8/2/09

Politika peng e fermerëve dhe gazetaria

ProtAGONistët
@ Lumturia e një gazetari, padyshim është të ndodhet në substancën e ngarjeve. Atëherë ai mbledh me lehtësi ato ç’ka i duhen, i rendit ato me kujdes dhe i sjell për lexuesin të gatshme për ti shijuar. Ose edhe për tu irrituar, në shumë raste. Kohët e fundit në Greqi, po ndodhin kaq ngjarje të larmishme saqë puna jonë si njerëz të shtypit është lehtësuar së tepërmi. Madje kaq shumë është lehtësuar saqë, drejtorët dhe kryeredaktorët e gazetave, mendojnë të bëjnë shkurtime të readaktorëve. Ajo që dëgjohet gjerësisht është se, në vendin e tyre (që meqë ra fjala janë dhe zevzekë, nuk janë dhe kaq djem të zgjedhur) do të punësojnë fermerë. Është për tu habitur?! Aspak! Ata që ndjekin lajmet me kujdes kohët e fundit, lehtë kanë për të na dhënë të drejtë.





@ Kush e bën gazetarinë këto ditë në mediat greke, thua ti, miku im që lexon këto pak rreshta? Gazetarët, mendoj se mendon ti dhe, do kesh plotësisht të drejtë po qe se kështu mendon. Në fakt nuk ke të drejtë. Fermerët e bëjnë gazetarinë. Ata vendosin axhendën e bisedës në ekranet televizive mbrëmjeve, ata mbushin faqet e para të gazetave, ata përshkojnë gjithandej frekuencat radiofonike. Ajo që të bën përshtypje tek fermertët grekë, nuk është mënyra se si dhe kur zgjedhin për të bërë grevë. Tek e fundit, fermerë janë, nuk janë me të meta mendore. Përherë në dimër. Atëherë kur nuk kanë as për të mbjellë e as për të korrur. Në vend që të vrasin kohën kafeneve duke dredhur tespiqet e luajtur domino, rreshtojnë traktorët dhe ...kombajnat rrugëve.



@ E fundit që u intereson atyre është nëse krijojnë probleme për qytetarët e tjerë. Pastaj ata nuk janë qytetarë. Nga fshati janë, po qe se ka ndokush ndonjë dyshim. Madje, edhe fermerë që i quajmë sot, për këtë i falemi demokracisë. Pa ardhur demokracia, ndryshe i quanim. Shqeto kooperativistë i quanim dhe madje, as traktorë kishin të tyre e as kombajna. Madje nuk kishin as të drejtën të dilnin në grevë. Për çfarë të bënin grevë tek e fundit? Po le të rikthehemi pak tek ajo që bën më shumë përshtypje kur sheh fermerët (ish-kooperativistë) të rreshtuar me traktorët me goma buzë segmenteve rrugore të greqisë. Të gjithë pa përjashtim, janë të trashë! Të trashë, domethënë nga trupi. Thua se nuk bëjnë grevë fermerët po qytetarët (ish-kooperativistë) me kile të tepërta.



@ Mirëpo edhe qeveria greke, di dhe sillet me fermerët (ish-kooperativistë). Miratoi një paketë ekonomike që zë shumën e pesëqind milion evrove dhe do t’ju a shpërndajë kokë më kokë. Sipas dynymëve, hektarëve, rrënjëve të pemëve dhe numrit të bagëtive. Se këtu në Greqi ka dhe një tjetër veçanti të jesh fermer (ish-kooperativistë). Edhe kur ke grur për të korrur, edhe kur merrresh me rritjen e dhive, fermer të thonë. Blegtorët janë zhdukur nga fjalori modern grek. Për fermerët (ish-kooperativistë) të atdheut, as që bëhet fjalë. Nuk ekzistojnë më. Të mësuar ndën udhëheqjen revolucionare të mësimeve marksiste-lenisniste të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe nga udhëzimet e pleniumeve të Komitetit Qendror,ata nuk marrin dot asnjë iniciativë grevore. Por edhe iniciativë të marrin, askush nuk ka për t’i dëgjuar.

@ Sikurse nuk dëgjohet në atdhe zëri i askujt të demonstrojë. Por këtë e kemi rithënë. Problemet e bashkatdhetarëve tanë janë të zgjidhura nga qeveria. Për çfarë vallë mund të irritohen shqiptarët dhe të dalin në grevë?! Për asgjë, është përgjigjia spontane. Të gjithë e dimë se grevat dhe demonstratat, në të shumtën e rasteve janë të nxitura nga forcat politike të majta nga studentët dhe nga sindikatat. Ka në Shqipëri sindikata? Apo ka forca të majta politike? Teorikisht ka edhe sindikata edhe parti politike të majta. Por vetëm teoriksisht. Në praktikë, e majta shqiptare u shndërrua njëherë e përgjithmonë në një forcë neutrale politike me synim të vetëm marrjen e pushteti dhe shijimin e tij. Sindikatat, edhe ato janë vula nëpër sirtaret e zyrave të iniciatorëve apo të militantëve të partive politike. Nuk ngrihen këmbët t’i bien kokës.



@ Nuk mund të kthehet kaq lehtë një klasë politike e fjetur dhe e rehatua, vetëtimthi në një tjetër klasë të interesuar për ndryshime dhe e gatshme të përplaset me pushtetin. Natyrisht nuk bëhet fjalë për klasën e ashtuquajtur intelektuale. Ajo prej kohësh nuk ekziston. Ajo ka humbur zërin qysh në lindje. Po qe se ka lindur ndoherë. Ajo merret me probleme më serioze. Sikurse është rehabilitimi i emrit të ... Skënderbeut nga armiqtë. Edhe po qe se nuk ka armiq, nuk është aspak e vështirë t’i gjesh ata. Tradita shqiptare në krijimin e armiqve, është e njohur dhe e shumëkënduar. Vetëm një vështrim në historinë e pesëdhjetë viteve të fundit të shekullit të kaluar, bind akoma dhe më të pabindurin.



@ Dhe po qe se nuk bindet se ne jemi kombi me aftësinë më të zhvilluar në krijimin e armiqve, le të hedh një sy tek bunkerët. Pavarësisht se krenarët e djeshëm me beton arme që do përballonin çdo sulm të përbindshave që na rrethonin, janë kthyer sot në suvenire të ngrira që përqeshin si plakat që u mungojnë dhëmbët, kalimtarët e sotëm që rendin. Gjithsesi, miku im, shpresa nuk ka humbur. Kurrë nuk humbet shpresa. Kurrë dhe askund. Akoma dhe kur ke besuar se pas tetë vjetësh mënxyrë politike globale të Xhorxh Bushit, mikut të dhimbsur të shqiptarëve (!), asgjë nuk është në gjendje të ndryshojë rrjedhën e gjërave, diç ndodh dhe gjërat ndryshojnë. Asnjëherë nuk mban përgjithnjë e mira, por edhe e keqja nuk mban përjetë. Shesh i lenë vendin njëra-tjetrës...

Për gazetën TRIBUNA , 30 Janar 2009