe. Është kjo një ngjyrë që përfaqëson socialistët shqiptarë? Kurrsesi! Të kuq kanë qenë dhe ata që sot janë blu. Të kuq dhe ata shumëngjyrëshit. Pra, fort bindshëm kërkojnë kryeministrin roz, socialistët. Është dhe në modë si ngjyrë!

@ Të betohem miku im, lexova një titull të një artikulli në shtyp dhe mu rrënqeth mishi. Morrnica u mbusha tejendanë. Berisha, thotë, “thith” 140 të rinj!!! Po kjo është çudi e kaluar çudisë. Thith Berisha, me një të thithur, 140 të rinj? Bëj mirë unë që i rri larg bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Atje të ...thithin për së gjalli. Dhe të thith jo dokushdo, po vetë kreu i shtetit. Dhe kur të thith shteti, kush ta bën davanë? Mirëpo, më tej në artikull, lexoj se, thithja u bë në PD. Të paktën tani u qetësova, me thënë të drejtën. Fillimisht pata besuar se qenë thithur në...gushë!E merr me mend, 140 të rinj me të njëjtën shenjë thithjeje në të njëjtin vend?! Ndryshe është kur të thith partia...

@ E ç’nuk mëson njeriu, kur jeton në Greqi?! Në debatin e ndezur në blogun personal që mirëmbaj në internet (www.agonek.blogspot.com), mbi pavarësinë e Kosovës, të bien qimet e kokës dhe kaçurrelat i lenë vendin tullës sipmatike. Jo se kam ndonjë problem me qerosët, që të mos keqkuptohem. Po kaçurrelat janë më tërheqëse. Edhe pse nuk posedoj të tilla. “Mëson” ,bie fjala, se Gjergj Kastriot-Skënderbeu ishte grekoserb! Bëhesh me dijeni se, në Luftën e Dytë botërore, Shipëria bashkëpunoi me pushtuesin italianogjerman dhe, nuk hodhi asnjë pushkë ndaj tyre. Mëson se, Hasim Thaçi, si ish-komandant i UÇK-së, jo vetëm që nuk duhet të ishtë në krye të qeverisë së Kosovës por, mirë do të qe të vetëinternohej ose të bënte të paktën harakiri. Mundësisht në sheshin Omonia!

@ Nuk ma mbush dot mendjen njeri se, ky vit, nuk është viti i lajmeve të mëdha. Nuk bëhet ndryshe. Nga ta nis ndokush?! Dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kubës, komunisti më jetëgjatë i rruzullit tokësor. U lodh Fideli dhe pasoi tek Rauli. Atë që Amerikanët nuk e bënë dot për afro 5 dekada, e bëri pleqëria në më pak se dy vjet. Embargoja, veç, vazhdon...! Në Pakistan, partia e Benazir Bhutos që u flijua në emër të konflikteve për pushtet, fitoi zgjedhjet e së djelës. Në Greqi, ditët ku vendi u zhyt në kallkan, zjarrfikësit ndesheshin me flakët. 93 zjarre (ri)dogjën pyjet e mbetura të Peloponezit! Shipëria, nuk e njohu e para pavarësinë e Kosovës. I duruari i fituari, menduan të ...nxituarit tanë.

@ Në Shqipëri, politika të shtyp. Thënë më qartë, makinat e politikanëve, të vënë ndënë rrota dhe, i lan hesapet në çast. Të jesh deputet në atdheun e shqiptarëve, ke dhe të drejtën të shtypësh tek-tuk ndonjë qytetar. Ç’djallin deputet do ishe pastaj?!Dhe sidomos kur je deputet i partisë në pushtet. As qime nga koka nuk të prekin. Le të kesh hequr kokën e një njeriu. Ai, fundi i fundit mund të mos ketë qenë edhe simpatizant i partisë. Mirë ti bëhet, guximtarit! Pastaj, kur të shtyp makina e qeverisësit, ka lezetin e vet. Në pllakën e varrit mund të shkruhet: i rënë nga gomat e deputetit filan fisteku. Sidoqoftë, ka meritat e veta një vdekje e tillë. E zë mikun në ditën e fundit të jetës.Amin!

