@ Tani në fundvit, të gjithë presim dhe shkëmbejmë dhurata me njëri-tjetrin, gjest ky që, na bën të ndihemi më njerëzorë e më bujarë. Doemos, edhe shtetet, nuk dallojnë nga njerëzit, përderisa shteti është tërësia e njerëzve që e përbëjnë. Eja veç, o lum miku, në pozicionin e shtetit që banohet nga shqiptarët. Fundviti tani dhe, të presësh dhuratat. Erdhën dhe dhuratat, gjithsesi. Nuk ka më ndonjë organizëm ndërkombëtar, shoqatë, fondacion, kongres, simpozium, mbledhje apo raport, që të mos i ketë sjellë si dhuratë vendit tonë, mandatet e shumënjohura që e rendisin në krye të listës me vendet më të prapambetura. Njëra nga këto institucionet, me emrin djegës ACIT, thotë se, kemi rënë deficit rreth 1.5 miliardë(!) euro, 25% më tepër nga viti i kaluar. Dhe nuk përfundon këtu e tatëpjeta jonë. Në të gjithë treguesit e Forumit Ekonomik Botëror, krahasuar me vitin 2006, “rrëshqitja” në renditje, është për tu habitur. Por megjithëkëtë, duhet nënvizuar këtu me kujdes, përparimi në disa nga fushat tona të prodhimit. Konstatohet se në eksportin e njerëzve, jemi në rrugë të shkëlqyer. 25% e popullsisë, jemi në emigracion. Shifër kjo që, me siguri, marrë këtu parasysh dhe ritmet e pandalshme të zhvillimit tonë ekonomik, ka për të arritur në përmasa të pakapshme nga konkurrentët. Rreziku na kanoset vetëm nga vende ku ka luftëra në zhvillim. Me pak përpjekje, besoj se mund të triumfojmë edhe mbi ta!
@ Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur rrjetin e trafikut të fishekëve të marrë në depot e një reparti ushtarak në Berat. Katër ushtarakë dhe një civil do të përballen me akuzat e "shpërdorimit, shkatërrimit ose dëmtimit të pronës ushtarake", si dhe "trafikim të municioneve luftarake" dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të municioneve luftarake" !
Zbulime të freskëta në jetën e përditshme shqiptare, që nuk të bëjnë më dhe ndonjë përshtypje. Të ikën dhe dëshira për tu befasuar. Sepse, miku im, më thuaj ti, që me kësi gjërash je i rrahur me vaj e me uthull, të bën zemra të habitesh, kur dëgjon se ka nga ata shqiptarë, qofshin këta dhe në nomenklaturën ushtarake, të cilët vjedhin për tu pasuruar? Kjo është nga të padëgjuarat. Sepse më vjen të pyes me zë të lartë: Ka në nomenklaturën shqiptare, civile apo ushtarake, ndonjë person që, nuk i ka ngjyer gishtat në mjaltë? Këtu, morëm vesh përpara pak ditësh se, 71% e shqiptarëve, kanë paguar ryshfet për të zgjidhur problemet me pushtetin. Dikush i ka marrë këto dreq para. Ose 29% -shi që nuk ka paguar, ose është bërë shkëmbim ryshfetesh. Ka gjasa, kjo e dyta të ketë ndodhur.
Meqë ra fjala, ndonjë të re për këta 29% që nuk kanë paguar, kemi? Jo ë? Eh, paksa e vështirë të gjenden...
@ Socialistët kanë ftuar publikisht të gjithë qytetarët të protestojnë për korrupsionin dhe varfërinë!!!
Zot na ndihmo! Na ndihmo të vij në qeverisje kjo forca socialiste në Shqipëri se, për ty o i madhi zot, ne kemi për të shpëtuar. Njëherë e përgjithmonë. Se këta, që thua ti atje sipër, nuk e njohin korrupsionin. As terrin. As etjen. As të ftohtin. Këta njohin vetëm luksin. Po po. Dhe si shërbëtorë të denjë dhe të bindur të jetës luksoze, pothuaj më kanë bindur se, me ardhjen në pushtet, nuk është e largët dita kur edhe drita do kemi në atdhe 24 orë(!), por edhe uji nuk do vij më me hope dhe tek-tuk. Do shpërthejë se, aty ku ka rrjedhur do pikojë! Po dhe nxehja e shkollave ka për të filluar se, tjetër të jesh socialist e tjetër të jesh thjesht ish-komunist! Po dhe varfëria do përfundojë se, kur këtë ta thotë partia, është sikur ta ka thënë perëndia. Pastaj, perëndia, nuk ngjan me partinë? Aq sa sheh perëndinë me sy, po aq sheh dhe partinë kur hipën në pushtet! Zoti qoftë me ju, nuk thoshte përpara se të vinte në pushtet ky kryepartiaku që kemi? E thoshte! Pastaj, pse më ankoheni për ujë për drita, për rrugë, për punë, për korrupsion, për shëndet, për arsim? Zoti qoftë me ju, na tha. Na paralajmëroi i biri i botës. Tjetër se ne nuk e dëgjuam. Tani, ejani ti bëjmë një peticion zotit e ti kërkojmë llogari!
@ Bela nuk kishim, me hall u gjendëm, vëllezër. Nuk na mjaftojnë këto që kishim, vjen edhe Xhorxhi dhe na shkel mbi kallo. Ai që ishte në krye të CIA-s de. Është grek apo është shqiptar? Ai thotë se, është grek po, ç’rëndësi ka kur ne themi që është shqiptar?! E di ai nga është dhe, nuk e dimë ne?! Eja baba që të tregoj arat, quhet kjo tani. Je shqiptar dhe, mos e diskuto hiç, Xhorxh! Të mos ishe shqiptar, të mbante miku ynë i madh, Xhorxh Bushi, në krye të detyrës. Shqiptar je dhe, të rrish dhe me një këmbë.
@ Presidenti Francez Nikola Sarkozi, pas periudhës së domosdoshme të “heshtjes erotike”, e gjeti ngushëllimin në krahët e një ish-modeleje italiane. Sëmundja ngjitëse e Miteranit, vazhdon të infektojë të gjithë pasardhësit e pallatit presidencial. Edhe pse, të them të drejtën, e prisja një rezultat të tillë. E prisja, qysh nga dita kur doli në dritë fakti që, gjyshja e presidentit, është me origjinë hebraike por e lindur në Greqi! E heq dera, thonë të parët tanë.
@ Lexojmë: Berisha e mbyti Kavajën me ujë!
Po ky qe mirë, ç’pati befas me kavajasit? Hapni digat!!!