@ Rezistencë ndaj kapitalistëve në përkrahje dhe forcimit të miqësisë ruso-shqiptare! Edhe pse delegacioni ynë në Bruksel, u paraqit solid dhe i zgjeruar, sakaq, asnjë shenjë nuk ka për anëtarësimin. Akoma shpejt është, dhe sugjeroj të mos dëshpërohemi, nëse nuk na ftojnë kësaj here. Mësohet se Sadam Huseini, në bisedë me një agjent të CIA-s, nuk pati vlerësuar sa duhet rrezikun që i kërcënohej Irakut nga SHBA-ja. Nuk priste, mesa duket, të bënte ndonjë...budallallëk Bushi, dhe të sulmonte vendin arab. Fatkeqësi për veten dhe për kombin. Ne nga anët tona themi, të dehurit, të çmendurit dhe budallait (sidomos kur drejton superfuqinë), i hapet rruga.Vetëm fallxhoret, mund të japin një shpjegim të besueshëm për ato ç’ka ndodhin përreth. Për shtrirjen gjeometrike të skandaleve politiko-ekonomiko-seksuale, në fillim të 2008-s.
@ Eja pastaj e mos beso, ata që bëjnë fjalë për tersllëk kur vitet janë çifte. Në Shqipëri, rruga Durrës-Kukës-Morinë, përpiu deri tashmë, 52 milionë euro. Mirëpo, si rrugë “patriotike” që është konsideruar, mëkatet janë të lara. Atdheu mbi të gjitha (skandalet)! Në Greqi, ndërkohë, janë të shumëllojshme: politike, ekonomike, seksuale, gazetareske, parlamentare! Hendeku i natyrshëm mes Lindjes (së skandaleve) dhe Perëndimit (të tyre). Në Francë, një “çunak” 31-vjeçar, mundi të marr nga xhepi i drejtorit (sic), rreth 5 miliardë euro. Heroi im dhe i miliona të tjerëve është ky! Ministri i Punësimit në Britaninë e Madhe, dha dorëheqjen pas zbulimit se, u financua me 137.000 euro, por që... harroi t’i deklaronte! Meqë ra fjala: të gjithë politikanët që financohen, deklarojnë burimin? E çuditshme dëgjohet. Deklarimi, jo financimi!
@ Ndoshta, tashmë, të mësuar me absurditete shqiptare, nuk të bën më efekt dhe një tjetër që i shtohet zinxhirit të tyre. Njëzet studentë të Universitetit të Sarandës në degën Turizëm, ndjekin mësimet në...Universitetin e Tiranës! Natyrisht, nuk shkojnë përditë me autobusin e linjës, pasi një tentativë e tillë, me siguri që nuk do t’u hiqte privilegjin e të quajturit studentë. Në aplikimin e tyre për shkollën e lartë, “kompetentët” patën neglizhuar të shënonin se, zgjedhësit e degës në fjalë, do t’u duhej të shkonin për studime në Jug të vendit. Gjithsesi, këtu asgjë nuk ka për t’u habitur, për vetë faktin se, koha e harxhuar për të furnizuar me formularë përkatës kandidatët për studentë, justifikon çdo harresë të mëtejshme. Kur flasim për Shqipërinë, fjala organizim dhe disiplinë, rrallë gjen vend në fjalor.
@ Në kuadrin e samitit për varfërinë në Davos, mësojmë se kreu i qeverisë shqiptare, pati takime mjaft konstruktive, të cilat me siguri që do ti shërbejnë rritjes së mirëqenies ekonomike kombëtare. Njëri prej takimeve me rëndësi, ishte edhe ai që u realizua me këngëtarin e njohur britanik Bono. Këshillat që këngëtari i dha kreut të ekzekutivit, do t’u përcillen talenteve kombëtare të pentagramit. Nga ngjarja u publikuan dhe fotografi, ç’ka do të thotë se, fakti nuk mund të mohohet. Në kornizë (të fotografisë), vend të spikatur zinte dhe ministri i vetëm pa imunitet i kabinetit qeveritar. Gjithë të tjerët, janë të imunizuar (ndaj varfërisë). Mënyra është e thjeshtë dhe e njohur: secili për vete dhe... Davosi për të gjithë! Çudirat ndodhin atje ku nuk i pret. Asnjë çudi deri më sot, nuk ka ndodhur pasi të jetë paralajmëruar. Personalisht nuk jam në dijeni.
@ Zonja Amanda Morgan në Angli, pasi shkoi tek mjeku dhe u sigurua edhe shkencërisht se, jo vetëm që nuk rrezikon të ngelet shtatzënë por, është futur (përpara kohe) në periudhën përfundimtare të ndërprerjes së periodave, shkoi në shtëpi dhe...lindi një vajzë të shëndetshme, edhe pse shtatanike! Tani, dilema është e fuqishme dhe e justifikueshme. Nëse mjeku gjinekolog, nuk dallon dot shtatzëninë, si t’i besosh një tjetri që duhet të verifikojë miopinë? Syri për dreq, as nuk fryhet dhe as ka perioda!
@ Në fjalimin e tij të fundit, si banor i “Shtëpisë së Bardhë”, presidenti amerikan sheh nga e... ardhmja! E kaluara dhe e tashmja, pak e preokupon. Ndër të tjera, duhet dhe forcë e madhe shpirtërore, të mundet ndokush të shohë në sy bëmat e tij, aq më shumë kur ato janë të përziera me ngjyrë të kuqe prej... gjaku. E kaluara e shpëtimtarit nga Teksasi, është e ndërtuar mbi trupat e mijëra ushtarëve të vrarë në Irak e Afganistan, mijëra irakianëve e afganëve të pafajshëm të vrarë e të masakruar, të shpërngulur e të uritur, qindra “të dyshuarve për terrorizëm” në Guadanamo, dhjetëra-qindra të torturuarve në burgjet e Bagdatit e po kaq të rrëmbyerve me metoda “demokratike” të CIA-s nëpër botë. Kësisoj, është më e thjeshtë të flasësh për të ardhmen. Fundja, kur ajo nuk të takon, më lehtë i referohesh.
Thanë:
Kur dikush duket në moshë si të ishte babai i gruas së tij, ka rrezik të mos jetë babai i fëmijëve të tij!
Volter