11/10/08

Partitë dhe perënditë!

ProtAGONistët

Gurë-gurë, nuk bëhet kalaja? Bëhet dhe ç’ke me të.Fillo sot e vër një gur dhe patjetër do të të duhet një shekull të bësh një mur kalaje. Se ti nuk je qeveria , o lum miku. Qeveria , i vë gurët në grupe. E kam prej kohësh këtë kuriozietin e qeverisë. Çfarë fjale të urtë, vallë, do kishte pjellë mendja e të mënçurit popull, sikur t’a dinte se do vinte një ditë që do qeverisej. Se nuk kam asnjë dyshim se, kur nxirrte fjalë të mënçura, as qeveri nuk kishte e as ankth për ekonominë. As benzinë i hidhte parmendës e as karta krediti i duhej për të blerë bereqetin. Ndaj rrinte e mendohej populli e nxirrte xhevahire nga goja. Ishte qeverri më vete.

Ka kohë që populli nuk nxjerr më fjalë të urta.Nuk e ke vënë re edhe ti këtë? Se nuk është më qeveri më vete. Ka qeveri që e qeveris. Ndaj dhe ai tani nxjerr vetëm fjalë zevzeke. Fjalë të mërzitura. Fjalë të mbushura me irritim e me mallkime.Qeverisë tonë, pikë-pikë i rriten... pikët ama. Na, në 2005-ën mori 2.6 në korrupsion. Sivjet, shkallë shkallë arriti tek 3.4! More bravo qeveria! Atje ku nuk t’a mbush syrin, bën ç’bën dhe, e merr ndonjë notë nga ndërkombëtarët. Kemi hedhur hapat më të mëdha në Ballkan për t’u çliruar nga korrupsioni. Byrazer, ky korrupsioni qenka më i sertë nga okuptorët. Po të zuri, nuk të lëshoka sikur të kesh mik perëndinë.

Meqë ra fjala për perëndinë, në Greqinë fqinje, qeveria flet direkt me perëndinë. Direkt ,domethënë, edhe pa asnjë ndërmjetës. Se nuk e di nëse e di edhe ti po, perëndia, nuk është larg dhe e paprekshme. Assesi. Larg nga ty e nga unë mund të ndodhet, por as ti dhe as unë, nuk kemi portofol. Portofol ministri, jo portofol për të mbajtur të hollat. Nga ata portofolat që mbajnë edhe të hollat ,mbajnë po erdhi puna edhe të trashat. Janë ca portofola që, ata që e kanë, u rritet gusha. Po po! Me të marrë që e bëjnë portofolin, se ç’bekim i madh u vjen nga perëndia dhe fillon u trashet zverku, u rritet gusha, u lëmohet lëkura, u shtohen shtëpitë, u shumohen vilat,u bien makina nga qielli.

E çuditshme është perëndia. Zakonisht, bën shoqëri me njerëz me portofol. Ndaj të them miku im. Mos u lodh kot duke lutur. Harroje kishën e harroje xhaminë. Ose mos e harro fare( që mos të të marr në qafë edh ty ngaqë nuk besoj për vete) po, ki kujdes çfarë i kërkon. E di vetë ajo se çfarë të sjell. Lutu të marrësh ndonjë portofol. Atëherë, edhe perëndia të bëhet mike, jo njerëzia. Këtyre të qeverisë greke, u është bërë kaq mike perëndia sa, më zuri veshi se, po përgatiten ta shpallin ...anëtare nderi të qeverisë! Merre me mend, i dashuri im, të ketë qeveria , mike me dekret, vetë perëndinë. Këtu, në majë të qiellit është edhe, gjysma e ministrave, nuk dinë as vetë se hektarë tokë, sa miliona euro, sa vila e biznese kanë bërë.

Punë qeverie me bekim perëndie, s’ke ç’i bën. Po bekim perëndie i duhet edhe njërit prej liderëve të opozitës tonë, që të marrë 35 deputetë. Se po nuk mori 35 deputetë(domethënë jo t’i marrë me vete po të zgjidhen në parlament me flamurin e LSI-së), me zemër të shtrënguar e me hidhërim të pa treguar(më doli edhe me rimë kjo tani), ka për të rishikuar pozicionin e tij si lider i partisë! Çfarë je duke thënë, o shoku lider? Po ,durohet gjithë kjo gjëmë? Po, mbahet fshehur i gjithë ky grumbull resh që po mblidhet mbi sheshin “Skënderbej”? Po si është e mundur që nuk të vjen keq për gjithë këtë elektorat që, mezi po pret ditën kur do të të shohë sërish në kolltukun kryeministror?

Nejse! Popull që ka lindur për të vuajtur. Ka , natyrisht, edhe popull që nuk ka lindur ekzaktësisht për të vuajtur po, këtu bëjmë fjalë për pjesën që nuk ka lidhje gjaku as me perëndinë, as me qeverinë e as me... shufra të florinjta! Mos më shih me sytë të zgurdulluar. Nuk flas përçart. Po ndonjëherë, edhe lidhjet me qeverinë, nuk të shpëtojnë nga belatë. E kemi thënë edhe herë të tjera se, ne me grekët, ngjajmë si dy pika uji. Akoma më tepër , madje, ngjajmë tek politikanët. Sikur i ka pjellë një nënë. Edhe çfarë nëne?! Një nënë nga ato që, në vend të drejtohet për në materrnitet, hyn për të lindur në bankën e shtetit ose me ndonjë sallë gjyqi. Si ka thënë i mënçuri popull, për derrat dhe për turinjtë?! Tamam ashtu!

Këshilltari i kryeministrit grek, u dënua me një vit burg nga drejtësia. E cila, është drejtësi kur dënon ndonjë pa portofol dhe pa titull këshilltari. Kur hap sytë drejtësia dhe i bie në zverk ndonjërit prej këtyre me gushën e rritur, atëherë, pa një pa dy, ajo pushon së qëni drejtësi. A la carte drejtësi! A, se mos harroj. Si t’u duk pusulla që i dërguan ata të PBDNJ-së kreut të ekzekutivit? Shkarko, i thonë, ministrin tonë se, duam të vendosim një tjetër ne! Siç e kupton i dashur lexues, ministrat në Shqipëri nuk i zgjedh kryeministri. I zgjedh partia. Ose më saktë, vendos partia kë do huazojë tek kryeministri. Kur partia konstaton se i huazuari devijon, gati e ka pusullen. Edhe pastaj, pas pusulles, as perëndia nuk të shpëton, e jo më qeveria!