17/7/08

Emigracioni, fat apo mallkim për Shqipërinë?


Kohët e fundit, në shtypin e atdheut, në vijim të debateve politike, vend të veçantë zë tema që ka të bëj me të drejtën ose jo të emigrantëve për të votuar . Opinionet të ndryshme , sikurse në të vërtetë duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike. Për këtë të fundit, ndokush ,edhe mund të shpreh rezerva, sesa jeta politike por dhe shtypi në Shqipëri, kanë arritur standarte të tilla. Mirëpo, nëse forcat politike shprehin pozicionin e tyre, në vartësi të interesit (të lakmuar) pushtetor e marrëdhënieve me elektoratin, ajo që bën përshtypje, është mënyra me përbuzje, për të mos thënë mllefi, që shprehet në shtyp nga gazetarë të ndryshëm, përsa i përket të drejtës që duhet të kenë emigrantët shqiptarë për të votuar në atdhe, si nënshtetas të Republikës së Shqipërisë. Qofshin këta të shtypit të djathtë qofshin atij të majtë. Del në pah, me një shikim të parë, një konservatorizëm i theksuar, një frikë e pajustifikueshme ndaj emigrantëve dhe diasporës shqiptare në përgjithësi, dhe ajo që është më shqetësuesja, paraqiten emigrantët si një rrezik që i kanoset ... mbarëvajtjes elektorale në vend! Është të paktën dekurajuese, kur gazetarë e opinionistë me përvojë , që gjithëmënyrash ndikojnë ose mundohen të arrijnë diçka të tillë, në jetën publike të atdheut, nëpërmjet organeve që kanë në zotërim apo bashkëpunojnë, lëshojnë ndaj emigrantëveshqiptarë në Perëndim, një mori epiteteshe e përkufizimesh, sikur të kemi të bëjmë me një pakicë barbare e grabitqare, kolerikë e tuberkularë, dhe jo si të jenë këta(emigrantët), gjakëdhënësit e ekonomisë shqiptare, këto 17-18 vitet e fundit.
Nënvleftësimi e përbuzja që mbillet, ndaj pothuajse 1 milionë bashkatdhetarëve të ndodhur jashtë trojeve shqiptare, por që kanë lënë pas prindërit, familjet, të afërmit dhe gjithçka tjetër që i bën ata të mos ndahen kurrë ndaj atdheut dhe që, bëjnë të gjitha përpjekjet për të qenë gjithnjë e më pranë ndodhive të atjeshme, nuk mund të shpjegohet lehtë. Lindin vetvetiu disa pyetje, nga kjo barrikadë që mundohen të ngrenë kolegët që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, përballë atyre bashkëkombësave që sot jetojnë jashtë saj. Pikësëpari, parë me syrin e dikujt që nuk ndodhet në atdhe por që natyrshëm dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, për të vendosur edhe ai për fatet e veta, sikurse ndodh kudo në botë, ajo që lehtë dallohet, është konservatorizmi i thellë i tifozëve që janë kundër pjesmarrjes në zgjedhje të emigrantëve. Është me vend këtu të kujtojmë për kolegët që frikësohen nga vota e emigrantëve se, në SHBA, sistemin politik (dhe jo vetëm atë) të së cilave e adhurojnë në kor në atdhe, vota e të ndodhurve jashtë territorit amerikan, jo vetëm është e siguruar por, përkujdesja e shtetit amerikan për të votuar nënshtetasit e kudondodhur nëpër rruzull, fiton një angazhim të veçantë nga Kongresi. Po kështu, ngaqë ndodh të jetomë në Greqi prej 17 vjetësh, dhe për dijeni të ndokujt që nuk është i njohur me këtë fakt, shteti grek, në periudha zgjedhjesh, akoma dhe ato për pushtetin lokal ose për Parlamentin Evropian, ku janë më liberale dëshirat e elektoratit për të shkuar në kutitë e votimeve, vë në dispozicion të grekëve të diasporës së afërt evropiane, dhjetra linja avionësh, për ti sjellë ata në atdhe e për të ushtruar të drejtën legjitime të zgjedhjes e të të zgjedhurit. Në këtë prizëm, është alarmant dhe dekurajues fakti që, akoma dhe për ne që jemi larguar nga vendi vetëm pas vitit 1990, dhe që shumica dërrmuese e jona ruajnë lidhje të patronditura me atdheun, duke investuar dalëngadalë edhe ato fitime që ndokush ka mundur të ketë nga emigracioni, shpejtojnë të na mohojnë të drejtën për të shprehur vullnetin e lirë nëpërmjet votës. Në mënyrë krejt të njëanëshme dhe jo reale, konkludohet madje se, shumica e emigrantëve nuk do që të ketë lidhje me atdheun(!). Absurde si logjikë por dhe dashakeqe si tezë.
