23/9/08

Kallinjtë me kravatë!

ProtAGONistët

E zëmë se Shqipëria ka një qeveri normale dhe stabël.Po themi, madje, se, di të bëj edhe politikë të jashtme serioze. E zëmë se, me të vërtetë do që të mbështesë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete. Pasi kemi thënë të gjitha këto, bëjmë dhe një hamendësim: përderisa FYROM-i nuk e njeh akoma Kosovën si shtet më vete, duke i kthyer patjetër borxhin Serbisë ngaqë ishte ajo që shpejtoi ta njihte me emrin Maqedoni (flasim për të njëjtën Serbi, që është motër e Greqisë), Shqipëria të pushojë në marrëdhëniet dypalëshe t’i thërrasë fqinjët juglindorë me emrin Maqedonia, por FYROM, ashtu sikurse e njeh dhe OKB-ja.Sepse OKB-ja, nuk mund të jetë kompetente kur hesht për Kosovën dhe e parëndësishme kur na duhet të bëjmë lojë dypalëshe.

Çfarë arrin Shqipëria me këtë: nga njëri krah i shtrëngon pak fytin karagjozit nga Shkupi që sillet si një fashist i vockël edhe me shqiptarët atje, dhe nga ana tjetër, u shërben marrëdhënieve të mira me Greqinë, ku meqë ra fjala, jetojnë më tepër shqiptarë nga ata që jetojnë në FYROM. Natyrisht, të gjitha këto janë hamendësime. E para dhe më kryesorja që të ndodhë diçka e tillë, duhet të ketë një qeveri normale, sikurse thamë, stabël dhe me vullnet por dhe aftësi për të bërë politikë të jashtme frytëdhënëse për kombin. Ka të tillë Shqipëria? Nuk ma do mendja. Ashtu sikurse askujt tjetër, ma do mendja se ...ia do mendja! Qeveria e shqiptarëve, është e angazhuar me të tjera punë.

Njëra nga punët është të zbardhë humbjen “misterioze” të të vetmit dëshmitar serioz për Gërdecin. Me të drejtë ka për të pyetur këtu dikush se, nuk është punë e qeverisë të merret me çdo person kur ai ushtron hobin e vet në jetën private. Aspak larg së vërtetës nuk do të qe një argumnet i tillë. Mirëpo, kur bëhet fjalë për dikë që do t’i vinte në ndihmë drejtësisë, për të hedhur dritë mbi tragjedinë ushtarako-civile që ndodhi në Mars, gjërat ndryshojnë. Eshtë qeveria ajo që ka për detyrë t’i sigurojë drejtësisë të gjitha mundësitë për të zhbiruar dhe zbuluar të vërtetën. E ka vullnetin qeveria e shqiptarëve? Është e predispozuar të zbardhet misteri? I cili, midis nesh tani, nuk duhet të jetë dhe kaq mister!...

Siç tregojnë bathët (politike), janë larg pashkët (e drejtësisë)! Opozita nga ana e saj,mjaftohet me takime ...spontane mes liderëve. Takohen sërish për të parë nëse pëlqejnë të jenë bashkë. Ritakohen e ribashkohen, rindahen për t’u ribashkuar dhe bri tyre, qeveria vazhdon të mos tronditet aspak. Vendosni zotërinj opozitarë, cila është më e mira. Por merreni vendimin përpara zgjedhjeve. Madje, numërohuni dhe mirë me njëri-tjetrin kur futeni në sallat e takimeve. Përvoja e këtyre bashkimeve opozitare, nuk është dhe kaq pozitive për ju, është e vërteta. Ndonjeherë, madje, edhe pse ndonjëri vjen në takime me opozitën e majtë, e nesërmja e gjen në prehërin e së djathtës. Kjo ndodh lehtë, kur nuk refuzon dot postet ministrore. Fundja, në Shqipëri jetojmë! Tradita demokratike është e brishtë.

Aq e brishtë sa, ndodhin çudira, mu në zemër të tempullit që prodhon demokraci. Garda e Republikës, organi që urdhërohet nga shteti për të mbrojtur organet më të larta pushtetore, nëpërmjet disa pjesetarëve të vet, akuzon deputetët për ushtrim dhune ndaj saj! Pa prit një minutë se, këtu, nëse nuk ka humbur krejt filli i logjikës, me siguri është ngatërruar keq dhe është bërë një lëmsh i vërtetë. Le t’i marrim një nga një. Në cilën demokraci serioze perëndimore, ka të drejtën organi i rendit të kontrollojë deputetin, të vetmin njeri të zgjedhur me votën e lirë nga populli për ta përfqësuar atë atje ku prodhohen ligjet, pra në Tempullin e Demokracisë, sikurse është Parlamenti, përpara se ai të hyjë në seancë? Ka apo jo deputeti imunitet?

