3/5/08

Protagonistët (19)

@ Gërdeci! Fshat në afërsi të Tiranës. Aty, qeveritë shqiptare patën grumbulluar për asgjësim, një sasi të madhe municionesh luftarake. Në ndihmë u patën ardhur edhe kolegët amerikanë. Të punësuar, përveç të tjerëve, qenë dhe fëmijë të mitur. Në datën 15 Mars, nga një pakujdesi njerëzore(?), njëra prej depove u hodh në erë duke mbjellë vdekjen dhe shkatërrimin kudo. Pas kësaj, pritet që qeveria të ngarkoj me faj televizionet, radiot, gazetat, faktorët atmosferikë, ish-komunistët(që janë jashtë qeverisë), njerëzit që vdesin kaq shpejtë, lumenjtë që rrjedhin poshtë, ujin e kripur të detit, “tradhëtarët socialistë”, rritjen e çmimeve të naftës, fëmijët që punonin atje dhe nuk shkonin në shkollë, shtëpitë e ndërtuara me material të dobët, barutin që kur e vë me zjarrin bashkë shpërthen, xhamat e dritareve që thyhen lehtë.

@ Pushteti! Teorikisht ,është vullneti i popullit, që shprehet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike, i cili ka për detyrë administrimin e të gjitha segmenteve që përbëjnë një territor të organizuar. Të ekonomisë, drejtësisë, infrastrukturës, mbrojtjes kombëtare, arsimit, shëndetësisë, ruajtjes së rendit, sigurimin e kushteve minimale të sigurisë në vend, mbrojtjen e çdo qytetari nga rreziqe që mund ti kanosen atij, të brendshme ose të jashtme. Në raste urgjente, gjendet pranë qytetarëve me përkujdesjen e duhur dhe me ndihmën që vetëm ai është në gjendje të ofrojë, si organi më i lartë dhe më kompetent. Nuk neglizhon në detyrimet ndaj popullsisë dhe nuk është indiferent ndaj asgjëje që do të vinte në rezik sigurinë kolektive. Të gjitha këto, (duhet të) ndodhin, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë!

@ Kryeministri! Personi që kryeson Këshillin e Ministrave. Zakonisht, dikush që njeh mirë shkencat politike. Pas votimeve të lira dhe demokratike, ku secili shpreh vullnetin e tij për atë forcë politike që ai beson se do ta qeverisë më me efikasitet, drejtuesi i partisë që merr shumicën e votave, ngarkohet nga Presidenti me detyrimin e formimit të qeverisë. Emëron në qeveri personat më të kualifikuar që mund të ketë në dispozicion, me qëllim që ti vijnë në ndihmë qytetarëve, duke drejtuar produktivisht institucionet që u besohen nga kreu i qeverisë. Mban në mbikqyrje të gjitha ministritë dhe është në gatishmëri për të zgjidhur çdo problem që lind në vend. Bashkërendon veprimet me ministrin që ai vetë ka emëruar në ministrinë përkatëse. Përjashtohet rasti kur ushtrohet detyra në Shqipëri!

@Armët! Qysh nga epoka e shfaqjes së tij mbi tokë, njeriu, shpejt konstatoi se ishte i dobët ndaj kafshëve të tjera, dhe duke përdorur logjikën, mundi t’u shtonte armëve natyrale(thonjtë, dhëmbët), armët e ndryshme primitive, që me kalimin e kohës, bashkë me evolimin njerëzor, evoluan dhe ato. Revolucioni më i madh në fushën e armëve, përjashto këtu shpikjen e armëve atomike që friksësojnë edhe vetë poseduesit, erdhi me shpikjen e barutit. Qysh atëherë, duke marrë parasysh forcën e pallogaritshme që fiton ai pas ndezjes dhe shpërthimit, kanë ndodhur miliona vdekje prej armëve. Ka raste që, kur shpiken armë të reja, asgjësohen modelet e vjetra. Personeli që merret me këtë proces, është posaçërisht i kualifikuar. Nuk lidhet detyrimi i mësipërm me Shqipërinë. Atje, mund ta bëjnë edhe fëmijët!

@ Drejtësia! Njëri nga faktorët bazë të demokracisë. Qysh në lashtësinë e largët, kur personi shkel ligjin, ndërhyn drejtësia dhe e ndëshkon atë. Pa drejtësi, vetëm në xhungël funksionojnë. Atje, drejtësia është aftësia e më të fortit. Luani shqyen e copëton sorkadhen, tigri, pa u ndrojtur nga askush, në mes të ditës mund të vrasë një zebër. Në ambjentet ku jetojnë njerëzit, kur dikush sulmon dikë, ndeshet me ligjin. Atje ku drejtësia funksionon normalisht, sistemi quhet demokratik. Dhe në demokraci, shteti dhe personi, janë të barabartë përpara ligjit. Kur shteti shkel të drejtën e personit, ndëshkohet. Kjo ndodh atje ku ka drejtësi të mirëfilltë. Ato ç’ka thamë më lart, kurrsesi nuk mund të gjenjë zbatim në Shqipëri. Në atdheun tonë, drejtësi është e drejta e shtetit. Shteti s’gabon!

@ Gënjeshtra! Është një fjali ose fjalë që përdor dikush me qëllim që të bind publikun se është e vërteta. Sakaq, ai vetë, e di se kjo është gënjeshtër. Ka gënjeshtra “të bardha”, ose thënë ndryshe të padëmshme, por ka dhe gënjeshtra “të zeza”, që hyjnë në kategorinë e shpifjes. Tek e para bëjnë pjesë ato që nuk dëmtojnë askënd. Tek e dyta, hyjnë ato gënjeshtra, që kanë për synim, jo vetëm të dëmtojnë dikë, duke shpifur diçka që assesi nuk qëndron si e vërtetë, por në thelb, fshehin dhe qëllime të këqija që ndërthuren me përfitime personale. Gënjeshtari, nuk është gjë tjetër, veçse një spekulant i rrezikshëm dhe njeri me probleme patologjike në ndërgjegje. Kur është shteti gënjeshtar, ka drejtësi, kur është personi, e përbuz dhe shpërfill!

@ Demokracia! Kuptimi i vërtetë i saj, do na thoshte Platoni, gjendet në qiell. Por fatkeqësisht, nuk na është bërë e njohur. Sipas Platonit, demokracia është mbizotërimi i lavdisë ndaj filozofisë, me një fjalë i mendimit ndaj diturisë. Ndaj dhe ai e urrente demokracinë. Për Aristotelin, edhe pse demokracia ishte element i domosdoshëm për qeverisjen, qëndronte larg të qënit një zgjidhje e mjaftueshme. Beatrice Webb, nuk kundërshtonte demokracinë kur thoshte“ demokracia nuk është shumëfishimi i mendimit të naivëve” edhe pse në të vërtetë, kërkonte nga demokracia kulturim të vërtetë dhe të gjerë të popullsisë. Poeti thotë: demokracia të ngroh gjakun si vera. Në atdheun tonë, ka (jo pak) raste kur ajo që quhet demokraci,disave(të paktë në numër) u ngroh xhepin, me gjakun e disa të tjerëve pa xhepa.

Thanë:
Mallkimi i së keqes është se, vazhdon e pjell të keqen!
Fridrih Shiler