Të përcaktosh , madje, diasporën si të pavlerë dhe mediokre, duke ravijëzuar mandej edhe kufijtë që ajo ka krijuar me atdheun, është fakt që të shqetëson. Thirrja për të bërë ... përzgjedhje(!) të atyre shqiptarëve që duhet të votojnë, sipas vullnetit për të kontribuar ose jo në jetën politike shqiptare, tingëllon makabre dhe për mendimin tonë, ose duhet parë me nënqeshje mirëkuptimi ose duhet anashkalur krejtësisht. Dhe për të qenë akoma më të qartë, as më shumë e as më pak, ngjan si dy pika uji me politikën famëkeqe të luftës së klasave! Mirëpo, nuk përfundon këtu denigrimi që mundohet ti bëhet emigracionit tonë nga “direktivadhënësit” e holleve të hoteleve të Tiranës. As më shumë e as më pak, të nisur vetëm nga përvoja personale apo e njerzëve që i rrethojnë, ndoshta, duhet pranuar këtu se e bëjnë pa ndonjë takt, grupëzohen shqiptarët e diasporës, dhe sidomos ata të Greqisë, duke i cilësuar madje me plot lehtësi si ... të pa kulturuar! Në tërësi! Është e drejta e kujtdo të shkruaj e të shesë gjithçka, përderisa trumbetojmë mbi lirinë që të jep demokracia. Por, a është logjike, a është vallë deontologjike dhe mbi të gjitha, a është në favor të ruajtjes së profilit kombëtar, hedhja baltë dhe shfryrja mllef ndaj një të tretës së kombit? Cili ,vallë, është emigracion i përgjegjshëm dhe cili i papërgjegjshëm? Kush dhe me çfarë mënyrash e përcakton atë? Ka për Shqipërinë, dy lloj emigracionesh dhe aq më tepër, njëra palë është e dëshiruar dhe tjetra jo? Tezën mbi përdorimin e emrave të ndryshëm nga emigrantët që lexojmë në shtypin e atdheut, e lexojmë kaq shpesh edhe në shtypin “periferik” nëGreqi nga qarqe të caktuara shoviniste. Mirëpo, kur kjo vjen prej forcash të caktuara regresive greke, është lehtë e kuptueshme nga ne të ndodhurit në Greqi, pasi, falë bashkëjetesës me vendasit për afro dy dekada, tashmë, jemi bërë të vetëdijshëm për mjerimin mendor në të cilin ndodhet kjo pakicë.Por, vështirësohemi ta shpjegojmë kur të njëjtin justifikim banal e fyes, helmëndjellës e poshtërues, e lexojmë edhe nga pena që duan të quhen të afirmuara, të atdheut.