A nuk është organi i rendit apo garda ose ku di unë çfarë tjetër ka vendosur vetë parlamenti që ta ruaje, pikërisht ai që duhet të sigurojë paprekshmërinë e deputetit? A ka të drejtën deputeti të ushtrojë kontrollin e tij parlamentar dhe legjitim sipas kushtetutës mbi shumicën parlamentare, mbi qeverinë, mbi ligjvënësit, si ligjvënës që ështëedhe ai vetë? A ka të drejtën deputeti, të zgjedhë ai mënyrën që do ushtrojë funksionin e tij si përfaqësues legjitim i elektroatit? Tek e fundit, në cilën demokraci dhe shtet me të vërtetë serioz, që respekton veten dhe qytetarët, polici ka më tepër kompetenca nga i votuari prej popullit? A nuk është polici, thjesht një vegël e shtetit për të mbrojtur rendin publik? Rregullat i vendos policia për paralamentin, apo është paralamenti që nxjerr ligjet ku organet shtetërore kanë detyrën për t’i zbatuar?

Jo vetëm duket të ketë shpëtuar krejt filli, siç e përmendëm më lart, po kam frikë se duhet kohë që të gjendet. Ajo që të bën të qeshësh, edhe pse në të vërtetë është të qash, është shkaku i incidentit mes deputetëve dhe policisë që ruan ...deputetët. I ruan nga sulmet e qytetarëve të irrituar, ma do mendja. Po vallë, kallinjtë e misrit pa kokrra, përse duhet t’i shpinin në sallën e Parlamentit ata? Në këtë rast, unë jam me ... misrin. Çliroje për momentin fantazinë dhe bëhu edhe ti kalli misri. Papritur, atje ku mendon se kolegët e tu janë të gjithë me kokrra dhe presin të vijë dita për t’u korrur, ndodhesh në duart e dikujt që të shpie të takosh kallinj me ... kravatë! Dhe atje, befasohesh akoma më keq. Si ty, kalli pa kokrra, ka dhe të tjerë...

15/9/08

Vrimat e zeza të ...mbretërive!

ProtAGONistët

Po qe se në këto momente, je duke lexuar gazetën, dhe pikërisht ProtAGOnistët, atëherë me siguri je akoma gjallë. Që do të thotë me fjalë të thjeshta se, nuk të ka përpirë ndonjë ...vrimë e zezë! Nga ato të hatashmet që qysh pardje, kanë filluar të llahtarisin botën të gjithë. Meqë ra fjala e vrimave, po të them miku im se, kam plot të njohur që, i luten perëndisë në gjunjë, t’i përpijë ndonjë vrimë e zezë! Mirëpo kjo është jashtë teme dhe nuk mund të them assesi se, bën pjesë tek eksperimenti i shekullit. Këto vrimat e zeza që u hapën nga eksperimenti i shkencëtarëve atje në Zvicër, përpijnë edhe me porosi apo, vetëm ata që janë përreth? Është diçka që duhet t’a dimë...

Përsa më përket, vrimave të zeza nuk u trembem. Më tepër u trembem ...mbretërve! Fundja, po të përpiu vrima, aty përfundojnë dhe kusuriet e tua si njeri. Po me mbretin, si i bëhet?! Mbreti,kur është me të vërtetë mbret dhe ka edhe mbretëri për të qenë, është më i tmerrshëm se vrima e zezë. Në Tailandë, një grek fatkeq që shkoi për turizëm, zuri edhe mbretin në gojë. Turfullimi i sejmenëve u dëgjua deri në Athinë! Edhe pse kanë kaluar shtatëmbëdhjetë ditë qysh atëherë, ndodhet akoma në bodrumet mbretërore, me një kuvertë të vetme! Akoma më afër me ne, në Marok, dëshira për kritikë e një bloggeri, i kushtoi 2 vjet burg! Larg zemërimit të mbretërve dhe të oborreve të tyre. Këtë mendova duke lexuar.

