7/6/08

Inagurimet, trafiku njerëzor dhe NPM-ja (Protagonistët 30)


Nuk kanë kaluar shumë ditë nga biseda me një miken time juriste në atdhe, rreth së ashtuquajturës siguri sociale, që mbizotëron ,tashmë, në Shqipëri. Është mëse e vërtetë se, askush nuk ka më oreks të dalë e të protestojë. Por më kryesorja, është humbja e objektivit. Në protestë, del ndokush me një qëllim të veçantë dhe drejtohet në një institucion të veçantë. Në Shqipëri, i veçantë është vetëm institucioni ku duhet të protestohet (por që assesi nuk bëhet) dhe i përgjithshëm qëllimi. Qeveria është konkrete. Objekti i të protestuarit është ktyher në abstrakt. Për çfarë , vallë, mund të protestoj ndokush në vendin e shqiptarëve?! Për gjithçka?! Problemi është se, ku fillon gjithçkaja, kur për të gjitha duhet të protestosh. Nisur nga kjo, dorëzimi ndaj indiferencës, është dhe zgjidhja më efikase

Parë në këtë prizëm, me të drejtë prozhektorët e mediave, janë kthyer drejt Parlamentit,Presidencës,Kryeministrisë dhe Ambasadës Amerikane! Atje ndodhin dhe ngjarjet më të spikatura të jetës politike shqiptare. Larg syve të masave. Atje ku Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit të Medi Gërdecit (!) e Parlamenti i Jozefinës ndrydhet disi, aleati më i ngushtë i zëvendësueses së Sollakut, njofton praninë e tij. Amabasadori amerikan në Tiranë, i kërkoi(!) Parlamentit të veprojë shpejt e të mos hallakatet për heqjen e imunitetit të Medi Gërdecit! Me plot të drejtë. Tek e fundit, kush më tepër nga amerikanët e duan zbardhjen e Gërdecit? A nuk janë ata që kanë dhe përgjegjësinë e qeverisjes së ...globit?! Pjesë e këtij të flamosuri jemi dhe ne. Me të drejtë, shqetësohen miqtë amerikanë.

Madje, një mendim që hedhin “ProtAGOnistët” dhe që mund të rezultoj i dobishëm për ambasadorin e vendit mik por edhe për ligjëvënësit shqiptarë, është të mundësohet me ligj, kalimi i qeverisjes së shtetit tonë, direkt në Ambasadën amerikane në Tiranë, pa qenë nevoja të kalojnë direktivat edhe nëpër zyrat e Kryeministrisë. Ose akoma dhe më keq, të angazhohen me ligjet edhe ministritë. Humbje kohe, ka për të qenë. Të qenit ministër, në vetevete përmban angazhimin total. Ndaj eprorit dhe së ardhmes. Së ardhmes personale dhe të familjes, të elektoratit “të zgjedhur”. Kësisoj, nëse do të nevoitej, ministrat tanë të merreshin edhe me politikë, ç’kuptim pastaj, do të kishte e gjithë përpjekja për të marrë pushtetin, partia e tyre?! A nuk mjafton devotshmëria ndaj partisë mëmë?

Nga e cila, ministri pret shpërblim, dhe jo të harxhojë kohën me kotësira. Ftesa në NATO si dhe perspektiva se në vitin 2013 mund të ftohemi për të negociuar përfundimisht me BE-në, mjafton për të përmbushur rolin që duhet të ketë një vegël e pushtetit. A nuk është shërbëtor i popullit, një ministër apo deputet? Sigurisht! Atëherë, asnjë shërbëtor nuk mund të merret me qeverisje. Ajo i lihet padronit. Ndoshta, tani që presidenti amerikan do të ndryshojë, bëhet dhe rregullimi i duhur i ekzekutimit të pushtetit. I jepet roli që meriton dhe që ka ëndërruar prej kohësh, edhe Kryeminsitrit de jure. Një palë gërshërë, për të prerë shirita inagurimi, në rrugët që gjithandej kryqëzohen mbi kurrizin e Shqipërisë. Mijra kilometra rrugësh, që një ditë të krenohemi.

Dhe të krenohen edhe ato vetë se, shiritin e ka prerë “Njeriu i Premtimeve të Mbajtura”. Zelli me të cilin pret shiritat NPM-ja, u ka nguliturr në mendje të gjithë shqiptarëve, të lenë mënjanë ambicien për tu bërë një ditë emigrantë. A nuk do të qe më me vend, secili prej nesh, të kthehej në rrugë e të na priste shirtin vetë “Njeriu i Prmetimeve të Mbajtuara”?! Vetëm brenda një dite, nëntë rrugë, patën fatin t’u priste ai shirtin.Sa i vafër duket për ballë këtij realiteti, ai kopështi për fëmijë që Edi Rama pati guximin të inaguronte. Tek e fundit, fëmijët kopështarë nuk votojnë. Lodhje e kotë e kryeopozitarit. Veç të tjerave, këto janë dhe rrugët nga ku ne si komb, bëjmë dhe tregëtinë.

Ç’tregëti, do më pyesësh?! Të shumëllojshme. Tani së fundi, tregëtia ku dallohemi si komb, sipas raportit vjetor të Departamentit të Shtetit (shteti është një dhe pyetje nuk pranohen) është ai njerëzor. Gjashtë vitet e fundit, thotë, ishim në kategorinë e dytë. Këtu bëjnë pjesë shtetet që përparojnë por akoma kanë rrugë për të bërë. Sivjet, ramë një kategori në renditje dhe jemi tek vendet ndën vëzhgim. Mirëpo, edhe pse jemi nga ato vende që vëzhgohemi, prapëseprapë, mes rrugëve që përditë inagurohen nga NPM-ja, trafikohen për në Perëndim, vajza dhe gra shqiptare. Mikrob që nuk shqitet pre Shqipërisë. Dikur “furnizonim” Perëndimin me prodhimet tona bujqësore. Sot, sërish nga ne pret të furnizohet. Deri kur, vallë, do të na vjelin djersën, vëllezër, dembelët evropianë?! Duhet një zgjigjje.

Dhe zgjidhja mund të vij, vetëm prej shqiptarëve. Në pamundësi ta gjejnë zgjidhjen shqiptarët e ndodhur në atdhe, vëllezërit e kudondodhur në Ballkan, janë të gatshëm. Dhe gadishmëria e vëllezërve tanë Ballkanas, asnjëherë nuk mund të neglizhohet apo shpërfillet. Si askund nëpër Evropë, vetëm mes shqiptarësh ndodh që, zgjidhja të gjendet me grykën e pushkës. Komb trim e i paepur. Përditë dhe e tregojmë, përditë dhe e vërtetojmë. Zgjedhjet e fundit në FYROM, këtë na e bënë të qartë. Një i vrarë, (doemos shqiptar), disa të plagosur,(afër mendjes se ishin shqiptarë) dhe padyshim, vërtetimi i zgjidhjes së problemeve tona me mënyrën që vetëm ne dimë. Më kot, shkojmë dhe votojmë për ata që do të na qeverisin, kësisoj. Përfundimi është përherë i njëjtë: Vetëzgjidhja shqiptarçe!

Thanë:
Është mungesë edukate të detyrosh një idiot të hesht dhe krejt brutalitet ta lësh të vazhdojë.
Benjamin Franklin