@Kësaj jave, askush nuk duhet të ankohet nga ata që shkruajnë se, u mungonin temat. Për të qenë, madje, të sinqertë, duhet pranuar se, na tepronin. Rroftë Jubileu Kombëtar...i Greqisë! Jo jo! Nuk ngre dolli në shëndetin e “JO”-së që Metaksai i tha Çianos. E kisha fjalën që, të na rrojë “Jubileu”, që na dha dhe neve tema. Kësaj here, nuk kishin role protagonistësh, në fakt, nxënësit shqiptarë në parakalimet shkollore. Parakalimi i sivjetshëm, qe një parakalim i pa parë ndonjëherë. Megjithëse nuk protestoi askush për ... “paturpësinë” e kryer nga mësimdhënësit që, pa pikën e patriotizmit u japin flamurin ta ngrenë e ta valëvisin fëmijë të huaj, sërish, parakalimi qe me interes. Sivjet , disa protestuan ndaj parakalimeve.
@Me të vërtetë, më vjen të pyes tani , ndokënd që di pak më tepër nga ne të ardhurit këtu në tokën Helene. Ta pyes se, si urojnë njëri-tjetrin vendasit ditën e “Jubileut Kombëtar”? Gëzuar e për shumë vjet apo, nga mot më mirë? E veçantë në fakt, të festosh po, të mos urosh. Vetëm të parakalosh. Hajde se, po e kuptoj këtë festimin se, kush u martua e nuk u gëzua. Domethënë, kush nuk festoi e nuk gëzoi po, akoma nuk kam marrë vesh, përse vënë fëmijët e parakalojnë?! Fundja, për ne shqiptarët mirë bëjnë se, po të mos qenë dhe këto parakalimet e bujshme e pompoze të Festave Kombëtare, mund edhe të harronim 1 Majin dhe paradat tona të paharruara. Lart më lart o shokë, flamujt e kongresit!
@Ç’mëson njeriu, po të jetoj në fakt në vende demokratike dhe Evropiane. Mëson, të pamësuarat mëson. Nëpër shkolla të ndryshme të Greqisë, për ti bërë nxënësit që, të parakalojnë e të nderojnë Jubileun, meqë nuk e kishin dhe kaq për qejf, e ndiheshin paksa zaif me demek, pati nga ata arsimtarë e drejtorë që, i morën me të mirë. Hajde xhan, u thanë, në parakalim dhe, mungesat që ke bërë, kur...të dhembte barku e kishe kollë, ndaj nuk kishe ardhur në shkollë, po ti shkëmbejmë me një hap rreshtor( kjo më doli si dhe me rimë, më duket). Patriotizëm me shkëmbim e ideale me ryshfete. E pastaj, kur u huazuan ...parakaluesit e nevojshëm, dolën të “gjithandej të pranishmit”, e sërish na “bindën” për frymën revolucionare të rinisë që, edhe pse ndoshta, nuk e di pse parakalon( midis nesh po, ka dhe mjaft të rritur që nuk e dinë mirë se çfarë festohet e përse festohet më 28 Tetor në Greqi) , për inat të atyre që, inatin i kanë Greqisë dhe, duan ta lenë pa parakalime, arriti të parakaloj ngrefosur, me gjoksin përpara e hapin shtrirë, fustanin të prerë e takat 12 cm, gjithnjë vigjilente dhe e gatshme , për të bërë edhe të tjera mungesa. Rrofshin parakalimet pa, mungesat e kanë zgjidhjen. Erdhi Marsi, fundi i fundit. Prapë nga e para, për të kërkuar parakalues vullnetarë.
@Protagonistë të përditshëm janë dhe ata të PASOK-ut që, nuk po e gjejnë dot hesapin, cili u bën për kryetar apo cili humbet më mirë. Ka nga ata që thonë se, Papandreu është i zoti të ...triumfoj mbi Venizelosin. Doemos që është i zoti dhe, kush thotë të kundërtën, nuk i do të mirën partisë. Sipas disa të tjerëve, Venizellosi është i zoti ta shtypë Karamanlisin( jo në mundje, ma do mendja) dhe, për këtë, nuk pranojnë asnjë diskutim. Ne jemi jashtë valles dhe, sikurse të gjithë e dimë, ata që janë jashtë, e hedhin më mirë atë të uruar. Kështu, kemi dhe ne propozimin tonë: PASOK-u, si parti krejt demokratike që është , le të zgjedhë për kryetar Papandreun dhe me Karamanlisin të ndeshet Venizelosi. Njëri të jetë kryetar për opozitën , që sikurse e ka treguar, askush më mirë nga ai nuk e luan dot këtë rol, me kaq sukses, dhe tjetri të përpiqet të marrë pushtetin. Zgjidhje demokratike, apo jo?!
@Sakaq, ndërkohë që ndodhin këto ...ndeshjet miqësore tek partia më e madhe opozitare, qeveria e zë lepurin me qerre. Qerre i thënçin në fakt se, qerre as për be nuk ka ngelur. Merak kam në fakt, të di se, ç’janë bërë ato qerret heroike që , disa prej tyre kishin marrë edhe titullin e Heroinës së Punës Socialiste? Njëherë ,madje,dikush kishte thënë se, qe propozuar për anëtare partia një qerre, që kishte bërë grumbullimin më të madh të silazhit në një kooperativë të tipit të lartë! Ah, kjo nostalgjia do më brej mua.
@Qeveria ,që e kisha fjalën, sa zë një pëllëmbë, një pash i hapet. Atje tek fle PASOK-u, dalin dy tre deputetë dhe e zgjojnë. Fjala vjen e zgjojnë pa, gjumi letargjik del kur vjen pranvera. Sa të vij pranvera, kemi kohë deri atëherë. A, se desh harrova më të mirën. Si u duken pëllumbat e LAOS-it në Parlament? Nuk janë ti...pështysh se mos i marrin mësysh? Haj demokraci, haj!
E lashë për në fund prezantimin në fakt po, desha ta mbyllja kështu, me një urim dhe unë, ngaqë qysh në fillim isha i interesuar të mësoja si urohet më 28 Tetor në Greqi. Nga sot e çdo javë, protagonistët do ...parakalojnë nga TRIBUNA e do vijnë të flasin me ty. Sikurse e dimë, protagonistëve, u pëlqejnë tribunat. Po të mos u pëlqenin, ç’soj protagonistësh do të ishin pastaj? Le të urojmë, sa më shumë protagonistë, të parakalojnë nga TRIBUNA!