15/7/08

Gomarët në BE

Cilit vallë, nuk i hipën xhelozia,kur ndeshet me lajme të kësaj natyre?! Komuniteti Evropian, bëhemi me dijeni, miratoi një dekret të fundit,ku i jepet një zgjidhje pëfundimtare, një problemi kyç, i cili, shumë e kishte munduar publikun komunitar. Në vazhdim, asnjë gomar nuk do të lëvizë në territorin e kontinentit plakë, pa sjellë me vete pasaportën përkatëse! Shoh që u çudite! Me të drejtë. Gomarët përfitues, të dish se si e pritën lajmin fatlum. Tek e fundit, ata janë gomarë dhe kanë edhe namin e të qenit paksa kokëtrashë por, askush nuk mund ti akuzojë për mungesë sentimentalizmi. Kësisoj, akoma dhe gomar të jesh, kur të bie në derë një fat i tillë, nuk mund të përmbahesh e të mos pëllasësh!

Dhe një pëllitje komunitare gëzimshprehëse, doemos kërkon dhe angazhim të plotë. Për këtë, gomarët nuk mund të akuzohen. Mirëpo, që janë të ndodhur në dilemë, as kjo nuk mund të vihet në dyshim. Po si vallë, mundën gomarët, të pajisen me leje qarkullimi në Komunitetin Evropian më shpejt nga ne shqiptarët?! Kjo është një problematikë realiste. Për të qenë, veçse,racionalë dhe të ndershëm përpara tyre, duhet t’u njohim ,doemos, durimin që ata tregojnë. Parë në këtë prizëm, me nxitimin që ne tregojmë për të mbërritur sa më parë në territorin shpresëdhënës të BE-së, parashikohet e largët dita e realizimit të ëndërrës. Sepse, ne, jo vetëm ngutemi të mbërrijmë atje, por jemi në gjendje të besojmë akoma dhe një deklaratë të një funksionari të rëndomtë. Dhe jo vetëm kaq.

Por një deklaratë nga goja e cilitdo nëpunësi të vendosur në Bruksel, shërben për qeverinë, si një lloj ushqyesi automaik që, sapo del nga goja e “ndërkombëtarit", mobilizon menjëherë forcat e fshehura evropiandashëse dhe nis sakaq, turneu i radhës i NPM-së. Për ty që për herë të parë lexon "ProtAGOnisët", përveç lajmit të mësipërm që po të jap, duke sqaruar cili është NPM-ja, të vë në dijeni se ke humbur disa seriale dhe mirë do të qe të ishe i vëmendshëm në vijim. NPM-ja është kreu i ekzekutivit shqiptar ( sipas mënyrës me të cilën shtypi në atdhe hera-herës e cilëson atë për t’i dhënë “peshën” e duhur dhe për ta ndarë nga e kaluara e tij e kuqe, ku fjalë të tilla, nuk përmendeshin askund e nga askush).

Ekzekutivi shqiptar, nga ana e vet, nuk humb kurrë rastin të ngazëllehet ( por dhe të mundohet të ngazëllejë) me deklaratat apo fjalimet qoftë dhe rastësore të kujtdo që paguhet nga selia blu e Brukselit. E cila, miku im, po përgatitet sakaq, të marrë masa të posaçme dhe mjaft inkurajuese për cilindo që nuk është gomar dhe nuk mund të pajiset automatikisht me pasaportë të BE-së. Kështu , në ndjekje të shembullit të “kavaliere” Berlusconit, refugjatëve të paligjshëm që do të zgjedhin për të jetuar territorin bujar Komunitar, po i përgaitet një pritje mjaft entuziaste. Uroj , o lum miku, as ti dhe askush tjetër, të mos ketë fatin të shijojë pritjen që po i rezervohet. Ndër të tjera, pritja parashikon dhe një burgim prej tetëmbëdhjetë muajsh.

Vërej se po habitesh e rrudh vetullat. Ke të drejë. Mirëpo, meqë nuk të besohet dhe as që ke në plan të shëndërrohesh në gomar e të paisesh me pasaportë komunitare automatikisht,vetvetiu lind pyetja: Mos vallë, Evropa zemërgjerë e demokratike, kërkon vetëm hajvanë në territorin e saj, e për këtë, refugjatë, që nuk janë të tillë, ka ndërmend ti mbajë për kaq kohë në “Qendra Mikpritjeje"(!) me qëllimin krejt human të kthimit të tyre në kafshët kaq simpatike veshëmëdha , punëtore e fjalëpak? Do më thuash, dhe me të drejtë se, si shqiptarë që jemi e miq të zgjedhur të SHBA-së, sigurisht që duhet të kemi tjetër status përsa u përket refugjatëve. Edhe unë e besoj. Madje, nuk do të më habiste aspak, ndonjë nismë e veçantë e Kyeplanetarit.

Me të cilën, ti kërkonte Bashkimit Evropian, miqve të tij shqiptarë, t'u jepej statusi i përjetshëm i emigantëve. Do të qe patjetër, një fitore kolosale për kombin tonë. Pikësëpari, do të mund të barazoheshim për Evropën, me gomarët që lëvizin në territorin e saj , tashmë, të lirshëm dhe të paisur me pasaportë. Dhe më e rëndësishmja, do të përbënte për qeverinë një fitore kolosale, e cila do të festohej po kaq madhërishëm, sa edhe ftesa në NATO. Mirëpo, tashmë që miku i madh është në ikje e sipër, nuk po tregon dhe kaq zell pë t’u marrë me ne shqiptarët. E vetmja punë e pambaruar pë të, është dhënia e ftesës së FYROM-it për në NATO. Këtu sharra i ngeli në gozhdë.

Mirëpo, nuk tutet një Kryeplanetar. Një ditë, edhe kjo ka për të ndodhur. Ajo që nuk ndodhi dhe , me thënë të drejtën, “ProtAGOnistët” janë të zhytur në melankoli, ishte ardhja e Carlës në Greqi. Nuk mund të hamendësojmë, përse Nikola nuk e solli me vete modelin-zonjë të parë të Francës por, vizitë më bajate e të zymtë nuk kam vënë re. Gojët e këqija thanë që, u ruajt nga infektimi. E informuan se, këshilltarë të afërm të Kryeminstrit grek, janë të prirur që, sekretaret e tyre , ndoherë, përveç detyrës zyrtare, ti ngarkojnë edhe me detyrime ...personale. Mirëpo, këtu qëndron dhe çudia. Ndokush, do të priste që Sarkozy të mos kishte tabu të tilla. Natyrisht, ne mund të bëjmë vetëm hamendësime dhe këto, të shtyra nga dëshira e pafshehur që kishim për të parë nga afër(qoftë dhe në distancë), mollën e sherrit.