@ Ka çaste që, më hipën një dëshirë e çuditshme. Thuajse mbinjerëzore. Dua të pyes një datë. Jo çfarëdolloj date, natyrisht. Dua të jem përballë 29 Nëntorit( e bëra dje, me thënë të drejtën) dhe ta pyes se, si ndihet që, sa herë ndërrohet qeveria në Shqipëri, kalon në stolin e rezervave, në pritje të rindërrimit, për të ndjerë dhe ajo se, ka rëndësi festive?! Nuk arrin të ndjehet e rëndësishme, të ndjehet e përkujtuar, të quhet ditë kombëtare dhe, i vjen “tavani në kokë”. Është njëkohësisht çudi dhe rutinë. Nuk duhet të ketë në globin tokësor, rast të ngjashëm me këtë tonin. Akoma nuk kemi vendosur kur jemi çliruar, nëse jemi çliruar dhe nga kush jemi çliruar?! Ndërkohë, nuk duhet të ketë ngjarë, në të pesë kontinentet, të festohet çlirimi i atdheut, vetëm kur në pushtet është një forcë e caktuar politike. Aspak e çuditshme nuk do të më dëgjohet, një ditë të mësoj se, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” , monumenti “Nënë Shqipëri” dhe “Varrezat e Dëshmorëve”, janë tokë private, të cilës, i zoti i gjeti tapitë në sepeten që i la gjyshja në një fshat malor të rrethit të Lushnjës, dhe për pasojë, të na falin të rënët po, duhen ngritur qendra moderne tregtare. Qoftë dhe pa energji elektrike. Lavdi gjeneratorëve, dëgjohet më këndshëm nga e demoduara “Lavdi dëshmorëve”!
@ Shkenca duhet ndjekur me vëmendje, pavarësisht nëse konkluzionet që nxjerr, janë në favorin tone ose jo. Sipas një sondazhi të fundit të organizuar në 18.000 familje greke, rezulton si më poshtë:
Në 2 vitet e para të martesës, 3% e grave dhe 15% e burrave, kanë marrëdhënie jashtë martese. Vitin e 5-të të martesës, përqindja e burrave që ndjehen të “velur” nga prania e bashkëshortes, kap shifrën 30% dhe e grave 10%, për të arritur në vitin e shtatë ku, 65.5% e burrave e marrin vendim se, bashkëjetesa me të njëjtën grua i kalon kufijtë e durimit ,të ndjekur sakaq nga 64.5% e grave, të cilat, e shohin, tashmë, bashkëshortin e tyre, si një barrë të padurueshme që duhet lehtësuar, me gjetjen e një miku “shpirtëror”. Sikurse thotë dhe një miku im gazetar, mbas një shtatëvjeçari martesor, ndjesia e të përkëdhelurit të pulpave,asnjë ndryshim nuk ka! Qoftë jotja, qoftë e gruas(pulpa), dallimi është i papërfillshëm!!!
@ Pas “përgjërimit” të Departamentit të Shtetit, në prehërin e diplomatëve amerikanë, me qëllim shprehjen prej tyre të gadishmërisë të shërbejnë në Irak, jemi me fat dhe përjetojmë të njëjtën gjendje në shtetin Helen. Instancat qëndrore të policisë, janë duke lutur,me qarkore pas qarkoresh, për shprehje vullnetarizmi të rendruajtësve, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e stacionit të policies në zonën e shumëpërfolur të Zonianasë në Prefekturën e Rethimnos në ishullin e Kretës. Dëshira në shërbim të detyrës. Ligji i lutet Maliqit.
@ Kolegët gazetarë grekë, për njëzet e katër orë, mbyllën në sirtare fletoret dhe lapsat dhe kyçën në zyrë mikrofonat, në shenjë proteste për qëllimin e qeverisë të njësojë moshën e daljes në pension, me atë të inxhinierëve. Veprime të tilla, doemos nuk mund të ndodhin me kolegët e mediave shqiptare. Jo për ndonjë tjetër arsye, sesa për faktin që, të tilla kërkesa, mund të konsiderohen sa absurde, aq dhe të keqkuptueshme. Fjala pension të ngjall tmerr dhe fjala demonstratë, të bën menjëherë, armik të shfaqur të qeverive tona.
@ Jam i painformuar mirë, dhe dua për këtë të bëj autokritikë, mbi gjendjen e sotme të sistemit shëndetësor(?) në atdhe. Nga përvoja që kam personalisht, mund të deponoj publikisht se, është kaq e sigurt që sistemi shëndetësor në Shqipëri vazhdon të jetë “falas”, po aq sa është e sigurt se, mjekët nuk marrin zarf !!! Mjekët dhe postierët janë të vetmit persona në Shqipëri që, marrin zarfe në duar. Me dallimin thelbësor se , postieri e çon tek letërmarrësi(kur mundet dhe kur nuk dyshon se mund të ketë brenda ndonjë kartëmonedhë) dhe mjeku e fut në xhepin e vet. Zarfi i mjekut, me siguri nuk ka brenda letra dashurie, dua të besoj...
@ Më pëlqen mjaft ngjashmëria e disa profesioneve.Fillimisht, sipas ligjit të fundit që miratoi Parlamenti grek, deputetët që zgjidhen për dy legjislatura, fitojnë automatikisht të drejtën e daljes në pension. Deri këtu, asgjë për tu shënuar. Kur je afër mjaltit, mund të lëpish dhe gishtat. Të njëjtin afat kohor, duhet të përmbushin edhe minakërkuesit dhe bomba asgjësuesit, për të dalë në pension. Gjithashtu, me plotësimin e dy katërvjeçarëve, kanë të drejtën e pensionit edhe punonjësit e ujërave të zeza! Koincidencë duhet të jetë patjetër kjo e fundit. Ç’lidhje mund të kenë vallë, “baballarët e kombit” me punëtorët e nderuar të ...komunales?!
@ Dhjetë fëmijë nga Kalivaçi i Tepelenës, patën fatin të këndonin për 95 vjetorin e pavarësisë, këtu në Athinë. Padyshim, edhe për ta edhe për ne që i dëgjuam, i veçantë momenti. Nuk ishim dhe shumë, është e vërteta. Duhet të kalojnë kohë, të mundemi të dëgjojmë si këndojnë fëmijët. Në kësi rastesh, me vlerë është të ndodhesh në drejtimin nga kalon vargani që ndjek presidentin. Një shtrëngim dore, një buzëqeshje, një shkelje syri, një fotografi më shumë, janë relike me vlerë të paçmueshme. Lëre tjetrën që, mund të ndodhesh më afër tavolinave me bollëk që, të shkon goja lëng tek i sheh të...shullëhen e të presin ti prekësh nga afër, e të penetrosh në brendësi të tyre, për ti bërë të ndjehen me të vërtetë...pjata. Një herë tjetër, mbase edhe i dëgjojmë!