11/9/08

Varkat e shpresës apo shpresa për varkën?

ProtAGONistët

Në vijën kufitare detare mes Greqisë dhe Turqisë, përditë e përnatë, me dhjetra njerëz , kryesisht nga vendet arabe, të stivosur në varka motorrike që nisen nga përtej Egjeut, dynden për të gjetur shpresën që në vendin e tyre, mbytet nga era e barutit të paqeruajtësve amerikano-evropianë, shtypet nga thundrat e pamëshira të diktatorive vendase ose përgjaket nga vëllavrasjet etnike. Në tokën greke, në shumicën e rasteve, i pret një kamp grumbullimi klandestinësh që, qeveria ka marrë masa të ndodhet pothuajse në të gjithë ishujt. Të rralla janë rastet kur ndokush i shpëton patrullave detare. Në emisionin e djeshëm radiofonik që drejtoj në radion 105,5 FM Athinë, kallëzimi që na bëri njëri prej dëgjuesve dhe që më vonë, me pohimet dhe mospohimet e bëra, e vërtetoi edhe Kryebashkiaku i ishullit Mitilini me të cilin komunikuam, me siguri tejkalon çdo imagjinatë. Po si qëndron e vërteta?! Në kepin “Korakas” të fshatit Mandamadhos të ishullit në fjalë, emigrantët që mbërrijnë atje nga bregdeti turk, nuk kanë përballë tyre vetëm rojet detare turke dhe greke, dallgët kërcënuese të Egjeut që shfryn e është i gatshëm t’i përpijë nga çasti në çast, urinë dhe të ftohtit në periudhën e dimrit. Në tokën e dëshiruar për ta, i pret një tjetër surprizë. Ndën hundën e rojeve bregdetare, që në qoftë se nuk janë bashkëpunëtorë, të paktën bëjnë “një sy qorr e një vesh shurdh”, vendasit, pa pikën e turpit mbi vete, presin si e si mbërritjen e tyre për të ...përvetësuar varkat! Dikush motorrin, dikush skeletin, dikush tjetër akoma dhe levat e vozitjes, kur ka të tilla. Sikurse na bëri me dijeni në emision qytetari që përmenda por edhe një dëshmitar okular i ndodhur atje si fotograf profesionist, ka nga ata fshatarë që zotërojnë akoma dhe 10 apo 15 varka të grumbulluara gjatë sezonit veror, kryesisht. Por ka edhe grimca komike, e gjithë historia. Nuk mungojnë edhe sherret mes përfituesve të varkave, me shkaqet banale të tipit: isha vetë i pari që e pashë varkën! Pas kësaj, varka shitet nga guximtarët, duke sjellë kështu tek i “zoti” fitime jo të pakëta. Dhe të gjitha këto, pa pikën e djersës. Forcat policore bregdetare, natyrisht që nuk mund të akuzohen për bashkëpunim pasi , asnjë fakt konkret nuk është në zotërimin tonë. E natyrshme vjen pyetja, nëse janë në dijeni të kësaj gjendje?! Këtu, me siguri mund të pohohet se, është e pamundur të mos jenë. Sikurse i çuditshëm është dhe qëndrimi i organeve të pushtetit lokal. I pyetur në emisionin tonë,Kryebashkiaku u mbrojt me justifikimin formal se, nuk është detyrim i organeve bashkiake ruajtja e brigjeve të të gjitha fshatrave që e përbëjnë atë. Sigurisht që nuk është po, a është logjike të mos ketë dijeni pushteti lokal për një akt kaq çnjerëzor, që ndodh pothuajse përditë, në oborrin e tij?! Nuk mjafton, në raste të tilla, heqja mënjanë dhe ngarkimi i të gjitha mëkateve tek forcat e rendit bregdetar, apo tek ndërgjegjia e fshatarëve. Është tragjike të mendosh që,mjerisht dhe të ndodhur në udhëkryq, dhjetra njerëz, mes tyre gra dhe fëmijë, udhëtojnë përditë duke rrezikuar jetën mbi varka , duke menduar se po kalojnë thjesht një ...lum të gjerë, sikurse i sigurojnë tutorët dhe sekserët që u shesin shpresën nga përtej detit.Në raste jo të pakëta janë të mbingarkuara me rrezikun e fundosjes . Shpesh bien pre e aksioneve “shpëtimtare” të forcave bregdetare turke dhe greke. Nëse mundin, dhe ata që mundin, të mbërrijnë përfundimisht në “tokën e shenjtë”, surprizat që i presin, nuk kanë të sosur. Të gatshëm, si skifterët mbi kafshën që lëngon, i presin vendasit t’u marrin varkën e shpresës. Me shpresën të pasurohen nga mjerimi i fatkeqëve. Paskëtaj, me muaj me radhë vendosen në kampe “mikpritijeje” ku sikurse na denoncoi në të njëjtin emision njëri prej rojeve, mbipopullimi dhe mungesa e personelit, e kanë shpurë gjendjen përtej asaj që mund të quhet “kushte mbijetese”. Në një ambient që është krijuar për 280 frymë, prania e 500 vetëve, me siguri e bën të padurueshëm qëndrimin atje. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë dhe as e fundit që, të tilla denoncime vijnë për gjendjen që mbizotëron në ishujt e Egjeut. Duket se qeveria greke, ose nuk ka forcën të ndërhyjë për të përmirësuar gjendjen, ose , akoma më shqetësueseja, nuk i intereson. Si në rastin e parë ashtu dhe në të dytin, rezultati është tragjik për ata që bien në kthetrat e pamëshirshme të qylaxhinjve dhe të paaftëve!