13/6/08

Intervistë e Andis Harasanit dhënë N.Agos

Andis Harasani është Sekretar për Programin Politik të Partisë Socialiste të Shqipërisë si dhe Deputet i Parlamentit Shqiptar.

-Zoti Harasani, si mund të pëshkruhej sot, me pak fjalë, gjendja politike që mbizotëron në Shqipëri?

-Njëlloj siç mund të përshkruhej dhe dje, njëlloj siç do të përshkruhet dhe nesër. Vendi është marrë peng dhe po trajtohet si peng i një organizate të strukturuar sipas modelit të Ali Babait me shokë, që bëjnë plaçkë mbi njerëzinë ditën e natën, por dhe i flasin njerëzisë ditën dhe natën se do ta fusin në Shpellën e Thesarit, ku secili do të marrë një kompiuter në përdorim, do të marrë një lugë floriri në dorë dhe një vaskë po të florinjtë për t´u larë. Ku Aliu dhe ku Saliu, janë afër dhe larg, Saliu na tregon dhe përralla me centrale bërthamorë, projektin me siguri do t´ja bëjnë familjarët dhe po familjarët e tij do të punojnë aty. Vendi është në krizë politike të thellë. Kjo qeverisje nuk po qeveris dhe ka hyrë në konflikt të hapur me qytetarin dhe qytetarinë. Vendi është në krizë ekonomike. Luftëtari Sali i ka hipur kalit mbrapsht dhe nuk do të largohet pa i hequr atij të gjithë patkonjtë që t´i çojë në shtëpi. Varfëria është shtuar, çmimet janë rritur dhe ka qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në kufirin e fundit të ekzistencës. Ka një tension të jashtëzakonshëm, që fatkeqësisht do të rritet edhe më tej me afrimin e fundit të ditëve të Alit me Shokë.

-Partia Socialiste dhe aleatët e saj, përveç ushtrimit të opozitës në të cilën elektorati i vendosi në zgjedhjet e fundit, përgatitet për të qeverisur?

-Natyrisht. Një parti politike synon gjithmonë pushtetin për të bërë realitet idetë dhe propozimet e saj për shoqërinë. Por ndryshe nga çdo herë tjetër në historinë e Shqipërisë, kësaj rradhe, PS ka nisur të strukturojë një program serioz jo një ditë përpara zgjedhjeve, jo një katalog me ngjyra premtimesh qesharake e futuriste; PS ka nisur prej muajsh një dialog të hapur me qytetarët, ka nisur një tur që thith idetë e tyre, që pasqyron deri interesat e segmentit të fundit të shoqërisë, një program që po konsultohet me partitë partnere tona në Evropë si në Gjermani, Francë, Itali e gjetkë, me ekspertë nga më të mirët ndërkombëtarë në fusha të ndryshme dhe me ekspertizën absolutisht më të mirë vendase. Që ditën e parë të qeverisjes sonë, më saktë, që ditën e parë të së drejtës që do të na japë qytetari për t´i shërbyer, çdo shqiptar do të ketë në dorë piketat e rrugës që do të ecë gjithë vendi. Do të kontrollojë shërbesën tonë me këtë dokument dhe me atë realitet që do të ndryshojë në mënyrë drastike brenda shtëpive të gjithësecilit.

-Përsa u përket emigrantëve shqiptarë në vendet fqinjë, PS-ja, ka një plan të vetin, për mënyrën që ata do të kontribuojnë në jetën publike të ardheut, në mënyrë të organizuar?

-Ka dhe do të ketë edhe më fort motive të pashtershme që ata të mos e shohin Kakavijën e Kapshticën si dyert prej nga largohen prej pasigurisë, papunësisë dhe mungesës së shpresës. Ndërtimi i një Shqipërie e cila do të jetë streha e shqiptarëve, të jetë toka që u jep bukë, paqe dhe dinjitet, çatia ku ata do të gjejnë shpresë. Tashmë shqiptarët i ngjajnë një lisi me degë të shpërndara në të gjithë botën, ne do të fillojmë të trajtojmë rrënjët e tij që politika në vite e sidomos qeverisja e PD-së i ka rrëmuar e dërmuar.

-PASOK-u, partia motër në Greqi, ka hapur dyert për emigrantët. Socialistët shqiptarë, a kanë menduar të bashkërendojnë lëvizjet me kolegët grekë, për të “përfituar” edhe ata nga kjo nismë?

-Marrëdhëniet tona me PASOK-un janë mjaft të mira dhe ne kemi kontakte permanente me ta. Me PASOK-un nuk na lidh vetëm ideologjia e të majtës evropiane, por ato janë dhe një projektim i dëshirës së dy popujve këtej dhe andej kufirit për fqinjësi të mirë dhe bashkëjetesë normale.

-Çfarë ka ndryshuar, zoti Harasani, nga momenti i kalimit të drejtimit tek Edi Rama,brenda saj PS-ja?

-Nuk dua të bëhem pjesë e tabelave të llojit dje dhe sot, të krahasimeve të tre të mirave dhe dy të këqijave, nuk dua të listoj ndryshime e gjëra të këtij lloji që i referohen të kaluarës. Ajo që është e rëndësishme është që PS sot ka gjetur trendin e saj të duhur. Ajo është një nga pak segmentet evropiane të shoqërisë shqiptare, pa dyshim partia më e emancipuar në vend e shenjuar me targetin historik që të bëjë një histori ndryshe në Shqipëri.

-Kohët e fundit, mjaft zëra janë dëgjuar, kryesisht nga e djathta,mbi qëndrimet e Kryebashkiakut të Himarës zotit Bollano dhe Prefektit Ksera. Vërtet, cili është qëndrimi i PS-së në këto çështje, dhe a mendoni se zhurma ka tejkaluar rëndësinë e ngjarjeve?

