11/10/08

Trashëgimia e Enverit

ProtAGONistët

Miku im, puna është të mos arrish t’i fshihesh shtetit. Po qe se erdhi dita kur shteti dhe ti luani kukafshehti, me keqardhje po t’a them po, punët nuk (të) venë hiç mirë. Se mirë të jesh djalë e të kesh gjunjë, sikurse thonë andej nga anët tona për ata që janë akoma në rini. Atëherë,problemi nuk është edhe kaq i mprehtë.Fundja, mpreh këmbët dhe u bie maleve përqark, ose merr udhët e kurbetit e kushedi se nga ia mban.Kushedi nga shteti se, ti që ke hallin, e di dhe ç’të ditur. Mirëpo, po kur të zë halli me shtetin në pleqëri, si i bëhet?! Atëherë, në vend të kurbetit, shtegëton rrëzave të Kurveleshit. Kur je nga Treblova e Vlorës kam fjalën se, mos merr ndonjë ide tani.

Mos të ngulitet ndonjë ide tani dhe,më ikën nga veriu e nisesh për në Kurvelesh. Sa të arrish në malet e zhveshura të Labërisë, të zuri qerrja pastaj.Qerrja e qeverisë e kam llafin.Se e di ti që, qeveria e zë lepurin me qerre. Edhe atëherë kur kishte qerre, edhe sot kur ka makina luksoze. Prapë me qerre e zë. Qerrja e qeverisë, kurrë nuk demodohet. Vetëm lepuj gjuan ajo. Posi posi. Kur sheh qeveria që i shpëton lepuri, mbreh qerren dhe niset për gjah. Në Treblovë, meqë e pata fjalën, 17 persona i fshihen ligjit. Domethënë ligji nuk i gjen dot. Se ligji nuk ka as kamera televizioni, as gazetarë për të intervistuar, as informatorë. Kështu, qeveria pret që, ata që ka dënuar, t’u vijë keq për qeverinë.

T’u dhimbset pushteti dhe gjykatat e të venë vetë me këmbët e tyre në derë të burgut. Të shkosh nga Vlora në Treblovë sot, të paktën do dy orë makina. Ku ta gjej kjo qeveri kaq kohë për të humbur? E ka gjetur megjithatë zgjidhjen ajo se, siç e thamë më lart, qerren ndaj e ka. Për të zënë lepuj.Do më thuash që, Treblova nuk ka lepuj.Pse, ka shteti qerre? I ka dënuar në mungesë pleqtë e fshatit me nga dy e nga dy vjet e gjysëm për kultivim canabis sativa. Fshatarët e shkretë, për hashash e patën blerë atë të uruar, ndaj dhe nuk e dinin se ndalohej mbjellja. Mirëpo, hajde dhe merru me këtë shkencën. I këput një Sativa atje dhe, sa t’a marrësh vesh ti se ç’është, të erdhi qerrja në derë.

Nejse , nejse po, sot më mirë është të mos merresh me qeverinë.Edhe të ta falin, ik thuaj të kam rixha se, nuk e dua.Dëgjo mua. Edhe ata që e kanë, çfarë po e bëjnë? Hiç asgjë! Qeveria jonë ngeli me gërshërë në dorë mbase pret ndonjë shirit. Punë dreqi. Kordele të kuqe gjithandej.Kaq shumë kordele sa, po të jesh pak i keq e i djallëzuar, mund të mendosh se e bën kastile kreu i ekzekutivit që të ndodhet sa më afër me ngjyrën e idealeve të veta të së kaluarës. Të atyre kohëve që, mbante në astarin e mëndafshtë të kostumit, teserën e shtrenjtë të PPSH-së.

Po ikën kohët tani e u harrua ajo punë.Tani, vetëm shiritat e kuq kanë ngelur për të mos lënë asnjë nostalgjik të vuaj prej melankolisë së largimit nga ideali. Për të mos thënë që, vetë ideali ka ikur që të mos shkëmbehet kërrkund me ata që e shkelën mizorisht. Po tek e fundit, nuk ka faj qeveria. As në përgjithësi ata që përbëjnë politikën tonë sot, nuk mund të thuash se kanë ndonjë faj. Vetëm një sy i shpejtë tek emrat që kanë partitë në krye të tyre, ose tek ata që i themeluan,të bind për lidhjet e ...gjakut me idealin e nëpërkëmbur. Të bëjmë një tentaivë “blic”, siç do të thoshte edhe policia jonë në prag të ndonjë aksioni të rrufeshëm? Po e bëjmë:

Partia në pushtet drejtohet nga një ish-anëtar i denjë dhe besnik i Partisë së Punës së Shqipërisë. Afërsisht 22 vjet me kuota të rregullta, meriton të paktën një dekoratë besnikërie dhe përkushtimi. Partia më e madhe e opozitës, u themelua mbi themelet e partisë mëmë. Partisë që i dha edhe opozitës atëherë dhe sot e përgjithnjë, liderin e saj shekullor. Edhe pse mjek në profesion! Kështu,i mbrujtur me mësimet e Marksizëm-Leninizmit, kush më tepër se ish-lideri i PS-së, mund të krijonte një parti socialiste? Askush! Ndaj dhe nuk humbi kohë aspak. Partia Socialdemokrate u themelua nga ish-ministri i arsimit i PPSH-së! LSI-ja, edhe pse nuk mori drejpërdrejt hua nga PPSH-ja liderin e saj, ka rreth vetes, dhjetra bij të denjë të saj. Akoma dhe e sapothemeluara Parti Socialiste rezervë, e gatuar me PPSH është në përgjithësi. Për shumëçka mund të akuzohet sistemi diktatorial i Enver Hoxhës.

Vetëm për mostrashëgimi politike në vend, nuk mund të akuzohet. Një bie qindra ngrihen, ishte njëri prej slloganeve të ditëve “heroike” socialiste dhe, asksuh nuk pati menduar për largpamësinë me të cilën mendonte i “madhi”. E la vendin në duar të sigurta. Por ,miku im, mos e quaj se vetëm qeveria jote është kësi kohe e turbulluar. Hidh një sy përreth dhe ke për t’u bindur rrufeshëm. Miku i afërt ideologjik ( i asaj së sotmes) të qeverisë tonë, kryeminsitri grek, përjashton nga radhët e grupit parlamentar të partisë së tij, një deputet, ngaqë i quan ministrat stallierë të pa aftë! Aspak nuk u hidhërua fqinji ynë jugor, për faktin se me këtë, i bie të jetë ai vetë kali. Çudi me këta që qeverisin. Edhe samari u duket kolltuk!