10/1/09

Këpucët me bomba shpërblehen

ProtAGONistët

@ Në fakt, këta duhet të jenë protAGOnistët më të trishtuar të vitit. Mirëpo, vetëm duhet të jenë. Në ,nuk kanë për të qenë. Janë të bollshme gërmat me trishtim që janë hedhur këto ditë. ProtAGOnistët shohin vetëm anën pozitive të zhvillimeve. Kësisoj, fillojmë nga ato që na argëtuan më shumë. Nuk mund të fshehin,entusiazmin që provuan në pamjen e hedhjes së këpucës në Baghdad ndaj presidenitit të ...demokracidhënësve amerikanë,Xhorxh .W .Bush. Më shumë se çdo gjë tjetër, u entusiazmuan nga konstatimi se presidenti ka reflekse për t’u patur zili. Edhe pse distanca ishte krejt e afërt dhe me mjaft shance për t’a goditur në shenjë, shpëtimtari i popujve të vuajtur u përkul dhe këpuca u preh në qetësi në panel.

@ Edhe pse presidenti irakian, buzëqeshte gjithë ngazëllim bri tij, është më se e qartë se, ishte tejet i... hidhëruar. Shumë do të dëshironte t’a kishte “piketuar” gazetari me një shollë në ballë, kolegun e tij të madh. No problem! Ndodhin edhe incidente të tilla.Njëherë tjetër, mbase ndokush është më me fat. Veç kësaj, ndodhi me hije protAGOnistësh, patëm vitin që iku. Pikësëspari ishte pjesmarrja e Shqipërisë në NATO. Domethënë, jo tamam edhe pjesmarrje po, ç’bëri ftesa, ç’bëri dasma. Është tamam si të jesh i ftuar në dasëm, të shkosh e të blesh rrobat e bukura, të shkosh e të bësh parukerinë(kur ke flokë, natyrisht) dhe të festosh përditë për dasmën që do bëhet. Sakaq, ka gjasa që dhëndërri dhe nusja të bëhen pishman e të mos martohen.
@ Mirëpo problemi është i tyre. Ti për vete, ahengun e ke bërë. Nuk të ngjan edhe ty kjo me ...ahengun që bëri qeveria jonë për ftesën që na bëri NATO-ja? Fshat më fshat e shesh më shesh e festoi qeveria lajmin e mirë. Shirit më shirit e rrugicë më rrugicë vajti haberi fatlum. Shqipëria mori ftesën për në NATO. Këtej e tutje, jemi të lirë të dërgojmë ushtarë kudo në botë për të mbrojtur demokracitë. Sepse, po qe se nuk e ke marrë akoma vesh(natyrisht këtë nuk mund ta besoj), ne kemi demokracinë më të konsoliduar. Dhe jo vetëm që e kemi të konsoliduar por, jemi dhe në ankth. Në ankth sesi do japim pak demokraci për ata që u mungon. Bie fjala në Irak. Mos më thuaj që nuk je ndjerë krenar për demokracinë që u dhamë irakianëve?!
@ Veç ...dasmës së NATO-s, gjatë vitit që shkoi patëm edhe plot ngjarje të tjera më pak argëtuese. Ndër to ishte Gërdeci. Rreth dyzetë të vrarë e dhjetra të tjerë të plagosur. Shteti, si shtet që është dhe që ka në dorë ligjin dhe Maliqin(akoma jam në pritje të njihem me të), pothuajse e harroi. Dhe me të drejtë. Gërdeci tek e fundit, është një fshat në rrethinat e Tiranës. Një fshat i thjeshtë që, edhe vetë NPM-ja(Njeriu i Premtimeve të Mbjatuara), dëgjoi për ekzistencën e tij, vetëm në ditën e shpërthimve të municioneve ushtarake. Ma do mendja, madje se, ashtu siç qe në çakirqejf e sipër nga ngazëllimi NATO-futës, mund edhe të ketë besuar se ushtria filloi të hedh gjyle për të festuar. Aspak e çuditshme.
@ Asgjë nuk të çudit më në atdheun e çudirave. Ashtu sikurse nuk çuditi askënd edhe greva e parë e urisë e paralamentarëve tanë. Sa njerëz të dhimbsur?! Vetëm për një ...copë vëzhgues në komisionet zgjedhore, e vunë veten në torturë. Merre me mend që, kaq të vendosur ishin për grevën saqë, në ditën e futjes(në grevë) ndodhi edhe rrëzimi i apartamentit në Gjirokastër. Punë e madhe.Pallate ka sa të duash në Shqipëri. Dhe jo vetëm ka pallate po, edhe sikur të bien, parrulla jonë është ajo që dimë: një bie, qindra ngrihen. Dikur “ngiheshin” njerëz.Dhe në mos ngriheshin, i ngrinin me zor.Sot ngrihen pallate. Natyrisht jo me zor. Por jo dhe me leje. Shumica ngrihen me para. Pallat pa para, sigurisht që nuk mund të mos ngrihet.
@ Nejse, le të mos vazhdojmë më me pallatet se, kohët janë të rrezikshme dhe, mund të bier ndonjëri e të na zërë brenda! Më mirë të flasim për presidentë. Të zgjedhur dhe të ikur. Mikja (jo vetëm) jonë Amerikë, për pak ditë, në vend të liridashësit Bush do ketë preidentin e parë me ngjyrë. Le të shohim e të presim. Sidoqoftë, nuk ka asnjë dyshim se të paktën, nuk do të jetë kaq shumë i prirur për të dhuruar demokracinë. Ose më saktë, le të lutemi se nuk do të ketë të njëjtën dëshirë për të “falur” demokracinë me mjetet që dinte (dhe di akoma edhe sot) t’a falte paraardhësi i tij. Dhe viti përfundoi dhe ndodhitë rrodhën përreth nesh si asnjëherë tjetër. Në Greqinë fqinje, rinia doli rrugëve e revoltuar nga vrasja e një adoleshenti dhe ktheu përmbys gjithçka.
@ E pakuptueshme rinia, në fakt.Rinia jonë, është kaq e qetë. Dhe kaq e lumtur mund të thoshte ndokush. Të gjitha të mirat i ka siguruar qeveria saqë, asnjë shkak nuk gjen të revoltohet. E ç’po i duhen revoltat , tek e fundit?! Së pari bën ftohtë. A nuk është më mirë të jesh këto ditë i mbështjellë rreth kaloriferit të ngrohtë, me gjelin e detit të gatshëm në tavë, me plakun e vitit të ri tërë buzëqeshje, me të dashurën që të falë(edeh ajo) buzëqeshje, me mamin dhe babin të të sjellin dhurata, me pemën e vitit të ri të mbushur me topa që shkëlqejnë? Me siguri që është. Zgjidhjet janë tejet personale. Diku festohet më vete dhe diku me të tjerët.