3/5/08

Protagonistët (20)

@ Unë, Sali Berisha, deklaroj se për herë të parë në jetën time, kam dëgjuar fjalën Gërdec, më 15 mars të këtij viti!
Kjo është deklarata e fundit e kryeministrit shqiptar. Disa në atdhe, u kapën pas kësaj deklarate kaq të thjeshtë dhe flasin për “skandal” e për mosnjohje nga ana e kreut të qeverisë të territorit të vendit të cilin ai drejton. Nuk janë në vete, mund tu them me plot gojën. Si mund të dijë kryeministri ynë të gjithë territorin e vendit? Pse, gjeolog është ai apo gjeograf? Selia kryeministrore , pastaj, as në Vorë është e as në Gërdec. Armët dhe municionet, as në “Parkun Rinia” janë e as tek “Liqeni Artificial”. Madje as në Farkë. Atje të mbysin vetë varkat, nuk duan ndihmë!

@ Plumbi del me plumb, ka thënë një heroinë që nuk më vjen ndërmend. Çfarë të kujtojë më parë njeriu, kur rrethohet kaq shtrëngueshëm nga heronj të përditshëm?! E megjithatë, mund të kishte thënë që, gëzimi del me gëzim, vaji me vaj ( të vajtueshëm, doemos) por edhe dasma me dasëm! Sido që të formulohej tekstualisht thënia, diku, dikur, zbatim do të gjente. Le të marrim martesën si shembull. Martohet , bie fjala, preidenti i Francës dhe bëhet goxha bujë?! Me të drejtë. Mori nuse, jo shaka. Por edhe ish-gruaja, nuk qëndroi duarkryq. Mori për krahu të dashurin e saj( të radhës) dhe vendosi kurorën( e radhës) në New York. Proekupime serioze që të bëjnë të solidarizohesh me ta. Fshati digjet, kurva krihet, thotë gojëmjalti popull.

@ Vilson Blloshmi e Genc Leka. Në muajin Mars të viti 1977, dy poetët u pushkatuan në Shqipëri për “krime politike dhe ekonomike”. Sigurisht, ata që i “hetuan” dhe më në fund edhe i pushkatuan, të vetmin justifikim që kishin ishte...ekspertiza shkencore! “Asgjësimi i armiqve” dhe jo gjetja e fakteve, ishte qëllimi. Disa thonë Maji e të tjerë bëjnë fjalë për Marsin. Por të gjithë, megjithatë, janë të mendimit se i detyrohemi ti bëjmë një festë të përvitshme. Për poezinë bëhet fjalë dhe, kur duhet t’i festojmë?! Homazhe për Gencin e Vilsonin kur do bëjmë? I çuditshëm atdheu. Të vret kur i këndon të vret dhe kur hesht! Ka raste kur të vret dhe kur krijon. Vrasës i poetit, vetëm një atdhe i pashpirt mund të jetë.

@ Kujt shqiptari nuk i ka ndodhur ti ketë mbajtur inat një tjetër shqiptar?! Ndoshta, duhet të jemi kombi me inatçinjtë më të shumtë në Europë. Për planetin, nuk po e vë dorën në zjarr. Inati mban më shumë tek injoranti. Sa më shumë inatoset, aq më tepër bëhet qesharak. Zakonisht, inatçiu, është edhe keqbërës. Aq shumë jemi të infektuar si komb nga mikrobi i inatit saqë, edhe shteti i mban inat vetevetes. Nuk shpjegohet ndryshe. Në Mars të 2007-ës, ish-presidenti i vendit alarmohej për gjendjen e armatimeve në Shqipëri. Kërkonte të takonte kompetentët e ministrisë përkatëse dhe ata...i mbanin inat. Nuk shkonin ta takonin me justifikime idiote. Shtet qesharak me funksionarë të papërgjegjshëm apo shtet i papërgjegjshëm me funksionarë qesharakë është ky shteti shqiptar? Ndoshta të dyja!...

@ Miqtë e mëdhenj të Shqipërisë së vogël, festuan këto ditë. Festuan për luftën. Festuan 5-vjetorin nga dita kur kaq bujarisht u falën demokracinë irakianëve. Më parë i kishin falur demokracinë afganëve. Akoma më herët e patën bërë edhe me vietnamezët. Gjatë festës u përmendën edhe disa shifra. Shifra të vdekurish. Katërmijë ushtarë amerikanë dhe aleatë të tyre janë flijuar deri tani në “bulevardet e demokracisë” irakiano-amerikane. Krejt mosmirënjohës në fakt po tregohen edhe ata. Është e mundur të të vij okupatori dhe ti të mos e presësh me buqeta lulesh?! Kështu pati thënë ministri i mbrojtjes i Bushit. Me lule do të na presin. Do më thuash që, nuk pritet pushtuesi me lule. Një fjalë goje është. Kur të pushton Amerika, është pushtim tërheqës! Pushtim demokratik.

@ Erdhi koha e biondeve! Poshtë brunet! Përpara se të nxitohesh e të më akuzosh për thirrje anti-zeshkanesh, më duhet të sqarohem. Në Kremlin, u themelua partia e parë në botë, me qëllim mbrojtjen e biondeve. Do më pyesësh nga do ti mbrojë partia?! Me të drejtë shqetësoshesh. Unë feminist nuk jam dhe, as ndonjë problem nuk kam me biondet. Në të kundërt madje. Kam disa miq të mitë që, më lutin të ndërhyj e të pranohen në radhët e partisë së sapokrijuar. Edhe këta burrat, mos dëgjofshin grumbullim biondesh se, të vetmen gjë që mendojnë, anëtarësimi në radhët e tyre është. Në fakt, programi ...biondor, përmban edhe anëtarësimin burrëror. Nuk përjashton, madje, as zeshkanet. Demokracia dhe pluralizmi ideor, zënë vendin kryesor në partinë e sapokrijuar.

@ Greqia fqinje ndodhet në një dilemë të fuqishme kësi kohe. I duhet të vendosë se si i pëlqen të emërtohet fqinji i saj verilindor. Nuk është asapk e thjeshtë. E kemi rithënë që, pagëzime të tilla sjellin ...kokëçarje dhe dhimbjemëndsh! E megjithatë, ka gjasa as kësaj here të mos bien në ujdi për emrin. Kohë të vështira për pagëzime. Sakaq, uji me bollëk në Shqipëri. Jo për pagëzime, për ndriçime. Drita elektrike që solli partia( me rastin e rrreshjeve të pallogarituar), thuhet se këtë vit, nuk do t’u mungojë shqiptarëve. Me të parë e me të bërë. I besohet qeverisë? Qeveria e ka në dorë edhe gurin edhe arrën. Sot të vret e nesër të qan. Të qan komunalja në fakt se, janë boshatisur shtëpitë. Punë qeverie!

Thanë:
Mirësjellje është të përballosh me qetësi dhe pa zemërim, banalitetin e të tjerëve.
Stendal