29/11/08

Kujtesa e përhimtë kombëtare

ProtAGONistët

@ Kriza ekonomike që ka mbërthyer botën, asnjë dallim nuk qenka në gjendje të bëj. Kush do priste, bie fjala që, ekonomia amerikane, i ka shpresat për t’u rimëkëmbur tek ...Greqia? Po byrazer po, aspak të mos habitesh.Tek Greqia i ka sytë.Ambasadori amerikan në Athinë, u ankua publikisht se, ministria e shëndetësisë, nuk u ka paguar asnjë sent të dollarit, kompanive nga të cilat importon lëndët farmaceutike. Tani, për ne që njohim në njëfarë mase, mentalitetin grek, është e çuditshme që, ka aaritur gjëndja deri këtu. Assesi nuk mund të bindemi se, mund të ketë borxhe qeveria greke ndaj amerikës. Por edhe nëse ka, ka për të gjetur mënyrën për t’i shlyer. Të gjithë duhet të kontribuojmë për këtë. Dhe së pari,ne emigrantët.

@ Të cilët, emigrantët është fjala, dhe sidomos ata që ndodhen në burgjet greke, pas grevës që ndërmorën, morën edhe lajmet e mira. Qeveria vendase, me zemërgjerësinë që e karakterizon( kur i vjen litari në fyt) po bëhet gati të lirojë nga kampet e riedukimit( domethënë, të edukuarit që futen në burgje, i merr shteti , i mban ca kohë brenda dhe i nxjerr prej andej të riedukuar. E sqarova këtë për këdo që nuk ishte në dijeni. Edhe pse dyshoj, të ketë të tillë) ekzaktësisht, 3720 persona. Nga këta, një pjesë e mirë(numra të saktë akoma nuk dimë) janë me kombësi shqiptare. Sepse, miku im, shqiptari nuk është vetëm emigrant në Greqi apo dhe gjektë. Është edhe i burgosur. Bëhet fjalë për të burgosurit në kampet e riedukimit.

@ Pasi, në tërësi emigrantët shqiptarë në Greqi, në njëfarë mase, janë të burgosur. Edhe ata, presin zemërgjerësinë e ministrisë së brendshme çdo fundvit ose çdo verë,për të ndjerë “dashamirësinë prindërore” që do ndjejnë për pak kohë, të burgosurit e kampeve. Ndryshimi qëndron vetëm tek mënyra e burgimit dhe tek afati i liridaljes. Të burgosurit , me daljen e tyre nga burgu, njëherë e mirë (po qe se nuk u riduhet riedukim), shpëtojnë nga kthetrat e gardianëve dhe të shtetit. Emigrantët, vetëm për pak kohë e kanë këtë mundësi. Dhe sërish kanë për t’u rikthyer në gjirin e ngrohtë të burokracisë. E cila, sikurse dihet, të vetmen gjë që nuk do të humbasë, është kujdesi për qytetarët. Nëse ndodh që qytetari të jetë dhe emigrant, aq më mirë për burokracinë.

@ Këto ditë ministria e brendshme e Greqisë, çoi për diskutim e më tej për miratim, projektligjin për emigracionin në Parlament (njërin nga moria e projektligjeve që kanë shkuar), ku midis të tjerash, parashikohen edhe përkujdesja për fëmijët e emigrantëve. Është me të vërtetë për t’u habitur, sa seriozisht e shohin në Greqi, integrimin e qytetarëve të ardhur nga shtetet e huaja, por më tepër duhet shënuar përkujdesja për gjeneratën e dytë. Dhe ligji(të cilën qysh nga lashtësia, përherë e bënte Maliqi), në rastin tonë parashikon si më poshtë: me plotësismin e moshës 18 vjeç, fëmijës së emigrantit që është lindur në Greqi ose ka ardhur i mitur, i jepet automatikisht e drejta për të marrë leje afatgjatë qëndrimi. Me një fjalë, do më thuash që u zgjidh edhe ky problem.

@ Pikërisht, këtu nis dhe ngatërresa. Asnjë problem nuk zgjidhet, përveç problemit të madh që ngelet pezull këtu e 18 vjet dhe ka të bëj me emigrantët dhe fëmijët e tyre. Sepse, ndërkohë që në çdo shtet tjetër me demokraci të vërtetë dhe me struktura serioze qeveritare, tema është krejt e zgjidhur me parashikim në Kushtetutë të kushteve dhe proçedurave që duhet të ndiqen, këtu, me çdo qeveri që vjen në pushtet, kushtetuta dhe proçedurat shëndërrohen në fletushka pa vlerë. Le të marrim si të bërë, bie fjala, se të gjithë emigrantët familjarë, janë të ligjëruar. Gjë që, natyrisht nuk ndodh në fakt. Dhe paskëtaj, të vijmë tek e drejta e fëmijëve për të marrë leje afatgjatë qëndrimi në Greqi. Po vallë, sa afatgjatë do të jetë kjo leje?

@ Dhe nëse nuk mund dot prindi të rinovoj lejen e qëndrimit e cila, me procedurat që ndiqen deri në momentin që shkruhen protagonistët, më tepër e vështirësojnë sesa e lehtësojnë atë,cila çfarë i pret fëmijët? Po vallë, ai nënvizimi që është vënë në projektligj dhe përcakton ndër të tjera se, shteti, do të marrë të gjitha masat për të integruar normalisht në shqoqëri fëmijët e emigrantëve, çfarë kuptimi ka?! Fëmijët e emigrantëve, të lindur në Greqi ose të ardhur foshnje nga atdheu, nuk janë as të “varur” nga lëndë narkotike, as të ardhur nga institucione riedukimi dhe as nga ato që kujdesen për fëmijë të keqtrajtuar. Pra, asnjë përkujdesje të veçantë nuk duan, përveç përkujdesjes së mirëfilltë të një demokracie të vërtetë, për të gjithë qytetarët e saj.

@ Doemos, duhet të mësojmë, nëse qytetarëjanë për qeverinë greke, edhe fëmijët e emigrantëve! Mirëpo kjo është nga ato pyetjet e lehta që nuk duan përgjigje. Njëherë tjetër, do flasim edhe për qeverinë shqiptare, dhe çfarë ka ndërmend të bëj ajo, për fëmijët e shqiptarëve që janë me prindërit jashtë atdheut. Me të drejtë, do më thuash që, ku ta gjej kohën qeveria jonë, të merret me probleme të dorës së dytë, kur akoma nuk ka zgjidhur ato jetiket dhe kryesisht për ata që jetojnë në atdhe. Meqë thashë atdhe, m’u kujtua dhe fushata serioze që kanë ndërmarrë ente universitare në zhvillim e sipër dhe forca politike të të majta dhe qendrore, për të promovuar librin e Barack Obamës. Askund tjetër në botë nuk ndodh, kaq lehtë, kaq shpejt, të ndryshojnë prioritetet politike të një vendi. Mbreti vdiq(Bush), rroftë mbreti!!!

Për gazetën TRIBUNA (28/11/2008)