@ Dikur, njëri prej gazetarëve më të njohur të vendit tonë, pati shkruar me shumë me plot të drejtë se, Shqipëria është i vetmi vend ku kanë humbur sheshet. Dhe kjo, kishte të bënte me “modën” që mbizotëroi në atdhe, në periudhën kur e gjithë bota u ngrit në revoltë ndaj ndërhyrjes amerikane në Afganistan dhe në Irak. Atëherë, i vetmi vend evropian(?) që nuk pati fatin të përmbytej nga zërat revoltues e demonstrativë të qytetarëve që do të kërkonin tërheqjen e pushtuesve amerikanë në shtetet arabe, ishte Shqipëria.
Ndokush atëherë, mendoi se, shqiptarët nuk e prishin gjakun për kësi hollësish dhe, mos ardhtë dita kur pushteti do të shkeli në kallon e tyre, dhe atëherë, ka për të provuar në kurriz irritimin publik.
Kujdes gjakrat, do plotësoja unë. Pas kaq e kaq përpjekjesh e stërmundimesh, mundi opozita të mbledhë disa mijëra qytetarë në “Sheshin Skënderbe”, për ti kërkuar qeverisë atë çka në botën e përparuar është më elementarja, dritën, dhe qeveria, e gjeti shkaktarin. Një fotografi e Enver Hoxhës që dallohej( nëpërmjet fotoshopit ?) në turmën demonstruese, mjaftoi për ta injoruar revoltën e për ta bërë këdo që mori pjesë në të, të kthehej në shtëpi... me ndërgjegje të vrarë. Ndaj them vëllezër. Lërini revoltat për ndonjë tjetër që qeveria e tij, nuk e quan armik e tradhtar atë që kërkon dritë për të parë e bukë për të ngrënë.
@ Në pamundësi për të marrë pjesë në mitingun e qytetarëve të Tiranës, le të njihemi me parullat që u hodhën prej tyre. Ndoshta, askush nga ata që ishte në shesh, nuk priste reagim nga qeveria. Mirëpo, të drejtën për të demonstruar e fiton qytetari kur ai që është zgjedhur ti shërbejë(!), struket pas votës dhe, me errësirën që mbizotëron, mendon se është i padallueshëm. Deri kur?
-Qeveria e kafshatës, qeveria e varfërisë
-Qeveria, kundër biznesit
- Qeveria e korruptuar, drejt fundit
-Jo, mashtrimit të ushtarakëve!
-Korrupsioni, në majat e pushtetit
-Berisha, ku janë premtimet tuaja?
-Duam punë!
-Qeveria e uzurpimit të institucioneve
-Shqipëria, vendi me i varfër në Evropë
-Duam drita!
-Nuk lejojmë që djersa jonë = me korrupsion!
-Ndal, paaftësisë dhe korrupsionit!
-Ndal, errësirës dhe mungesës së ujit!
-Ndal, diktaturës së korrupsionit!
-Z. Berisha , interneti dhe dija nuk vijnë nga drita e qiririt
-Poshtë qeveria e errësirës!
-Stop varfërisë!
-Stop rritjes së çmimeve dhe korrupsionit
-Kur do i lani duart z. Berisha
-Jo mashtrimit të pensionistëve
-Duam ujë, drita, punë
-Qeveri kundër vlerave intelektuale
-Qeveria më e korruptuar në botë
-Na pranon Evropa pa ujë?
-Z. Berisha, ktheni shpresën evropiane të fëmijëve
-Çmimet e sotme, mollë e ndalueme
-Qeveria e mashtrimit
-Qeveria tepër e paaftë-
Ku po na çoni, pa punë, me këto çmime?
-Duam shkollimin e fëmijëve tanë
-Qeveria e mjerimit
@ Ka lezet të jesh mbret! Po edhe mbret po nuk ishe, dhe ishe thjesht djalë mbreti, qoftë dhe i pa stemë (i vetëshpallur domethënë), praseprapë, ka lezetin e vet. Se ti dhe unë, miku im, dhuratat që bëjmë nuk mund të jenë , bie fjala…elefantë! Elefantë pra, pse habitesh?! Djali i mbretit të vetëshpallur të shqiptarëve( kjo ndodhi sikurse ndodh në disa vende afrikane), mësuam këto ditë se, dhuratën që i bëri Reganit në 1967-ën, qe një elefant që peshonte 317 kg! Nuk përcaktohet nëse qe i ngrënë ose esëll!
@ Dhe çfarë nuk u dëgjua, pas saltos që bëri ish-Sekretari i Ministrisë së Kulturës së Greqisë, nga kati i katërt i pallatit. U dëgjuan thashetheme për rozë skandale, por edhe për skandale ekonomike(këtyre nuk ua përmendën ngjyrën). Madje,një miku im, e shtron çështjen në hapësirën e duhur, kur bën fjalë për mundësinë, të ketë vendosur të hidhet, ngaqë nuk mundi të sillte nga Londra, mermerët e rrëmbyer të Akropolit!!! Të gjitha këto, janë supozime dhe natyrisht, janë dhe thashetheme. Ajo që uroj unë të mos vërtetohet, është mundësia të ketë kërcyer kur konstatoi vrasjen e ndërgjegjes, për shpërdorim fondesh ekonomike! Dhe kjo, për faktin se, po u hap kjo “fabrikë” dhe të gjithë politikanët, fillojnë e hidhen nga tarraca kur i bren ndërgjegjja, parashikoj të fillohet ...importi i politikanëve! Merre me mend për një moment( mos e pruftë perëndia), të arrijë kjo moda e rënieve(!)edhe në Shqipëri. Të fillojnë të hidhen nga ballkonet edhe atje politikanë,t për arsye të ndërgjegjes. Zoti na ruajt! Asgjë nuk na shpëton pastaj. Atje, nuk ka për të ngelur nishan. Përsa i përket tani, temës me skandalin rozë, habitem dhe unë, si ka mundësi kjo të lidhet me politikanët! Dëgjuat ju ndonjëherë politikan që të plekset me gra të huaja? (Ah që nuk e them dot në shqip, siç e shkrova dhe në greqisht!) . Dhe pastaj të hidhet dhe nga tarraca?!
@ Ikën njëherë e përgjithmonë kohët, kur Shqipëria ishte e izoluar dhe e kërcënuar nga armiqtë e jashtëm! Tani armiqtë e djeshëm janë miqtë e sotëm dhe miqtë e djeshëm, armiqtë e miqve tanë të sotëm! U ngatërrove ë?! Presidenti i bëri Krishtlindjet në një vend mysliman, ku forcat tona ushtarake(!), janë dislokuar në luftën kundër armikut të brendshëm të Irakut. Si vend me arsenal të zhvilluar ushtarak dhe gjendje ekonomike të lakmueshme, përherë jemi ndodhur pranë atyre që kanë pasur nevojë. Sidoqoftë, me Irakun na bashkon edhe diçka tjetër. Përveç faktit që bëjmë pjesë në Bashkimin Islamik, vetëm me të mund të krahasohemi përsa i përket mirëqenies, korrupsionit, dritës elektrike, ujit të pijshëm, zhvillimit përgjithësisht dhe infrastrukturës në veçanti!