24/1/09

Pronarët e demokracisë

@ Dhe pastaj ka akoma bashkatdhetarë që dyshojnë për hapat e demokracisë shqiptare. Vëllezër qetësohuni. Që demokracia jonë është në rrugë të drejtë, në rrugën e perëndisë, domethënë, kjo nuk vihet në dyshim. Dhe kur diçka është në rrugë të perëndisë, perëndia bën më të mirën për të. E ruan nga çdo e keqe. Sikurse edhe demokracinë tonë e ruan nga të keqet. Dhe e keqja e demokracisë tonë është dashuria e tepërt që kemi ne të gjithë për të. Duke filluar qysh nga ekzekutivi dhe kreu i tij. A nuk është tregues i dashurisë së tepërt për demokracinë, ruajtja e saj nga fjalët e tepërta?! Doemos që është. Bukuri. Kësisoj, fare mirë bëri ekzekutivi me përndjekjen penale dhe policore të gazetës TEMA.

@ Tek e fundit, nuk është e mundur të dojë më shumë demokracinë shtypi nga qeveria. Gjëra të thjeshta këto. Pavarësisht tani se organizmat ndërkombëtarë shprehin shqetësimin e tyre për mbarëvajtjen e demokracisë tek ne. Qentë le të lehin, karvani shkon përpara, thoshte një parrullë e vjetër e partisë së mëparshme të kreut të sotëm të ekzekutivit. Përvoja përherë edukon dhe përherë të hap sytë. Ndaj, të nderuar ndërkombëtarë, sa për demokraci mos na flisni se ne e kemi lindur demokracinë. Po po, e kemi lindur demokracinë se, të gatshme nuk e gjetëm. Dhe si baballarë të saj, kemi të drejtën t'i tërheqim edhe veshin, hera-herës. Se demokracia e trupëzuar në organe shtypi, ka raste që edhe gabon. Por nuk hamë bar ne, ndërkombëtarë të nderuar.
@ Ju të nderuar ndërkombëtarë, mbase e doni demokracinë por ama, jo sa ne të zotët e saj. Se nëse nuk e keni kuptuar akoma, përveç se jemi prindër të demokracisë, ne jemi dhe pronarë të saj. Po pra, pronarë. Ku tjetër demokracia ruhet me forca rendi siç ndodh tek ne?! Askund. Askund tjetër nuk ndodh sot që një copë gazetë të ruhet nga dhjetra policë tek dera e saj. Ku gjetkë ndodh kjo sot në Evropë?! Mund të na thuash ti i dashur faktor ndërkombëtar?! Po nuk na thua dot, sigurisht , pasi askund nuk ndodh. Sepse askush tjetër nuk e do kaq shumë demokracinë sa ne. Askush tjetër nuk është kaq i prirur për liri sa populli ynë i vuajtur e i përgjëruar në shekuj për të.
@ Ashtu sikurse ti faktor i dashur ndërkombëtar, nuk mund të na akuzosh se ne jemi të prirur për hakmarrje. Assesi. Dhe kjo është lehtë e kuptueshme nga ajo që ndodhi të mërkurën në mbrëmje. Presidenti ynë i nderuar, pranoi të mos firmoste një dekret parlamentar që i hap rrugën gjuetisë së shtrigave nga qeveria e sotme e përgjëruar për demokraci, sesa të vinte në përplasje me partinë mëmë. A e shihni se si funksion demokracia tek ne? A nuk e shihni sa shumë janë të lidhur bijtë me nënat e tyre në atdheun tonë të përgjëruar për demokraci e për liri të vërtetë? Është tejet prekëse sakrifica presidenciale. E merr me mend byrazer, sa shumë u mundua presidenti derisa mori vendimin përfundimtar për të mos firmosur një dekret që vinte direkt nga mitra e tij politike?!
@ Ndokush mund të thotë se, kjo mund të ketë ndodhur ngaqë nuk ka forcën politike për të kundërshtuar kolegët e tij partiakë. Mirëpo askush nuk mund të besoj një version të tillë. Tek ne funksionon përpikmërisht pavarësia e organeve dhe ajo individuale e liderëve të shtetit. Si rrjedhojë, ankthi për mirëfunksionimin e demokracisë partiako-shtetërore, shtyu presidentin në sakrificën e mësipërme. Përulet me respekt ndokush në të tilla gjeste të madhërishme që tregojnë pjekuri demokratike shembullore. Na, o faktor ndërkombëtar, se si funksionon demokracia e vërtetë në vendin ku ti me keqdashje apo ligësi, nxjerr konkluzione se, jo vetëm gjoja nuk ka përparuar këto dy-tre vitet e fundit, por ka bërë dhe hapa mbrapa. Po si nuk të vjen turp more, si nuk skuqesh?!Po ku të shpie mushka more?!
@ Domethënë, ngaqë këto kohët e fundit organet ndërkombëtare të mediave , ato për të drejtat e njeriut dhe të shtypit, organizma të ndryshëm nëpër botë, revoltohen për një palo gazetë të përditshme që nuk i pëlqen qeverisë dhe e flak përjashta me shqelma nga ambientet, që tek e fundit me qera ja pati dhënë dhe nuk ia kishte falur, kjo tregon dhe se ne nuk kemi demokraci? Na bëtë për të qeshur, për atë zot. Po si vallë mund të mendohet një gjë e tillë për vendin ku demokracia flë më rehat se kudo tjetër?! Me të vërtetë mund të thuhet se demokracia e vërtetë tek ne fle gjumë. Shtriqet nga kënaqësia, mund të themi pa ngurrim. Jo vetëm që nuk i prishet gjumi demokracisë tek ne po, edhe kur tek-tuk, ka ndonjë zë që bën ta zgjuaj, menjëherë ndërhyjnë forcat e rendit në mbrojtje të saj.
@ Jepna neve demokraci dhe merrna ...sheshet! Ose po qe se nuk të pëlqyen sheshet, jepna demokraci dhe për shkëmbim, merrna forcat politke të majta. Po po. Merri pa asnjë mëdyshje. Ku ti shpiesh? Ku të duash t'i shpiesh. Edhe po nuk i more ti, ato prasëpeprapë të ikura janë. Ose të strukura. Thellë në gjumin letargjik dimëror. Nga duket kjo?! Kjo nuk duket në fakt, verbon! Verbon nga heshtja e bujshme e së mjatës me ato që po ndodhin në Palestinë. Mirëpo tani nuk është ora për të tilla biseda, e dashur demokraci, i dashur faktor ndërkombëtar. Po bëhemi gati të përcjellim përgjithnjë nga Shtëpia e Bardhë, mikun e madh të demokracisë së armëve!
Për gazetën TRIBUNA, 15 Janar 2009