3/5/08

Protagonistët (9)

Kësaj jave, protagonistët i janë përveshur punës për të parashikuar ndodhitë e 2008-ës! Le të shohim se çfarë “zbuluan”:

Janar : Kryeministri i Shqipërisë jep dorëheqjen dhe pranon propozimin që i vjen nga SHBA-ja, për të marrë postin e të dërguarit të posaçëm në Irak. Misioni ka kohëzgjatje njëvjeçare me premtimin se, në përfundim të tij, do të rikthehet në Shqipëri me detyrën e Ministrit të Jashtëm! Ka marrë zotim të provojë të gjitha postet qeveritare, përpara se të dalë në pension.Për të qenë madje i padallueshëm nga irakianët, ka lënë mjekër që e bën të ngjaj me Fatos Nanon. Atje ka dhënë urdhër ti gjejnë dhe një ilaç që do ta bëj qeros për sa kohë të jetë me shërbim. Në mision, shoqërohet nga një grup simpatizantësh të PD-së, që themelojnë në Bagdad degën e partisë.

Shkurt: Ish Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, atje ku luan domino tek Parku Rinia, propozohet për zgjedhjet e ardhshme të kreut të shtetit. Pritet me entuziazëm të papërmbajtur lajmi dhe të gjithë pensionistët, ushtarakë dhe ish-kooperativistë, i premtojnë të demonstrojnë në sheshin “Skënderbej” , me parulla, pankarte dhe portrete nga koha kur ishte oficer i ri, në përkrahje të kandidaturës. Ai shpreson se do të ketë edhe përkrahjen e “Debatikasve” dhe të “Pionerëve të Enverit”. Qeveria e mirëpret lajmin, madje mendon që bashku me të, të nxisë dhe Rita Markon të konkurrojë. Gjithashtu, me dekret presidencial, çdo pensionisti i jepet një qengj dhe një arëz për të kaluar kohën.

Mars : Qeveria, nën drejtimin e Agron Llakajt (pas transferimit të Sali Berishës në Bagdad) , merr vendime të rëndësishme. Rruga kombëtare ndryshon itinerar dhe kalon në segmentin Kakavijë-Salari-Berat-Seman-Librazhd dhe përfundon në Morinë. Atje takohet me autostradën që vjen nga Durrësi dhe krah për krah nisen për në Kosovë. Kryeprokurorja Rama, kërkon nga Parlamenti ti kthehet imuniteti ministrit Basha, por ai nuk pranon dhe këmbëngul që, në vend të imunitetit parlamentar, ti jepet një imunitet ndaj gripit të shpendëve. Socialistët nisin referendumin për ardhjen në krye të selisë rozë të Hysni Milloshit.

Prill: Shqetësimi ka mbuluar vendin. Qytetarët shohin që përgatitjet për festimin e vdekjes së Enver Hoxhës, nuk ecin dhe kaq mbarë. Kryesia e PKSH-së, sakaq, ka marrë të gjitha masat për homazhet e duhura. Janë ftuar për të vendosur kurora krerët e organizatave pluraliste dhe sekretarët e tyre. Midis tyre dallohen shokët Fatos Nano, Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Gramoz Ruçi, Kiço Mustaqi dhe Lenka Çuko. Del në qarkullim romani i ri i Ismail Kadaresë “Dimri i butë” i cili mbjell entuziazëm në qeveri. Doemos ka besuar se është libër me parashikimin e motit për vitin që vjen.

Maj : Qeveria demokratike, është në konflikt të hapur me Bashkinë e Tiranës, për faktin se qeveria këmbëngul të ndërtohet kryqëzimi tek “Zogu i Zi”. Bashkia nga ana e saj, nuk ka kundërshtim për vendin por për emrin. Këmbëngul të titullohet “Zogu Blu” dhe nuk luan nga vendimi. Qeveria fton qytetarët në grevë urie. Sabotohet ,veçse, greva nga socialistët, të cilët ndajnë fshehurazi panine për grevistët. Këta të fundit, në vend të rrinë të ulur në bythë, rrinë gjithë ditën shtrirë nga urgusja. Fillon elektrifikimi i vendit me punë vullnetare. Rinia shkon në aksion me këngë në gojë. Bojkotohet seanca parlamentare për miratimin e hekurudhës kur Ilir Meta, i heq kabullin mikrofonit të presidiumit.

Qershor : Bëhet një zallamahi e paparë në media. Nusja e djalit të Enver Hoxhës, publikon ditarin personal të Nexhmijes. Atje dallohet qartë qëllimi i saj armiqësor ndaj PD-së. Në faqen 85 paragrafi i tretë, ka shënuar me bojë mellani planet e saj djallëzore. Me hollësi përshkruan kafenë që ka shpenzuar në kremtimin e 20 vjetorit të vdekjes së Enverit. Secilit vizitor i bie të ketë pirë tre filxhanë. Merret masa e arrestit shtëpiak, por vejusha është e papërmbajtur. E thyen atë dhe kapet për tentim arratisje bashkë me Ramiz Alinë. I priste në të dalë të Bllokut makina e Sulo Gradecit. Shkon për vizitë në Amerikë Presidenti ynë,dhe u premton Amerikanëve ditë më të mira, mjafton të na përkrahin në luftën kundër terrorizmit. Nga turma e papërmbajtur, dikush i heq orën. Punë e madhe. Pesëdhjetë mijë lekë bënte dhe e kishte blerë tek pazari i gabelëve tek Shallvaret.

