@ Në atdhe, mund të mos ketë rrymë elektrike, mund të mos ketë ujë të pijshëm, mund të mos ketë arsim të mirëfilltë, mund të ketë mbeturina më shumë se në çdo shtet tjetër të Evropës por ama, ligje ka me bollëk. Ligjet janë i vetmi produkt që Shqipëria nuk importon. Ligjet dhe korrupsioni. Sipas një bilanci të fundit, presidentit tonë i takon të ketë miratuar, qysh nga dita e marrjes së detyrës, (nga partia e tij) 90 ligje. Një ligj në çdo dy ditë. Ligje , ligje, ligje kudo. Ah! sikur të zbatoheshin këto ligjet e miratuara?! Mund të kishim me të vërtetë edhe shtet ligjor. Deri tanimë, kemi shtet me tepricë ligjesh.
@ Viti që shkoi, u karakterizua nga shifra që tregonin masën e korrupsionit në vend. I lexuam e rilexuam përfundimet. U habitëm, por më shumë “u befasuam” ngaqë ishim bindur për pastërtinë morale të qeverisë dhe të ngarkuarve nga ajo për të na qeverisur. Ç’ti bësh, kudo ka përjashtime. Ndodh edhe tek ne, të ketë tek-tuk funksionarë që (nuk) korruptohen. Viti që sapo ka futur këmbët, na sjellë ndesh me të tjera shifra. Pa lidhje me korrupsionin. Për korrupsionin flasim vetëm në fundvit. Gjatë vitit vetëm japim ryshfetet e duhura. Shifrat thonë, vëllezër, se 83% e shqiptarëve, nuk kanë pikë haberi nga sëmundjet seksuale. Nuk i njohin, si i thonë muhabetit. E zë tjetrin sëmundja, i rripet lëkura (e organit) dhe meazallah se shkon në spital. Jepi seks me bollëk atij populli të vuajtur(për seks) dhe lëre të torturohet. Të shkretat gra!
@ Vetëm gjatë vitit që shkoi, në tentim të kalojnë kufijtë evropianë, nëntëmijë refugjatë ilegalë humbën jetën. Numri është më i madh nga ai i ushtarëve amerikanë (dhe përkrahësve të tyre) të rënë në luftën për vendosjen e “demokracisë” në Irak. Për këta të fundit, u zhvilluan ceremoni të veçanta dhe u vendosën kurora me lule shumëngjyrëshe. Midis atij që bie për “demokracinë” dhe atij që “demokracia” e shtyn në vdekje, ka me siguri një dallim thelbësor.
@ Fqinjët tanë Juglindorë, pas shumë e shumë përpjekjesh e takimesh shumëpalëshe (mes të dy palëve!), vendosën “zbutjen” e statusit të vizave për shqiptarët. Atë që nuk pranojnë, me çfarëdolloj mënyre dialogu apo bisedimesh, është të na japin Nënë Terezën. Kanë bërë vetëm një lëshim të vogël dhe na lejojnë ti... japim emrin e saj aerodromit. Fundja, kur aeroplanët kalojnë në territorin e tyre ajror, e marrin me vete bamirësen tonë të madhe. Kështu, ndjehen dhe miqtë tanë të Shkupit, se i viziton Nënë Tereza. Me grekët kanë tjetër konflikt. Emëruan aerodromin e tyre “Aleksandri i Madh”.
Propozoj, ndërkohë, të denoncojmë qeverinë irakiane për kopjim. Ashtu sikurse vepruam ne me ardhjen e demokracisë, vepruan dhe ata dhe hoqën yjet nga flamuri i tyre.
@ Ministri shumëngjyrësh, shumëpalësh e shumëpartish i Shqipërisë, i cili mban karrigen e Ministrisë së Mjedisit, deklaroi hapur se, jo vetëm që është i vetmi që ka titullin e profesor-doktorit në kabinetin Berisha, por është dhe më i miri! I të gjithëve më i miri. Dhe si të mos jetë, bëj pyetjen unë naivi. Qeveritë bien e ndërrohen, ministra venë e vijnë, i vetmi që i ka zënë kallo prapanica nga karrigia ministrore, është mjedisori ynë. Madje, sikurse dëgjojmë ndoherë për ministra pa portofol , ky yni është Ministër i Mjedisit... pa mjedis. Ose mbikëqyrës i ndotjes së mjedisit.
@ Lexojmë 1) : Vau i Dejës kthehet me fuqi të plotë! Gjëma që e gjeti, them unë. Veprat që ndërtoi Partia e Punës, ose u shembën nga demokracia ose ndërruan parti. Ky Vau i Dejës që...po kthehet, ka vënë mend apo pret ti çahet diga me buldozierët e demokracisë? Pa dritë rrimë dhe vepra ish-komuniste nuk pranojmë. Na mjaftojnë udhëheqësit!
@ Lexojmë 2) : Nga 9700 policët që përbëjnë forcat e rendit në Shqipëri, 19 prej tyre u gjendën të implikuar në veprime antiligjore(sic). Vendosi , mesa duket qeveria, të kërkoj të kaluarën e uniformave blu. Le të supozojmë për një moment, se fillon qeveria dhe kërkon të kaluarën profesionale të tyre. Nuk di çfarë ka për të zbuluar kontrolli i brendshëm. Parashikoj ,veç, të rritet në përmasa galoponte efektivi i barinjve në atdhe! Nuk po përmend këtu lulëzimin që do të provoj bujqësia dhe prodhimi i zarzavateve. Mjaft qëndruan djerrë tokat dhe stanet pa blegërima...
Thanë:
Asnjëherë nuk do të qe zgjuarsi, ti besoj ndokush një gruaje që thotë pa vështirësi moshën e saj. Një grua që thotë moshën e vërtetë tek dikush, është e zonja ti thotë gjithçka!
Oscar Wilde
Oscar Wilde