Mirë do të qe këtu, të bëjmë me dijeni se, jo vetëm që mes diasporës më të re shqiptare, në Perëndim përgjithësisht dhe në Greqi veçanërisht, lëvrojnë figura të spikatura dhe intelektualë me potencial shkencor të lakmueshëm, si nga atdheu nga ikën por dhe nga ai ku janë vendosur. Dhe mbi të gjitha, një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve dhe forcave progresiste të ndodhura në Perëndim, janë të gatshëm për të kontribuar për ngritjen e nivelit intelektual të atdheut. Assesi, nuk duam këtu të besojmë se, një sulm i tillë ndaj emigracionit, fsheh në vetvete xhelozinë e mirënjohur të mediokrit. Nuk ka asnjë dyshim që, duke qenë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë, një pjesë kaq e madhe e popullsisë, doemos që është reale mundësia të ketë në gjirin e saj elementë mediokër e të pa kulturuar. Sikurse, asnjë dyshim nuk ka se, midis asaj pjese intelektualësh që nuk mundën të emigronin pas ndryshimeve të mëdha të viteve ’90, ose ngaqë nuk mundi ose ngaqë menjëherë u rehabilitua ekonomikisht e politikisht , me mënyra dhe taktika që janë publikisht të njohura, ndeshim, si elementë mediokër por edhe nga ata mbi mesataren. Është e pavërtetuar deri më sot, të paktën, që në kohën e ikjes së madhe nga Shqipëria, të bëhej përzgjedhja e trurit. Askush nuk bindet se, me një mënyrë krejt magjike, jashtë mëmëdheut u larguan më mediokrit dhe atdheu ishte me fat, pasi mbajti mëndjendriturit. Për ata që kanë provuar emigrimin, është fare e qartë se, një tezë e tillë, jo vetëm që është fyese dhe denigruese, por edhe krejt e rrezikshme.
Një interesim në rrugë dhe me interes të sinqertë profesional ,nga gazetarët ose opinionistët e gazetave në atdhe, do ti bindëte ata për këtë. Në të gjitha shtetet ku janë vendosur shqiptarët, pas çrregullimit të përgjithshëm të 91-shit por edhe gjakëderdhjes vëllazërore të 97-ës, në të gjitha instancat e jetës publike dhe intelektuale të shteteve ku banojnë, ata kanë mundur të inkuadrohen e të integrohen tërësisht. Mund ti gjesh lehtë, si në auditorër e Universiteteve, po ashtu dhe në stacionet radiofonike e televizive më të mëdha vendase, si në shtypin qëndror, aq edhe në fushat e tjera shkencore, ku ushtrojnë me sukses të plotë e me profesionalizëm për tu lakmuar, shkencat e tyre dhe që nderojnë , jo vetëm emrin shqiptar por kontribuojnë në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve e Shqipërisë nëpër botë. Ndër të tjera, për mendimin tonë, janë shqiptarët e diasporës ata që bëjnë të dëgjohet tek tuk për ndonjë gjë pozitive atdheu. Kolegët e që ndodhen pas, në të shumtën e rasteve, konsumohen në grindjet e pafund mes tyre e në luftën e përditshme me pushtetin e korrupsionin.Përgjithësimet dhe fajet kolektive, i përkasin një sistemi tjetër dhe një periudhe të zymtë, nga e cila njerëzimi, vetëm gjëra të errëta ka për të mbajtur mend. Pasi, të shprehesh kaq lehtë se ... duhet të votojnë ata që e meritojnë, përbën në vetvete një dallim të ulët dhe fort poshtërues.
Cili është vallë ai që do ti ndajë shqiptarët në ata që meritojnë (lëshimin?) për të votuar dhe në ata që nuk e meritojnë?!A nuk përbën kjo në vetvete, një përçarje shumë tërrezikshme? Domethënë , na thuhet me pak fjalë se, njëri prej vëllezërve që banon në Greqi, nuk është i denjë të votojë , kurse vëllai tjetër që ndodhet në Shqipëri, e ka këtë privilegj pasi, jo vetëm që ky i dyti e dashka më tepër atdheun(thua se atdheu është diçka abstrakte dhe nuk është tërësia e atyre që e përbëjnë atë), por mbi të gjitha, është dhe më i zgjuar pasi, kështu është vendosur nga dikush në atdhe. Mirëpo, nuk përfundojnë këtu absurditetet e fundit të hedhura në shtyp. Sikur diçka ti ketë pickuar disa nga kolegët, na përshkruajnë sikur të jemi njerëz të egër dhe të fshehur në strofka bishash të pazbutura. Ejani në vete vëllezër. Nuk është aspak në nderin tuaj, si atë personal por edhe atë profesional. Ç’lloj gazetarie është kjo, tek e fundit që, e nisur nga kushedi cila ndjenjë inferioriteti apo frike, mundohet si e si të poshtërojë një pjesë kaq të madhe të kombit? Ajo që është, madje, krejt shqetësuese për ne të ndodhurit në emigracion, ka të bëj me një lloj përjashtimi nga jeta publike, që na përgatitet. Të mos njohë gjendjen e emigrantëve në shtetet fqinjë ose edhe gjetiu nëpër botë një qytetar i thjeshtë,është krejt e justifikueshme. Por kur kjo ndodh me ata që janë të angazhuar (me dëshirën e tyre) për ta informuar qytetarin nëpërmjet gazetave që zotërojnë, tingëllon absurde dhe është e pafalshme. Po si vallë, mund ti mohohet e drejta një shqiptari që jeton në Greqi, për të votuar, me justifikimin krejt banal të gjoja “mospjesmarrjes në jetën politike të vendit” kur ky, edhe në shtetin ku jeton, nuk e ka të drejtën e votimit?!