Korrik: Ambasadat e huaja kanë rrethuar Tiranën me tela me gjemba dhe përpiqen të izolojnë në territorin e tyre, të gjithë qytetarët e kryeqytetit. Qeveria, duke e ndjerë rrezikun nga larg, merr masat e duhura. Fton nga veriu i Shqipërisë të gjithë banorët e bjeshkëve, bashkë me lahutat dhe me zanat e malit, për të populluar vendin. Tek-tuk ka ngelur ndonjë zanatçi vendas, furrtar ose punëtor me mëditje, për tu treguar rrugët të porsaardhurve. Tirana mbushet me kioska dhe me dyqane që shesin çifteli. Këngë gazmore dhe hare dëgjohen gjithandej. Të izoluarit dëgjohen tek këndojnë: Eja mblidhuni këtu-këtu!

Gusht : Edi Rama i bën propozim martese Jozefina Topallit. Ajo për momentin heziton dhe i kërkon të presë pak kohë, sa të marrë lejen e babës që ndodhet në Bagdad, në një mision paqësor. Mue, thotë baba, cucën teme, nuk mund ta marrë për grue një enverist, nanoist, ish komunist. Dëshpërohet Jozefina dhe vendos të rrëmbehet me Edin. Të dy bashkë i luten Fatos Nanos ti strehojë për disa netë, sa të ftohen gjakrat. Nuk ka problem Tosi dhe të vetmen gjë që kërkon, është ta sigurojnë se do të zgjidhet president. Ka filluar të mërzitet nga udhëtimet dhe rutina e institutit të studimeve Marksiste-Leniniste. Xhoana bëhet bishë dhe e kërcënon me ndarje. Nuk pranon grua tjetër në shtëpi, nga frika se mos i ngacmojë burrin.

Shtator : Kthehet para kohe në atdhe Sali Berisha. Kaq qe misioni. Në aerodrom e pret vetëm Lulëzim Basha dhe i dorëzon postin në dorë. Premton menjëherë pavarësinë e Kosovës. Kur shkon në Kryeministri, nuk u beson syve me pamjen. Fërkon sytë se mos sheh hije, mbi timon një cucë malësie. Edi me Jozefinën bëjnë muajin e mjaltit në Velipojë. Fatosi me Xhoanën janë hedhur një xhiro në Sarandë ku Fatosi, gjithë ditën bën plazh dhe në darkë pi vetëm pije freskuese me fiq deti. Arançatat ja ka ndaluar mjeku. Bëjnë dëm në spermë i ka thënë. Sabri Godo ka një takim pune me disa miq nga Janina. Po ripunon biografinë e Ali Pashë Tepelenës.

Tetor : Në Shqipëri kemi zgjedhje presidenciale. Konkurrentët janë të vendosur të shesin shtrenjtë lëkurën për të fituar. Në raundin e pestë të votimeve, duket se po merr kryesimin në klasifikim Bamir Topi. Pa pritur e pa pandehur, Sali Berisha që është gjyqtari kryesor, fërshëllen në momentin e fundit dhe anulohet goli që bëri me një “gërshërë” të paparë Neritan Ceka. Luftar Paja, i fyer nga vendimi vendos të hyjë edhe ai në lojë, qoftë dhe pa bërë nxehjen. Këto janë gjëra me dëm. Një raport i OKB-së, rendit vendin tonë në vendin e parë për transparencën shtetërore. Avash lajmin.

Nëntor : Kemi president! Të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, me ankth dhe agoni, ish-fshatarët e bjeshkëve, me lahuta e çifteli, që tashmë janë bërë qytetarë të Tiranës , dallojnë së largu tymin e bardhë që del nga oxhaku i Parlamentit. Shpërthejnë në duartrokitje. Pas seancash të mundimshme e të stërzgjatura, 6 deputetë të PD-së, u larguan nga vija e partisë dhe votuan për Topin. Rrezikohen me largim nga radhët e saj. Alfred Moisiu nuk përmban dot gëzimin dhe rend me vrap drejt parkut “Rinia”. Buka në bark nuk i ka rënë këto gjashtë muajt e fundit. Asnjë lojë domino nuk ka fituar nga ankthi.

Dhjetor: Nisin të dëgjohen tek-tuk në shtyp, versionet e para mbi daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Elektrifikimi i vendit ka mbaruar. Shkenca sjell lajmin fatlum të zbulimit të kompjuterit që funksionon me qiri dhe të internetit me gjeneratorë. Kosova shpallet Republikë dhe Shqipëria Mbretëri. Nipi i Ahmet Zogut, nga këshilltar i thjeshtë, emërohet këshilltar i ndërlikuar. Autostrada Durrës-Kukës jepet në dorëzim. Shpërndahet për të gjitha familjet shqiptare, nga një kuvertë leshi dhe një thes qymyr. Qeveria demonstron për ardhjen në pushtet të opozitës. Amerika na lut të futet në NATO por ne akoma rezistojmë. Marrim titullin e vendit me cilësinë më të mirë të hashashit në Bashkësinë Islamike.