31/8/08

Demokracia e importuar dhe pavarësia e dhuruar


Pra, sërish në “llogore”! Shpejt kalojnë pushimet.Mirësetëgjeta miku im! Pas 3 javësh mungesash të justifikuara, nga t’ia nisë njeriu e të shtjellojë ndodhitë?! Po e kap fillin nga ambasadat. Po po. E kujt nga ne shqiptarët, nuk i ka rënë rasti të ndodhemi në ambientet e një ambasade?! Për katër dekada të tëra, fjala amabasadë qe e ndaluar dhe e vendosur në raftin e “rezervave”. Nëse kishte fjalë që duhej të ankohej për mospërdorim, me siguri, një nga vendet kryesorë duhej t’a zinte “ambasada”. Mirëpo, kohët ndryshojnë. Sot, jo vetëm fjala amabasadë përdoret e ...provohet vetë amabasada nga shumica jonë, por ka dhe raste kur brenda tyre, ndodhin të pandodhurat. Ose edhe të ndodhurat dhe të priturat. Njërës amabasadë shqiptare, asaj në Itali, njëri prej shoferave i kapet me drogë.

Aspak çudi, dhe nuk besoj se befasohesh edhe ti, o lum miku. Në tjetrën, atë shqiptare të Greqisë, atje ku përditë kalojnë për të “votuar” të paktën njëqind e pesëdhjetë me dyqindë persona, vërtiten jashtë saj, por hera-herës akoma dhe në ambientet e rrethuara të saj, disa persona disi të ...çuditshëm! Në fakt, personat aspak të çuditshëm nuk janë, që të përshkruajmë sa më qartë realitetin. Persona normalë janë. Me emra dhe me mbiemra. Me qëllime krejt të qarta dhe me plane po kaq efikase. Sigurisht, nuk mund të thotë ndokush se punonjësit e ambasadës janë në dijeni por, të habit fakti që, ndën hundën e tyre, “ndihmojnë” emigrantët që shkojnë atje për të ligjëruar dokumenta të ndryshme.

Do më thuash që kjo është praktikë e njohur për realitetin shqiptar dhe, nuk po zbuloj ...Amerikën! E pranoj! Sikurse të gjithë së bashku, jemi pajtuar me realitetin tonë. Po tani që thashë Amerikë, m’u kujtua dhe Konventa e Demokratëve. Nuk di se si ndihet një politikan shqiptar, me përvojë ose krejt i freskët në arenën politike, i cili udhëton mijra kilometra për t’u numëruar thjesht si pjesmarrës i një grupi prej 75.000 vetësh?! Më erdhi në mend fragmenti i një filmi të vjetër grek ku burri, gjithë krenari, i thotë së shoqes se “sot për mua ka folur” televizori”! Habisë së bashkëshortes të shoqëruar me pyetjen e saj, i përgjigjet krejt natyrshëm që ”sapo përmendi praninë e 12.000 vetëve në Olimpinë Antike.Atje isha qysh në mëngjes sot”!

Ndërkohë, Kosova jonë po bën hapa të sigurtë drejt demokracisë dhe shtrirjes në të gjithë botën të legjitimitet të saj. Kësi kohe, madje, ajo që proekupon krerët ekzekutivë të Prishtinës, është njohja e shtetit të sapolindur nga vendet arabe. Ose thënë më shkoqur, nga vendet islamike. Mirëpo këtu, edhe pse nuk dua t’i mërzis vëllezërit tanë të përtej kufirit gjeografik, le t’u kujtoj se,Shqipëria amë është pjestare e Bashkimit Islamik! Kësisoj,fare lehtë mund të shfrytëzojë Kosova prezencën tonë atje, për t’u anëtarësuar. Mbase kështu, është më e lehtë rruga për të arritur në tokën e shenjtë të demokracisë arabe. Kush tha që Kosova duhet fillimisht të njihet nga ,Maqedonia bie fjala apo Greqia, e pastaj të shtrihet kaq larg? Ai që e ka thënë, nuk njeh demokracinë që shijojnë vendet islamike.

Shembull më konkret se Shqipëria, për këtë, nuk mund të gjesh! Gjithandej, lulëzon demokracia e importuar, qysh në hapat e parë të postkomunizmit, nga vendet mike islamike. Ndokush, mund të thotë këtu se nuk ishte ëndërra jonë shekullore të bëheshim aleatë të ngushtë të demokracive arabe! Qartë po, kur nuk ha dot pulën, thotë i mënçuri popull, do hash sorrën! Mjafton të jetë tryeza jonë e mbushur ...demokraci dhe , cilësia e saj, është gjëja e fundit që na proekupon. Midis të tjerash, dhe për të qenë korrekt ndaj demokracisë së vërtetë, të tillë, ne shqiptarët, akoma nuk kemi provuar. Ndaj po them miku im që, qoftë dhe ajo islamike, kur na serviret si demokraci, si të tillë kemi për ta shijuar.

Pastaj, ankesa të shumta nuk duhet të kemi.Na, e zgjodhi dhe Barak Obama kandidatin për zëvendës president dhe na mbushi me ngazëllim. Sikurse mbushi dhe fqinjët tanë jugorë, grekët. Këto ditë, mediat e të të dy vendeve, janë vënë në garë të fortë për të vërtetuar se, mik më i madh i kujt është senatori Bajdën! Për ne,është miku ynë dhe nuk e luan as topi ... i Mato Grudës!!! Pro pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe madje, edhe i biri, ka luftuar me armë në dorë për pavarësinë e saj. Duhen më prova për përkrahjen që na pret? Lumsi ne! Grekët, nga ana e tyre, e duan të tyren ngaqë qysh nga 1974 e këtej, ka votuar në Kongres pro kauzës greke. Protagonistët propozojnë të qetësohemi dhe të ...lumturohemi bashkarisht për të mirën që na erdhi në derë.

Por sa keq që na duhet të përfundojmë këtu. Dhe dëshironim kaq shumë të përmendnim sot ...”negociatat dashurore” që përgatit të nisë e djathta shqiptare(që ishte e majta e djeshme, që të mos harrojmë) me “rrebelët” e djeshëm dhe aleatët e sotëm. Mirëpo, këtu jemi dhe këtu janë dhe aleatët. Ah! Se për pak harruam të përmendnim pavarësinë që u dhuroi Rusia mëmë, bijave të vogla të Kaukazit. Ajo që më argëton në fakt është mënyra sesi shtypi evropian por sidomos ai grek, e pritën lajmin nga Kremlini. Kështu, u hoq nga fjalori “pseudoshteti”, “republikëzat” , dhe të tjera të tilla epitete që shoqëruan pavarësinë e Kosovës. Nuk ke ç’thua. Duhet të pranojmë se, shtypi dhe politika greke, kanë reflekse mjaft të mprehta kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Mirëpo, herën tjetër më shumë. Vjeshtë të mbarë!