10/1/09

Demokracia dhe obelisqet monokratorike

@ Vendimin përfundimtar për të sulmuar palestinezët, e mora pas deklaratës për shtyp të presidentit Bush. Madje, në një telefonatë që pata me të, më theksoi: duhet të bëni diçka me Hamasin. Dhe duhet të bëni diçka për t’a zhdukur përfundimisht. Këto tha si justifikim kryeministri izraelit për ata që ende nuk ishin bindur përfundimisht për prirjet paqedashëse të presidentit në ikje të amerikanëve (dhe miqve të tyre). Akoma dhe në çastet e fundit, përpara se të dorëzojë çelësat e zyrës ovale, kaubojsi i Teksasit, lë shenajt e tij karakteristike në shpinën e lodhur të rruzullit. Shenja gishtrinjsh të mbuluar me ca njolla të kuqe që pikojnë përdhe. Thua të jetë gjak?! Assesi! Kur shkaktoi luftë ai që ta bëj kësaj here?! Jeni të përçartur?


@ Mos më thoni që u përçartët nga idetë e NPM-së. ProtAGOnistët janë gati të ngrenë edhe ata një obelisk për të përkujtuar njëherë e përgjithmonë fantazinë kryeministrore të atdheut. Askush dhe asnjëherë, nuk polli kaq shumë ide për të qenë gjithë vitin me gërshërë në dorë. Berber të qe kreu i ekzekutivit tonë, do t’i qe zbehur dashuria për gërshërët. Me të parë që po rreshtin mundësit e ripërurimit të “veprave gjigande e madhështore të demokracisë, që e kanë shëndërruar vendin në një kantier të vërtetë ndërtimi, që po hedh valle në gojën e ujkut”, hodhi idenë e ndritur të obeliskut për viktimat e komunizmit. Dhe ku beson ti miku im, vendosi të vërë në jetë idenë e madhe i madhi i të mëdhenjve?!

@ Që nuk qe viktimë e komunizmit pasi, askush deri më sot, nuk ishte viktimë e vetvetes komuniste. Përpara piramidës së ngritur nga komunistët në momentet e fundit që jepte shpirt realizmi socialist. Mirëpo kjo në vetvete, nuk do të qe përmbushje e planit atdhedashës të NPM-së tonë. Obelisku do të ngrihet atje dhe do të përkujtohet me këtë rënia e busteve të gjalla dhe të vdekura, sikurse tha ai vetë. Data e përkujtimit të busteve, ishte e fundit që e proekupoi. Natyrisht që do të jetë 20 shkurti. Ajo është data e vërtetë e themelimit të PD-së! Pse, ku të shkoi mendja ty o njeri i djallëzuar? Mos vallë mendon se, me këtë ai thjesht do që të ngrejë një obelisk për t’i thurur lavdi atij dhe partisë së tij?

@ Po si mund të besosh diçka të tillë kur, e di edhe dheu se, ai kurrë nuk mendon për vete?! Vetëm për premtimet nuk e zë gjumi natën. Ditën, edhe ndoshta e merr një sy. Se helbete, është sakrificë të qeverisësh. Sidomos një qeveri si kjo jona. Nuk arrihen duke fjetur natën të gjitha këto madhështi. Madje, tani që po e mendoj më mirë, një ide brilante do të qe, në vend të obeliskut që ka për të përkujtuar themelimin e PD-së (zyrtarisht rënien e busteve të gjalla e të vdekura po, e themi për shkurtim këtë), të ngrihej një obelisk për vetë kreun e ekzekutivit. Sakrifica me të cilin u mbyll viti që shkoi, duke shkuar fshat më fshat (ti që thua se u bë xheloz për udhëheqësin e madh që pati shkuar gju më gju me popullin, me siguri nuk ke ide nga demokracia dhe nga NATO), e përligj një obelisk!

@ Ç’vlerë ka një obelisk prej bronxi apo mermeri (padyshim me ngjyrë blu) përpara një fushate e cila e ngazëlleu popullin, i ngriti hov dëshirën dhe krenarinë, e bëri të ndihet edhe ai i NATO-rizuar, edhe pse në të shumtën e rasteve, nuk e kupton dot kontributin e NATO-s për atdheun. Mirëpo atdheu miku im, nuk je ti, nuk jam unë, nuk është as vetë populli. Atdheu është bindja ndaj të madhit. Është korrektësia ndaj demokracisë, sikurse atë e kupton ai që ka dhe përgjegjësinë e demokracisë tonë. Bindja ndaj nevojave NATOmëdha për të çuar ushtarë në Irak, në Afganistan e në Çad. Çfarë, nuk di se ku është Çad-i?! Po ça di ti kur nuk di as për ÇAD-in?!

@ Ti ndoshta nuk di as për reformën qeveritare që ndërmori NPM-ja i Greqisë. Meqë ra rasti, më lejo të lutem miku im të të vë në dijeni (nëse akoma nuk e di, natyrisht), se përveç Shqipërisë, Njeri të Premtimeve të Mbajtura ka edhe fqinji ynë jugor. Veçse ky i nuk ngre obelisqe. Madje as që përuron me gërshërë çdo rrugicë apo segment rrugor. Këto në Greqi ndodhnin aty nga vitet ‘60-’70. Ku midis të tjerash, dikur pati ndodhur dhe mrekullia e paparë që bëri akoma dhe pemët të votojnë. Nuk besoj se kjo ndodh në Shqipëri. Atje nuk ka qenë e nevojshme. Kur duhen votat për të përmbushur numrin e duhur, ka njerëz që i hedhin në kutinë e duhur. E kisha fjalën tek NPM-ja i fqinjëve. Reformoi qeverinë, sikurse (nuk)e mësove. Kjo e reja (qeveri) merr përsipër të çojë deri në fund ato që la në mes e vjetra (qeveri).

@ Thënë ndryshe: asnjë hap më tutje. Për emigrantët, ministri që merrte vendimet do të vazhdojë t’i marrë. Asgjë e re nga fronti i jugut! Përveç frontit të ... Zogut të Zi. Atje, policia rrugore shqiptare (kemi edhe të tillë, mos u habit), qysh nga e mërkura në mesditë ka krijuar, thotë, një kordon!!! Di të krijojë edhe kordoe policia rrugore shqiptare, jo vetëm të mbledhë taksa. Në fakt, për takat ka dalë. Shteti , nuk është në gjendje të bindë qytetarët të ndërgjegjësohen e të shkojnë të paguajnë detyrimet dhe del vetë në rrugë t’i mbledhë. Të drejtë ka. Qytetari e kam fjalën, jo shteti. Ku është shteti që ta besojmë?

E Premte, 09 Janar 2009 për gazetën TRIBUNA