2/6/08

Protagonistët (29)

Dikur, telat me gjëmba, ushtarët dhe frika, i kishin bërë kufijtë tanë të pakapërcyeshëm. Nga taa që ishin brenda tyre, sigurisht. Ata që ishin nga krahu tjetër, nuk e paskëshin patur ndonjëherë qëllim, sikurse e mësuam më vonë. E megjithatë, kloni qëndroi atje i paprekëshëm. Sot, kur kufijtë tanë janë të kapërcyeshëm lehtë, e çfarë nuk kalon prej tyre?! Sërish na raportojnë ndërkombëtarët (është termi që përdor shtypi i atdheut për të treguar se jemi integruar në Evropë) se atje ku dikur qëndronte vigjilent kloni, sot është monopati i drogës, armëve, fëmijëve, femrave, automjetve të vjedhura etj, etj,! Edhe këta ndërkombëtarët, tjetër punë nuk paskan. Vetëm të bëjnë raporte për ne paguhen? Po na lini rehat o vëllezër (ndërkombëtarë) të bëjmë “punën” tonë.

Çfarë? – nuk është “puna” jonë të trafikojmë gjithçka që lëviz?! E kujt është, nëse nuk është e jona, atëherë? Ne kufijtë i kemi për të kapërcyer e shkelur. Ndoherë edhe i mbyllim. Por vetëm kur ata janë të helmuar.Se ne kemi dhe kufij të helmuar, miku im i mirë. E dëgjove lajmin e Morinit ku kufiri Shqiptaro-Kosovar ( domethënë, Kosova është shtet tjetër që ndahet me kufi nga Shqipëria , duhet theksuar) u mbyll për pak kohë! Sulfur e squfur, vaj edhe uthull. Hajde të ndash të thartën nga e thartuara, lëngun nga thelat e mjaltin nga ... hajde se nuk po e them.

Në Shqipëri njerëzit keqtrajtohen, torturohen, trafikohen kurse ish Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, është shkarkuar në rrethana të dyshimta”. Ky është konkluzion i...ndërkombëtarëve. E kush të rreh e torturon në Shqipëri njëherë?! Po qe se këta ndrëkombëtarët bëjnë fjalë për shtetin, mirë bëjnë të mësojnë disa gjëra për ne. E më kryesorja, që duhet të mësojnë, është se ne, akoma nuk kemi shtet. Bie fjala, nuk kemi një shtet që nuk të rreh. Pa përmendur këtu që, kush të rreh edhe të do. Po patjetër. Pse nuk rreh shteti ynë edhe qytetrët grekë ose italianë? Sepse nuk i do pra! Nuk do e hedh dëm drurin për “armiqtë”. Rreh , torturon, trafikon vetë shqiptarët. Thodhori Sollakun e shkarkoi më kot? Ndërkombëtarët kajnë lajthitur!

Po si more byrazer, e shkarkoi kot, kur Thodhoriu qe vendosur atje nga socialistët?! Pastaj na thonë që shqiptarët trafikohen. Hej bela. E kush i blen këta shqiptarë të trafikuar? Këtu nga Shqipëria nuk është të blesh gështenja, e jo më të zotin. Të qe për të trafikuar, do na kishte trafikuar Enveri , në kohën që u jepte misër gjeorgjian fqinjëve, për të “mbajtur frymën gjallë”! Ne i besojmë dhe i nderojmë ndërkombëtarët, po këta të “Amnesty International”, nuk do jenë ndërkombëtarë. Nuk ka tjetër shpjegim. Sepse, që shteti e do qytetarin, vërtetohet edhe nga “kujdesi” i fundit i “Njeriut të Premtimeve të Mbajtura” ndaj gazetarëve. Padyshim që, ankthi për t'i patur nën kontroll, tregon vetëm përkujdesje. E kush për të kundërtën dyshon, le të ankohet tek ndërkombëtarët.

Të ribëjnë një raport vjetor ata, e ta bëjnë zap. E pastaj, t’u rrëshqasë çarçafi e të zgjohen. Mediat tona e shtypi ynë në atdhe, mund të kontrollohet vetëm nga pushteti. Nga askush tjetër. Pastaj, kush nuk e di proverbin e mënçur të popullit të vjetër shqiptar?! Ops! Ngatërresë e paqëllimtë. Proverbin e vjetër të popullit të mënçur shqiptar, desha të shkruaj. Se ne jemi popull shumë i mënçur. Tejet mesatares... popullore. Shih , bie fjala, reagimin e medias për aksidentin e biznesmenti mediatik. Me mënçuri, nuk përmendet se gjeti vdekjen bashkë me të, edhe një gazetare. I paharruar kujtimi i djaloshit. Por edhe kolegia, shpirt kishte. Besoj! Mbase nuk kishte para dhe pushtet. Kolegë ama, kishte, dua të besoj.

Por këto janë gjëra jo dhe kaq me rëndësi kur, reth nesh, ndodhin përmbysje të papara e dëgjohen deklarata të padëgjuara. Njëra prejt tyre u lëshua kësaj radhe nga Kryeparlamentaria e Shqipërisë. Brenda një viti , na bën me dituri Jozefina, ne do të jemi vend kandidat për të hyrë në BE. E po kjo është për t’u festuar. Ja një rast i artë për “Njeriun e Premtimeve të Mbajtuar”. Pas përfundimit të fushatës “Na ftuan në NATO ,më duartorkisni!”, të rifillojë menjëherë fushatën “Kandidat për në BE, më riduartokisni”. E kësaj here, le të shoqërohet edhe nga Kryeparlamentaria. Duartrokitjet do të jenë të shumta për ti përballuar i vetëm. Domatet e prishura, kur qarkullojnë në Shqipëri?

Se për pak harrova të them, ngaqë kisha fjalën tek domatet e prishura. Beogradin e pushtuam! Patjetër! Ka ardhur koha të bëhet një tubim në “OMONIA” nga shoqatat shqiptare me titull: Beogradi vajti, Beogradi ra, Olta të na rrojë, la e më la! Nuk është pak të këndosh në Beograd sot. Por ne, sypatrembur e vigjilentë, këndojmë në gojë të ujkut. Hedhim edhe valle, po qe nevoja. E mes të gjitha këtyre lajmeve e habereve që vijnë nga atdheu, mësojmë se në Korçë nuk vijnë më...lejlekët! E ç’të bëjnë lejlekët që të vijnë?! Lejlekët, as në NATO kanë nevojë të ftohen e as në BE të venë, janë kandidatë. Pale që, “kokën e DEA”-s e ka falur Zogu! Përpara apo pas “faljes së madhe”, kjo akoma nuk dihet! Sikurse dhe nuk dihet nga vjen, rritja e vetvrasjeve në Shqipëri. Kur kushtet ekonomike janë të siguruara. Për qeverinë e të sajtë!

Thanë :
Kush kritikon një shkrimtar se është i zymtë, fillimisht, duhet të shohë brenda vetes, nëse ka dritë të mjaftueshme. Në terr, akoma dhe shkrimi më i pastër, nuk mund të lexohet.
Gëtte