Thanë:
Idetë ngjajnë me gozhdët. Sa më shumë ti godasësh, aq më thellë hyjnë!
Pol Zane

Protagonistët (14)

@ Fillon blerja masive e miellit dhe pjekja në shtëpi. Në Sarandë, nis magazinimi i ushqimeve nga frika e shtrenjtimit të mëtejshëm!!! Në Frakull të Fierit, çmimi i bukës arriti 1500 lekë të vjetra. Mirëpo, edhe këtu ka një zgjidhje. Piqen bukë të vogla. Fillimisht, qetësohu miku im. Nuk na ka hapur luftë ndonjë superfuqi dhe as embargo na ka shpallur …FYROM-i(akoma). Këto ditë, nis pastrimi i bunkerëve dhe fortifikimeve. Vijnë ditë të vështira. Anëtarësimi në NATO, përveç prestigjit që i jep vendit, sjell me vete dhe ...brekëzbathjen e fukarait. Gjithsesi, fajtori është gjetur dhe të ftoj të flesh i qetë. Një gazetë shqiptare, na bën të njohur se, opozita e ka fajin për rritjen e çmimeve(!). Rasti i vetëm në botë, ku qeveris opozita dhe qeveria bën opozitë!

@ Dhe meqë e filluam me miellin, le ta shpiem tek sheqeri. Qamilja, gruaja e kryetarit të këshillit të fshatit në vitet e socializmit, kur tek-tuk përhapej ndonjë lajm se ...mund të na sulmoj Bashkimi Sovjetik ose forcat imperialiste amerikane po përgatiten për sulm me Flotën e Gjashtë, të vetmen gjë që magazinonte ishte sheqeri! Edhe kur forcat vullnetare vigjilente e sypatrembura, gdhiheshin natën në pritje të diversantëve dhe bandave të tyre, prapë Qamilja e mbushte qypin me sheqer. Tani që ikën diversantët dhe askush nuk na sulmon, tani që NATO-ja nuk është më gogol por “shpëtimtar”, tani që jemi në demokraci dhe sheqer ka me bollëk, ndoshta, nënë Qamilja magazinon miell. Keq me “diversantë” e keq me “demokratë”. Lëmsh puna!

@ Aleancat në Shqipëri mbajnë pak. Nuk jemi hiç,një vend aleancash. Të paktën të fshehtash. Presidenti, mësojmë, propozon për anëtare të Kushtetueses(kështu thuhet, në gjuhën që përdor gazetaria jonë e rinovuar ,Gjykata Kushtetuese), zonjë Vitore Tusha. Asgjë nuk kam me Vitoren dhe me asnjë Vitore, mund të them. Kush nuk i do vitoret?! Problemi qëndron tek aleancat e thyera që përmendëm. Një e tillë, sipas ngjarjeve, po merr fund. Ajo mes... Nanos dhe Topit. Sepse, nëse akoma nuk e di, miku im i mirë, tani mësojmë dhe ne, sesi qenë ndërtuar këto aleancat. Posi posi. Vitorja, paskej qenë zemërgure, dhe nuk donte të dilte nga burgu, udhëheqësi i socialistëve shqiptarë. Dhe ata nuk e bënë...Kushtetuese. Eja, veç, që rrotullohet bota dhe vjen në pushtet partia e Vitores!...

@ Njëra nga vetitë që disa shqiptarë fituan në emigracion , është ajo e të vetëquajturit hero. Të ngrihet një mëngjes, të shihet në pasqyrë, të veshë pardesynë, shallin e leshtë, të ngjeshë dosjen në sqetull dhe të marrë rrugën drejt bustit! Atje e pret vetvetja, i gatshëm për kurorën. Qëndron përballë saj, mbledh duart grusht në lartësinë e xhepave të pantallonave, qëndron gatitu, sytë të ngulitur drejt e në sy të statujës së ftohtë dhe fillon nga homazhet. Për vetveten. Ai është sindikalisti më i mirë! Ai është shqiptari më patriot! Ai është gazetari më objektiv! Ai është biznesmeni më i arrirë! Ai është grevisti më i zjarrtë! Ai është diplomati më i sprovuar! Ai është mendjendrituri i kombit! Ai është pllakatdhënësi më rezultativ! E kush tjetër si ai?!

@ Patjetër, edhe ti miku im, i ndjek lajmet që vijnë nga vendi. Dhe përderisa i ndjek, nuk ka sesi të mos shohësh ato që shohim të gjithë. Është e vërtetë që, liberalizimi dhe heqja e censurës nga shtypi, e bëri atë më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm ndaj problemeve. Gjithçka që ndodh e pasqyron në faqet e tij. Me emër e mbiemër. Mjafton të informohet dhe të nesërmen e ke fotografinë të freskët e të sapo...montazhuar! Për seks dhe për informacion, na la të uritur ai dreq sistem. Seksin, e morëm vetë përsipër, për ta gjetur dhe shijuar. Kush zyrtarisht e kush kontrabandë. Ndërsa informacionin e jep shtypi. Parakalon në të, pa ndrojtje për ndonjë shkelje të së drejtës së njeriut, varfanjaku, i pasuri, hajduti, prostituta, batakçiu, politikani, shpërdoruesi!

