23/9/08

Kallinjtë me kravatë!

ProtAGONistët

E zëmë se Shqipëria ka një qeveri normale dhe stabël.Po themi, madje, se, di të bëj edhe politikë të jashtme serioze. E zëmë se, me të vërtetë do që të mbështesë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete. Pasi kemi thënë të gjitha këto, bëjmë dhe një hamendësim: përderisa FYROM-i nuk e njeh akoma Kosovën si shtet më vete, duke i kthyer patjetër borxhin Serbisë ngaqë ishte ajo që shpejtoi ta njihte me emrin Maqedoni (flasim për të njëjtën Serbi, që është motër e Greqisë), Shqipëria të pushojë në marrëdhëniet dypalëshe t’i thërrasë fqinjët juglindorë me emrin Maqedonia, por FYROM, ashtu sikurse e njeh dhe OKB-ja.Sepse OKB-ja, nuk mund të jetë kompetente kur hesht për Kosovën dhe e parëndësishme kur na duhet të bëjmë lojë dypalëshe.

Çfarë arrin Shqipëria me këtë: nga njëri krah i shtrëngon pak fytin karagjozit nga Shkupi që sillet si një fashist i vockël edhe me shqiptarët atje, dhe nga ana tjetër, u shërben marrëdhënieve të mira me Greqinë, ku meqë ra fjala, jetojnë më tepër shqiptarë nga ata që jetojnë në FYROM. Natyrisht, të gjitha këto janë hamendësime. E para dhe më kryesorja që të ndodhë diçka e tillë, duhet të ketë një qeveri normale, sikurse thamë, stabël dhe me vullnet por dhe aftësi për të bërë politikë të jashtme frytëdhënëse për kombin. Ka të tillë Shqipëria? Nuk ma do mendja. Ashtu sikurse askujt tjetër, ma do mendja se ...ia do mendja! Qeveria e shqiptarëve, është e angazhuar me të tjera punë.

Njëra nga punët është të zbardhë humbjen “misterioze” të të vetmit dëshmitar serioz për Gërdecin. Me të drejtë ka për të pyetur këtu dikush se, nuk është punë e qeverisë të merret me çdo person kur ai ushtron hobin e vet në jetën private. Aspak larg së vërtetës nuk do të qe një argumnet i tillë. Mirëpo, kur bëhet fjalë për dikë që do t’i vinte në ndihmë drejtësisë, për të hedhur dritë mbi tragjedinë ushtarako-civile që ndodhi në Mars, gjërat ndryshojnë. Eshtë qeveria ajo që ka për detyrë t’i sigurojë drejtësisë të gjitha mundësitë për të zhbiruar dhe zbuluar të vërtetën. E ka vullnetin qeveria e shqiptarëve? Është e predispozuar të zbardhet misteri? I cili, midis nesh tani, nuk duhet të jetë dhe kaq mister!...

Siç tregojnë bathët (politike), janë larg pashkët (e drejtësisë)! Opozita nga ana e saj,mjaftohet me takime ...spontane mes liderëve. Takohen sërish për të parë nëse pëlqejnë të jenë bashkë. Ritakohen e ribashkohen, rindahen për t’u ribashkuar dhe bri tyre, qeveria vazhdon të mos tronditet aspak. Vendosni zotërinj opozitarë, cila është më e mira. Por merreni vendimin përpara zgjedhjeve. Madje, numërohuni dhe mirë me njëri-tjetrin kur futeni në sallat e takimeve. Përvoja e këtyre bashkimeve opozitare, nuk është dhe kaq pozitive për ju, është e vërteta. Ndonjeherë, madje, edhe pse ndonjëri vjen në takime me opozitën e majtë, e nesërmja e gjen në prehërin e së djathtës. Kjo ndodh lehtë, kur nuk refuzon dot postet ministrore. Fundja, në Shqipëri jetojmë! Tradita demokratike është e brishtë.

Aq e brishtë sa, ndodhin çudira, mu në zemër të tempullit që prodhon demokraci. Garda e Republikës, organi që urdhërohet nga shteti për të mbrojtur organet më të larta pushtetore, nëpërmjet disa pjesetarëve të vet, akuzon deputetët për ushtrim dhune ndaj saj! Pa prit një minutë se, këtu, nëse nuk ka humbur krejt filli i logjikës, me siguri është ngatërruar keq dhe është bërë një lëmsh i vërtetë. Le t’i marrim një nga një. Në cilën demokraci serioze perëndimore, ka të drejtën organi i rendit të kontrollojë deputetin, të vetmin njeri të zgjedhur me votën e lirë nga populli për ta përfqësuar atë atje ku prodhohen ligjet, pra në Tempullin e Demokracisë, sikurse është Parlamenti, përpara se ai të hyjë në seancë? Ka apo jo deputeti imunitet?

A nuk është organi i rendit apo garda ose ku di unë çfarë tjetër ka vendosur vetë parlamenti që ta ruaje, pikërisht ai që duhet të sigurojë paprekshmërinë e deputetit? A ka të drejtën deputeti të ushtrojë kontrollin e tij parlamentar dhe legjitim sipas kushtetutës mbi shumicën parlamentare, mbi qeverinë, mbi ligjvënësit, si ligjvënës që ështëedhe ai vetë? A ka të drejtën deputeti, të zgjedhë ai mënyrën që do ushtrojë funksionin e tij si përfaqësues legjitim i elektroatit? Tek e fundit, në cilën demokraci dhe shtet me të vërtetë serioz, që respekton veten dhe qytetarët, polici ka më tepër kompetenca nga i votuari prej popullit? A nuk është polici, thjesht një vegël e shtetit për të mbrojtur rendin publik? Rregullat i vendos policia për paralamentin, apo është paralamenti që nxjerr ligjet ku organet shtetërore kanë detyrën për t’i zbatuar?

Jo vetëm duket të ketë shpëtuar krejt filli, siç e përmendëm më lart, po kam frikë se duhet kohë që të gjendet. Ajo që të bën të qeshësh, edhe pse në të vërtetë është të qash, është shkaku i incidentit mes deputetëve dhe policisë që ruan ...deputetët. I ruan nga sulmet e qytetarëve të irrituar, ma do mendja. Po vallë, kallinjtë e misrit pa kokrra, përse duhet t’i shpinin në sallën e Parlamentit ata? Në këtë rast, unë jam me ... misrin. Çliroje për momentin fantazinë dhe bëhu edhe ti kalli misri. Papritur, atje ku mendon se kolegët e tu janë të gjithë me kokrra dhe presin të vijë dita për t’u korrur, ndodhesh në duart e dikujt që të shpie të takosh kallinj me ... kravatë! Dhe atje, befasohesh akoma më keq. Si ty, kalli pa kokrra, ka dhe të tjerë...