@ Iku njëri vit e hyri viti tjetër. Domethënë ky nuk është lajm(ekskluziv) por, përpiqem të kujtoj çfarë dua të harroj e çfarë të kujtoj nga ai që iku. Kemi president të ri në atdhe, pas stërmundimesh e ...braktisjesh të frontit partiak! Akoma nuk kemi drita por, kemi me bollëk mbeturina rrugëve. Përjetuam grevën e parë ku shqiptarët, çuditërisht, demonstruan për punë, ujë, dritë, arsim dhe drejtësi! Pothuajse patëm besuar se, të tilla hollësira, nuk prekin një komb kaq indiferent siç është ky yni. Për ne mjafton demokracia. Qoftë dhe si fjalë. Demokraci të thotë tjetri dhe, aty përmblidhen të gjitha. Teprojnë detyrimet e shtetit. Mjafton që kemi shtet. Nëse kemi. Kemi ministër pa imunitet( i cili siç mësojmë, prej datës 6 Janar e deri në datën 9, është pa nam e nishan në Vendet e Ulëta) por, populli ka fituar imunitet nga korrupsioni. Askujt nuk i vritet më ndërgjegjja për këtë. 71% e jona, kemi futur dorën në xhep. Natyrisht, jo vetëm nga të ftohtit. Parashikohet rendiment më i mirë vitin në vazhdim. Filluan dhe shirat më shpejtë sivjet!...
@ Nicola Sarkozy! Presidenti i adhuruar , bashkëshorti i lakmuar, prindi i përkushtuar, njerku i kërkuar!
Në supet vigane presidenciale, nuk mbështetet vetëm një popull me famë dhe me kulturë të lakmuar sikurse është ai francez, por dhe djali i Carla Brunit. Dhe cili vallë, nuk do të deshte të ishte në rolin e tij?! Natyrisht, jo të djalit të Carlës. Në rolin e shoqëruesit të Carlës! Njoh dy-tre miq të mitë që, edhe vetë Carlën do mbanin në supe, po të lindte nevoja! Ndryshimi midis së majtës franceze dhe konservatorëve, është vetëm djali mbi supe. Miterrani, asnjëherë nuk parakaloi me vajzën e së dashurës mbi shpinë. Ndër të tjera, atje ndodh gjithçka që ndodh dhe gjetkë. Vetëm se gjetkë, djalin e të dashurës mbi supe nuk (guxojnë) ta mbajnë presidentët. Këtu në Greqi, madje, edhe kur i bëjnë djemtë vetë me të dashurën e tyre, vetëm kur e thotë shkenca e pranojnë. Më mirë vonë se kurrë!
@ Për 2008-ën, njërën nga dhuratat që qeveria vendosi ti bëj Shqipërisë, është dhe vendosja e një polici në çdo kilometër katrorë! 28 748 policë, kanë për të vigjiluar këtij moti, për tu ndjerë populli i qetë. Mos vallë, ka ndërmend qeveria të zëvendësoj dëshmorët me ruajtës rendi? Një shije për devocionin e policisë ndaj qytetarëve, morën këto ditë protestuesit në Vlorë. Disa prej tyre u gjendën me gjymtyrë të thyer. Po , helbete, edhe gjymtohesh nga demokracia. Nuk është e tëra fushë me lule. Të qe ashtu, bëheshin të gjithë demokratë. Ata që janë, janë të zgjedhur. Ka dhe sakrifica demokracia, si e quajte ti?!
@ Gramoz Ruçi u premtoi socialistëve shqiptarë se, në rastin kur PS-ja ka për të fituar zgjedhjet (themi tani, mos e merrni dhe kaq seriozisht), Edi Rama do të bëhet kryeministër! Kemi ndërruar-tha Ruçi- në 6 vjet pushtet, 6 kryeministra. Ka të drejtë partia në pushtet që nuk ndryshon kryeministrin. Më lehtë më duket të ndërrohen shqiptarët me të tjerë banorë, sesa kryeministri i tyre. Do më thuash që, të gjithë ata që fitojnë zgjedhjet dhe janë në krye të partisë triumfuese, kryeministra bëhen. Drejt drejt po, tek ne nuk ndodh si kudo. Madje, që të tregojmë se nuk jemi si të tjerët, dhe ti bëjmë ata të tjerët të bëjnë... paf nga xhelozia, kemi në parlament 13 parti politike. Hajde pastaj e merru vesh, ke për të më thënë. Qartë! Por vallë, merren ndonjëherë vesh në parlamentin tonë?! Pastaj, ne kemi qenë të uritur për politikë vëllezër. Por edhe për poste, prapë të uritur kemi qenë. Tani, e di që do pyesësh nëse posti dhe partia të shuan urinë?! Jo, urinë nuk ta shuan po, oreksin ama, ta hap! Ëhë! Mulli guri ta bën stomakun posti dhe partia.
@ Mund të gëzoheni, mund të lumturoheni, mund të krenoheni! Çezari dhe Popmpeu u ndeshën tek shkëmbi Kavajës! Patjetër! Dhe jo vetëm u ndeshën po, Çezari e bëri dhe me hile se, për të mos e zënë shigjetat e Pompeut, fshihej prapa shkëmbit. Kësisoj, nuk qe aspak e rastësishme zgjedhja e vendit. Të dashuruar me Teutën ishin miqtë romakë. Ajo kalonte aty përditë e shkonte në plazh. Ç’të bën dashuria ë?! Kështu u mund Pompeu se ndryshe, akoma dhe sot do kishim gladiatorët me çadrat e tyre nga Shkëmbi i Kavajës në plepa. Kushedi se sa turistë do na vizitonin?! Historia na i ka borxh një duel.
@ Presidenti Amerikan dhe mik pas miku i shqiptarëve, Xhorxh Bush Junior, ka filluar vizitën në Izrael dhe në Palestinë. Kush dyshon pas kësaj se, problemi i Lindjes së Mesme nuk do të zgjidhet, le të hedhë një sy nga Kosova! Miku i madh amerikan, kur jep fjalën për zgjidhjet diplomatike të vatrave të nxehta, është si të ketë nënshkruar kontratë! Për të kundërtën, doemos.
@ Politika është art apo arti është politikë? Dilemë e pazgjidhshme kësi kohe në Greqi, që lidhet më së shumti me familjen, bashkëjetesën, artin e politikës dhe politikën artistike! Atje ku politikanët “zbulohen” të kenë marrëdhënie jashtë martesore dhe tentojnë kërcime tarracash, artistët aplikojnë artin e politikës dhe të diplomacisë së marrëdhënieve seksuale. Asnjëherë më shumë se tani, lindja e një fëmije nuk ka qenë një gabim momental! Sepse, këngëtari di dhe bën politikë me seksin jo bashkëshortor. Politikani, na bind që nuk di të bëj aspak art!