8/8/08

Diplomacia stinore shqiptare!

Një fundjavë si kjo e jona, që na duhet të përmbledhim brenda nëntëqind fjalëve ,ngjarjet e javës dhe protagonistët e saj, ka raste që është thikë me dy presa. Ose të kemi bollëk personazhesh për të zgjedhur ose në të kundërt, të ripërsëritemi. Dhe kjo është e rrezikshme. Mirëpo, kur fusha në të cilën lëvrojmë, përmbledh hapësira përtej kufijve gjeografikë të atdheut, patjetër që është në favorin e protagonistëve. Ose thënë ndryshe, protagonistët na vijnë në ndihmë. Hyrja në këtë rast u quajt e domosdoshme, pasi sot do të merremi më tepër me njerëz dhe ngjarje larg territorit tonë kombëtar. Pavarësisht se edhe në atdhe janë të shumta ato ngjarje dhe ata njerëz që mund të gjenin një vend në rubrikën tonë modeste.

Bie fjala, sikurse patjetër je në dijeni , ti mik i dashur që mban në dorë gazetën, gjithandej në Shqipëri, lexojmë, qindra mijra rrënjë ...CANABIS SATIVA janë shkulur këtyre ditëve. Tani, në demokraci, kështu i thonë hashashit. Se helbete, moderrnizimi kur të zë, të zë për t’a hequr, nuk të zë për shaka. Madje, tregëtarët vendas ( të Canabis Sativa pra), kanë gjetur, thonë, metoda të reja kultivimi. Kanë hapur parcela në vende ku toka ishte e papunuar dhe vështirë se shkon dot atje policia. More për qilizëm shqiptarit nuk ia ha qeni shkopin. Ka ardhur koha të rehabilitohen publikisht metodat e kooperativave bujqësore. Me moton : T’u qepemi kodrave dhe maleve, ti bëjmë ato pjellore si dhe fushat,hashashi , qoftë dhe me emër tjetër, prodhohet lehtë!

Nga ato që dëgjojmë, ata që e thithin këtë Canabis Sativa, vijnë në qejf e ndonjëherë flasin edhe përçart. Kështu, ndërsa vjet njerëzimi dëgjonte Silvio Berlusconin të bënte humor me Kryeministrin danez Rasmunsen duke i ofruar ...shkëmbimin e bashkëshorteve, nuk ishin të pakët ata që fajësuan ndonjë “esencë të përzier” që pinte Cavaliere Silvio! Është shpëtimtare ndonjëherë hamendja kur ndeshesh me përçartjen. Mirëpo, nuk paskej qenë aspak një shaka e padëmshme, nga ato që hera-herës lëshon miliardieri italian dhe që në të shumtën e rasteve, nuk bëjnë për të qeshur as vetë atë. Sepse, sikurse duhet ta kesh marrë vesh dhe ti, o lum miku, ata përtej detit kanë zbuluar metodë të re për të mbajtur gjallë martesën. Në orar të drekës, shkëmbejnë partnerët.

Kurse në darkë, nuk kanë asnjë dyshim për ndershmërinë e krevatit bashkëshortor. Madje, sikurse lehtë ndokush mund të konkludoj në kësi rastesh, e gjejnë njëri-tjetrin akoma më tërheqës. Tërheqës gjejnë sakaq edhe kinezët modën e re që sapo zbuluan. Mësojmë se, qindra mijra fëmijë kinezë, të lindur gjatë kësaj periudhe, pagëzohen me emra që kanë të bëjnë me Olimpiadën. Eshtë mbushur Kina me Ajun të them. Ajun quhet Olimpiada në gjuhën e kinezëve. Por jo vetëm me Ajun. Vendosin emra sportistësh nga e gjithë bota. Akoma dhe me slogane i pagëzojnë fëmijët. Do më thuash që, edhe këtu kinezët vijnë një hap pas ne shqiptarëve. Mund edhe ta thuash. Jemi ne të parët që zbuluam “fabrikën” e emrave që lidheshin me realizmin socialist dje dhe me “Botërorët” dhe “Evropianët” sot.

Kështu, mund të gjesh në të njëtën familje, babain ta quajnë Vullnetar e të birin Ronaldinjo. Kalimi nga socilaizmi në kapitalizëm, është bërë vetvetiu dhe pa ndihmën e asnjë sistemi pluralist apo institucioneve ndërkombëtare. Madje as atyre amerikane. Që kësi kohe janë të angazhuara me zgjedhjet. Thashë zgjedhjet dhe kujtova ...Paris Hilton. Ngaqë Mc Cain e krahasoi Barak Obamën me starleten miliardere. Por dhe ajo nuk e la të zemëruar plakun flokëzbardhur republikan. Madje e falenderoi edhe për rezistencën fizike, megjithëse vjen qysh nga koha kur “vallëzimi ishte mëkat dhe birra servirej me kovë”! Halle halle kjo dynja, siç do thoshte ndonjë i moshuar nga anët tona që, nuk ka ambicje për të udhëhequr planetin. Udhëheqjes së planetit, ka raste që i duhet të vendosë për gjëra mjaft serioze.

Sikurse vendosi përpara 63 vjetësh. Kur bomba atomike kryeplanetare në Hiroshima , “për të shpëtuar njerëzimin” siç u tha asokohe, mori jetën e mbi 145.000 vetëve dhe rrëzoi mbi 30.000 ndërtesa. Protagonist i kësaj jave ishte dhe Solzenicin. Në rastin e shkrimtarit të madh rus, ndokush edhe mund të këmbëngulë se, është e tepërt të thuash që vdekja e tij e bën të dalë nga arratia ku qe ngujuar e të bëhet i pranishëm në faqen e parë të shtypit botëror. Dhe me të drejtë. Plaku i mënçur i letërsisë botërore, filloi të linte gjurmët mbi njerëzimin qysh kur shumica jonë nuk kishte lindur. Kurajua qytetare dhe forca e penës së Solzenicin, në plot raste gjatë historisë së shekullit të kaluar, ishte prezente.

Nuk dua aspak të të lodh me ngjarje të politikës në atdhe , miku im, pasi e ndjej që, këto ditë të nxehta Gushti, gjëja e fundit që do të dëshiroje, është të të shtohet dhimbja e kokës. Përveç kësaj, kreu i ekzekutivit të shqiptarëve, që në të shumtën e rasteve, është dhe furnizuesi kryesor i rubrikave të lajmeve në gazeta në radio apo televizion, përgatitet të ngjitet në tribunën e Lojrave Olimpike. Ajo që më shqetëson në rastin konkret është mundësia të na kthehet nga Pekini me ndonjë marrëveshje për importim traktorësh ose margarine! Të mësuar ne shqiptarët ta bëjmë diplomacinë sipas stinëve, aspak e pamundur nuk më duket, të ndërmarrë ndonjë sulm Njeriu i Premtimeve të Mbajtura, ndaj kapitalistëve amerikanë! Të duket e vështirë ë? Kush të siguron ty dhe mua se, nuk do t’i kujtohet e kaluara e tij komuniste atje?