1/8/08

Të djeshmit e "mëdhenj", të sotmit e vegjël!

Më shumë se asnjëherë tjetër, kjo është periudha kur Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ose Tribunali siç përdoret shpesh nga shtypi në atdhe, për të treguar, ndoshta, tjetërsimin perëndimor(?) që ka pësuar), justifikon ekzistencën e saj. Marrja në "dorëzim" e të akuzuarit për krimet çnjerëzore të ndodhura në territorin ish-jugosllav, Radovan Karaxhiç, përbën padyshim një lehtësim shpirtëror për të gjithë ata që u flijuan nga urrejtja etnike e trupave gjakdashëse të udhëhequra prej ...mjekut psiqiatër me mjekrrën e bardhë. Por njëherësh, përbën dhe një shuplakë në fytyrë për ata që edhe sot e kësaj dite në Ballkan, nuk u është "qetësuar shpirti" dhe vazhdojnë të ndjellin gjithëmënyrash destabilitetin. Këta "karafilë" mund ti gjesh gjithandej në trevën ballkanike. Ndaj them që, prezenca e Karaxhixhit në Hagë, ndoshta funksionon edhe si gisht pendues për ndokënd. Se këtu i thonë Ballkan, nuk bëhet shaka. Madje, aq Ballkan i thonë sa, herë-herë, edhe të duash ta harrosh, ta bëjnë të pamundur disa.

Njëri prej "disave" është dhe kreu i ekzekutivit të shqiptarëve! Ose thënë ndryshe, sikurse edhe atij vetë do t'i pëlqete të vetëquhej,NPM! Përpara se të mendosh se kreu i ekzekutivit është kthyer në ndërmarrje përpunimi mendimesh, po të qetësoj miku im dhe të kujtoj se, është vetëquajtur Njeriu i Premtimeve të Mbajtuara. Nuk jam në dijeni të të gjitha premtimeve që ka lëshuar (dhe këtu më duhet ndihma e kujtesës tënde) por nëse , njëri prej premtimeve ka qenë dhe ai i kthimit të Parlamentit në sheshin e lagjes ku shkëmbehen mes djelmoshave adoleshentë, sharje dhe grricje pa asnjë taksë morale, duhet të flejë krejt i qetë mbrëmjeve të nxehta të Gushtit. Qëllimi u arrit dhe premtimi u mbajt.


Tashmë, asnjëri nuk dyshon se kemi Parlamentin më banal të Ballkanit. Dhe kjo, falë fjalorit të zgjedhur të kreut të ekzekutivit. Ma do mendja se, në zgjedhjet e vitit që vjen, me siguri duhet ta vlerësojë elektorati edhe këtë parametër. Është e njohur teza filozofike se, çdo komb ka udhëheqjen që meriton! Pra, i dalë nga gjiri i popullit është dhe kreu i ekzekutivit. Sikurse nga populli është edhe rektori i Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës. Tani, do më pyesësh, si lidhet rektori me kreun e ekzekutivit?! Ke plot të drejtë! Po ja që, më erdhi në mend. E kujtova nga dashuria e madhe që tregon për Universitetin e tij( çdo titullar në Shqipëri, dikasterin që drejton e quan të tijin)!


Rektori ynë i dashur, me përkujdesje prindërore për Universitetin, sugjeron t'i hiqet emri i themeluesit të shtetit të parë shqiptar, ngaqë, sikurse na shpjegon, kështu do të bëhet Universiteti më i njohur. Dhe për këtë, ka edhe faktet bindëse. Bie fjala as Oxfordi as Sorbona dhe as Harvardi kanë emra ish-udhëheqësish, ka thënë rektori. Kështu, "bindshëm" mundet të mbrojë propozimin e ndryshimit të emrit. Problemi, gjithsesi, qëndron tjetërkund vëllezër. Qëndron tek prirja jonë kombëtare për të titulluar çdo godinë apo institucion shtetëror me emrin e një të ...madhi! Nuk e kemi ne fajin, dua të besoj. Për gjysmë shekulli e akoma më tepër, më parë pagëzohej ndërtesa e pastaj i hidheshin themelet. Asokohe me emra të gjallësh.


Sot, falë prezencës në pushtet të nxënësve të "të gjallit" të atëhershëm, sërish pagëzohen institucionet me emra të "mëdhenjsh". Më parë i del shpirti njeriut e pastaj huqi. Na, një huq që akoma nuk u ka dalë shqiptarëve, është edhe përdorimi i emrave të shteteve perëndimore. Po bëhen 20 vjet nga koha kur Gjermania e bashkuar, nuk ndahet më në atë Federale dhe atë Demokratike. Mirëpo, kjo vlen për Evropën. Për Shqipërinë, akrepat e orës kanë ngeluar atje ku i la "i madhi". Edhe sot e kësaj dite, në njoftimet e qeverisë, mund të lexosh qartë për raportet pozitive që ka formuluar ...Republika Federale Gjermane(!) për ekonominë e Shqipërisë! Le të mundohet ndonjëri ti zgjojë ata qëformulojnë lajmet.


Nuk do të habitej askush, me vrullin që i karakterizon, nëse një ditë dilnin me lajme për raportet negative të SHBA-së për ...BRSS-në! Mirëpo, lajmet "ngazëllyese" vijnë jo vetëm nga bota e largët. Akoma dhe Ballkani, tek-tuk, prodhon ndonjë prej këtyre. I fundit është ai që na bën me dijeni se partia në pushtet e Turqisë, tashmë edhe me ligj shtetëror, nuk është e jashtëligjëshme! Tragjikomedi ballkanike. Si (bashkë)anëtarë të Lidhjes Islamike , me siguri na intereson ekuilibri social dhe politik i ish-perandorisë osmane. Sikurse na intereson edhe vrulli letërdërgues i Gruefskit. Sot, qeveritë që nuk marrin pusullë nga kryeminstri i Shkupit, duhet të ndihen të vogla. Po aq sa dhe qeveria e Shkupit!


Që duke ndjekur proverbin tonë të hershëm , "nga inati i sime vjehrre, po shkoj të fle me millonanë", debatin me qeverinë greke mundohet ta kthejë në sherr që dëgjohet akoma dhe përtej oqeanit! Ngjan kaq shumë sjellja e kreut të ekzekutivit të Shkupit me atë të ekzekutivit tonë. Njëri mundohet, dhe hera-herës ia arrin qëëlimit, të sjellë sheshet e mëhallave në Parlament e tjetri, me të njëjtin ritëm mundohet të shpërndajë nëpër botë atmosferën klasike ballkanike. Më shumë sherre, xhelozi, vetëshkatërrim e inferioritet, sesa progres e civilizim. Përreth gjithçka ndryshon e rreth nesh në Ballkan gjithçka ngelet e njëjtë. Akoma dhe ata krerë ekzekutivi që ekzekutojnë qytetërimin!


Thanë

Nuk duhet ta thuash të vërtetën, përveçse tek ata që kanë të drejtën ta njohin, mirëpo çfarëdo që të thuash, duhet të jetë e vërtetë!

Tomas Man