3/5/08

Protagonistët (6)

@ Lexojmë në shtyp: Shqipëria e treta në botë për korrupsion. Dhe më poshtë: 71% e shqiptarëve, u është dashur të japin ryshfet, në këmbim të një shërbimi publik.
Propozoj tani, të gjithë sëbashku të bëjmë...të befasuarit! Dhe pastaj, po të gjithë, të kërkojmë e të dekorojmë 29% të popullatës që i ka shpëtuar “pushtimit”. Gjithashtu, duhet të jemi dhe krenarë për vendin e nderit që zëmë. Për një çast, të mbyllim sytë dhe të imagjinojmë klasifikimin e vendeve të kthyer përmbys. Mund të mbytemi nga ngazëllimi. Papritur do të ndodhemi në vendin e tretë. Dhe pastaj...u zgjuam. Mirëpo, edhe Greqia fqinje (që të mos na krenohet, jo për gjë), nuk shkon dhe shumë pas. Në grupin e dytë të vendeve, mban vendin nderi në korrupsion. 27% e qytetarëve, kanë...lyer qerren! Sidoqoftë, që të arrijë “qerren” tonë, i duhet të përpiqet. Ndërsa ne, pa u përpjekur fort, i thyejmë rekordet tona.

@ "Mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari te Presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë..."
"Në ndonjë moment dëshpërimi, në një moment dëshpërimi, gëzimi ynë është i dyfishtë sot, sepse, sepse, i pari është për të gjithë ju, po i dyti, se, në një moment dëshpërimi që mund të kem pasë, shpresa ime e vetme dhe kryesore ka qenë rinia"(!!!)
"Dua gjithashtu dhe ju ftoj gjithashtu të brohorasim edhe njëherë për Presidentin Ramiz Alia , duke shpresuar se, duke besue se do të krijojë të gjitha kushtet e mundësitë për arritjen e plotë të demokracisë në vendin tonë"!
Këtu më duhet ndihma jote, i dashur lexues. Por të siguroj se, nuk do të shkoj dëm mundi dhe përpjekja. Nëse më thua se kush është autori i këtyre fjalëve, e kam gati propozimin për ty. Ke për tu shpallur pishtar i demokracisë. Ose, zgjidhe ti titullin që të shkon më mirë. Në demokraci(shqiptare), secili e zgjedh vetë mënyrën për tu bërë hero!

@ Akoma nuk po u besoj syve dhe veshëve(edhe pse janë të mitë këtu e 38 vjet)! Funksionari më i lartë i diplomacisë shqiptare, shkoi me këmbët e veta(!) në prokurori, sapo u ndërrua banuesi i saj i vjetër. Prokurori i mëparshëm, e pati ftuar disa herë por, ajo dallohej nga larg që, ishin krejt të kota ftesat. Asnjë shans nuk kishte, me gjithë këmbënguljen, të shihej sy më sy me klientin. Kështu, qeveria e kuptoi, se ku qëndronte sekreti i kësaj vizite të shumë përfolur dhe, si përherë, mori masat e duhura. Domosdo, më e lehtë është në Shqipëri të ndryshohet vetë prokurori, sesa të shkoj atje shteti e të merret në pyetje. Sepse, i dashur miku im, edhe ti do biesh dakord me mua, me mendimin e mëposhtëm. Merre me mend të jesh në rolin e të thirrurit të organit më të lartë hetimor dhe të duhet(por kryesisht të mundesh) të zgjedhësh personin që do të të hetojë!!! Çdokush, do të zgjidhte atë që “zgjodhi” dhe funksionari ynë i lartë i diplomacisë. Afër mendjes, nuk është kjo? Pavarësisht faktit, që tashmë prokurori, nuk është më tullac dhe barkalec, por bionde dhe me finesë, rezultati nuk ndryshoi. Parlamentarëve do tu duhet të votojnë për të shpurë kolegun në “gojë të ujkut”. Vë bast se, nuk do ta bëjnë. Nuk më duken kaq naivë “baballarët e kombit”. Sepse, mund të dëgjojnë ndonjë zë të brendshëm që t’u thotë: Atje ku je isha dhe këtu ku jam do vish!

@ Gërmimet për ngritjen e një palestre për shkollën, kanë zbuluar eshtrat e 100 dhespotëve dhe kanë vënë në alarm Kishën Ortodokse në Korçë. Të gjendur përpara një fakti të tillë, kryetari i bashkisë ka kërkuar dhe pezullimin e punimeve si dhe zhvendosjen e palestrës për në një vend tjetër. Alarmi është vënë kur nga gërmimet e ekskavatorëve kanë dalë në sipërfaqe disa eshtra. Ndërsa punëtorët e firmës nuk kanë treguar asgjë, nëse kanë konstatuar diçka të dyshimtë gjatë punës, apo të kenë parë eshtra në gropat ku po punojnë në thellësi.(SHQIP)
Tani, si i bëhet kësaj meseleje?! Po dhe ata të uruar dhespotë, atje vajtën të prehen? Tani, zhvendoset nuk zhvendoset, dhespotët u zgjuan. Dhe jo vetëm u zgjuan, por ma do mendja, e kanë marrë vesh që ka ardhur demokracia në vend. E shoh unë, problemi më i mprehtë që pret pushtetin lokal në këtë pragdimri, nuk është ngritja e palestrës por, përballja me dhespotët e vdekur, për të drejtat e truallit. Sa për heshtjen e ekskavatoristëve, në momentin e zbulimit të eshtrave, është qesharake tu vihet faj. Këtu, të del i gjallë dhespoti përpara e të ikën fryma. Po njëqind të vdekur?!

@ Mbi të gjitha, duhet lavdëruar veçantia e shqiptarëve. Tre djem nga qyteti i Elbasanit, i morën peng kalin qytetarit Filan Fisteku(ka dhe emër të vërtetë), me qëllim përfitimin e parave!!! Lajmi është i saktë dhe i publikuar në faqen kryesore të njërës prej gazetave më të mëdha të vendit. Kali, erdhi me të zotin në kontakt, nëpërmjet celularit të pengmarrësve(besoj), dhe e vuri në dijeni atë për kërkesat e pronarëve të rinj! U mobilizua menjëherë policia dhe, u kapën me...kalë në dorë të tre djelmoshat. Modë e keqe kjo e kuajve. Im at’, një copë gomar që ka, sikur e shoh me sy që, nuk është larg dita kur do komunikoj me të nëpërmjet ...sms-it!