15/9/08

Vrimat e zeza të ...mbretërive!

ProtAGONistët

Po qe se në këto momente, je duke lexuar gazetën, dhe pikërisht ProtAGOnistët, atëherë me siguri je akoma gjallë. Që do të thotë me fjalë të thjeshta se, nuk të ka përpirë ndonjë ...vrimë e zezë! Nga ato të hatashmet që qysh pardje, kanë filluar të llahtarisin botën të gjithë. Meqë ra fjala e vrimave, po të them miku im se, kam plot të njohur që, i luten perëndisë në gjunjë, t’i përpijë ndonjë vrimë e zezë! Mirëpo kjo është jashtë teme dhe nuk mund të them assesi se, bën pjesë tek eksperimenti i shekullit. Këto vrimat e zeza që u hapën nga eksperimenti i shkencëtarëve atje në Zvicër, përpijnë edhe me porosi apo, vetëm ata që janë përreth? Është diçka që duhet t’a dimë...

Përsa më përket, vrimave të zeza nuk u trembem. Më tepër u trembem ...mbretërve! Fundja, po të përpiu vrima, aty përfundojnë dhe kusuriet e tua si njeri. Po me mbretin, si i bëhet?! Mbreti,kur është me të vërtetë mbret dhe ka edhe mbretëri për të qenë, është më i tmerrshëm se vrima e zezë. Në Tailandë, një grek fatkeq që shkoi për turizëm, zuri edhe mbretin në gojë. Turfullimi i sejmenëve u dëgjua deri në Athinë! Edhe pse kanë kaluar shtatëmbëdhjetë ditë qysh atëherë, ndodhet akoma në bodrumet mbretërore, me një kuvertë të vetme! Akoma më afër me ne, në Marok, dëshira për kritikë e një bloggeri, i kushtoi 2 vjet burg! Larg zemërimit të mbretërve dhe të oborreve të tyre. Këtë mendova duke lexuar.

Duke lexuar atë që tha kryeparlamentarja jonë për ish-mbretin e vetëshpallur të shqiptarëve. E magjepsur , me siguri, nga bëmat mbretërore që shpërndahen nëpër botë me shpjetësinë e dritës, e krahasoi ish-monarkun me Ataturkun! Domosdo, në demokraci gjithkush ka të drejtn të thotë gjithçka, me të vetmin kufizim që të mos dëmtojë të tjerët. Ndonjë dëm serioz,nuk bën ky paralelizmi i Zogut me babain e Turqisë moderrne. Mirëpo, më bren një pyetje që nuk mundem të duroj pa e bërë publike. Nëse kishte taksë tatimi për “prrofkat” publike të politikanëve tanë, vallë, do të qe zgjidhur problemi buxhetor i këtij viti në atdhe?! Do më thuash që, në atdhe akoma nuk po zgjidhet çështje e Gërdecit. Nuk mund të mos bie dakort me tezën tënde.

Mirëpo , duke qenë se nga natyra ProtAGOnistët janë optimistë, as kësaj here nuk po e humbasin shpresën. Edhe pse ish-ministri i mbrojtjes qëndroi rreth shtatë orë në prokurori, sikurse pritej, nuk mësuam cilat qenë përgjigjet që dha kur e pyetën se ç’ngjau atë Mars të ftohtë, atje në periferi të Tiranës. Tjetër. Pyetje humane kjo se, mund të jetë tjetri ministër a rrogëtar, biznesmen ose zanatçi, ...kambist(profesion me fitime kolosale në Shqipëri) ose punëtor me mëditje, por nuk e shpëton kjo nga nevojat personale. Shtatë orë ish-ministri, me ndrëprerje depononte apo, me një frymë? Pushoi për të drekuar? Drekoi vetëm apo shoqërohej nga kortezhi i nevojshëm? Mbase dhe janë jashtë teme këto pyetje. Ndoshta! Rëndësi ka të marrim përgjigjet. Për Gërdecin natyrisht.

Madje, diç më thotë që, dikur kemi për të mësuar të vërtetën. Për drekën e ish-ministrit. Për Gërdecin, nuk jam dhe kaq optimist! Dhe ma do mendja se, nuk jam i vetmi. Optimistë nuk janë as 420 familje në Cërrik që, u hodhën në protestë. Nuk u jepet , thonë, këtu e dy muaj, ndihma ekonomike e premtuar nga qeveria. Më trishton naiviteti i disave. Por nuk më habit. Me një gur, dy zogj nuk vriten përditë. Nuk mund të kesh njëherësh, edhe qeveri të djathtë edhe shtet social. Është tamam si të thuash që, për çdo kordele inagurimi që pret kreu i ekzekutivit, me siguri, ka për të përfunduar një vepër. Qoftë ky edhe i vetëquajtur njeri i premtimeve të mbajtura. Kësisoj, edhe pse sheshi u gjend,protesta vlerësohet pa vend.

Për pak minuta, familjarët u bënë protagonistë të mediave por, kush na siguron ne të tjerëve dhe vetë ata se, u skuq ndonjëri atje bri bulevardit “Dëshmorët e Kombit”? Përjashtohen sigurisht semaforët! Thamë sheshet më lart dhe na erdhi ndër mend që një nga gazetarët e mirëfilltë të Shqipërisë, në kohën e protestave gjithëevropiane për ndërhyrjen Amerikane në Irak, pati shkruar me mënçuri për “zhdukjen e shesheve”. Diçka e till po u ndodh shesheve edhe këto ditë. Dhe kësaj here, miku im, jo vetëm në Tiranë. Askund sheshe. Askund protesta. Askund demonstrime. Heshtje gjigande përballë ...arushës së egërsuar të stepës së Kaukazit dhe Siberisë! Kot nuk thotë populli, heshtja është flori. Kësaj here, vetë populli shijon floririn e heshtjes ose dhe heshtjen e florinjtë.

Akoma dhe vetë Evropa, përpara gazit që importon nga Rusia,duket e pamundur t’i tërheq veshin Medvedevit. Vërtet, meqë erdhi fjala, di ndokush formulën që zgjedhin rusët presidentët? Skajorë tregohen, hera-herës. Nga shtatëlarti Stalin dhe sarhoshi Jelcin, zhytje e menjëherëshme. Sanksione dëgjojmë e sanksione nuk shohim, ndër të tjera. Nuk është e lehtë. Amerika nënë(e Evropës), këtyre kohëve,është e angazhuar me gjyzlyket e Sarës! Sarkozy, përveç të tjerave, duhet të shoqërojë edhe Karlën në koncertet private për promovimin e albumit të ri muzikor.Bushi që mund të ...trembte sadopak rusët, ka problemin e zhvendosjes së forcave paqeruajtëse nga Iraku në Afganistan.Mjaft e ruajtën Irakun. Tashmë u sigurua se nuk ikin më irakianët dhe po i çon paqeruajtësit për të ruajtur edhe afganët. Përherë më ka munduar pyetja: kush e ruan paqjen që ruajnë paqeruajtësit?! Mirëpo përherë, ia kam hedhur fajin vjeshtës, që më sjell mendime të tilla të çuditshme!