11/10/08

Ëndërrat e vrara dhe jargavanët!

ProtAGONistët

Çështja nuk është se, kriza ekonomike preku Amerikën. Fundja, nuk është hera e parë që kalon diçka të tillë,çerdhja e kapitalizmit. Problemi qëndron tek ëndërra.Tek lakmimi. Ngelet apo jo Amerika, toka e ëndërrave?! Vazhdon të jetë akoma edhe sot Amerika, vendi i lakmuar?! Të jepet hera-herës përshtypja se, asgjë nuk mund të heq nga mendja e njeriut idenë që ka krijuar për ëndërrën e lakmuar. Nuk e di nëse dhe ti e ke provuar ndjesinë e një ëndrre të tillë. Eshtë ai momenti që, edhe pse nuk të vjen gjumë, mbyll sytë përgjysëm dhe fillon të ëndërrosh. Ëndërron dollarë, makina të mëdha me ngjyrë të zezë, shtëpi me tjegulla të kuqe dhe me kopshte të rrethuar me jargavanë. Ndërkohë, ndodhesh akoma në ballkonin e shtëpisë tënde.

Shtëpia është me qera, kopësht me jargavanë nuk ka, makina ka ngjyrë të errët po, ngaqë nuk është larë këto gjashtë muajt e fundit dhe dollarët, janë ca para të zhubrosura e të vëna në xhep si lecka të tepërta. Vetëm ëndërra të shpëton.Endërra për tokën e lakmuar. Ose toka e lakmuar që të vjen në ëndërr. E megjithatë, kësi kohe, ëndërra është disi e frikshme.Jo për ty.Ti gjithnjë me ëndërra të frikshme bën shoqëri. E frikshme është ëndërra për atë që iku përpara teje.Ai që rrinte si puna jote në ballkon. Mbyllte sytë përgjysëm dhe ëndërronte kopështet e rrethuar me jargavanë. Përjetonte në ëndërr,sikurse e ke përjetuar edhe ti dhjetra herë, lumturinë e lakmuar të Amerikës. Dollarë me ngjyrë jeshilë. Mirëpo sot,ëndërrat hakmerren.

Dhe ti, ti që munde të prekësh qoftë dhe për kaq pak ëndërrën, e kap veten tek pendohesh.Pendohesh që mbylle sytë për kaq pak dhe e le ëndërrën të çorodiste qetësinë tënde dhe të turbullonte gjumin që vërtitej qerpikëve të rënduar. Vetëm Amerika është ëndërra jote.Ajo ka ngjyrë dhe ka fytyrë.Ka shpresën tënde që nuk po e gjen dot kaq kohë dhe të duket sikur vetëm po të gjesh një mënyrë të gjendesh qoftë dhe përmes ëndërrës atje, me siguri ke për t’a gjetur. Por, miku im, nuk dua aspak të të dëshpëroj. E sheh dhe ti që, kur hap sytë dhe zgjohesh, je sërish tek ballkoni yt i ngushtë i shtëpisë së marrë me qera.Jargavanët dhe parqet e blerta nuk ndodhen askund. Sikurse dhe ti.

Askund nuk ndodhesh! Të paktën nuk ndodhesh në tokën e lakmuar. Atje ku ka gjasa, edhe pse nuk dua të bëhem ndjellës i së keqes, të ketë nga ata që duan të ikin ashtu sikurse vajtën. Të ligjshmit me ligj e të paligjshmit klandestinë. Po dhe kështu të qe, aspak e sigurtë nuk është se, ka diku tjetër një tokë të lakmuar. Një ëndërr që të mbërthen në gjysëmgjumë e të shpie atje ku ti vetëm me sytë të mbyllur mund të shkosh. Me sytë të hapur, ëndërrat kanë të tjera ngjyra. Zakonisht janë gri. Të përziera me ankth që tepëron. Me fjalë që dëgjon në televizion nga politikanët dhe të rrënqethet mishtë. Janë ata që ti ke dorëzuar shpresën. Ata që u ke besuar të të shpien një ditë në tokën e lakmuar.Se në fakt, atë të premtuan.

Mirëpo , aq më keq për ty që u besove. Sepse ata, miku im, kur të premtuan, ato që të premtuan, vërtetë e kishin seriozisht. Seriozsht flitnin për ëndërra me tokë të lakmuar. Për ëndërra me punë. Për ëndërra me bollëk. Për ëndërra me prokopi. Po nuk e kishin fjalën për ty. As për mua, e as për ndokënd tjetër që u gënjye dhe shpejtoi të hidhte fletushkën me emrin e tyre në kutinë e votimit. Ata more byrazer, e kishin gjektë. E kishin fjalën për ëndërrat e tyre. Ato donin të realizonin. Për tokën që lakmonin ata bëhej fjalë. Bënin fjalë për makinat e tyre luksoze. Flitnin për pasurimin e tyre të papërmbajtur. Çirreshin për rehatin e sojit dhe të sorrollopit. Luteshin për librezat e kursimit në bankat evropiane. Premtonin për vilat me pishina. Betoheshin për shërbëtorët dhe ordinancat.

Të drejtën thonin. Për të gjitha këto përpiqeshin. Dhe të gjitha këto i fituan.ti akoma pret dhe ke akoma për të pritur.Se ata nuk e kanë tek ty mendjen. Asnjëherë nuk e kishin. Ty të duan vetëm për pak kohë. Thënë më mirë, asnjëherë nuk të duan. U je i nevojshëm vetëm një ditë. Atë ditë, duhet të vishesh me rrobat e tua më të mira. Të veshësh dhe buzëqeshjen tënde më të zgjedhur. Të bindesh se ato që të premtuan,nuk ka sesi të jene gënjeshtra. Gënjeshtra nuk janë. Në asnjë mënyrë. Janë krejt të vërteta. Të vërtetën të kanë thënë. Të vërtetën e tyre. Të vërtetën për vete. Të vërtetën private. E vërteta jote, është edhe ajo private. E vërteta që vetëm ti e di. Dhe e tillë mbetet. Vetëm e jotja. Sikurse edhe nevojat, ëndërrat, shpresat.

Ata kanë të tjera punë. Ata merren me dosje. Merren me biznes. Biznes për vete. Merren me kontakte e kontrata të fshehta. Ti, kurrë nuk ke për të mësuar se çfarë kanë në plan për ty. Kurrë nuk ke për t’a mësuar. Ti ke tjetër punë për të bërë. Duhet të presësh ditën kur do vishesh me rrobat e reja. Me kostumin e dhëndërrisë. Duhet të votosh. Është e drejta jote demokratike. Të votosh dhe të kontrollosh ata që voton. Edhe pse nuk ndodh kjo. Nuk ka ndodhur asnjëherë. Me siguri, sërish do mbyllësh sytë përgjysëm të shohësh ëndërrën që thamë. Tokën e lakmuar...