22/6/08

Shurdhërim!


E mban mend, miku im, edhe ti, deklaratën e numrit një të qeverisë shqiptare, pas shpërthimeve të Marsit në Gërdec. Qe shprehur publikisht se, për herë të parë, emrin e fshatit, e dëgjoi pikërisht atëherë. E pata adhuruar asokohe. Njerëzit që janë të çiltër, magjishëm dhe “demokratikisht”, të bindin për qëllimet e tyre të jodjallëzore. Në rastin tonë, djallëzi, askund nuk mund të ndeshësh. Aq më tepër kur, këto ditë, vërtetohet që numri Një (midis shumë numrave që e rrethojnë), paskësh patur plotësisht të drejtë e deklaronte krejt të vërtetën. Sigurisht që nuk e dinte ku binte Gërdeci. Dhe jo vetëm kaq. E dëgjoi. U informua për atë që ngjau. Premtoi. Harroi! Ashtu sikurse i ka hije çdo numri. Kujtesa është për njerëzit. Numrat harrojnë!

Natyrisht, nuk harrohen ata vetë. Të gjithë kemi lidhje me numrat. Mirëpo, nuk mund të kërkosh që të kenë numrat kujtesë. Kujtesa është për njerëzit. Dhe njerëzit kujtojnë që, afër Gërdecit ishte vendi ku ndodhi greva e parë e urisë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Asokohe, numri një i qeverisë së sotme shqiptare, nxirrte shkumë ndaj atyre që qeverisnin. Dhe me plot të drejtë. Sot, të futurit në grevë urie, për premtimet e pamabajtura të “Njeriut të Premtimeve të Mbajtura” , kanë përballë tyre shurdhimin “demokratik” e përbuzjen “dashamirëse” të atyre që çirreshin dje ndaj mashtruesve. Ma do mendja se, kanë për ta gjetur forcën ta bëjnë edhe njëherë tjetër numrin një që të (ri)mësojë vendndodhjen e Gërdecit. Ndoshta, vetëm kur i thonë numra të vdekurish i zgjohet kujtesa.

Dëgjohet makabre, ç’ është e vërteta. Por makabriteti, zakonisht, shkon paralel me përbuzësit e jetës. Dhe në rastin e Gërdecit dhe të numrit një të qeverisë së shqiptarëve të Shqipërisë, askush nuk dyshon për tendencën përbuzëse që kultivon ai për jetën. Ajo që nuk u ka shkuar në mendje grevistëve, dhe që është një rast i mirë t’i kujtojmë, ka të bëj me ... ndërkombëtarët! Përpara tyre, NPM-ja i shqiptarëve, është rigoroz e plot mirësjellje. Le të vihen në dijeni, kësisoj, ndërkombëtarët për bëmat e të përkëdhelurit e tyre. Ndoshta i tërheqin pakëz veshin e nga dhimbja, e kthen kokën andej nga e ktheu vetëm kur dëgjoi shpërthimet e bombave.

Ka raste që, fjala e të huajit, ka më tepër peshë nga britmat e atyre që protestojnë. Nuk thotë pa të drejtë i mënçuri popull se, kamabanat bien për ata që kanë veshë. Disa dëgjojnë me veshët e disa duhen tërhequr nga veshët. Mirëpo, të qe vetëm numri një që nuk dëgjon, helbete. Ka rënë sëmundje shurdhërimit në atdhe, nuk justifikohet ndryshe. Parlamenti vetë, nuk dëgjon Topin. Topin president. Kur parlamentarët shqiptarë, mesa duket, nuk duan të dëgjojnë, dhe kjo u ndodh shpesh, vishen me kostumin e shurdhët të indiferencës. Ose të bindjes. I binden shurdhërisht atij që ndjekin verbërisht. Kështu, akoma edhe vetë Topi, sado i zhurmshëm e ... presidencial në pamje të parë, kur parlamentarët vendosin të shurdhohen, kthehet i mundur në Rezidencë.

Tek e fundit, jo pa qëllim, numri një i qeverisë, mbështeti për president të përkëdhelurin e tij. Për një ditë të vështirë e bëri. E në këto ditë të vështira, kur NPM-ja është kaq i proekupuar, nuk mund të bierë dakord me kërkesat që vijnë nga Presidenca, për emërimin e anëtarëve të një institucioni kaq formal, sikurse është Gjykata e Lartë. Do më thuash që, nuk është formal institucioni i Gjykatës së Lartë. Ke të drejtë. Por të drejtë ka edhe numri një. Askush nuk i ka thënë se, përveç kreut të ekzekutivit (sipas termit mbizotërues), në Shqipëri mund të bëjë ligjin edhe ndokush tjetër. Sidomos kur ky nuk është i varur prej tij. Pushteti është për t’u ushtruar dhe ju për t’u dhuruar.

Dhurohet diçka kur është e jotja. E dhuruara nuk dhurohet. Besnik i dogmave e riteve të çmuara popullore, “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura”, asnjë fije nuk luan nga ajo që ai quan ushtrim të pushtetit. Ka vendosur ta shijojë atë deri në gllënjkën e fundit. Dhe ka vendosur ta shijojë i vetëm e i vetëkënaqur. Askush nuk mund t’i thyejë heshtjen e fituar me kaq mundim. E mbi të gjitha, nuk pret ta zhgënjejnë. Madje heshtjen nuk pret t’ia thyejnë as çadrat e heshtura të grevistëve. Ndaj është kreu i ekzekutivit. Me levat që ka ekzekutivi, akoma dhe çadrat e hapura mund të detyrojë të heshtin...! Më mirë në heshtje e pa kokëçarje, sesa me rrëmuja grevistësh të zhgënjyer mes këmbëve.

Ndërkohë që askush nuk mund të akuzojë qeverinë e shqiptarëve se nuk po mendon për ta. Ka gjasa të mos dëgjojë ulërimat e gërdecarëve e të mos kujtohet se pati premtuar ndihmë për ta, por është kaq e predispozuar të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet kyçe të vendit. Vite me radhë, ëndërra e vetme e kombit, ka qenë dhe vazhdon të jetë një vizë. Një leje kalimi përtej kufirit, për të gjetur diku tjetër shpresën. Ndoshta, akoma nuk kemi vlerësuar sa duhet kujdesin e qeverive, por qëllimi ka ngelur ky. Tashmë, këtë qëllim, nuk e kanë vetëm shqiptarët por edhe qeveria e shqiptarëve. Në vijim të inagurimeve të rrugëve, kësaj here u inaguruan sportelet. Kohë inagurimesh. Shirita të priten e kordele të valëviten. Dhjetra sportele emigracioni u vijnë në ndihmë banorëve të Shqipërisë ta braktisin atë. Një ditë, me siguri nuk do të ngelet njeri për t’u qeverisur. E kësisoj, askush nuk do të ankohet për keqëqeverisje. Ajo do të jetë dhe dita më e lumtur e qeverisë.