3/5/08

Protagonistët (18)

@ Edhe pse ne si komb, ç’nuk kemi bërë për këta miqtë e mëdhenj të përtejoqeanit, ata prapëseprapë, thua se na kanë ndonjë inat të vjetër, nuk rreshtin së nxjerruri probleme dhe duke gjetur ndonjë “hollësi” që na prish imazhin në botën e jashtme. Se mirë që konstatojnë ndonjë mangësi të vogël tek-tuk, ndonjë shkelje ose abuzim mospërfillës, ndonjë kleçkë që nuk prish punë po, është e nevojshme këto ti bëjnë raporte e stërraporte?! Mirë keni ecur na thonë po, keni ca shkelje të të drejtave të njeriut, ca gjakmarrje, ca keqtrajtime në burgje, ca korrupsion në polici, ca censurime në shtyp, ca mungesa kushtesh sanitare në burgje, ca shitje grash e fëmijësh e ku di unë të tjera “hollësira”. Për të reja na i thoni këto tani?!

@ E lexove shpresoj, miku im, lajmin që erdhi nga Nju Yorku! Po e bëj një rifreskim, për të mirë apo për të keq. Në deponim publik u detyrua të ekspozohet aleati politik i Hillari Clinton-it zoti Eliot Spizer, Kryeqeveritar. Ç’deponim, do më pyesësh, o lum miku?! Këtu qëndron problemi. Deponoi se, edhe pse i martuar dhe me tre fëmijë(ti rrojnë meqë erdhi fjala),vetëm një ditë përpara datës së të dashuruarve, u takua me një prostitutë në një hotel luksoz në Uashington. E pranoi këtë edhe vetë “dëmbërësi”. Shuma që pagoi, madje, afronte të katërmijë dollarët. Kjo familja Clinton, si rrufepritës i tërheq këto ...jashtëmartesoret! Nga dora në dorë stafeta, nga presidenti tek kandidatja. Këto shohin amerikanët dhe, me kalë të bardhë do ta shpien Obamën në Washington.

@ Deputetët e partisë në pushtet në Shqipëri, kanë zënë radhë në zyrën e ankesave. Të Kryeministrit, natyrisht. Janë me të vërtetë në siklet. Ankohen për mospërfillje nga ana e ministrave. Të cilët, ministrat, disa prej tyre janë edhe deputetë por, është karrige më e rehatshme ajo e ekzekutivit(më pëlqen që kam futur në fjalor edhe terma modernë të gjuhës politke të atdheut)! Deputetët, meqë vjen fjala, nuk ankohen për hallet e tyre. Më së shumti për elektoratin e kanë merakun. Sigurisht! Askund në botë nuk ka deputetë që ankohen për hallet e tyre. Vetëm për zgjedhësit. Të tyret i zgjidhin qysh nga dita që shkelin këmbën në Parlament. Ndokush edhe më parë. Ndonjëri edhe pas mandatit. I ndjej parlamentarët e merakosur! Fundja , për elektoratin e bëjnë.

@ Shejtani është duke fjetur, ti vete dhe e zgjon, thonë andej nga anët tona. E pastaj, e kam unë fajin që merrem me Nicola Sarkozy-në dhe me të shumëlakmuarën e tij Carla Bruni. Besoj se të ka rënë edhe ty në vesh lajmi. Është pak si...shtatzënë Carla. Qenka “shpirto” presidenti. Pa dale tani se, llogaria nuk po më del mua. Domethënë , ka gjasa pasardhësi të jetë ngjizur pa arritur akoma në shkallët e Bashkisë çifti presidencial? Këto janë shembuj të keq, zoti president. Pavarësisht nëse në programin tuaj elektoral, bëhej fjalë për ardhjen sa më afër me shtresat e ulëta dhe me njohjen e të drejtave të grave për të qenë të pavaruara dhe sovrane(!), fakti i shtatëzanisë së Brunit, është në favor të së majtës!

@ Në Greqinë fqinje, kohët e fundit janë të zhytur në mendime të thella. Nga ta nisësh e ku ta përfundosh?! Por ajo që i proekupon më shumë është gjetja e një emri për FYROM-in. Të mësuar fqinjët tanë jugorë me ritet fetare të dhënies së emrave, tashmë, që duhet një emër jo i lidhur me fenë, vështirësohen tejmase. Sepse, do të qe krejt e lehtë nëse i duhej dhënë Shkupit një emër nga një dhespot ose një peshkop. I vinte një... Sotir atje prifti dhe, mbaronte ahengu. Mirëpo këtu, duhen shkelur ritet, byrazer. Eja tani dhe pagëzo sllavomakedonët. Të qe në dorën tonë, të shqiptarëve, e kishim gjetur emrin pa u lodhur hiç. Nga lista e gjendjes civile, zgjidhnim më të volitshmin. Ose më të ...lejueshmin!

@ Babaxhan burrë na qenkej ky Kryeministri i Turqisë! Ditën e festës së gruas( të tijës dhe të të gjitha grave të botës) u bëri thirrjeve turkeshave të bëjnë secila nga tre fëmijë! Perëndimi ,tha, ka në plan ta zhdukë kombin turk, ndaj e vetmja rezistencë është të shtojmë popullsinë! Dreq o punë! Edhe kërkon të “zhdukë turqit” Perëndimi, edhe i lutet Perëndimit Erdogani të bëhet pjesë e Perëndimit Turqia! Na ke ngatërruar aga bej efendi! Si e justifikon këtë , çfarë xhevapi i jep zotrote? Këta perëndimorët, derbederë burra e batakçinj mund të jenë po, ti që ua di mirë këto qëllimet e zymta, si të ka marrë koka erë dhe do të bëhesh si ata? Edhe me perçe edhe me minifunde, nuk para shkon, Tajip aga!

@ Po gazin( e të qeshurit) si mund ta mbash kur dëgjon lajme të tilla?! Dje u prit në Tiranë nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar... tek kush të shkon mendja? Mikele Placido, zotëri. Nuk e njeh? Dhe pastaj, ngaqë nuk e njeh ti, e ka fajin qeveria për këtë?! Ku e kishe mendjen ti kur ne bridhnim zyrave të këshillit popullor të lagjes dhe të fshatit për të ndjekur “Katanin”?! Pse nuk thua ti që, paske shpëtuar në fill pa u akuzuar asikohe për devijim nga mësimet e partisë?! Film me seri or mik, Katani! Dhe ne shqiptarët, mund edhe të vonojmë në disa gjëra por, për të harruar, nuk harrojmë. Argëtuesit e publikut gjatë realizmit socialist, meritojnë nderin e udhëheqësve tanë sot.

Thanë:
Dashuria dhe logjika, ngjajnë me diellin dhe hënën. Kur lind njëri perëndon tjetra!
Ciceroni