17/5/08

Protagonistët (27)

Ç’javë qe dhe kjo që kaloi?! Nga të fillosh e ku t’i japësh fund. Bisedës bëhet fjalë se java, vetë fillon edhe po vetë ia del përtej. Le të fillojmë nga ato që na trishtojnë fillimisht. Sipas kërkimeve të Institutit Ndërkombëtar për Emigracionin, 1.093.000 shqiptarë e kemi braktisur atdheun e po kërkojmë fatin nëpër botë. 30% e popullsisë jemi jashtë saj. Κjo, ama, është edhe pozitive. Këtu nuk po e gjejnë hesapin ata që janë atje, merre me mend të ishim të të gjithë bashkë. Mirëpo, çdo e keqje, sjell një të mirë. Dhe e mira është se, nga gjiri ynë, domethënë nga gjiri i emigracionit, doli koreografi i Kalomirës, këngëtares që përfaqëson Greqinë në Eurovizion. Merre me mend të mos ishin hapur kufijtë. Edhe Kalomira nuk do të kishte koreograf shqiptar, por edhe Shqipëria do kishte 30% më shumë popullsi.

Ndaj ju them vëllezër se, çdo e keqje ka një të mirë. Ka raste që e mira, është vetë Kalomira, madje. Ndërkaq , janë kaq të shumta belatë që e kanë zënë Greqinë saqë, as morri vesh njeri se në Eurovizion po shkon me koreograf shqiptar. Më shkon në mendje një djallëzi po, po rezervohem. Hajde fundja po e ndaj me ju se, këtu jemi si një familje. Më thotë një mendje t’i dërgoj një haber Anthimos së Selanikut,Psomiadhit të Selanikut, Karaxhaferit të…për pak të Selanikut dhe Papathemeliut të Selanikut! Ups! Këta qenkan të gjithë të Selanikut. Me vend do të qe të njoftoja vetë Selanikun. Një referendum duhet në këto raste. Rrezikoj, nga ana tjetër, të akuzohem se nxjerr sekretet kombëtare, dhe i bëj keq imazhit të emigrantit. Ç’e vret mëndjen dhe ti?! Jemi kaq shumë në emigracion që, një ia prish mijra ia ndreqin.

Këtu nuk e vret mendjen Greqia, ty të zuri emocioni?! Ke kaq shkaqe të tjera të emocionohesh. Të përlotesh mund të të them. Here nga gëzimi e here nga trishtimi. Për trishtimin e thamë në fillim. Jemi shpërndarë si zogjtë e korbit. Gëzimin po ta sjell me marifet, kur thonë se, gëzimi i tepërt dëmton, po aq sa edhe trishtimi. Parlamenti shfryu dosjen e Ina Ramës për Mediun. Ta thashë troç tani se, nuk të mbaja dot më në pritje. Po si e shfryu do më pyesësh, dosjen e Inës, Parlamenti për Mediun?! E pra, këtu qëndron ajo që të thashë më lart, për gëzimin. Inës , ka gjasa ti qe fryrë një dosje për Mediun dhe , deputetët tanë, nga frika se mos i pëlciste ia shfrynë. Përherë kam qenë i sigurtë për kujdesin e deputetëve tanë për dosjet. Sidomos ato të fryrat.

Por jo vetëm deputetëve tanë, u fryhen dosjet e ata kujdesen t’i shfryjnë. Edhe vetë Kryeministrit, i janë ngritur nervat. Në atdhe, ose u fryhen (dosjet) dhe u a shfryjnë, ose u ngrihen (nervat) dhe u a ulin. Por ,ka të drejtë Kryeministri, të mos i hamë dhe hakun. Ka plot 56 ditë që nuk gjen dot një zv/kryeministër. Gjithë natën vret mendjen, e tërë ditën shkarravit letra, por më kot. Asgjëkund nuk gjendet një zv/kryeministër. Atdheu im, më dhimbsesh por edhe krenohem me ty. Nuk ke drita, nuk ke ujë, nuk ke rrugë, nuk ke drejtësi, nuk ke zv/kryeministër, por ama, ke Grëdecin, ke Mediun, ke NATO-n, ke tubimet e Metës, ke shëtitjet e Ramës, ke premtimet e dhëna të Salës.

Se shqiptari, po dha fjalën, ther djalën! Mjafton të mos jetë djali i tij. Bie fjala, dha fjalën qeveria se, Gërdeci do të ribëhet si më parë. Ndokujt i tingëlloi si ajo parrulla e realizmit socialist: t’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat. Ka gjasa, ata që sot premtuan rindërtimin e Gërdecit, të kenë qenë dhe parrullahedhësit e djeshëm. Kaq shumë ngjajnë realizmi socialist dhe Gërdeci. Njëri u braktis pas 45 vjetësh e tjetri pas 45 ditësh. Kohë të tjera, moderne dhe të shpejta. E pastaj, dëgjon se do të hyjnë në grevë urie banorët. Jam i bindur se, nuk kanë dëgjuar ato që tha Kryeministri javën që shkoi në Bruksel. Përsëritja mëma e dijes: Më quani Njeriu i Premtimeve të Mbajtura! Ai e tha, nuk mban dhe përgjegjësinë nëse askush nuk e beson.

Këtu, nuk besojnë grekët Kryeministrin e tyre që, u thotë se, nuk janë në krizë ekonomike. Bankat konfiskojnë përditë qindra shtëpi dhe automjete, benzina është kthyer në send me vlerë, papunësia dhe inflacioni ecin me hapa galopante, e sërish, kreu i ekzekutivit të Greqisë( kusur që të gjen kur lexon kaq shumë shtypin e atdheut), krizën nuk e sheh askund. Është ngjitës virusi i verbimit të politikanëve. Edhe ka gjasa të jetë virus që kap ata që lëvizin në të djathtë. Shohin turbull në blu.

Po nuk lëvdove shtëpinë tënde, bie tavani e të zë në kokë. Mos u tremb, o lum miku, se ne që jemi në emigracion, shumica shtëpitë me qera i kemi. Koka është jona po, kalimtarë jemi mbi këtë botë. Dhe meqë thashë shtëpia, po të them për strehën. Për strehën e re të ProtAGOnistëve. Çdo të mërkurë, nga ora 13:00-14:00 me orën e Greqisë, tashmë dëgjohemi në frekuencat e radios 105,5 FM “Sto Kokkino”. Morëm zgjerim, një …aneks! Drejtor të paça!

Thanë:
Të gjithë të zemëruarit, merren në brendësi me çështjet e hakmarrjes. Kështu, fantazia e tyre, në kohën që zgjohet, u shkakton të njëjtën kënaqësi si ajo që na shfaqet nëpër ëndërra.
Aristoteli