15/7/08

ProtAGOnistët

Ndoherë, sado që të mundohesh e të lodhesh, që nuk i dilet mbanë. Në rastin tonë,jo vetëm nuk i dilet mbanë, por nuk i gjendet as filli. Por çfarë ka ndodhur, me të drejtë do më pyesësh?! E çfarë nuk ka ndodhur, o lum miku. As më shumë e as më pak, sondazhe të botuara në shtypin grek, na bëjnë me dijeni se, nëntë ndër dhjetë grekë, janë të gatshëm të lenë atdheun. Kur themi të lenë atdheun, bëhe fjalë për ta braktisur krejtësisht atë. Mirëpo, për ata që do të nxitojnë e ngazëllehen me shpresën se u erdhi fati në derë dhe, pa u munduar hiç e gjetën një copë vatan në Greqi, duhet thënë këtu se, kërkohet durim.

Jo për ndonjë gjë tjetër por për faktin se, kandidatë për të braktisur atdheun, nuk janë vetëm miqtë e gjitonët grekë, por edhe të tjerë ...ndërkombëtarë, siç do thoshte me krenari , bie fjala, kreu i ekzekutivit të shqiptarëve. Fatkeqësisht, ata që duan të lenë adheun e tyre dhe të emigrojnë, përveç grekëve, sikurse përmendëm, ndodhen disi larg nesh dhe kësisoj, nuk do të mundemi të “gëzojmë” trojet e tyre, nëse bënin të mundur ëndërrën private e largoheshin për në tokën e shpresës. Kështu, të gatëshmit për të emigruar masivisht, me të njëjtën, pothuajse, përqindje me gjitonët tanë jugorë, janë ata të Filipineve të largëta, të Kolumbisë (nuk janë të paktë ata bashkatdhetarë që luten të kishin lindur në Bogota), të Perusë , të Meksikës etj.

Natyrisht, sikurse edhe herë të tjera e kemi theksuar, ndërkombëtarët, në sondazhet më me vlerë,lenë jashtë kërkimeve të tyre Shqipërinë dhe kjo, sigurisht që na shqetëson. Sepse, kush nuk e merr me mend, sa do të qe përqindja e atyre shqiptarëve që nuk do të donin sot, të mundnin e të braktisnin përgjithnjë vendin?! Ndonëse janë dëshmitarë të një periudhe ku qeverisen nga njeriu i premtimeve të mbajtura, ku kjo në vetvete përbën fat, prapëseprapë, jam fare i sigurtë se, fundi i sondazhit, do ta gjente Shqipërinë bosh. E pas kësaj, faji do të qe i të larguarve, por dhe fati i të mbijetuarëve. Ata, me siguri do të bëheshin dëshmitarë okularë të çudisë shqiptare. Çeku i bardhë dhe luga e florinjtë, do të gjenin të zotin.

Mirëpo, përherë, kur bëhen të tilla sondazhe, diç ndodh dhe ne ngelemi jashtë. Sikurse ngelën jashtë e me qejfin të ngelur miqtë grekë nga kënaqësia për të ndjerë nga afër aromën presidenciale të ...Carlës. Erdhi Sarkozy në Athinë dhe, për kapriçio të një kombi të tërë(meshkujsh), nuk shoqërohej nga zonja e parë e Francës! Doemos, hamendësimet janë të shumta për mungesën e top modeles. Disa thonë se ishte me dhimbje koke e disa të tjerë, këmbëngulin se vonohej në perukeri së tepërmi dhe nuk arriti aeroplanin. Një pjesë e tretë, nuk pranon versionet e mësipërme dhe sjell si argument të mungesës ,frikën e Sarkozy-së për këshillëtarët e Kryeminisrit grek. Mesa duket, përdoret edhe në Francë shprehja popullore shqiptare: më mirë të të dalë syri sesa nami!

Dhe kështu, këta të tretët, bëhen edhe më të besuarit, përderisa pak ditë më pas, Carla e shoqëroi Nikola-në në Izrael. Atje, presidenti që përdhunonte sekretaret, e ka humbur prej kohësh postin. Olmerti, deri më sot, të tilla shenja nuk ka dhënë. Tjetërkund i harxhon energjitë për të përdhunuar. Ndoshta, të përdhunosh kombe, është më e padëmshme nga përdhunimi i nëpunëseve. Kur bën të parën je hero e kur bën të dytën, vetëm rrezikon të humbësh karrigen. Ai që nuk rrezikon të humbasë karrigen, sidoqoftë, është seniore Berlusconi. E si vallë mund ta humbasë, kur as më shumë e as më pak, sa herë që merr drejtimin e qeverisë, ligjet e para që miraton qeveria, kanë të bëjnë me amnistimin e bëmave kryeministrore? Pushteti fitohet për t‘u ushtruar.

Dhe kur ushtrohet, gjen ,gjithsesi, mënyrat më të favorshme për ti ardhur në ndihmë atij që e zotëron. Sikurse gjen mënyrat më të çuditshme, një këshilltar kandidati për president në SHBA, për ti ardhur në ndihmë padronit të vet. Njëri prej tyre, në skuadrën ndihmëse të Xhon McCain-it, na bëri të ditur edhe dëshirën(dhe shpresën) që ushqen për padronin e vet. Një sulm terrorist ndaj Amerikës, me siguri do ti vinte në ndihmë kandidatit republikan,deklaroi mëkëmbësi i veteranit të Vietnamit. Disa njerëz, edhe pse mundohen gjihëmënyrash për të fshehur fytyrën e vërtetë,i ngjajnë kaq shumë asaj lavires që mundohe të fshihet po nuk e lë gëzimi që provon. E si pastaj, të mos besojnë tre të katërtat e amerikanëve se, pas vdekjes do të shkojnë në parajsë?

Do më thuash, ku e gjete këtë të dhënë?! Po ndërkombëtarët pra, ndërkombëtarët! Ata që, ne shqiptarët, na kujtojnë vetëm për të na dhënë ftesa. Kur kanë nga këto lajmet e mira, gjithnjë na harrojnë. Mirëpo, ne kemi me çfarë merremi e nuk e mbajmë mendjen tek ata. Kaq e kaq gjëra kemi pë t’u marrë. E fundit që na proekupon është shpërngulja e deputetëve. Kur themi shpërngulje, nuk themi se ikin përgjithnjë. Madje, mund të thuhej se, nuk largohen fare. Një kapërcim të vogël ylberi partiak realizojnë, për t'u gjendur në ëndërrën e tyre politike. E cila, si të gjitha ëndërrat erotike, është e mbështjellë herë në rozë e herë në të kuqe. Por gjithnjë, me të njëjtin përfundim. Në krevatin erotik, rolin e kavalierit e mbajnë përherë të njëjtit persona. Me ose pa kapërcyer ylberin.