3/5/08

Protagonistët (3)

@Lavdi 17 Nëntorit! Lavdi 17 Nëntorit! dëgjohej gjithandej në fundjavën që shkoi në Athinë. Për ndokënd, që nuk ka dëgjuar, përse përkujtohet nga grekët data e mësipërme, është enigmë e pazgjidhur: Duhet të kenë ndjekur, patjetër, skuadrën e famshme të Tiranës kur quhej e tillë( përpara se të na vinte demokracia,sigurisht, pasi sikurse njohim, e ndryshoi dhe ajo emrin, ngaqë vajti në emigracion)dhe demonstrojnë për rivënien e tij, ndoshta mendon. Pas largimit nga arka e pagimit,asnjë gabim në llogari nuk njihet! Minga, Kola, Omuri, Josa,Muça etj, i vijnë papritmas ndërmend dhe me zor përmbahet të mos brohoras dhe ai Di-na-mo!Di-na-mo!Di-na-mo! Tani që mu kujtua: përse Dinamon e lamë Dinamo dhe nuk e pagëzuam,bie fjala, “Zogu blu”? Ja dhe diçka që na dallon nga fqinjët. 17 Nëntorin e famshëm, edhe pse ne e kishim dikur skuadër futbolli(rahmet pastë), kurrë nuk brohoritëm për të me kaq forcë, sa e bëjnë gjitonët. Doemos,tjetër tanket e Juntës Ushtarake të shtypin lëvizjen studentore,sikurse ndodhi në Greqi më 1974-ën, dhe krejt tjetër... një gol i shënuar ndaj Traktorit të Lushnjës.

@Çifti mbretëror i Britanisë së Madhe, mbushi 60 vjet martesë dhe, e festoi me madhështinë që i takon një evenimenti të tillë. Hero burri i mbretëreshës! Të durosh me të njëjtën grua, gjashtë dhjetëvjeçare, është me siguri, akt heroik. Dhe siç tregojnë bathët, janë larg Pashkët. E ëma e mbretëreshës, u nda nga jeta në moshën 101 vjeçe. Të rrëqeth vetëm numërimi! Tjetër heroizëm ky. Vjehrra në shtëpi dhe 101 një vjeçe!!! Larg e tutje, kur...bie fjala( dhe mos rëntë gazeta në dorë të gruas). Më mirë dënim me 101, se sa një mallkim i tillë torturues.

@Dorëheqjen në grup dha këto ditë, Autoriteti i Mbrojtjes së të Drejtave të të Dhënave Personale në Greqi, si rrjedhojë e funksionimit të kamerave përgjuese,dhe regjistrimit të pjesëmarrësve në tubimet masive, në përkujtim të ditës së 17 Nëntorit. Sentimentalizëm i theksuar, apo shenjë mosfunksionimi i instancave demokratike? Të ndodhur përpara faktit të kryer, ndërkohë që një veprim i tillë nuk qe miratuar prej kompetentëve të pavarur (duhet të ketë dhe kompetentë të varur, kësisoj), sikurse do shpreheshin nga anët tona në të tilla raste: u ngelën hapset e kashtës në dorë!
Qeveria, që interesohet për mbarëvajtjen e qetësisë publike, ka vendosur kamerat përgjuese,thonë, për të regjistruar personat e maskuar, që penetrojnë në të tilla demonstrime. Nëse akoma nuk e kuptuat, vetëm qeveria greke ka zbuluar kamera... që “shohin” poshtë maskave!!!
Kam një ide: le të kërkojë ndihmën e qeverisë mike greke, qeveria jonë, për të parë poshtë maskave dhe të maskuarve tanë bashkëpatriotë. Kemi plotë të tillë, sikurse e dimë. Ndoshta nuk tubojnë të organizuar por, edhe në grupe të vogla, punën e bëjnë.

@Fierza dhe Komani ,dëgjojmë, kanë mbledhur ujë dhe rrezikojnë të përmbyten fshatra përreth!
Alarm! Alarm!
Të supozojmë tani se, drita(që solli Partia) nuk ka për të munguar dhe gjeneratorët do zënë vendet e tyre në bodrumet e errëta të bizneseve të Shqipërisë, në pritje të ditës kur, qielli, do të hakmerret me ...kriptokomunistët dhe do të vendosë embargo ujore!

@Berluskoni ,lexojmë, xheloz nga të majtët , shpall mbylljen e “Forza Italia”-s dhe organizimin e së djathtës italiane, në një koalicion të gjerë që mban emrin “Partia Popullore për Liri”! Restaurim nga themelet, me të njëjtat lëndë ndërtimi. Sëmundje ngjitëse, ky organizim-çorganizimi i forcave politike, me qëllim orientim-çorientimin e elektoratit. Gjithçka përreth ndryshon dhe gjithçka ngelet si më parë.

@Mbështesim Pakistanin dhe jo Musharafin, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Oh! Oh! Harraq më duket administratori i planetit. Domethënë, ka të ngjarë, një ditë të dëgjojmë të tilla deklarata për ndonjë vend që presidenti-kauboj, vizitoi Qershorin e kaluar, ta zëmë? Kur amerikanët fillojnë dhe harrojnë emrat e bashkëbiseduesve të dikurshëm, zakonisht vijon “pagëzimi” i tyre.

@Kemi humbur metrin,kam idenë. Metrin që matet e vërteta dhe demokracia. Nuk jam dhe kaq i mirë si moralizues. Asnjëherë nuk isha dëgjues i vëmendshëm në orën e edukatës morale. Më irriton keqas momenti kur ndodhem përballë moralit. Amorali nuk e ka të drejtën të të bëj moral. As ty dhe as mua. Aq më tepër, kur morali ka shijen e athët të gazetarisë tendencioze. Miq të mi, gazetarë të shtypit të shkruar këtu ku lindi demokracia: lëreni mënjanë...shqetësimin për evropianët, të cilët sikurse shpejtoni ti paralajmëroni, kanë për të kryer akt të rrezikshëm, në çastin që do të njohin pavarësinë e Kosovës. Lërini të gabohen se, po të qe të prisnin tekat tuaja, ndoshta asnjëherë nuk do të fitonte një pavarësi të vërtetë. E di e di! Ndokush, i gatshëm për të “pagëzuar” sipas qejfit, do të shpejtojë të na radhisë në hordhitë e pafund të neonacionalistëve që, si sipërëmarrës besnik të mbrojtjes së moralit të atdheut, shtyhen për të zënë një vend të dukshëm në radhë. Me ndryshimin se,protagonistët në radhë nuk futen.

@Rast i artë për... flamujgrisës dhe flamujdjegës u humb të mërkurën në ndeshjen e të rinjve të Greqisë me ata të Shqipërisë. Të pafat fidanët futbollistë. Pak spektatorë, pak zhurmëbërës dhe krejt indiferentë shtypi ndaj ngjarjes. Durim dhe këmbëngulje sugjeroj. Vetëm pak vite dhe, keni për të shijuar dhe ju, përkujdesjen e duhur ekstremiste. Patjetër patjetër. Është çështje kohe.