@ Udhëtimet e qeveritarëve shqiptarë në perëndim, ende nuk kanë rezultatet e shumëpritura në lidhje me pranimin tonë në aleanca të ndryshme evropiane. Ajo që duhet theksuar, sakaq, është efikasiteti i udhëtimeve të bëra në Lindjen e Largët. Në njërin prej këtyre, ...u (ri)thithën investime për zbardhjen e ujërave të zeza! Në vijim, ujërat e Lanës në Tiranë, do të rrjedhin të bardha. Vend “zbardhjesh” rezulton ky atdheu ynë. Secili mundohet të “zbardhë” atë që mundet. Madje Kryeparlamentarja, si militante e devotshme e partisë, i bën thirrje opozitës të vlerësojë sa duhet thithjen e fondeve për zbardhjen e ujërave të zeza që vijnë nga Japonia. Se në vendin tënd dhe timin, kryeparlamentarja nuk është e të gjithëve. Është në krye të Parlamentit (të të gjithëve) por zbaton vijën e partisë saj.

@ Mësohet se, asnjë nga të dënuarit për krime të rënda në Shqipëri dhe të ndaluar në vende të huaja, nuk dëshiron kthimin për të vuajtur dënimin në atdhe. Alibia e të gjithëve se, politika(nët) do të ndikojnë në likuidimin e tyre, tingëllon jo bindëse. Në Shqipëri, nuk ka të tilla rreziqe. Unë e besoj. Besoj,edhe ti, i dashur lexues. Dhe për të vërtetuar mirëkuptimin politik, marr për shembull protestën e partive të vogla për “flirtin” e sapo ndezur mes Ramës dhe Berishës. Ditët e fundit, është parë nga një grup njerëzish, ky i fundit, tek këpuste degë mimozash tek ish-Blloku dhe i përgatit për ti çuar në buqetë kryeopozitarit! Nuk di qëllimin por, fakti që dje, ishte dita e të dashuruarve, të çon në konkluzione të qarta...

Protagonistët (13)

@ Të na trashëgohen dhe të kenë jetën e lumtur! Sarkozy dhe Bruni. Në dasmë të të pamartuarve(politikanë). Pasi u zgjidh dhe kjo çështje kaq serioze për njerëzimin, le të kalojmë tek ato më pak të rëndësishmet. Bie fjala tek... pavarësia e Kosovës. Edhe pse ne(tek TRIBUNA), e shpallëm qysh javën që shkoi, akoma nuk po ndodh në të vërtetë. Siç duken bathët, me zor po na vijnë pashkët! Mjafton të na vijnë. Sjell ndërmend ato deklaratat e Bushit, Qershorin e kaluar, mes entuziazmit që i shkaktoi turma e papërmbajtur e duartrokitësve dhe e brohoritësve bashkëkombës. Thuajse, patëm besuar atëherë se, pavarësia qe thjesht një procedurë formale. Larg premtimi nga mundësia. Apo edhe dëshira, ku i dihet?! Sidoqoftë, mes dasmës dhe pavarësisë, zgjidhja është...të dyja!

@ Në mes të ditës dhe pa asnjë paralajmërim, ndodhin çudirat në Shqipëri. Madje ndodhin atje ku , nuk të bën asnjë ...çudi! Në parlamentin shqiptar. Ndërgjegjësohet mjeku-deputet Sabit Brokaj dhe lë mandatin. Këto mandata kaq të befasishme, edhe pse dëgjohen kaq rrallë, nuk ka se si të mos shkaktojnë zhurmë. Nuk është e njohur kjo praktikë në atdheun tonë. Nuk pranohet nga “pazari”, ndërgjegjësimi i politikanit dhe dorëheqja nga mandati. Po çfarë ndodh vallë?! E kuptoi, thotë, që nuk ishte i dobishëm në parlament dhe po i kthehet profesionit të mjekut! I nderuar deputet, thuaja dhe kolegut blu këtë ...(pa)dobishmërinë, mbase e lë dhe ai mandatin. Të shpëtojmë dhe ne nga mandatet (e atij) që nuk kanë të sosur. Ëndrra në diell(me mandate) janë këto, megjithatë!

