18/12/08

U gjendën fajtorët

@Edhe pse ngjarjet në atdhe, janë të shumta, si gjithnjë, detyrimisht protagonistët kanë për të folur për atë që po përjetojmë së fundi në Greqi. E dhimbshme për këdo që i beson demokracisë. Dhe jo se jemi në gjendje ne(personalisht aspak) për të dhënë mësime demokracie për grekët. Do të qe fyerje për vetë demokracinë. Por nuk ka se si të mos indinjohesh nga ajo që sheh. Në njërin krah shteti, në tjetrin pushteti dhe përballë tyre shoqëria. Dy të parët, ndodhen kësi kohë, gjithnjë e më shpesh përballë shoqërisë. Thuajse janë në prag të divorcit. Madje, ndokush mund të thoshte, me një dozë hiperbole, se jo vetëm janë drejt divorcit, po janë në sallën e gjyqit.


@ E lavdërueshme përpjekja që bëjnë 2-3 (ish-kolegë)gazetarë, të zhvendosin vëmendjen e opinionit. Me ankth duan të fusin në lojë edhe emigrantët. Po! Është e vërtetë që, bashkë me hajdutët vendas, u kapën dhe mjaft emigrantë. Patjetër! Askush nuk thotë të kundërtën. Tema është katastrofa që përjeton Athina dhe e gjithë Greqia, apo sa sahate të shtrenjta morën narkomanët dhe të uriturit? Tema është ekzekutimi i një adoleshenti dhe mungesa e shtetit, apo sa palë çorape morën të rraskapiturit e Athinës nga ZARA? Tema është shkatërrimi i shtyllës kurrizore të shoqërisë, çertifikata e divorcit mesh shoqërisë dhe shtetit,, apo sa pakistanezë, afrikanë apo të tjerë amigrantë-të pastrehë, rrëmbyen celularë vodafone?

@Tema është shkatërrimi i pasurisë së qytetarëve, apo fakti që në bastisje morën pjesë edhe emigrantët? Emigrantët, përderisa jetojnë në Greqi, me siguri do jenë pjesmarrës në të mirat dhe të këqijat. Të mos harroj të nënvizoj edhe atë që me gëzim të papërmbajtur na njoftoi reporter I një kanali televiziv grek: pashë me sytë e mi, emigrantë me maska! Nga Pakistani, nga Bangladeshi, nga Shqipëria! Ç'po na thua more …sypetrit? Si munde dhe dallove poshtë maskave …kombësinë e tyre? Nuk njeh kufij, as hajdutllëku, as plaçkitja, as mjerimi (ekonomik dhe intelektual) deh as ligësia e disave. Këtu hyn të thuhet ajo shprehja me "fshatin që digjej dhe kurvën që krihej". Ankthi për të bërë pjestarë të plaçkitjes edhe emigrantët, tek reporteri në fjalë, tejkalonte bindshëm shqetësimin për atë ç'ka ndodhte dhe për flakët që po lëpinin gjithçka.

@ Gjithsesi, ne që kemi përvojën e hidhur si komb, të revoltës popullore të 97-ës, mirë do bënim të mos nguteshim të gjykonim fqinjët grekë për mungesë ...demokracie. Kush më shumë se Shqipëria, ka nevojë për stabilizim të demokracisë? Ne që akoma dhe sot, pas 18 vjetësh (në tranzicion), nuk mundemi të shijojmë aq sa ëndërruam frytet e demokracisë së premtuar, të paktën le të bashkëvuajmë me ata që, edhe e dinë se ç'është demokracia, edhe janë krenarë që u lind në tokën e tyre.
E bëjmë dot? E kemi forcën këto çaste, të mos nënqeshim me vetëkënaqësi idioti, kur sheh që digjet shtëpia e tjetrit? Mundemi të kuptojmë se, ajo që ndodhi në Greqi, na prek edhe ne? Të paktën ne që jemi të detyruar të jetojmë me familjet tona në Athinën e plagosur këto ditë. Mundemi të fshehim buzëqeshjen cinike, që dallohet tek-tuk te disa bashkëpatriotë?

@Në këto çaste që shoqëria greke, është e prekur tërësisht nga rrëmujat që po shkundin nga themelin vendin për kaq ditë, nuk mund të rri pa shprehur zemërimin dhe indinjatën time për pjesmarrjen edhe të disa shqiptarëve, në vjedhjet dhe bastisjet që bëhen, në dyqanet që thyejnë të rinjtë e revoltuar gjithandej në vend. Nuk është në nderin e asnjë njeriu të vjedhë pasurinë e tjetrit. Aq më tepër, kur pasuria në këto momente ndodhet e kërcënuar nga turmat e zemëruara. Dhe pas turmave, shpejtojnë edhe një tufë (se për tufë bëhet fjalë) bashkëpatriotësh, njerzëz të pandershëm e të pa prokopi, të përfitojnë nga gjullurdia dhe të përvetësojnë atë që nuk u takon. Është të paktën e turpshme!

@Nuk jetojmë në shoqëri ëngjëjsh dhe as në parajsë ku të mos kemi mes nesh edhe të tillë. Mirëpo,kur mëson se një familje shqiptare, dhe jo vetëm një person, e përbërë nga katër vetë, u ndalua për bastisje dyqanesh, nuk mund të rrish pa u irrituar. Emigrantët, natyrisht që janë edhe ata njerëz dhe në mes tyre jetojnë edhe persona të tillë, që përbëjnë padyshim një pakicë mjerane. Duke besuar se shpreh shumicën dërrmuese të bashkatdhetarëve që jetojnë në Greqi, i dënoj me gjithë forcën që kam veprime të tilla, dhe ftoj të gjithë ata që munden t'a bëjnë, t'i dënojnë edhe ata publikisht. Le të mos hedhim kripë në plagët e njerzëve. Është turp dhe fyerje për vendin tonë, por edhe për vendin ku jetojmë.

@Nëse qëllimi juaj është vjedhja, largohuni tani nga Greqia, dhe lini në punën e tyre të qetë, njerëzit e ndershëm. Tregoni(nëse u ka ngelur akoma) mirënjohje dhe shpirtmadhësi. Greqia në këto çaste është e plagosur, por bashkë me të, të plagosur jemi edhe ne, që nuk jemi lindur në tokën e saj. Është atdheu i fëmijëve tanë. Respektoni djersën e njerzëve dhe mos turpëroni një komb të gjithë. Dhe duke qenë se ne jemi vend i vogël, lehtë do mësohet cilët jeni. Turpi do t'ju shoqërojë për gjithë jetën. Me vend e gjej, madje, të ftoj dhe ambasadorin tonë z.Vili Minarolli, të dënojë me forcë dhe indinjatë veprimet e turpshme të kësaj pakice mjerane dhe të mos japë asnjë mbështetje për hajdutët dhe plaçkitësit, nëse i kërkohet. Asnjë mëshirë dhe asnjë solidaritet nuk përbën detyrim, ku jepet për hajdutët ordinerë. Kushdo që të jenë,janë një turp për kombin tonë.