31/10/08

Kryeidioti dhe partia e injorantëve

ProtAGONistët

Në fakt, kriza ekonomike botërore, nuk i ngjan aspak asaj që përfshiu Amerikën në vitin 1929.Është pak më e rëndë! Sot, zemra e kapitalizmit është e paralizuar nga të ashtuquajturit “Golden Boys”. Hera e parë që Evropa i vë ...gjyzlykët Amerikës. Shpëtimtari i njerëzimit dhe “pishtari i demokracisë” së vendeve arabe Xhorxh Bush, pas dushit në djersë të ftohta në Kongres, me sytë të zgurdulluar, ndoqi marrëveshjen e liderëve të këtej oqeanit për të përballuar stuhinë shkatërruese të krizës. Bush përmendëm dhe nuk ka sesi të mos përmendim Paul Krugman-in. Laureatin e Nobelit të Ekonomisë nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave. Vetëm për epitetin që u vendosi republikanëve, i takonte Nobeli.I quajti, edhe pse e tepëroi disi,parti e injorantëve. Me siguri e tepëroi disi.

Askund nuk përmendi, bie fjala, epitetin që do t’i vinte Presidentit të zgjedhur nga republikanët. Edhe pse, e la të kuptohet. Një plotësim të vogël, edhe mund t'a bëjmë. Tani, meqë jemi tek kriza, të flasim edhe për krizën ligjore që ka zënë vendet fqinje,Shqipërinë dhe Greqinë. Të gjitha i kishte Mariorija(thonë grekët) ferexheja i mungonte. Midis krizës botërore ekonomike, shtetet gjejnë rastin dhe i vërsulen drejtësisë. Sepse shteti, asnjë dallim nuk ka nga ujku. Mjegull do ...qafëthyeri, krizë do shteti. Në Shqipëri, vitin nuk ka mbushur në detyrë Kryeprokurorja, mazhoranca filloi t’i presë këmbët e karriges. Nuk u ka thënë njeri mesa duket se, e propozuan ata vetë. Ose edhe mund t’u ketë thënë po, Kryeprokurorja ka gjasa të jetë me probleme dëgjimi.

Se shteti, kryesisht ka dëshirë që drejtësinë ta drejtojnë njerëz që dëgjojnë. Që i mbajnë veshët hapur. Për sytë nuk kanë problem. I ka marrë vetë masat drejtësia dhe i ka të mbyllur me shami. Veshët janë problemi. Duhet t'i ketë të mprehtë. Të dëgjojë e të veprojë sipas direktivave. ProtAGOnistët nuk kanë mundësinë, edhe për shkak të largësisë nga i shohin ndodhitë në atdhe, të dinë nëse e drejta kësaj radhe është me drejtësinë apo me qeverinë. Mirëpo, vetë fakti që drejtësia kërkon të ndjekë penalisht një mik personal të kreut të ekzekutivit, të fut në mendime. Se, mirë që i bllokon llogaritë bankare(ato që janë publike) dhe e lë pa para. Këtë po e kalon miku serbo-boshnjak me kredi nga shtëpia e mikut.

Miku për një ditë të vështirë duhet. Po nuk pati miku, ka miku i mikut. Miku ka edhe para ka edhe mbështetje ligjore. Të jep vajzën e të bëhet avokatmbrojtëse. Po jo dhe dosje në prokurori mikut se, zemërohet qeveria pastaj. Dhe kur zemërohet qeveria, turbullohet dhe harron betimet e stërbetimet. I shkele në kallo pushtetit, të kafshon si gjarpri kur i shkel bishtin. Edhe në Greqi e njëjta gjë ndodh.Qeveria , ditën emëron prokurorë për të shqyrtuar dosjen e skandaleve ekonomike, që këtu e muaj ka kapur kishën dhe antarë të kabinetit, ndërsa natën, i shtyn ata të japin dorëheqjen kur konstaton se ujrat rrjedhin nga kahu i papëlqyeshëm. Kështu e ka pushteti. Kur i duken dhëmbët, jo gjithnjë buzëqesh. Në të shumtën e rasteve kafshon.

Një fjali i bashkon të dy qeveritë fqinje këto ditë. “Do të ngremë komision hetimor”-është parrulla ndërqeveritare. Për Kryeprokuroren qeveria jonë, për shpërdorimin e pasurisë shtetërore që u ishte lënë prokurorëve dhe tashmë, pas dorëheqjes së tyre, i ngeli asaj në dorë, ajo helene. Bën përshtypje se,nëse me parardhësin e saj , qeveria shqiptare u mundua gjatë derisa e lëvizi nga karrigia, me pasardhësen, as një vit nuk e la të qetë. Akoma më tepër të ngacmon kureshtjen arsyeja. Ish-kryeprokurorin e akuzonte mazhoranca qeveritare dhe vetë kreu i kezekutivit se e zinte gjumi mbi dosje. Natyrisht, jo nga lodhja, sipas qeverisë. Thuaj thuaj, arriti më në fund ta zëvendësonte me të pëlqyerën e saj. Tani, akuza ka tjetër këndvështrim. Prokurorja e Përgjithshme nuk akuzohet për gjumë.

Në të kundërt. Akuzohet se rri pa gjumë. I mban sytë hapur. Nxitohet të gjej allishverishe të qeverisë me miqtë. Mirëpo edhe kjo nuk është e pranueshme. As të flesh e as të rrish zgjuar, nuk mjafton për pushtetin. Si ajo gjëagjëza popullore, ku prindi i hiqte veshin fëmijës sa herë që shpinte gomarin për ujë. Kur i jepte të ftohtë i tërhiqte veshin se kishte ftohur gomarin. Kur i jepte ujë të ngrohtë, prapë i tërhiqte veshin se... kishte përvëluar gomarin! Këtu, gomari është miku i kreut të ekzekutivit. Dhe siç thoshte një sllogan i njohur i periudhës së realizmit socialist (nga ku kemi trashëguar pothuajse pjesën dërrmuese të liderëve të sotëm shqiptarë),në rrezik e në nevojë, miku mikun ta ndihmojë.

Edhe pse Komuniteti Evropian, i bën thirrje qeverisë të mos ushtrojë trysni mbi drejtësinë, qeveria i ka veshët me dyll. Po ç’punë ka vallë Bashkimi Evropian me drejtësinë shqiptare?! Shqipëria nuk është pjesë përbërëse e komunitetit. Me siguri, ndërhyrja vjen nga fotografitë. Në çdo deklaratë qeveritare, ministrore, zëvendësministrore apo akoma dhe funksionarëve të mesëm shqiptarë, flamuri shqiptar shoqërohet përherë me atë të NATO-s(edhe pse akoma nuk jemi anëtarë dhe askund në botë nuk ndodh që funsionarë politikë të mbajnë flamuj të alenacës ushtarake në zyrë), të BE-së (edhe pse nuk jemi anëtarë dhe do të na duhen akoma vite të anëtarësohemi) dhe sigurisht, flamurin e mamasë. Jo të mamasë së kreut të ekzekutivit. As të mamasë së ministrit. Kurrfarë të mamasë së kryebashkiakut. Mamaja një është për të gjithë titullmbajtësit shqiptarë. Mamaja që e ka flamurin me pesëdhjetë e dy yje dhe kësi kohe ka në krye të ekzekutivit, kryeidiotin! Sipas Paul Krugman-it, natyrisht!