Duke lexuar atë që tha kryeparlamentarja jonë për ish-mbretin e vetëshpallur të shqiptarëve. E magjepsur , me siguri, nga bëmat mbretërore që shpërndahen nëpër botë me shpjetësinë e dritës, e krahasoi ish-monarkun me Ataturkun! Domosdo, në demokraci gjithkush ka të drejtn të thotë gjithçka, me të vetmin kufizim që të mos dëmtojë të tjerët. Ndonjë dëm serioz,nuk bën ky paralelizmi i Zogut me babain e Turqisë moderrne. Mirëpo, më bren një pyetje që nuk mundem të duroj pa e bërë publike. Nëse kishte taksë tatimi për “prrofkat” publike të politikanëve tanë, vallë, do të qe zgjidhur problemi buxhetor i këtij viti në atdhe?! Do më thuash që, në atdhe akoma nuk po zgjidhet çështje e Gërdecit. Nuk mund të mos bie dakort me tezën tënde.

Mirëpo , duke qenë se nga natyra ProtAGOnistët janë optimistë, as kësaj here nuk po e humbasin shpresën. Edhe pse ish-ministri i mbrojtjes qëndroi rreth shtatë orë në prokurori, sikurse pritej, nuk mësuam cilat qenë përgjigjet që dha kur e pyetën se ç’ngjau atë Mars të ftohtë, atje në periferi të Tiranës. Tjetër. Pyetje humane kjo se, mund të jetë tjetri ministër a rrogëtar, biznesmen ose zanatçi, ...kambist(profesion me fitime kolosale në Shqipëri) ose punëtor me mëditje, por nuk e shpëton kjo nga nevojat personale. Shtatë orë ish-ministri, me ndrëprerje depononte apo, me një frymë? Pushoi për të drekuar? Drekoi vetëm apo shoqërohej nga kortezhi i nevojshëm? Mbase dhe janë jashtë teme këto pyetje. Ndoshta! Rëndësi ka të marrim përgjigjet. Për Gërdecin natyrisht.

Madje, diç më thotë që, dikur kemi për të mësuar të vërtetën. Për drekën e ish-ministrit. Për Gërdecin, nuk jam dhe kaq optimist! Dhe ma do mendja se, nuk jam i vetmi. Optimistë nuk janë as 420 familje në Cërrik që, u hodhën në protestë. Nuk u jepet , thonë, këtu e dy muaj, ndihma ekonomike e premtuar nga qeveria. Më trishton naiviteti i disave. Por nuk më habit. Me një gur, dy zogj nuk vriten përditë. Nuk mund të kesh njëherësh, edhe qeveri të djathtë edhe shtet social. Është tamam si të thuash që, për çdo kordele inagurimi që pret kreu i ekzekutivit, me siguri, ka për të përfunduar një vepër. Qoftë ky edhe i vetëquajtur njeri i premtimeve të mbajtura. Kësisoj, edhe pse sheshi u gjend,protesta vlerësohet pa vend.

Për pak minuta, familjarët u bënë protagonistë të mediave por, kush na siguron ne të tjerëve dhe vetë ata se, u skuq ndonjëri atje bri bulevardit “Dëshmorët e Kombit”? Përjashtohen sigurisht semaforët! Thamë sheshet më lart dhe na erdhi ndër mend që një nga gazetarët e mirëfilltë të Shqipërisë, në kohën e protestave gjithëevropiane për ndërhyrjen Amerikane në Irak, pati shkruar me mënçuri për “zhdukjen e shesheve”. Diçka e till po u ndodh shesheve edhe këto ditë. Dhe kësaj here, miku im, jo vetëm në Tiranë. Askund sheshe. Askund protesta. Askund demonstrime. Heshtje gjigande përballë ...arushës së egërsuar të stepës së Kaukazit dhe Siberisë! Kot nuk thotë populli, heshtja është flori. Kësaj here, vetë populli shijon floririn e heshtjes ose dhe heshtjen e florinjtë.

Akoma dhe vetë Evropa, përpara gazit që importon nga Rusia,duket e pamundur t’i tërheq veshin Medvedevit. Vërtet, meqë erdhi fjala, di ndokush formulën që zgjedhin rusët presidentët? Skajorë tregohen, hera-herës. Nga shtatëlarti Stalin dhe sarhoshi Jelcin, zhytje e menjëherëshme. Sanksione dëgjojmë e sanksione nuk shohim, ndër të tjera. Nuk është e lehtë. Amerika nënë(e Evropës), këtyre kohëve,është e angazhuar me gjyzlyket e Sarës! Sarkozy, përveç të tjerave, duhet të shoqërojë edhe Karlën në koncertet private për promovimin e albumit të ri muzikor.Bushi që mund të ...trembte sadopak rusët, ka problemin e zhvendosjes së forcave paqeruajtëse nga Iraku në Afganistan.Mjaft e ruajtën Irakun. Tashmë u sigurua se nuk ikin më irakianët dhe po i çon paqeruajtësit për të ruajtur edhe afganët. Përherë më ka munduar pyetja: kush e ruan paqjen që ruajnë paqeruajtësit?! Mirëpo përherë, ia kam hedhur fajin vjeshtës, që më sjell mendime të tilla të çuditshme!