@ Abuzime, lexojmë, zbuloi kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave! Ç’thua byrazer? Na ke befasuar krejt! Si mundesh dhe e thua kaq lehtë se, mund të abuzohet në Shqipëri?! Dhe me fonde, aq më tepër. Diku bëhet gabim. Nuk bindem. Për 5 milionë dollarë, askush nuk do rrezikonte. (Mos)abuzimin! Cilat prona kthehen, fundja? Akoma të përcaktojmë të kujt janë pronat. Ç’prona qenkan këto që nuk kanë pronarë? Jetime kanë ngelur pronat dhe, është fat që ndodhen disa ...“ekspertë” të agjencive të tilla e që preokupohen për tu gjetur atyre pronarët e vërtetë. Nuk është e thjeshtë, mos qesh. Në Greqi mund të jesh ai që deklaron po në Shqipëri, fare mirë mund të rrëmbesh atë (pronë) që nuk të takon.

@ Të ngatërrohen e përzihen njerëzit sa janë gjallë, ndodh kudo në botë. Dhe kujt nuk i ka ndodhur?! Mirëpo, çudia ndodh kur të përzierit kanë vdekur. Të vdekur këtu e 100 vjet, jo dje. Nuk të besohet ë? Pse, mua më besohej thua?! Po kur je dëshmitar i këtyre ngjarjeve, falënderon natyrën që të bëri shqiptar! Ku tjetër, do dëgjosh që, u përzien të vdekurit, vallë?! Ndërsa në tokën e shqiptarëve, gjithçka mund të ndodhë dhe asgjë të mos jetë e panatyrshme. U përzien, thonë, eshtrat e Bajo e Çerçiz Topullit, të Andon Zako Çajupit e të Muço Qullit!!! Ne që jemi të aftë të “prodhojmë” çdo ditë heronj, e kemi të vështirë, mesa duket, të mbajmë të pacenuar eshtrat e atyre që na...shpëtuan pa i shpallur në demokraci.

@ Me partitë politike, asnjëherë nuk e kam pasur “të gjetur” çështjen. Por as dhe të humbur. Me partitë, më mirë është të jesh përballë. Përballë por pa u ndeshur. Sepse partia nuk ka nevojë për njerëz. Partia ka nevojë për militantë. Për njerëz-militantë. Për ata që kur thotë shefi bie shi, ti të kesh hapur çadrën. Kur shefi ankohet për vapë, të mbjellësh pemën e ti bësh freski. Sikurse thotë dhe proverbi i njohur:sipas kokës dhe qylafin! Topalli thotë se, vetëm Saliu bën për kryetar partie. Mustafaj, mban barkun me dorë dhe na shpjegon ...batutën e Jozefinës. Nuk i gjendet fundi partisë. Pus i paanë është partia. Si shpirti i njeriut. Dhe sikurse shpirti i takon një kufome, edhe partia i takon një personi. Të vetëm!!!

@ Çmimi i bukës në Shqipëri, u ka rritur në gjashtë muaj 70%! Thënë më thjeshtë, një bukë vlen po aq sa dhe pensioni ditor i një fshatari pensionist. Bukuri më duket. Nuk shoh se ku qëndron këtu absurditeti apo shkaku për ankesa?! Çfarë tjetër mund të kërkoj ndokush sot, për të jetuar në demokracinë e dhënë me kaq zemërgjerësi nga shteti ynë bujar dhe i dhimbsur ?! Duhet të jetë i pa...parti dhe ish-komunist ndokush, që të ankohet apo irritohet për këtë. Fundja, nuk është detyrë e shtetit të mbroj qytetarët nga ngritja e çmimeve apo dhënia e pensioneve. Shteti, ka plot detyra të tjera për të zbatuar. Ka rrugë “patriotike” për të bërë, ka “reformë” në drejtësi për të përfunduar, ka politikë të jashtme për të “aplikuar”.

@ Tashmë, që ne shqiptarëve na lejohet të kalojmë në territorin e FYROM-it pa viza, mund të ndodhë çudia dhe... të zvogëlohet numri i vizitorëve në shtetin fqinj! Aspak e çuditshme. Sa për të shkuar drejt së kundërtës. Sepse, drejt lirisë së vërtetë evropiane, nuk parashikohet së afërmi. Meqë ra fjala për të shkuar drejt së kundërtës, po sjell ndërmend atë çka ngjau javën që shkoi. Në një auditor me të huaj që jetojnë në Greqi dhe politikanë të partive politike, të vetmit zhurmëbërës dhe ngatërrestarë, vinin nga identiteti ynë. Akoma nuk mund të lemë mënjanë “inatin publik” dhe “zbulimin” e armiqve! Askush tjetër si ne shqiptarët, nuk është kaq i gatshëm të fyej apo denigroj bashkëkombësin e vet në prezencë të tjerëve. Mjafton të gjejmë ...mikrofonin e duhur!