@Po filloj kësaj jave, duke bërë autokritikë. Autokritikë që, ftoj të gjithë demokratët e vërtetë, ta marrin parasysh , për vetë faktin se, është e sinqertë dhe pa asnjë tendencë. Bëj autokritikë pasi, edhe pse javën që shkoi, kisha rastin e artë të uroj partitë politike shqiptare, me rastin e 66 vjetorit të themelimit të partisë së tyre mëmë, nuk e bëra. Dua këtu ti siguroj se, gjithçka ishte një rastësi dhe, asnjë qëllim denigrues nuk fshihte harresa. Kështu, besnik i dogmës “ më mirë vonë se kurrë”, uroj sot partitë tona politike : Rroftë Partia (Juaj)Komuniste dhe udhëheqësit e degëve të saj.
@Me sigurinë se të gjithë janë dakord me urimin dhe me shpresën se ndokush nuk e di vazhdimësinë e PPSH-së dhe lidhjen me partitë e sotme shqiptare, po bëj një “rifreskim” të kujtesës për realitetin.
Partia Demokratike Shqiptare ka në krye të saj një ish bir të denjë të PPSH-së dhe anëtar aktiv prej 22 vjetësh. Nga ana tjetër, Partia Socialiste është vazhduese e denjë e nënës së saj. Vetëm organi i shtypit që përdor, e mirënjohura “Zëri i Popullit”, të bind për të vërtetën dhe lidhjet “farefisnore”.
@Sistemi grek i drejtësisë, gjithnjë dhe më qartë, tregon si verbërinë e duhur ashtu dhe paanshmërinë që nevojitet. Një shembull i qartë dhe i pamohueshëm : Ish i dënuar me 25 vjet heqje lirie, për përdhunim të të paktën 14 fëmijëve, ishte i lirë me leje dhe, në kohën e lirë , shfrehu instinktet e tij shtazarake, mbi një fëmijë nëntëvjeçar me prindër shqiptarë. Kombësia e fëmijës,sigurisht e rastësishme , ngaqë kanibalit, nuk i prish punë origjina e “gjahut”, mjafton të ketë të ushqehet. Natyrisht, sërish ka për tu burgosur dhe sërish, ka për të dalë. Bëhet fjalë për drejtësi krejt të verbër,sikurse edhe vetë ajo e pranon.
@Në shtetin e organizuar dhe demokratik të Greqisë, askush nuk bën sipas oreksit. Ligji këtu funksionon dhe, ata që e shkelin, përballen me ruajtësit e tij. Ka raste kur, përplasja është kaq e bujshme saqë, forcat e rendit ikin nga vendngjarja me ...dy tre të plagosur. Mirëpo kjo ndodh rrallë dhe, nuk karakterizon në tërësi rendruajtsit. Por shteti funksionon. Vetëm nëse bëhet fjalë për kudo gjetkë, përveç zonës së njohur të Kretës me emrin Zoniana. Është atje ku, disa nga fshatarët e nderuar e të urtë, mbjellin hashash për të mbajtur fëmijët me bukë. Diku, u dëgjua ,madje ,që hashashi i importuar nga Shqipëria, është i cilësisë së ulët, ndaj dhe kanë filluar të mbjellin hibride të zgjedhura nga specie të rralla. Shkenca në shërbim të kualitetit. Këtu, duhet të ngrenë zërin hashashprodhuesit shqiptarë, për të mbrojtur nderin dhe emrin e rrallë që, me kaq mund e djersë, vitet e fundit ka fituar hashashi ynë.
@Nëse dikur, propagandonim misrin gjeorgjian , me të cilin mbanin shpirtin gjallë grekët dhe na e kishin për nder , sot, ka ardhur koha, vetë ne, të mbrojmë e propagandojmë cilësinë e lartë të hashashit që prodhojmë. Nuk është e paktë, për një shtet kaq të vogël dhe të dobët ekonomikisht siç jemi ne, të kemi një vend të zgjedhur dhe kaq lart në piramidën e vendeve me prodhimin dhe shpërndarjen të hashashit. More, kot tha qeveria që, do konfiskojë tokën e atyre fshatarëve që e lenë djerrë. Le të shpërndajë farë të zgjedhur hashashi dhe, të shohim pastaj nëse do të ngelet dynym toke pa punuar. Seç më ngjan ky fshati me një fshat në jug të Shqipërisë po, nuk më vjen ndërmend tani...! Me siguri se, ti që po lexon, të ka shkuar mendja patjetër se, për kë bëhet fjalë.
@Futbollist amator shqiptar, u kap nga policia në Athinë, si pjesëtar i një grupi të vogël hajdutësh, i cili kishte si mision “lehtësimin” e familjeve me... mbingarkesë të theksuar mjetesh elektroshtëpiake dhe elektronike! Këto janë dhe pasojat e kurbetit. Njeriu bën çfarëdolloj pune, pa u sprapsur nga fakti që, nuk ngjan me profesionin e tij. Të paktën, le të na vlerësohet edhe kjo sakrificë. Ditën futbollist dhe natën fut boll xhepist!
Sukses i emigrantëve shqiptarë në Greqi. Me forcë dhe me bindje, mbështetën rizgjedhjen në krye të Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PA.SO.K) të zotit Papandreu, dhe tashmë të lumtur, presin të shijojnë frytet e përpjekjes së tyre. Natyrisht, dikush ka për të thënë se, veprimi i parë i Kryetarit, kur të rivijë në krye të qeverisë (një fjalë goje është kjo), ka për të qenë miratimi i një ligji (i cili ka vite që “piqet”)që do të jetë në favor të emigrantëve.
@Pas kësaj,parashikohet jetëgjatësi shekullore e emigrantëve në Greqi!...
Sa shumë ngjajmë me njëri-tjetrin ne popujt gjitonë. Sidomos shqiptarët dhe grekët. Nëse në Shqipëri drejtor shkolle mund të emërohet një ish polic por që, është krejt i denjë për partinë dhe simpatizant i devotshëm i saj, në Greqinë fqinje , nuk janë të ndryshme dhe larg këtij realiteti demokratik ndodhitë. Shefi i Sektorit të Kardiologjisë në spitalin shtetëror “IPOKRATIOS”, ka paraqitur, thuhet ,diplomë të falsifikuar!
Këto dredhi, miku im, i bëjmë dhe ne në Shqipëri. Tani u ngatërruam, kush ka mësuar cilin?! Ne u kopjojmë, apo ju vilni nga ne teknikën e të gënjyerit?