11/9/08

Varkat e shpresës apo shpresa për varkën?

ProtAGONistët

Në vijën kufitare detare mes Greqisë dhe Turqisë, përditë e përnatë, me dhjetra njerëz , kryesisht nga vendet arabe, të stivosur në varka motorrike që nisen nga përtej Egjeut, dynden për të gjetur shpresën që në vendin e tyre, mbytet nga era e barutit të paqeruajtësve amerikano-evropianë, shtypet nga thundrat e pamëshira të diktatorive vendase ose përgjaket nga vëllavrasjet etnike. Në tokën greke, në shumicën e rasteve, i pret një kamp grumbullimi klandestinësh që, qeveria ka marrë masa të ndodhet pothuajse në të gjithë ishujt. Të rralla janë rastet kur ndokush i shpëton patrullave detare. Në emisionin e djeshëm radiofonik që drejtoj në radion 105,5 FM Athinë, kallëzimi që na bëri njëri prej dëgjuesve dhe që më vonë, me pohimet dhe mospohimet e bëra, e vërtetoi edhe Kryebashkiaku i ishullit Mitilini me të cilin komunikuam, me siguri tejkalon çdo imagjinatë. Po si qëndron e vërteta?! Në kepin “Korakas” të fshatit Mandamadhos të ishullit në fjalë, emigrantët që mbërrijnë atje nga bregdeti turk, nuk kanë përballë tyre vetëm rojet detare turke dhe greke, dallgët kërcënuese të Egjeut që shfryn e është i gatshëm t’i përpijë nga çasti në çast, urinë dhe të ftohtit në periudhën e dimrit. Në tokën e dëshiruar për ta, i pret një tjetër surprizë. Ndën hundën e rojeve bregdetare, që në qoftë se nuk janë bashkëpunëtorë, të paktën bëjnë “një sy qorr e një vesh shurdh”, vendasit, pa pikën e turpit mbi vete, presin si e si mbërritjen e tyre për të ...përvetësuar varkat! Dikush motorrin, dikush skeletin, dikush tjetër akoma dhe levat e vozitjes, kur ka të tilla. Sikurse na bëri me dijeni në emision qytetari që përmenda por edhe një dëshmitar okular i ndodhur atje si fotograf profesionist, ka nga ata fshatarë që zotërojnë akoma dhe 10 apo 15 varka të grumbulluara gjatë sezonit veror, kryesisht. Por ka edhe grimca komike, e gjithë historia. Nuk mungojnë edhe sherret mes përfituesve të varkave, me shkaqet banale të tipit: isha vetë i pari që e pashë varkën! Pas kësaj, varka shitet nga guximtarët, duke sjellë kështu tek i “zoti” fitime jo të pakëta. Dhe të gjitha këto, pa pikën e djersës. Forcat policore bregdetare, natyrisht që nuk mund të akuzohen për bashkëpunim pasi , asnjë fakt konkret nuk është në zotërimin tonë. E natyrshme vjen pyetja, nëse janë në dijeni të kësaj gjendje?! Këtu, me siguri mund të pohohet se, është e pamundur të mos jenë. Sikurse i çuditshëm është dhe qëndrimi i organeve të pushtetit lokal. I pyetur në emisionin tonë,Kryebashkiaku u mbrojt me justifikimin formal se, nuk është detyrim i organeve bashkiake ruajtja e brigjeve të të gjitha fshatrave që e përbëjnë atë. Sigurisht që nuk është po, a është logjike të mos ketë dijeni pushteti lokal për një akt kaq çnjerëzor, që ndodh pothuajse përditë, në oborrin e tij?! Nuk mjafton, në raste të tilla, heqja mënjanë dhe ngarkimi i të gjitha mëkateve tek forcat e rendit bregdetar, apo tek ndërgjegjia e fshatarëve. Është tragjike të mendosh që,mjerisht dhe të ndodhur në udhëkryq, dhjetra njerëz, mes tyre gra dhe fëmijë, udhëtojnë përditë duke rrezikuar jetën mbi varka , duke menduar se po kalojnë thjesht një ...lum të gjerë, sikurse i sigurojnë tutorët dhe sekserët që u shesin shpresën nga përtej detit.Në raste jo të pakëta janë të mbingarkuara me rrezikun e fundosjes . Shpesh bien pre e aksioneve “shpëtimtare” të forcave bregdetare turke dhe greke. Nëse mundin, dhe ata që mundin, të mbërrijnë përfundimisht në “tokën e shenjtë”, surprizat që i presin, nuk kanë të sosur. Të gatshëm, si skifterët mbi kafshën që lëngon, i presin vendasit t’u marrin varkën e shpresës. Me shpresën të pasurohen nga mjerimi i fatkeqëve. Paskëtaj, me muaj me radhë vendosen në kampe “mikpritijeje” ku sikurse na denoncoi në të njëjtin emision njëri prej rojeve, mbipopullimi dhe mungesa e personelit, e kanë shpurë gjendjen përtej asaj që mund të quhet “kushte mbijetese”. Në një ambient që është krijuar për 280 frymë, prania e 500 vetëve, me siguri e bën të padurueshëm qëndrimin atje. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë dhe as e fundit që, të tilla denoncime vijnë për gjendjen që mbizotëron në ishujt e Egjeut. Duket se qeveria greke, ose nuk ka forcën të ndërhyjë për të përmirësuar gjendjen, ose , akoma më shqetësueseja, nuk i intereson. Si në rastin e parë ashtu dhe në të dytin, rezultati është tragjik për ata që bien në kthetrat e pamëshirshme të qylaxhinjve dhe të paaftëve!

