3/5/08

Protagonistët (14)

@ Fillon blerja masive e miellit dhe pjekja në shtëpi. Në Sarandë, nis magazinimi i ushqimeve nga frika e shtrenjtimit të mëtejshëm!!! Në Frakull të Fierit, çmimi i bukës arriti 1500 lekë të vjetra. Mirëpo, edhe këtu ka një zgjidhje. Piqen bukë të vogla. Fillimisht, qetësohu miku im. Nuk na ka hapur luftë ndonjë superfuqi dhe as embargo na ka shpallur …FYROM-i(akoma). Këto ditë, nis pastrimi i bunkerëve dhe fortifikimeve. Vijnë ditë të vështira. Anëtarësimi në NATO, përveç prestigjit që i jep vendit, sjell me vete dhe ...brekëzbathjen e fukarait. Gjithsesi, fajtori është gjetur dhe të ftoj të flesh i qetë. Një gazetë shqiptare, na bën të njohur se, opozita e ka fajin për rritjen e çmimeve(!). Rasti i vetëm në botë, ku qeveris opozita dhe qeveria bën opozitë!

@ Dhe meqë e filluam me miellin, le ta shpiem tek sheqeri. Qamilja, gruaja e kryetarit të këshillit të fshatit në vitet e socializmit, kur tek-tuk përhapej ndonjë lajm se ...mund të na sulmoj Bashkimi Sovjetik ose forcat imperialiste amerikane po përgatiten për sulm me Flotën e Gjashtë, të vetmen gjë që magazinonte ishte sheqeri! Edhe kur forcat vullnetare vigjilente e sypatrembura, gdhiheshin natën në pritje të diversantëve dhe bandave të tyre, prapë Qamilja e mbushte qypin me sheqer. Tani që ikën diversantët dhe askush nuk na sulmon, tani që NATO-ja nuk është më gogol por “shpëtimtar”, tani që jemi në demokraci dhe sheqer ka me bollëk, ndoshta, nënë Qamilja magazinon miell. Keq me “diversantë” e keq me “demokratë”. Lëmsh puna!

@ Aleancat në Shqipëri mbajnë pak. Nuk jemi hiç,një vend aleancash. Të paktën të fshehtash. Presidenti, mësojmë, propozon për anëtare të Kushtetueses(kështu thuhet, në gjuhën që përdor gazetaria jonë e rinovuar ,Gjykata Kushtetuese), zonjë Vitore Tusha. Asgjë nuk kam me Vitoren dhe me asnjë Vitore, mund të them. Kush nuk i do vitoret?! Problemi qëndron tek aleancat e thyera që përmendëm. Një e tillë, sipas ngjarjeve, po merr fund. Ajo mes... Nanos dhe Topit. Sepse, nëse akoma nuk e di, miku im i mirë, tani mësojmë dhe ne, sesi qenë ndërtuar këto aleancat. Posi posi. Vitorja, paskej qenë zemërgure, dhe nuk donte të dilte nga burgu, udhëheqësi i socialistëve shqiptarë. Dhe ata nuk e bënë...Kushtetuese. Eja, veç, që rrotullohet bota dhe vjen në pushtet partia e Vitores!...

@ Njëra nga vetitë që disa shqiptarë fituan në emigracion , është ajo e të vetëquajturit hero. Të ngrihet një mëngjes, të shihet në pasqyrë, të veshë pardesynë, shallin e leshtë, të ngjeshë dosjen në sqetull dhe të marrë rrugën drejt bustit! Atje e pret vetvetja, i gatshëm për kurorën. Qëndron përballë saj, mbledh duart grusht në lartësinë e xhepave të pantallonave, qëndron gatitu, sytë të ngulitur drejt e në sy të statujës së ftohtë dhe fillon nga homazhet. Për vetveten. Ai është sindikalisti më i mirë! Ai është shqiptari më patriot! Ai është gazetari më objektiv! Ai është biznesmeni më i arrirë! Ai është grevisti më i zjarrtë! Ai është diplomati më i sprovuar! Ai është mendjendrituri i kombit! Ai është pllakatdhënësi më rezultativ! E kush tjetër si ai?!

@ Patjetër, edhe ti miku im, i ndjek lajmet që vijnë nga vendi. Dhe përderisa i ndjek, nuk ka sesi të mos shohësh ato që shohim të gjithë. Është e vërtetë që, liberalizimi dhe heqja e censurës nga shtypi, e bëri atë më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm ndaj problemeve. Gjithçka që ndodh e pasqyron në faqet e tij. Me emër e mbiemër. Mjafton të informohet dhe të nesërmen e ke fotografinë të freskët e të sapo...montazhuar! Për seks dhe për informacion, na la të uritur ai dreq sistem. Seksin, e morëm vetë përsipër, për ta gjetur dhe shijuar. Kush zyrtarisht e kush kontrabandë. Ndërsa informacionin e jep shtypi. Parakalon në të, pa ndrojtje për ndonjë shkelje të së drejtës së njeriut, varfanjaku, i pasuri, hajduti, prostituta, batakçiu, politikani, shpërdoruesi!

@ Udhëtimet e qeveritarëve shqiptarë në perëndim, ende nuk kanë rezultatet e shumëpritura në lidhje me pranimin tonë në aleanca të ndryshme evropiane. Ajo që duhet theksuar, sakaq, është efikasiteti i udhëtimeve të bëra në Lindjen e Largët. Në njërin prej këtyre, ...u (ri)thithën investime për zbardhjen e ujërave të zeza! Në vijim, ujërat e Lanës në Tiranë, do të rrjedhin të bardha. Vend “zbardhjesh” rezulton ky atdheu ynë. Secili mundohet të “zbardhë” atë që mundet. Madje Kryeparlamentarja, si militante e devotshme e partisë, i bën thirrje opozitës të vlerësojë sa duhet thithjen e fondeve për zbardhjen e ujërave të zeza që vijnë nga Japonia. Se në vendin tënd dhe timin, kryeparlamentarja nuk është e të gjithëve. Është në krye të Parlamentit (të të gjithëve) por zbaton vijën e partisë saj.

@ Mësohet se, asnjë nga të dënuarit për krime të rënda në Shqipëri dhe të ndaluar në vende të huaja, nuk dëshiron kthimin për të vuajtur dënimin në atdhe. Alibia e të gjithëve se, politika(nët) do të ndikojnë në likuidimin e tyre, tingëllon jo bindëse. Në Shqipëri, nuk ka të tilla rreziqe. Unë e besoj. Besoj,edhe ti, i dashur lexues. Dhe për të vërtetuar mirëkuptimin politik, marr për shembull protestën e partive të vogla për “flirtin” e sapo ndezur mes Ramës dhe Berishës. Ditët e fundit, është parë nga një grup njerëzish, ky i fundit, tek këpuste degë mimozash tek ish-Blloku dhe i përgatit për ti çuar në buqetë kryeopozitarit! Nuk di qëllimin por, fakti që dje, ishte dita e të dashuruarve, të çon në konkluzione të qarta...