3/5/08

Protagonistët (22)

@ Ashtu është dhe dyshim mbi këtë, nuk mund të ketë. Festat i patën munguar Shqipërisë. Të mblidhej paria e të dëgjoheshin bandat muzikore. Të viheshin në rreshtin e parë udhëheqësit e të parakalonte toga e nderit. Të vishnin zonjat kostumet e shtrenjta e të bënin parukeritë krehjet speciale. Të lustronin zotërinjtë këpucët dhe shoferat të bënin servisin më të kujdesshëm për makinat luksoze. Të merrnin ftesat familjet e larta e të hidhnin sytë zonjushat majtas-djathtas për dhëndurrët e ardhshëm. Të mblidheshin edhe njëherë si dikur në koktejet e hotelit “Dajti” apo “Tirana”. Të krekoseshin krah ambasadorëve të huaj që tashmë nuk dyshohen për agjentë të imperializmit. Të festojmë njëherë, byrazer, për një ftesë. Një ftesë që fsheh poshtë mbështjelles së saj ,ndoshta, edhe ndonjë mëkat.

@ Edhe pas veto-s së miqve grekë për mosthirrjen e FYROM-it në NATO, Ballkani ngelet i njëjti. Trevë me zemërime e konflikte të vogla. Zënka e kokëfortësi. Kapriçio liderësh e shtrirje dore ndaj të fuqishmit. Nga njëra anë Amerika, që bën mikun e të vegjëlve, nga ana tjetër Rusia që bën armikun e Amerikës. Kur grinden elefantët në ujë, zakonisht e pësojnë bretkosat. Shqipëria nuk ka arsye të jetë e trishtuar. Ftesën e mori. Pavarësisht se, edhe pa ftesë, besnikërinë ndaj të madhit e kishte treguar. Tashmë, na duhet të rendim. Atje ku ka vatra të nxehta. Të dërgojmë ushtarët tanë. Jemi të gatshëm të sakrifikohemi për Afganistanin e Irakun? Duhet, patjetër. Brenda kufijve, sakrifikohemi edhe pa NATO-n. Me armët që NATO-ja nuk i pranon.Vetëvritemi. Mjerueshëm!

@ Është në natyrën e njeriut të urrej. Sikurse dashuron. Por edhe të dashurojë për të urryer. Ndërlikime të thjeshtësisë njerëzore. Bota ,urren këto ditë flakën. Urren në të vërtetë atë që do. Ndaj dhe e urren. Nuk do ta shohë të ndizet atje ku urrehet njeriu. Liria, mbijetesa. Kina është shurdhuar. Të mëdhenjtë e botës janë bërë memecë. Një kor i madh shurdhmemecësh. Që rend pas flakës olimpike. Të cilën herë e fik e herë e ndez. Herë e fsheh për të mos e fikur ata që duan të ndizet por jo mbi fikjen e shpresës. Botë e shurdhët. Disa bëjnë zhurmë për të drejtat e tibetianëve. Tu jepet pavarësia, dëgjohen të belbëzojnë. Janë të njëjtit që për Kosovën thonë ndryshe. Tibeti është larg.Kosova aspak!

@ Ishte ndoshta e pritshme. Berluskoni shrehet publikisht dhe këmbëngul për gjatësinë. E ka , thotë, më të gjatë, shtatin, nga Putin dhe Sarkozy. Bën vaki. Madje kam bindjen se e ka dhe më të zi. Flokun. E ngjyen me këna njëherë në pesëmbëdhjetë ditë, na bëjnë me dijeni miqtë tanë në Itali. Nuk e di nëse e ka dhe më të re. Bashkëshorten. Për Sarkozy-në nuk ka asnjë dyshim. Jo vetëm e ka më të re(nga Berluskoni e Putin) por edhe italiane. I ngelet Berluskonit të ndajë të sotmen e të rimartohet me një franceze. Të marrë hakun e kombit. Habitem si i shpëtoi Karla Silvios. Me siguri, nuk ka kaluar nga kanalet që zotëron. Me ruse, nuk bëhet fjalë. Nuk flasin italisht. Janë dhe bionde.

@ Ora për udhëtim. Udhëtim në atdhe. Me të njëjtën mënyrë, këtu e vite, shteti grek i dërgon emigrantët me leje. Çdo pranverë ( doemos kur afrojnë Pashkët e ortodoksëve), çdo Gusht e çdo fundvit, nga blloku i liridaljeve grisen tre fletë. Për secilin nga ne. Nuk është keq. Ushtria i ka dhe këto vështirësi. Nuk jemi ushtarë? E pastaj? Të bëjmë dhe disa parashikime: në ditët e kthimit, me siguri kanë për tu prishur kompiuterat e Kakavijës nga ana e Greqisë. Nga ana e Shqipërisë, në vajtje, doganierët do lenë mbi tavolinën e punës të holla evro. Akoma dhe polici që ul trarin e fundit për në atdhe, ka për të bërë kompetentin, mbase i ngelet ndonjë e...hollë edhe atij. Atdheu i çudirave na pret!

@ Ushtria shqiptare, pjesë e NATO-s. Të paktën kështu, justifikojmë dhe gatishmërinë për të dërguar trupa në Afganistan dhe Irak. Janë detyrime të Alenacës. Ata që kishim dërguar kur akoma nuk ishim të ftuar të Aleancës, ishin pararoja. Tashmë do të shkojnë forcat mësymëse. Kur të anëtarësohemi plotësisht, është radha e prapavijës. Me vrullin dhe entusiazmin që kemi ne nga ftesa, nuk do shumë të shrehim vullnetin për të çuar ushtarë edhe në hënë. Çdo bëjnë në hënë? Të mbrojnë flamurin amerikan që ngriti atje astronauti Armstrong. Nuk është e drejtë të mos tregojmë solidaritet. Kaq shumë po na përkrah Amerika. Le që, akoma nuk kemi plotësuar “borxhin” e Vietnamit. Vërtetë nuk ishim atëherë aleatë po, miku i mirë, kurrë nuk harron.Më mirë vonë se kurrë!

@ Ylli me pesë cepa i pret! Duan s’duan, uniformën do ta veshin. Le të jenë akoma dhe antikapatë. Në Fier, bie fjala, të gjithë ata të rinj që qarkullojnë në rrugë, janë a priori të dyshimtë për moskryerje të ushtrisë. Asgjë nuk i shpëton. As sakatllëku. Ushtarë do ti shpien, jo ...shkencëtarë. Mblidh e përcill. Ndoshta këto janë dhe reformat e reja që duhen kryer për anëtarësimin. Rekrutim masiv. Pa dallim feje, krahine, sëmundje dhe mangësie mendore. Mjafton të jenë meshkuj. Dhe të rinj. Ushtria mbi të gjitha. Rrezik, nuk ka të dukshëm.Përveç atij të boshatisjes së reparteve ushtarake. Ka gjasa, kur të vijë anëtarësimi i plotë, ushtria të festojë me pacientët e spitaleve të të çmendurve. Në sup armë! Të heshturit janë të dobishëm.


Thanë:
Të hakmerret ndokush, qoftë dhe ndaj armikut të tij, është gjë e keqe. Të mos hakmerret ndaj askujt, është shpirtlartësi!
Volter