-Probleme të tilla janë delikate. Zakonisht për nacionalizmin flasin më shumë kozmopolitët, në kuptimin e keq të kësaj fjale. Zakonisht nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve të kësaj bote. Unë besoj fort përtej çdo retorike se ju emigrantët tanë në Greqi dhe minoriteti grek këtu në Shqipëri janë dy shtylla që kushtëzojnë deri dhe politikën për të qenë korrekte në të dy anët e kufirit. Jam i bindur se marrëdhëniet njerëzore mes nesh janë edhe më të larta, edhe më të forta sesa marrëdhëniet protokollare zyrtare. Kështu është sot, kështu do të jetë dhe nesër.

-Pas Samitit të Bukureshtit dhe ftesës së Shqipërisë në NATO, cili duhet të jetë objektivi më i afërt i politikës së jashtme shqiptare?

-Përcaktimi strategjik i vendit për orientimin e pandrushueshëm të tij euroatlantik është busulla jonë. Por ky përcaktim nuk realizohet thjesht duke bërë detyra shtëpie, duke zëvendësuar Kallashnikovin me M-16-n, ai bëhet duke pasur një Tiranë, evropiane, duke bërë evropiane Shkodrën, Pukën, Sarandën, Korçën e gjithë Shqipërinë një vend evropian, duke e bërë atë një shtet të së drejtës dhe të mbretërimit të ligjit, një shtet që lufton korrupsionin, krimin e organizuar dhe që ndërton një ekonomi që u jep më shumë se vetëm bukë qytetarëve të tij.

-Socialistët shqiptarë, si një forcë politike e madhe, kanë ndërmarrë nisma, veçmas nga qeveria, për afrimin e Shqipërisë me Institucionet Evropiane, patur këtu parasysh, vonesën e theksuar që vërehet në këtë drejtim?

-Nuk di nëse i referohemi lëvizjes sonë të fundit për afrimin me BE-në, por unë do të doja të përmendja, veç të tjerash dhe inisiativën tonë për reformën në drejtësi, sa për të dhënë një shembull. Emancipimin e saj politik PS po kërkon ta afrojë si një mjet për emancipimin e gjithë shoqërisë. Reformat e mëdha, si rregull inicohen nga qeveritë dhe mbështeten apo kundërshtohen, sipas rastit, edhe nga opozita. Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Përballë një qeverisje të paaftë, opozita po propozon dhe po luan rolin e violinës së parë reforma të qenësishme për vendin. Mendoheni këtë si një parathënie për atë që do të bëjmë nesër kur të jemi në pushtet.

-Kryetari juaj, Edi Rama, është një figurë politke relativisht e njohur në Ballkan dhe Evropë, edhe pse nuk ka qeverisur deri më sot. Besoni se, ardhja në pushtet e socialistëve, do të mundësohet falë dhe figurës së tij?

-Nuk është e vërtetë që Rama nuk ka qeverisur. Ai ka qenë ministër kulture dhe ka mandatin e tretë të drejtimit të qëndrës më të madhe administrative në vend, të Tiranës. Se çfarë do të ndodhë nesër, ju ftoj të kujtoni Tiranën e vitit 2000, vend i kioskave, i barbarisë urbane, fshatin e madh ku vetëm pihej kafe e raki, shkollat pa dyer e dritare dhe sot të shndërruar në një metropol evropian. Në Tiranë kanë mbirë kumbullat e kuqe të cilat i japin hijeshi bulevardeve kryesorë të tij, dhëmbët e mpirë nga kumbullat janë ato që thartojnë portretin e qeverisjes. Ardhja në pushtet e PS-së nuk mund të jetë vepër e një individi dhe kjo është diferenca jonë e madhe me PD. PS është një ekip ku natyrisht kapiteni ka rolin e tij kryesor, një rol që krijon sërish një kontrast të madh me anën e kundërt të barrikadës: ne ndërtojmë dhe dimë e duam të ndërtojmë, ato na hedhin të gjithëve në erë.

-Cili është prioriteti i politikës së jashtme të PS-së, sikurse ai nënvizohet në statut?

-Besoj se u përgjigja, integrimi euroatlantik i vendit, rikthimi i tij në hapësirën e madhe të demokracisë evropiane.

-Greqia, përsa i përket renditjes teorike por edhe praktike të aleatëve të Shqipërisë, në cilion vend rezulton, zoti Harasni, për PS-në?

-Nuk dua të bëj renditje si në kampionat futbolli. Greqia është vend fqinjë, ka një komunitet mjaft të rëndësishëm emigrantësh ekonomikë shqiptarë, ka një marzh të caktuar të marrëdhënieve ekonomike e të gjithë llojeve të tjera, të cilat shpresoj se do të rriten edhe më tej, është aleati ynë i ri në NATO.

-Në Greqi, jetojnë afërsisht 800.000 shqiptarë. Mbi 100.000 janë fëmijët që shkojnë në shkollat greke. Për arsimimin e tyre dhe për të mos krijuar një brez të tërë shqiptarësh që nuk do të dinë të shkruajnë shqip, duhet të ketë një strategji kombëtare, apo kjo nuk është kaq e rëndësishme për qeverinë e sotme?

-Kjo është një pyetje e trishtueshme. Për këtë pyetje po ju jap vetëm një përgjigje: vetëm Top Channel ka bërë për këtë pikë më shumë se qeverisja e zotit Berisha, me gjithë Pollon e arsimit brenda. Besoj se u kuptuam.

-Zoti Harasani. Faleminderit për kënaqësinë që më dhatë të bashkëbisedonim dhe shpresoj, njëherë tjetër, të flasim edhe për tema të tjera, që nuk mund të përmblidhen në një intervistë të vetme.

-Faleminderit ju!