6/12/08

Viva Berlusconi,Viva NATO!

ProtAGONistët
@ Le të fillojmë nga justifikimet. Patjetër, ti që lexon rregullisht ProtAGOnistët, vure re mungesën e tyre javën e kaluar. Teknologjia i dashur, teknologjia. Refuzon ndoherë të disiplinohet. Ose, tani që po e mendoj më mirë, si thua, ta quajmë ... sabotazh?! Nejse, po e kalojmë edhe këtë pengesë. Kemi kaq e kaq tema, kaq e kaq protagonistë për të sjellë këtu. Pikësëspari kemi, shumë të dashurin dhe të pa harruarin Silvio. Nuk e ka lënë, sigurisht, këtë botë, mos të shqetësoshesh nga fjalët dashamirëse. I dhimbsuri dhe demokrati Silvio, na bëri nderin dhe rierdhi në atdhe. Si mund ta fshehim ngazëllimin për këtë të mirë që na ndodhi?! Dhe Silvioja, nuk është cilido Silvio që i teket të vizitojë Shqipërinë. Eshtë Berluskoni vetë.



@ Është Berluskoni që, me nismën e tij, Parlamenti Evropian gjatë këti viti, ka votuar një sërë ligjesh dhe direktivash ku, emigrantit, jo vetëm i kufizohen të drejtat në shtetin ku jeton, por me dashamirësinë e pakufizuar të të dashurit Silvio, akoma dhe 18 muaj burg mund të bëj një emigrant që ka “fatin” të kapet nga karabinierët. Është i njëjti Silvio që, nxori në rrugët e qyteve italiane ushtrinë, për të shtypur rezistencën e emigrantëve ndaj “dashamirësisë” që tregon Silvioja me kolegët e tjerë evropianë. Kësisoj, është lumturi të jesh këto ditë, i vizituar nga Berluskoni. Veç kësaj, janë jetike edhe marrëveshjet që u nënëshkruan mes Italisë dhe Shqipërisë. Nuk dimë për kë janë më të rëndësishme,gjithsesi. E megjithatë, ne duhet të mjaftohemi tek nderi i Silvios.


@ Nderi kthehet me nder, thotë populli ynë.Tani, nuk jam fare i sigurtë nëse i nderuar do të ndjehet edhe Berluskoni, kur t’i kthejë vizitën lideri i një pjese të shqiptarëve. Se në të vërtetë, edhe Berluskoni, assesi nuk është dhe nuk mund të jetë, lideri i të gjithë italianëve. Nuk mund të besoj në asnjë mënyrë se, italianët janë kthyer në kundërshtarë të betuar të emigrantëve, sikurse i shumëdashuri Silvio. Sikurse, nuk mund të besoj se italianët, janë të njëtit mendim me Silvion e tyre dhe për pak orë edhe yni), për presidentin e zgjedhur amerikan. Të cilin, me humorin e tij të hajvantë, deshi ta qesëndiste. Kështu bënte edhe Hitleri dhe Musolini. Fillimisht qesëndisnin hebrenjtë dhe njerëzit me ngjyrë. Dhe më pas, të gjithë e dimë se ç’ndodhi.



@ Le të shpresojmë se, nuk ka dhe miliarderi italian të njëjtat synime...! Paralelisht, Shqipëria u ndodh këto ditë në qendër të vëmendjes të NATO-s, ku u diskutua për pranimin përfundimtar të saj dhe të Kroacisë, në gjirin e aleancës së Atlantikut. Qe një deklaratë e pritshme. Ajo që shqetëson ProtAGOnistët, është turi promovues i firmosjes së anëtarësimit nga kreu i ekzekutivit. Vetëm për ftesën që mori Shqipëria në samitin e Bukureshtit, pothujase gjashtë muaj udhëtoi Njeriu i Premtimeve të Mbajtura (siç e quan ai vetevten dhe sikurse qeshin të gjithë ata që e dëgjojnë. Kush me zë e kush nën zë). Merre me mend miku im, çfarë e pret atdheun, çfarë i pret sheshet, çfarë i pret tribunat (fatmirësisht TRIBUNA jonë nuk rrezikon). Duhet me çdo kusht, t’i bashkangjiten festimeve.



@ Fatmirësisht (akoma) nuk ka tubime “vullnetare”. Tashmë, tubimet bëhen me të tjera kritere. Ke kam, më jep të jap. Kjo është tashmë formula e organizimit të tubimeve. Ato që ke ti (votat) ja jep dhe ato që ka ai (premtimet), nuk t’i kursen! Kështu, të dy palët janë të kënaqura. Edhe tubisti shkon në shtëpi plot ngazëllim për t’i treguar së shoqes, sa hare mori kur pa nga afër premtimdhënësin, por edhe NPM-ja, konstatoi edhe njëherë tjetër se, sa popullaritet gëzon mes simpatizantëve-dele! Mirëpo, se nuk bën të harrojmë miqtë që na nderojnë, përveç të famshmit Silvio, për vizitë në atdhe ishte dhe presidenti Bullgar. Asnjë krahasim shkëlqimi i tij me atë të Silvios. Pikësëpari, miku nga Bullgaria, nuk i ka të ngjyer flokët me këna! Dhe së dyti, nuk është miliarder.



@ Kësisoj, është i justifikueshëm dhe njëfarë indiferentizmi me të cilin, edhe mund të pritet nga krerët e qeverisë së (disa) shqiptarëve, presidenti. Veç të tjerash, asnjë premtim për parqe eolike nuk dha zoti Parvanov. Tek e fundit, as edhe një premtim të vogël për hedhjen e mbeturinave kimike! Një president të tillë, është e kuptueshme që nuk e pret siç pret një kryeministër që të premton të gjitha të mirat. Dhe sidomos dikujt që, premtimet i ka kthyer në shkencë. Nejse, le të hidhemi tani dhe pak tek miqtë tanë amerikanë. Presidenti Obama emëroi znj.Klinton, Sekretare të Shtetit. Domethënë, e gjithë fushata elektorale, ishte për të qenë të sigurtë amerikanët, cili do të qe numri një dhe cili numri dy?



@ Ata që dyshojnë se, qeveria që po vjen, nuk është gjë tjetër, veçse një kopje e dy qeverive të mëparshme të Bill Klintonit, kanë tashmë, një argument më tepër. Por edhe ruajtja në të njëjtin post të ministrit të luftës të Xhorxh Bushit, nuk është aspak shenjë e mirë. Pavarësisht se, ne shqiptarët e kemi të siguruar përkrahjen e SHBA-së, falë elasticitetit politik që jemi në gjendje të vemë në funksion në raste të tilla (kujto këtu, rendjen gjithëpartiake për të promovuar librin e zoti Obama, sapo ai u zgjodh në postin e ri), nuk ka sesi të mos bëhesh pesimist kur, je i detyruar të shohësh sërish në timonin e forcave luftarake (pasi, nuk mund të quhen forca të mbrojtjes kombëtare, trupat pushtues të Afganistanit dhe të Irakut), të njëjtën fytyrë. Mos më thuaj që, nuk ndjen njëfarë ...sigurie. Dhe fatkeqësisht, pas ndodhive në Indi, shkaqet janë të gatshme...

Për gazetën TRIBUNA , 5 Dhjetor 2008