3/9/08

Shteti, shtypi dhe pushteti

Shumë të mira bashkë, po na ndodhin së fundi. Njëri, kryeministri  rus Putin( që dikur qe president),shpëtoi ,thonë, një grup telekronistësh nga një tigër i egër! Mesa duket, këta  e morën seriozisht kur u thanë që jeni katandisur për t’u ngrënë egërsirat dhe shkuan t’i takojnë personalisht! Po ç’njeri i mirë që është në fakt ai Putin-i, vëllezër, ë? Tjetra, kandidatia për nënpresidente e SHBA-së, është kundër marrëdhënieve  jashtëmartesore. Përveç rastit, natyrisht, kur bëhet fjalë për të bijën e saj. Ajo mundet, jo vetëm të bëj seks sa të kënaqet jashtë martese, por të ngelet dhe shtatzënë! E treta, është dhe më e gëzueshmja. Aktoria e mirënjohur dhe e laureuar me Oscar ,Elen Miren, pranoi se, jo vetëm që në rini ka përdorur drogë (rast unik ky për këto ...firmat) por, pas drurit që i jepnin burra të ndryshëm, i bënin dhe seks.  Madje madje, , vetëm sa nuk u tërhoqi veshin atyre femrave që bien pre e tutorëve.  Po qe se nuk e shmang dot përdhunimin, thotë një fjalë e urtë greke, të paktën shijoje!

Ka gjasa, ndokush që është larg atdheut, ( lavdi zotit por edhe  të dërguarve të tij në tokë, larg atdheut ndodhemi jo pak shqiptarë), duke ndjekur kanalet televizive shqiptare, t’i marrë mendja erë e të nisë të paketoj plaçkat për të shkuar me një frymë në Shqipëri. Mjafton të ndjekësh autoreklamat që kreu i ekzekutivit ka nisur të publikojë, dhe nuk të ngelet gjë tjetër ,veçse ngutja për rikthim. Me thënë të vërtetën, jam në mëdyshje nëse duhet të vazhdoj të shkruaj më për këtë temë se, nuk më ka  asnjë faj drejtori. Nesër pasnesër, mund t’i vijë ndonjë pusulle nga organet rregullatore të etikës(dhe politikës) mediatike në vend, dhe për hatrin tim, të detyrohet të paguajë !

