25/7/08

Harbutëria zyrtare dhe vetëvrasja e turpit!

Radovan Karaxhiç: Masakruesi më i famshëm i Evropës, pas Luftës së Dytë Botërore. I veshur me petkun e ...mjekut psiqiatër, jetonte i qetë në qendër të Beogradit. I shëndërruar në pamje të parë, në një figurë fetare të respektueshme; edhe vetë i plotfuqishmi zot, kam frikë se, hera- herës është ndjerë ngushtë për të dërguarit e tij në tokë. Kujt prifti t’i besosh e kujt t’i kërkosh të rruhet që ta njohësh. Kështu siç erdhën punët, dëmin më të madh, kasapi i mijra shpirtrave të Srebrenicës, ia ka shkaktuar kishës ortodokse. Por dhe psiqiatrisë. Këtej e tutje, miku im, kur shkon në kishë të falesh, bindu njëherë se prifti është prift e nuk është ...hoxhë. Për tek psiqiatri, nuk të këshilloj. Po arrite deri atje...

Sali Berisha: E vetmja ngjashmëri që mund ti gjesh me Karaxhiçin, nuk është ajo e diplomës. Mjek Kryeministri i shqiptarëve (të Shqipërisë), mjek dhe kasapi i myslimanëve të Bosnjës. Këtu ndokush do përfundonte dhe së kërkuari ngjashmëritë. Është dhe pamja fizike, ajo që i bën të afrojnë kaq shumë mes tyre. Mirëpo, miku im, tani që po mendohem disi më thellë, gjeta dhe diçka të përbashkët mes tyre. Psiqiatrinë! Njëri, i akuzuari për krime lufte, ushtronte psiqiatrinë për të jetuar dhe për të mbijetuar nga kërkimet (?) e gjithë këtyre viteve. Tjetri, edhe pse nuk e ushtron si profesion, me politikën që ndjek këtyre viteve që është në pushtet, me siguri ka bërë mijra shqiptarë t’i drejtohen mjekëve psiqiatër. Madje, pa iu dashur të fshihet nga askush.

Sabri Godo: Politikani veteran i Partisë Republikane, ka forcën, edhe pse në moshë mjaft të kaluar, të ndikojë mbi politikën e Shqipërisë. As më shumë e as më pak, i kërkoi kryeminsitrit, ose të rehabilitojë në qeveri kreun e partisë që ai themeloi, ose në të kundërt, edhe pse pensionist e tashmë, kryetar nderi i republikanëve, do të tërhiqej nga koalicioni shumëngjyrësh i së djathtës në pushtet. Dhelpër e vjetër në politikë Godo, hodhi grepin bosh, të shihte peshkun e madh të ... godiste. Dhe peshku, sikurse e priste plaku i mënçur i republikanëve, goditi. Dhe çfarë të godituri. Një peshk po, për kokë të peshkut. Pa hezituar, kreu i qeverisë, emëroi në post ministror, vetë të bijën e Godos. Me një gur, dy ... peshq, Sabriu!

Socialistët e Vlorës: a la carte socialistë. Nuk na i bën qejfin Edi?! Punë e madhe. Ka dhe tjetërkund bahçe me portokalle. Madje, portokalle nga Skrapari. Që nuk presin dimrin të piqen e të shkosh t’i vjelësh. Piqen në të gjitha stinët. Portokalle të kuqe, madje. As një e as dy por, të gjithë (?) socialistët e Vlorës, dolën me deklaratë në shtyp. Dhe jo vetëm dolën me deklaratë por, ia bënë edhe fora, siç e ka zakon Vlora heroike. Të gjithë, rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë dhe me ... një qëllim, kaluan ylberin politik e shkuan në partinë e Metës! Por mos u frikëso ti miku im se, kush është burrë nuk frigohet! Thjesht, socialistët vlonjatë, i kthyen shpinën selisë rozë dhe ballin selisë së kuqe. Uniteti mbi të gjitha.

Parlamenti i Shqipërisë: As më shumë e as më pak, fjalori që pëdoret në të, do bënte të skuqej akoma dhe rrugaçi më ... profesionist i Laprakës (të më falin banorët e nderuar të Laprakës). Fjalët që nxori nga goja ndaj deputetit Balla, vetë kryeministri i Shqipërisë, përbëjnë pa asnjë dyshim, një goditje të madhe për fjalën turp! Vetë turpi, i trupëzuar në qenie njerëzore, nëse në orët e vona të mesnatës, ka kaluar pranë godinës parlamentare, është fare e sigurtë se, fill pas debatit dhe monologut të kryeministrit, ka shkuar dhe është mbytur në ujrat e zeza të Lanës. Edhe turpi vetë, do të turpërohej nga llumi që vërshoi nga goja e kreut të ekzekutivit. Përveç Kryeparlamentares shqiptare. Ajo ka fituar imunitet.

Opozita shqiptare: Në përgjithësi opozita. Edhe pse bëhet dëshmitare okulare e “zemërimit” të pa fre të kreut të qeverisë, ku me lehtësinë më të madhe, pa e bërë qejfin qeder se ato që nxjerr nga goja, ngjajnë më shumë me ujra të zeza se me fjalët e dikujt që është votuar të drejtojë shtetin, prapëseprapë, ul kokën dhe shkon sërish në Parlament. Edhe pse fyhen me fjalët më të ulëta të rrugaçërisë ordinere për motrat, nënat dhe gratë e tyre deputetët e saj prej ... kreut të ekzekutivit(!), nuk gjejnë kurajën qytetare dhe politike të mbrojnë etikën më elementare të një vendi të shenjtë, sikurse është Parlamenti për të gjitha vendet demokratike të rruzullit. Një opozitë e frikësuar dhe memece, që i nënështrohet në heshtje “kamzhikimit” të verbër të harbutërisë zyrtare.

Mediat shqiptare: Që mjaftohen vetëm në paraqitjen në formë thashethemesh të dialogëve të turpshëm që shkëmbehen në Parlament. Në vend të këmbënguljes për të sjellë tek lexuesi të gjithë atmosferën e turpshme që mbizotëron atje dhe vënien përpara përgjegjësisë publike gojët e ndotura që shëtisin pa të keq podiumeve ku merren vendimet më të rëndësishme për kombin. Akoma dhe në gërthitjet e drejtuesve të seancave për të thirrur policinë të nxjerrë jashtë prej ... zhelesh (!), deputetin e zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të Shqipërisë, qëndrimi i mediave është indiferent dhe krejt vëzhgues. Kur, të paktën duhet t’u bëjë me dije qytetarët shqiptarë se, atje ku supozohet se prodhohet politikë, ka bërë vend tashmë, prodhimi i terrorit politik të kundërshtarit, akoma dhe me kërcënim të jetës së tij.

Thanë:
Kombe që mund të quhen historike, janë ato që njohin vlerat e larta të ligjeve themelore.
Leon Tolstoi