24/1/09

Mungesa e fosforit dhe heshtja shqiptare

@ Dhe më në fund çlirim! Megjithëse kaluan tetë vjet për të ardhur çlirimi, sikurse edhe vetë jeta që rrjedh, ashtu dhe këto tetë vite rrodhën. Herë shpejt e herë me ngadalësi vrasëse. Për disa lumturisht e për të tjerë mjerisht. Asnjëherë në historinë e njerëzimit, të paktën nga ato që njohim, një president nuk është pritur me kaq entusiazëm, krahasuar me entusiazmin që ngjalli vendosja e Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Largimi prej andej, i presidentit më shpirtzi që njohu zyra ovale e Uashingtonit, nuk ka sesi të mos mbush ngazëllim njerëzimin. Ndoshta , edhe mund të akuzohemi hiperbolizim dhe shfaqje të ndjenjave me të cilat bëmë pritjepërcjelljen e postmbajtësve të superfuqisë. Asnjë problem. Rëndësi ka që nuk do të ketë më njerëzimi zgjedhën Bushore.

@ Në vetvete fakti, është një fitore për nejrëzimin. Ndërkaq, vendimi i parë që mori presidenti Obama, ishe mbyllja e burgut famëkeq të Guadanamos në Kubë.Meqë ra fjala, edhe pse Kuba, këtu e katër dekada është ndën embargon e SHBA-së, kur vjen puna për t'a përdorur për qëllime ushtarake apo edhe të tjera, më të ...pakuptimta(për shumicën), aspak nuk merr parasysh embargon, Amerika. Le të shpresojmë se, presidenti Obama, edhe këtu ka për të vepruar ndryshe. Fjala ishte tek Guadanamo. Me dekret presidencial, mbyllet qendra e torturave zyrtare të ushtrisë amerikane , ndaj atyre që ajo akuzon si terroristë. Dialogu imagjinar mes presidentit aktual dhe të sapolarguarit, vjen për ju nga ProtAGOnistët.
-"Zoti Obama, unë tashmë po largohem. Mora vesh megjithatë, se do mbyllësh Guadanamon".
@ "Po zoti president(njëherë president, përgjithnjë president. E thënë prej kohësh kjo)! E vërteta është se dhashë urdhër të mbyllet. Po jo përgjithnjë. Duhet të bëhen disa modifikime. Jam i mendimit se, kur të vendosim të shpiem ju atje brenda, mirë do të qe të mos vinit në kontakt me persona të tjerë, të akuzuar për terrorizëm".
Pas këtij dialogu imagjinar(që askënd nuk do të befasonte nëse bëhej edhe në të vërtetë), me shumë interes do të doja të merrja vesh reagimin e zoti Bush. Martirit të demokracisë. Njeriut që, më parë i punoni makina luftarake sesa truri. Presidentit të vetëm amerikan, pas Luftës së Dytë Botërore, që ndoshta do t'i harrohet emri më shpejt, akoma dhe nga ...postierit të Shtëpisë së Bardhë. Në Uashington. Ndërsa gjetkë, sanjëherë!
@ Gjithsesi, miku im,gjatë javës që kaloi, kishim ngjarje tronditëse që pa asnjë dyshim, mund të zinin vend kryesor mes protagonistëve. Prej tyre, më e rëndësishmja, armëpushimi midis ushtrisë izraelite dhe fëmijëve palestinezë. Rreth pesëqind "terroristë" të mitur, mbi njëqind gra dhe po kaq të moshuar, vrau ushtria demokratike e paqedashëse e Tel-Avivit. Llastiqet me bigë që përdornin fëmijët në Rripin e Gazës, përbënin padyshim një kërcënim serioz për paqen në Lindjen e Mesme. Bombat me fosfor që përdori Izraeli për t'i përballuar, kishin vetëm një qëllim i cili, jo vetëm që nuk u vlerësua nga opinioni progresiv ndërkombëtar, por në shumicën e rasteve, edhe u keqkuptua. Si vend dhe si ushtri e dhimbsur, dhe duke marrë parasysh vështirësitë e konomike të palestinezëve, ushtria izraelite reagoi menjëherë.
@Duke hedhur bomba me fosfor në Gaza, plotësoi mungesën e dukshme të fosforit që vjen nga konsumimi i produkteve detare! Posi posi. Madje, përveç kësaj, si shpirmëdhenj që janë të gjithë pushtuesit, fëmijët nuk konsumonin fosforin e duhur dhe si pasojë, rrezikonin seriozisht të shkonin në spitale, ushtria izraelite mori masat e duhura, edhe për spitalet edhe për fëmijët. Spitalet i bombardoi megjithë pacientët, ndërsa fëmijët i bombardoi veç e veç. Tek e fundit, për të vdekur kishin nga mungesa e fosforit. Përderisa fosfori po u vinte nga qielli, dhe fëmijët nuk e vlerësuan një gjest kaq human, çfarë tjetër, përveç bombardimeve, mund të bënte ushtria paqedashëse izraelite?! Madje, edhe për ata fëmijë që donin të vinin në shkollë , sërish i kishte marrë masat, ushtria. Në palcë të dimrit, në një vend siç është Palestina, shkolla është me të vërtetë një luks i tepërt.
@ E për këtë, bombat që hodhi mbi ndërtesat shkollore dhe i rrëzoi, sigurisht që u erdhën në ndihmë fëmijëve palestinezë. Tashmë, askujt nuk ka për t'i shkuar mendja për t'u marrë me vogëlsira krejt të padomosdoshme, sikurse është shkolla. Akuzat se gjoja, u bombarduan edhe shkolla të OKB-së, nuk mund të merren seriozisht. Ç'punë ka OKB-ja që shkon e ndërton shkolla në Palestinë? I do më shumë palestinezët Ban Ki Mun-i dhe nuk i do Olmerti me Livnin?! Le të jemi seriozë, vëllezër. Ata janë përditë me njëri tjetrin, ata njihen më mirë, ata ia dinë hallin njëri-tjetrit. Bomba me fosfor duan fëmijët palestinezë, jo shkolla, veshmbathje, spitale, shërbime farmaceutike, dritë elktrike, ujë të pijshëm apo akoma dhe shtëpi.
@ Të parët që kuptuam domosdoshmërinë e bombardimit të fëmijëve palestinezë nga izraelitët, duhet pranuar se ishim ne shqiptarët. Askund tjetër në Evropë, nuk pati reagim kaq apatik sa reagimi ynë. Ne dimë dhe veprojmë. Kemi përvojë nga bamirësia dhe nga shpirtgjerësia. Sikurse kemi përvojë nga solidariteti. Kjo ishte që na bëri të mos ankohemi apo revoltohemi ndaj përplasjes mes fëmijëve llastiqembajtës të Rripit të Gazës dhe ushtarëve bombahedhës të Izraelit. Menjëherë kuptuam ne qëllimin e mirë të izraelitëve. Publikisht e tha Olmerti se e mori urdhërin nga (kara)Bushi për të filluar mësymjen.Duhen më argumenta bindës pas kësaj, për të bërë klasën politike shqiptare të hesht, dhe popullin tonë të bindur, të mos revoltohet dhe të dalë në protestë për gjakun që u derdh?! Asapak. Për ne nuk vendos askush tjetër, përveç interesave jetike të mikut të madh.
Për gazetën TRIBUNA, 23 Janar 2009