Me të vërtetë, vota është instrument i qytetarit për të përcaktuar se kush do ta qeverisë por, kjo, nuk është ekskluzivitet i atij qytetari që ndodh të ketë vetëm një shtëpi banimi dhe të përjashtohet ai që, ka ikur nga vendi për të siguruar për veten dhe për familjen, të ardhura më të mira nga ato që nuk do ti gjente kurrë në atdhe. Ka gjasa, një logjikë e tillë, të përdoret në bashkësitë e ndonjë fisi primitiv të Afrikës Qendrore, por assesi në një vend që pretendon të bëhet pjesë e familjes europiane. Po kështu, një tjetër tezë që mbështetet tek ideja se , emigrantët të mirëpritur janë për të votuar por duhet të paguajnë taksat, nuk ka sesi të mos na sjellë në mendje vetvetiu pyetjen ndaj artikullshkruesve, nëse dhe ata janë taksapagues të rregullt. Ndoshta, një informacion nga Banka e Shqipërisë, do ti bënte me dijeni për të ardhurat që i vijnë shtetit shqiptar nga emigracioni. Nuk mund të marr me mend, nëse një ditë të gjithë emigrantët vendosnin të mos nisnin më në atdhe të holla dhe tërhiqej nga tregu menjëherë monedha e shumëkërkuar e EURO-së, çfarë kishte për të ndodhur me ekonominë vendase. Por edhe vetë këta gazetashkrues e ideatorë të kësaj fushate kundër emigrantëve, mundohen të përfitojnë nga ata. Një shikim vetëm tek çmimi i gazetës së tyre në atdhe në krahasim me çmimin që shitet në Greqi, të bind për këtë.
Përsa i përket justifikimit se, gjoja emigrantët nuk janë të informuar për ngjarjet në atdhe, kjo është krejt e pabazë dhe nuk meriton ndoshta dhe përgjigje. Vetëm duhet theksuar se, nuk jemi më në periudhën e viteve ’80, por as dhe në vitet ’90. Informacioni është i gjithanshëm dhe i larmishëm. Sigurisht që vihen në dijeni me të gjitha hollësitë për gjithçka ndodh në atdhe dhe sigurisht që u shtrëngohet zemra kur ndeshen me të tilla zëra që, as më shumë e as më pak, të vetmen gjë që kërkojnë të bëjnë, është tu ngulitin akoma më tepër idenë se, në atdhe, i shohin vetëm si një send me leverdi, dhe paralel, si një rrezik që i kanoset rehatit të fituar prej disave. Fatmirësisht, edhe pse forcat tradicionale politike janë të lëkundura në një hap të tillë, forca të reja progresiste, sikurse ndodh me G99, e kanë prioritet të tyre politik pjesmarrjen e emigrantëve, pra të të gjithë shqiptarëve në të vërtetë, në procesin e zgjedhjeve. Është makabre , të paktën, të pajtohesh me zëra që pa hezitim, bëjnë thirrje për mënjanimin nga zgjedhjet një pjese kaq të madhe të shqiptarëve.
Le të shpresojmë se këta përbëjnë një minorancë që, herët a vonë, kanë për të kuptuar shërbimin jo të mirë që i sjellin shqiptarizmit, duke hedhur e mbrojtur të tilla teza të cekëta dhe shqetësuese.