3/5/08

Protagonistët (13)

@ Të na trashëgohen dhe të kenë jetën e lumtur! Sarkozy dhe Bruni. Në dasmë të të pamartuarve(politikanë). Pasi u zgjidh dhe kjo çështje kaq serioze për njerëzimin, le të kalojmë tek ato më pak të rëndësishmet. Bie fjala tek... pavarësia e Kosovës. Edhe pse ne(tek TRIBUNA), e shpallëm qysh javën që shkoi, akoma nuk po ndodh në të vërtetë. Siç duken bathët, me zor po na vijnë pashkët! Mjafton të na vijnë. Sjell ndërmend ato deklaratat e Bushit, Qershorin e kaluar, mes entuziazmit që i shkaktoi turma e papërmbajtur e duartrokitësve dhe e brohoritësve bashkëkombës. Thuajse, patëm besuar atëherë se, pavarësia qe thjesht një procedurë formale. Larg premtimi nga mundësia. Apo edhe dëshira, ku i dihet?! Sidoqoftë, mes dasmës dhe pavarësisë, zgjidhja është...të dyja!

@ Në mes të ditës dhe pa asnjë paralajmërim, ndodhin çudirat në Shqipëri. Madje ndodhin atje ku , nuk të bën asnjë ...çudi! Në parlamentin shqiptar. Ndërgjegjësohet mjeku-deputet Sabit Brokaj dhe lë mandatin. Këto mandata kaq të befasishme, edhe pse dëgjohen kaq rrallë, nuk ka se si të mos shkaktojnë zhurmë. Nuk është e njohur kjo praktikë në atdheun tonë. Nuk pranohet nga “pazari”, ndërgjegjësimi i politikanit dhe dorëheqja nga mandati. Po çfarë ndodh vallë?! E kuptoi, thotë, që nuk ishte i dobishëm në parlament dhe po i kthehet profesionit të mjekut! I nderuar deputet, thuaja dhe kolegut blu këtë ...(pa)dobishmërinë, mbase e lë dhe ai mandatin. Të shpëtojmë dhe ne nga mandatet (e atij) që nuk kanë të sosur. Ëndrra në diell(me mandate) janë këto, megjithatë!

@ Abuzime, lexojmë, zbuloi kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave! Ç’thua byrazer? Na ke befasuar krejt! Si mundesh dhe e thua kaq lehtë se, mund të abuzohet në Shqipëri?! Dhe me fonde, aq më tepër. Diku bëhet gabim. Nuk bindem. Për 5 milionë dollarë, askush nuk do rrezikonte. (Mos)abuzimin! Cilat prona kthehen, fundja? Akoma të përcaktojmë të kujt janë pronat. Ç’prona qenkan këto që nuk kanë pronarë? Jetime kanë ngelur pronat dhe, është fat që ndodhen disa ...“ekspertë” të agjencive të tilla e që preokupohen për tu gjetur atyre pronarët e vërtetë. Nuk është e thjeshtë, mos qesh. Në Greqi mund të jesh ai që deklaron po në Shqipëri, fare mirë mund të rrëmbesh atë (pronë) që nuk të takon.

@ Të ngatërrohen e përzihen njerëzit sa janë gjallë, ndodh kudo në botë. Dhe kujt nuk i ka ndodhur?! Mirëpo, çudia ndodh kur të përzierit kanë vdekur. Të vdekur këtu e 100 vjet, jo dje. Nuk të besohet ë? Pse, mua më besohej thua?! Po kur je dëshmitar i këtyre ngjarjeve, falënderon natyrën që të bëri shqiptar! Ku tjetër, do dëgjosh që, u përzien të vdekurit, vallë?! Ndërsa në tokën e shqiptarëve, gjithçka mund të ndodhë dhe asgjë të mos jetë e panatyrshme. U përzien, thonë, eshtrat e Bajo e Çerçiz Topullit, të Andon Zako Çajupit e të Muço Qullit!!! Ne që jemi të aftë të “prodhojmë” çdo ditë heronj, e kemi të vështirë, mesa duket, të mbajmë të pacenuar eshtrat e atyre që na...shpëtuan pa i shpallur në demokraci.

@ Me partitë politike, asnjëherë nuk e kam pasur “të gjetur” çështjen. Por as dhe të humbur. Me partitë, më mirë është të jesh përballë. Përballë por pa u ndeshur. Sepse partia nuk ka nevojë për njerëz. Partia ka nevojë për militantë. Për njerëz-militantë. Për ata që kur thotë shefi bie shi, ti të kesh hapur çadrën. Kur shefi ankohet për vapë, të mbjellësh pemën e ti bësh freski. Sikurse thotë dhe proverbi i njohur:sipas kokës dhe qylafin! Topalli thotë se, vetëm Saliu bën për kryetar partie. Mustafaj, mban barkun me dorë dhe na shpjegon ...batutën e Jozefinës. Nuk i gjendet fundi partisë. Pus i paanë është partia. Si shpirti i njeriut. Dhe sikurse shpirti i takon një kufome, edhe partia i takon një personi. Të vetëm!!!

@ Çmimi i bukës në Shqipëri, u ka rritur në gjashtë muaj 70%! Thënë më thjeshtë, një bukë vlen po aq sa dhe pensioni ditor i një fshatari pensionist. Bukuri më duket. Nuk shoh se ku qëndron këtu absurditeti apo shkaku për ankesa?! Çfarë tjetër mund të kërkoj ndokush sot, për të jetuar në demokracinë e dhënë me kaq zemërgjerësi nga shteti ynë bujar dhe i dhimbsur ?! Duhet të jetë i pa...parti dhe ish-komunist ndokush, që të ankohet apo irritohet për këtë. Fundja, nuk është detyrë e shtetit të mbroj qytetarët nga ngritja e çmimeve apo dhënia e pensioneve. Shteti, ka plot detyra të tjera për të zbatuar. Ka rrugë “patriotike” për të bërë, ka “reformë” në drejtësi për të përfunduar, ka politikë të jashtme për të “aplikuar”.

@ Tashmë, që ne shqiptarëve na lejohet të kalojmë në territorin e FYROM-it pa viza, mund të ndodhë çudia dhe... të zvogëlohet numri i vizitorëve në shtetin fqinj! Aspak e çuditshme. Sa për të shkuar drejt së kundërtës. Sepse, drejt lirisë së vërtetë evropiane, nuk parashikohet së afërmi. Meqë ra fjala për të shkuar drejt së kundërtës, po sjell ndërmend atë çka ngjau javën që shkoi. Në një auditor me të huaj që jetojnë në Greqi dhe politikanë të partive politike, të vetmit zhurmëbërës dhe ngatërrestarë, vinin nga identiteti ynë. Akoma nuk mund të lemë mënjanë “inatin publik” dhe “zbulimin” e armiqve! Askush tjetër si ne shqiptarët, nuk është kaq i gatshëm të fyej apo denigroj bashkëkombësin e vet në prezencë të tjerëve. Mjafton të gjejmë ...mikrofonin e duhur!