Gjoba për mediat që publikuan kundërpublicitet për të madhin,nga qeveria shqiptare, personalisht nuk më befasoi aspak. Për të qenë akoma më konkret, pres të gjobiten edhe segmente të tjera të mediave nga qeveria. Me segmente nënkuptoj persona të ndryshëm që shkruajnë majtas-djathtas dhe, pa pikën e ngazëllimit për arritjet e qeverisë në tre vitet e fundit, shkojnë deri aty sa, të kenë legjitimitetin moral dhe t’a kritikojnë atë.
Duke e parë krejt të natyrshëm reagimin qeveritar ndaj kundërpërgjigjes së G99-ës në propagandën që ekzekutivi serviri
 në media, më duhet të pranoj, por edhe të ftoj, këdo që nuk e ka parë akoma me sytë e vet përparimin galopant që ka arritur vendi gjatë qeverisjes së djathtë koalicionale (dhe aspak koloniale), t’i bashkohet edhe ai kësaj fushate mirëdashëse dhe informuese pushtetore, dhe të paktën, nëse nuk mundet të bëj më shumë, të mbyllë sytë i lumturuar e të shijojë demokracinë që ne të tjerët po shijojmë.

Edhe pse dua të besoj se, nuk duhet  të ketë qoftë dhe një qytetar të vetëm në atdhe, i cili të ankohet se nuk ka shijuar demokracinë e vërtetë gjatë qeverisjes së djathtë. Aq më tepër mediat.Tek e fundit, cili është qëllimi final i një televizioni, gazete apo agjencie lajmesh, kur bri propagandës qeveritare, pa pikën e respektit për monopolizimin që dëshiron të ketë ajo, publikon edhe përgjigjen e një grupimi politiko-social, tejet të pa pjekur dhe kaq të ri në moshë?! Këtu, populli i mënçur shqiptar do thoshte “u bëmë të gjithë njëlloj, si këmbët e dhisë”.

G99 me gatishmërinë dhe reflekset e mprehta që tregoi, asgjë tjetër nuk bëri, përveçse i rikujtoi qeverisë se, propaganda e njëanshme , plot  popmozitete dhe lustrime vetëkënaqësie, ndonjë gënjeshtër “të pafajshme”, taktika “thuaj, thuaj se diçka do të mbetet” e të tjera të tilla xhevahire tradicionale pushtetore, janë pjesë e pandarë e një pushteti që në të vërtetë, këmbët i ka prej porcelani dhe, e vetmja shpresë që i ka ngelur, është të mbahet prej "spoteve" televizive, sikurse i mbyturi prej flokëve në çastin që fundoset. Por këtë, nuk është e nevojshme që pushteti t'a mësojë nëpërmjet televizionit nga disa “çunakë”. Televizioni, në të vërtetë, duhet të jetë i pavarur nga pushteti ,por jo dhe pushteti nga televizioni. Nëse pushteti ,nuk kontrollon dot televizionin, kur akoma është në këmbë(qoftë dhe me ato prej porcelani) , do të thotë fare thjeshtë se, nuk është më pushtet. Mirëpo kjo, nuk është normale.

Edhe kështu të jetë, propozoj të mos i thuhet publikisht. Asnjëherë nuk i thuhet se po vdes, dikujt që është në çastet e fundit.Mediat e gjobitura nga qeveria, duhet patjetër t’i venë gishtin kokës. Nuk është e mundur, ripërsëris, të vendosësh në të njëjtën korrnizë, gjyshen time 97 vjeçare(që ka vdekur më 1966-ën) dhe Miss Albania 2008 (kërkoj ndjesë nga zonjusha për krahasimin) pasi, ka gjasa, nëse korrniza nuk thërrmohet, gjyshja të …revoltohet për krahasimin e tentuar. Lëreni gjyshen të besojë se, akoma është heroinë e punës socialiste! Heshtja nga mediat e tjera, për gjobën e vendosur tek ato që publikuan përgjigjien e G99-ës ndaj propagandës qeveritare, është edhe ajo, tejet e kuptueshme. Nga njëra anë ngjan me lajmin e vdekjes së një njeriu të njohur dhe ndjenja që na kap në ato momente. Edhe pse trishtohemi, shkencërisht është i "zbardhur{ njëfarë lumturimi që e kap të gjallin. Në subkoshiencë, lumturohemi që nuk jemi ne në vendin e meitit! Makabre , natyrisht, por shkenca këtë thotë.

Tani që Rusia njohu pavarësinë e Abhazisë dhe Osetisë Jugore, u zhdukën nga fjalori i shtypit grek fjalët “i vetëquajturi shtet”, "separatistë","republikëz”,”territore gjeorgjiane”, apo thjesht, unë nuk lexoj mirë?!
M'u kujtua periudha e pavarësisë së Kosovës dhe termat e rinj që "mësuam" asokohe...