23/12/08

Dështimi i Kryebashkiakut

ProtAGONistët
@ Shqetësim mësojmë se ka shkaktuar tek opozita greke lajmi se përgjohen telefonat e mijra qytetarëve në Greqi! E pastaj?! Zotërinj, me të vërtetë jeni të prapambetur dhe aspak nuk merrni shembull nga fqinjët. Hidhni një sy se çfarë ndodh në Shqipëri! Atje, me ligj të shtetit që u miratua dhe votua nga të gjitha partitë, dhe sigurisht që, assesi këtë nuk u a diktoi Amerika (e besuat?), këtu e dy vjet, të gjitha bisedat telefonike përgjohen! Madje, përbëjnë dhe fakte në gjykatë. Akoma dhe për akte penale që kanë të bëjnë, bie fjala, me sherrin e gruas me burrin. Flasim për të gjitha telefonatat! Me ligj! Në një shtet që (gjeografikisht) bën pjesë në Evropë! Dhe ju këtu shqetësoheni se mos ndoshta përgjohen vetëm disa mijra? Çfarë t’ju them të dashur?! Ka momente që, instiktet tuaja demokratike, nuk janë dhe kaq të kristalta.


@ Ne në Shqipëri, gjithsesi, i kemi besuar qeverisë çdo gjë. Dhe jo vetëm që nuk revoltohemi për gjoja … shkelje të të drejtave të njeriut(!), por jemi dhe të gatshëm të dërgojmë vetë me sms në polici bisedat tona, që të mos lodhen nëpunësit për t’i “zbardhur” nga magnetofonat.. Bashkëveprim dhe përkrahje e paparë e shtetit me qytetarin, apo jo?! Tani mund të më thuash se, ne si shqiptarë, nuk kemi gjë për të mbajtur secret nga shteti dhe, mire bën shteti që na detyron të biem dakord të na përgjojë. Ke të drejtë. Tek e fundit, të mësuar jemi ne shqiptarët me të qenit prone e shtetit. Njerëz të shtetëzuar, domethënë. Vetëm shteti nuk ka qenë ndonjëherë i …njerëzuar. Mirëpo kjo është një detaj që, nuk na proekupon dhe kaq shumë ne. Mjafton që të jemi në solidaritet me shtetin.

@ Dita ndërkombëtare e emigracionit pardje. Kanë dhe ProtAGOnistët për të bërë dy propozime. Njërin për palën shqiptare dhe tjetrin për palën greke. Qeveria shqiptare do mundej, që të dukej se me të vërtetë e feston këtët ditë me madhështinë që i takon, t’u jepte mundësinë të gjithë shqiptarëve të ikin nga vendi dhe të bëhen emigrantë. Kështu qeveria, edhe do te mblidhte më tepër të ardhura (sepse kohët e fundit ka rënë xhirua e të ardhurave nga emigrantët), edhe do ketë sigurinë e rizgjedhjes. Do te votojë vetë qeveria për veten e saj. Kështu, asnjë rrezik nuk ka të humbasë. Dhe e gjitha kjo, sikurse lehtë e kupton dhe ti, bëhet për t’u sakrifikuar qeveria jonë për ne. për ty e për mua. Si? Nuk të mbushet mendja? E po çfarë të të bëj unë ty që, gjithë jetën ke qenë njeri i …dyshimtë?

@Qeveria greke nga ana tjetër, le të festojë ditën e sotme me mënyrën esaj tipike. Të dërgojë të gjithë emigrantët në qendrat e “mikpritjes” që ka ndërtuar nëpër ishuj për ta. Edhe nuk rrezikon kështu nga emigrantët ngatërrestarë, por edhe përforëcon pak lëvizjen turistike, që këto kohët e fundit, falë dhe revoltave, është zbehur disi. Sepse, miku im, siç e dëgjove edhe ti, shkaku për revoltat në Athinë nuk ishte vetëm vrasja e adoleshentit nga dora e shteti. Assesi. Shkakun më të sigurtë e gjeti ai që i di gjërat më mire se ty dhe më mire se unë. Më poshtë, do ta gjesh edhe shkakun edhe …shkaktarin e gjetjes së shkakut. Por po flisnim për festimet qeveritare.Tek e fundit, le të vijnë në marrëveshje midis tyre qeveritë e të dy vendeve për festimet. Diçka të përbashkët kanë për të gjetur, patjetër. Përveç dashurisë për emigrantët që, nuk lenë vend pa e treguar.

@Të thashë më lart për shakun e trazirave. Dhe e di që, po pret me padurim t’a mësosh edhe ti. Sikurse të gjithë ne. Le t’i falemi këtu largpamësisë së një funksionari të lartë të Athinës. Dhe jo ndokujt që, nuk ka dhe vizion të qartë për gjërat. Në të kundërt. Është ai që duhet të ketë pamjen më të saktë për ato ç’ka ndodhin përditë në qytetin ku drejton. I ftuar në lajmet e mbrëmjes (një perëndi t’i bëje të tilla) të kanalit Antenna, për të folur mbi ngjarjet e ditëve të fundit, Kryebashkiaku i Athinës u shpreh: “Vura re një ditë në televizion se, njëri nga ata të maskuarit e revoltuar, ishte shqiptar. I pyetur nga gazetari përse ishte i revoltuar, ai iu përgjigj se ‘e bëj ngaqë nuk më pëlqen sistemi politik i Greqisë!’... Ç’punë ka ai me sistemin tonë politik? E solli këtu njeri me zor? I vuri njeri revolverin në tëmth? Po qe se nuk i pëlqen këtu, le të kthehet në Shqipëri”!

@Deri këtu, zoti Kryebashkiak, mund të bie edhe dakord me ju. Përveç armës. Nuk është koha të flasim për armë. Dhe e dyta, disa prej atyre që erdhën në Greqi, akoma dhe shqiptarë, erdhën pikërisht me armën në tëmth. Madje nga shumë afër, pa ndonjë shans serioz që plumbi të bënte rikoshetë. Më kuptoni, dua të besoj! Keni dëgjuar, ma do mendja, për revoltat e vitit ‘97 në Shqipëri?!Mirëpo unë, jam me ju zoti Kryebashkiak. Të ikin të huajt që nuk u pëlqen sistemi politik i Greqisë, kështu sikurse funksionon sot. Problemi qëndron tek grekët, veçse. Dhe kam përshtypjen se, janë goxha shumë ata që nuk janë të kënaqur me atë që përjetojnë çdo ditë. Me këta, çfarë do bëhet?! Keni ndonjë propozim? Apo i vetmi që u vjen në mendje është ai që i thatë gazetarit, që “të ndalohen demonstratat”?
Qofsha i gabuar zori Kryebashkiak po, frikë kam se, nuk i keni dhe kaq të shtjelluara gjërat në tru.

Për gazetën TRIBUNA,19 Dhjetor 2008