29/11/08

Drogë dhe pushtet!


ProtAGONistët
@ Përfundoi dhe greva e deputetëve të opozitës. Ajo që habiti protagonistët, nuk është në vetvete nisma demokratike dhe kurajoze e të zgjedhurve të popullit(I shkreti popull, ta dinte se kujt po i jep votën) por rezervat e brendshme të deputetëve. 9 ditë të ngujuar në kullën e Parlamentit , si 9 Oso Kuka kontemporanë, dhe asgjë nuk i mposhti deputetët tanë. As bukë, as ujë, as fjalime, as drita verbuese të fotografëve! Për një të zgjedhur, me shumë vlen një intervistë në gazetë a në televizion, sesa për ty dhe për mua, një darkë me një mik a me familjen. I zgjedhuri(që ka dhe idenë se është edhe i përzgjedhur), gjithçka e bën për zgjedhësit. Asgjë për veten e vet!

@ Nuk e beson? Dëmin vehtes ia bën miku se, kjo nuk vihet në dyshim. Kush tjetër përvec një deputeti të zgjedhur, do vetëflijohej pa komoditet e vilës,pa roje personale, pa makinën luksoze, pa bankete e ftesa në holle hotelesh luksoze e amabasada të huaja , për t’i shërbyer interesit të të tjerëve?! Përpara se të përgjigjesh, me siguri mund të të them se, askush! More, po bindem se këta nuk janë vetëm njerëz të mirë dhe të dhimbsur për njerëzimin.Këta janë …supernjerëz! Këta janë “dinozaurët” modernë të njerëzimit. Durojnë nëntë ditë e nëntë netë pa ushqim e pa ujë. Këta janë për të balsamosur e për t’i ekspozuar në brezat që vijnë, si specia parlamentare më e durueshme. Vonoi demokracia të vij në Shqipëri,është e vërtetë.
@ Por kur erdhi ama,solli me vete të gjitha format e ushtrimit të saj. Nga njëra anë greva e urisë dhe nga ana tjetër indiferentizmi. Më tepër rëndësi u dha qeveria greke të burgosurve grevistë, sesa qeveria shqiptare deputetëve të vetëngujuar. Mos më thuaj që, nuk të shkoi edhe ty në mendje, të duash të jesh këto kohë , më shumë i burgosur në Greqi sesa deputet në Shqipëri?! Të pakrahasueshme privilegjet! Sikurse të pakrahasueshme janë privilegjet që kanë evropianolindorët ndaj nesh! Sepse miku im, evropianolindor nuk je ti dhe unë. Tjetër se deri dje, kjo na ishte dhënë të kuptojmë. Sot, as evropianolidorë nuk jemi, as evropianë shqeto. Njefarësoj, jemi evropianë në …pritje. Një specie e rrallë që është akoma në fazën studimore.
@ Evropianolindorët, së afërmi do të kenë të drejtën të punojnë në të gjitha tregjet e punës evropiane. Shpjegoj që të mos të të ngatërroj: shtetet e anëtarësuara fillimisht në Unionin Evropian, pritet të hapin dyert e fabrikave dhe të uzinave(që nuk mundën të mbyllin nga kriza ekonomike) për qytetarët e shteteve të anëtarësuara tashmë së fundi. Kështu, të jepet mundësia, ty që shumë shqetësoshesh për vendin e punës, të shkosh e të punosh në ato tregje pune ku akoma nuk janë pushtuar nga evropianolindorët. Cilat janë këto tregje, do më pyesësh me të drejtë?! Këtu është problemi. Po fundja, shpresat janë të gjalla të emigrojmë ne si komb. Tek e fundit, po e bëjmë edhe sot qe akoma nuk jemi përcaktuar se ku bëjmë pjesë. Vërtet, si të duket idea të na emërtojnë qytetare të një botë të pa hulumtuar?
@ Deri atëherë, mjaftohemi të quhemi qytetarë të një vendi që pjell çudira. Dhe të një bote po me kaq çudira. Njëra prej çudirave është dhe reagimi i terroristëve të Bin Landenit, pas zgjedhjes së Barack Obamës në postin e Presidentit të SHBA-së. Nuk u ngazëllyen aspak. Edhe pse nuk pritej e kundërta. E cilësojnë si një zezak në shërbim të të bardhëve. Nuk u gjendet ana. Atje ku bota pati besuar se silleshin harbutërisht, vetëm e vetëm se perballë tyre ishte krye harbuti Bush. Mirëpo, kur njeri harbut përgatitet të iki, harbutët e tjerë nuk kanë ndërmend të bëjnë diçka të tillë. Janë rehatuar me rolin që u rezervoi historia. Sikurse me rolin që (beson se) i ka rezervuar historia, përgatitet të pajtohet edhe Vladimir Putin.
@ Roli i tij është ai i Carit modern. E kaloi provën qeverisëse Medvedevi dhe tashmë, përgatitet të rishkoj ne Kremlin, duke shkelur në qilimet e kuqe të Dumës (dhe të naftës se Kaukazit), ish agjenti I KGB-së. Mos më thuaj që nuk ngazëllehesh?! ProtAGOnistët nuk e përmbajnë dot gëzimin. Përherë kanë qenë të prirur të lumturohen me prezencën e autokratorëve në fronin e tyre. Autokratorik është edhe sondazhi që qarkullon këto ditë në njërën prej gazetave më tradicionale të demokracisë së brishtë të shtypit në atdhe. Gazeta, duke qenë se vlerëson me objektivitet dhe racionalizëm , gjendjen ekonomike të vendit, duke qenë e vetëdijshme për qarkullimin me shumicë të …drogës në vend,as më shumë e as më pak, fton lexuesit e botimit të saj në internet, të votojnë.
@ Jo për të zgjedhur dikë, sikurse ndodh kinse në sondazhet e ofruara, por për të dhënë mendimin e tyre se, në cilin qytet të Shqipërisë qarkullon më tepër …drogë!!!Duhet të shkosh, o lum miku e të votosh. Vota është e drejta elementare e demokracisë. Askush nuk ka të drejtën të të mohojë mundësinë. Do më thuash që, duhet të kesh përvojë personale për të votuar ose, fantazi të sëmurë, për të krijuar një sondazh të tillë. Qartë qartë po, thelbi nuk ndryshon. Ma do mendja se, duhet të ketë qarkullim të bollshëm drogë në Shqipëri, përderisa shtypi filloi publikisht të shqetësohet për sasinë që qarkullon ne rrethe të ndryshme. Bëj kujdes: jo sondazh nëse greva e urisë është mjet demokratik i shoqërisë së lirë. Thjesht një sondazh për sasinë e lëndës më të përhapur në vend. Bravo!

Për gazetën TRIBUNA (21/11/2008)