15/11/08

Brekët e mëndafshëta të kandidates

ProtAGONistët

@ 150.000 dollarë për këpucë, veshmbathje dhe kozmetikë ka harxhuar nga buxheti i partisë Sarah Palin, gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë që kriza ekonomike ka kapur Amerikën në çdo segment të saj.Dhe jo vetëm Amerikën. Gojëmjalti popull në këto raste ka thënë: fshati digjet e kurva krihet. Banale po ama, popullore. Siç thotë dhe Deutche Welle “pyetja që shtrohet tani është: A do të kenë të gjitha fundet, fustanet, pantallonat, kostumet apo këpucët e bukura, pas 4 nëntorit, ditës së zgjedhjeve, më shumë ose më pak vlerë se sot?”. Asnjë problem. Sarah e ka gjetur përgjigjenen. Nëse humbet, tha Sarah (çoç di më shumë nga ne kalliri nga Alaska), ka për t’i dhuruar tek ata që kanë nevojë. U zgjidh problemi i varfërisë në SHBA. Brekë të mëndafshta!



@ Nga Amerika edhe protagonisti tjetër.Kësaj radhe presidenti (në ikje), i bën thirrje botës të mbajë tregjet hapur. Thua se deri më sot ishin mbyllur dhe, shpëtimtari po i vë gjoksin krizës. Ka thirrur edhe një konferencë me kryetarë shtetesh, përçuesi i demokracisë. Pishtari i pafikur i lirisë. Ndërmjetësuesi i paqes. Shpresa e ringjalljes së begatisë ndërkombëtare. Të kujton sërish popullin e mënçur. Që pa u menduar gjatë në këto raste thotë: ky të vret natën e të vajton ditën. Edhe pse Bushi i dashur i shqiptarëve qeveritarë, ka vrarë edhe natën edhe ditën. Për lotët nuk jam aspak i sigurtë. Askush nuk mund të besoj se lotët janë kaq të pashpirtë e të banojnë tek të pashpirtët. Preferojnë strehët e nxehta të qerpikëve që rrinë zgjuar në Irak e Afganistan.



@ Bashkim Gazidede, matematikani që i përkushtoi jetën shërbimeve informative sekrete postkomuniste, krahu i djathtë i presidentit të djeshëm dhe kryemistrit të sotëm shqiptar (ish i majtë por prej kohësh edhe ky i djathtë), u nda nga jeta. Ndjesë pastë. Askush në këtë botë nuk merr pasuri me vete. Akoma dhe miliarderët më të njohur të botës. Fordi i famshëm i makinave, në testamentin e vet, thuhet të ketë shkruar: përveç sa thashë më sipër, dëshira e fundit që kam, ka të bëj me duart.M’i lini jashtë arkivolit, të binden të gjithë se, asgjë nuk mora në botën tjetër. Kreu i SHIK-ut famëkeq shqiptar, me siguri nuk kishte pasurinë e miliarderit Ford. Gjithsesi, ato që mori me vete, ndoshta kushtojnë më shumë nga disa miliardë dollarë.



@ Askush nuk ka për t’a pyetur (në ferr a parajsë ku ka për të shkuar), as për naftën, as për embargon, as për Remzi Hoxhën, as për Arkanin, as për armët, as për Bullatoviçin, as për Millosheviçin, as për LDK-në, as për kryengritjen kosovare, as, as, as,! Nga ato vdekjet që disa i mbushin dhimbje, disa çlirim shpirtëror, disa dëshpërim, disa fyerje e disave u zbeh shpresën. Disa me ikjen e Gazidedes, humbën çdo shpresë të mësojnë destinacionin e parave të piramidave të famshme. Shumë të tjerë, kurrë nuk kanë për të mësuar, arsyen pse Nexhmija pagoi me burg kafet në varrimin e Enverit por nuk u akuzua kurrë për krimet e sistemit komunist ndaj disidentëve dhe të përgjëruarve për demokraci të vërtetë.



@ Asnjëherë në Shqipërinë me demokracinë më të brishtë Evropiane, një njeri i vetëm, nuk ka marrë kaq të vërteta në banesën e fundit. Atje ku ka shkuar, me disa që u përlotën mbi varrin e tij ka nënqeshur, dhe me disa të tjerë,që u përlotën sa ishte gjallë për ato që bëri dhe nuk bëri, le të shpresojmë se është penduar. Qoftë dhe tani, atje, i vetëm dhe larg shkëlqimit të dritave të pushtetit, mbase ndihet paksa fajtor. Thonë se zoti ndaj u formua në mendjen e njerëzimit. Për të falur mëkatarët. Por mëkatarë, nuk fal vetëm zoti. Në vendin e çudirave, falja është diçka e shenjtë. Të gjithë mëkatarët që pendohen, kanë zotin e tyre që i fal. Për ndonjërin shafqet në formën e fuqiplotit të padukshëm hyjnor.



@ Për ndonjë tjetër, ka imazhin e fuqiplotit tokësor dhe... kryeministror. I penduar thellë për qëndrimin larg rezidencës blu (aq i penduar sa edhe zyrat e ish-partisë së tij, mendon t’i bojatisë me ngjyrat e partisë mëmë, të paktën tani në ikje), ministri Pollo vendosi të kthehet në gjirin e mëmës parti. Le të nisin festimet. Të derdhet rakia lumë e sazet të mbushin me tinguj bulevardin qëndror të Tiranës. Të shpallet festë kombëtare kjo ditë e bekuar. Madje, meqënëse as sivjet parashikohet të festohet dita e çlirimit të vendit, le të zëvendësohet me këtë ditë fatlume. Ditën e rikthimit në parti të shtyllës kurrizore të idealit. Tashmë, me ndërgjegjje të pastër, mund të rehatohet ministri ynë në kolltukun e meshintë. Gëzohuni dhe lumturohuni.



@ Privatizimin e KESH-it e mësove, dua të besoj. 102 milionë euro do të hyjnë në xhepat e shtetit. Kur ka shteti ke dhe ti, kam dhe unë. Me xhepat plot e me KESH-in në duar të sigurta, ajo që u mungon shqiptarëve tani, është vetëm korenti. Problemi u zgjidh. Shteti u pasurua. Dritat pritet të mos priten. Kompania çeke e fitoi konkursin ku konkuroi ajo dhe ... asnjë tjetër. Konkurrencë e fortë, nuk ke ç’thua! Por gjithsesi, gjithçka shkon mbarë në atdhe. Brukseli dhe amerikanët (që meqë ra fjala, përveç shqetësimeve që kanë për demokracinë shqiptare, hedhin tek-tuk dhe ndonjë bombë në Siri për efekt demokracie), fort të shqetësuar janë për drejtësinë. Reformat ecin me hapin e breshkës na thonë. Nuk i kuptoj këta evropianët. Edhe tani që partia po forcohet, KESH-i po privatizohet, ku e gjen kurajon dhe shqetësohet?!

Për gazetën TRIBUNA