@ Kur je larg atdheut, nostalgjia për të është më e madhe. Natyrisht, nuk po them dhe ndonjë gjë të re, dhe as për tu habitur. Kështu, gjithsekush mundohet ta shuaj me mënyra të ndryshme. Herë me telefona tek të afërmit e herë duke vajtur vetë. Një rrugë e shkurtër është të informohesh për gjithçka ndodh atje, mes shtypit. Duke e qëmtuar përditë nëpërmjet internetit, herë për kureshtje e herë për informim të mirëfilltë, jo në pak raste kam pyetur veten: një gazetë del në Shqipëri dhe, të tjerat kopjojnë? Titujt me të cilët ndeshesh, ose të kallin tmerrin ose të bëjnë të qash nga të...qeshurat! Afron të besosh se, ose ndodhemi në luftë të pashpallur, ose jemi komb i veshur me rroba rozë...! Dufin e 45 vjetëve, po e nxjerrim edhe nga veshët. Lexojmë: Gjeni hajdutët e pronave!( Kush është hajdut, të ngrejë dorën), vrasja me porosi, 10 mijë euro( vrasjet pa porosi, me çmime të arsyeshme), ushtria shqiptare, tregon muskujt para NATO-s( lakuriq me duar në xhepa), 9 muaj burg, shefit të kadastrës( me siguri, do dalë fëmija në kohë), kapen vjedhësit e thesarit( Zogu, u dorëzua vetë), qeveria ndryshon ligjin, për të rrëzuar Mejdanin( si nuk u vjen turp e merren me njeri plak), banorët e Spitallës, shuajnë etjen me një çezmë kolektive( kooperativat e tipit të lartë, japin shembullin revolucionar)!
@ Si ndryshojnë kohët kaq shpejt. Në Amerikën tonë( vetëm ne e dimë këtë, Amerika akoma nuk e ka mësuar), presidentin kanë filluar të mos e marrin më vesh. Nuk e dëgjojnë, as brenda qeverisë, e as brenda kongresit. Këtu theksoj se, më pëlqen pa masë të përdor fjalën kongres. Lart flamujt e kongreseve! Në Iran i thanë(Bushit), nuk ka armë bërthamore. Janë të gjitha pa bërthamë, si portokallet e Lukovës. Po ç’deshën që i thanë?! Ku dinë ekspertët nga politika?! Pse, mos kishte gjë në Irak dhe, të ketë në Iran? Problemi, nuk është nëse ka armë atomike(bërthamore apo shqeto) Irani, por nëse ka municione që janë afër afatit për skadim Amerika. Nëse ka të tillë arsenal, le të përgatitemi për të shkruar një faqe tjetër të lavdishme në historinë e Amerikës mëmë. Për të gjithë ne e kam fjalën. Mirëpo, kësaj here, nuk ma do mendja të niset ofensiva. Bën ftohtë dhe, nafta e Irakut, ka gjasa të mjaftoj...!
@ Meta, Topalli, Topi, Nano (tashmë politikanët në Shqipëri i thërrasim sipas modës perëndimore, me mbiemrat) shtyhen në radhë për të zënë një vend nderi në podiumin që u ruhet nga votuesit për politikanin e vitit. Mirë Topi(presidenti) që, meriton një vend në krye të listës se, helbete. Kaq djersë e mund u shpërdorua për të ardhur në krye të vendit. Hajde se dhe Nanon( mbiemri ka të vogël në fakt se, nuk është dhe kaq liliput) po e vendosim ngaqë, edhe ai, nuk u lodh pak për tu zgjedhur president(Topi). Topallin, nuk e di pse e votojnë. Ndoshta me kriter paraqitjen, ngaqë, me siguri është kryeparlamentarja më simpatike e Ballkanit. Nuk ke ç’na thua ne shqiptarëve. Dimë e vlerësojmë të bukurën. Meta tani, ma do mendja se më shumë ai po habitet për kryesimin e garës. Shqetësimi im i vetëm është që, nuk figuron askund “pinjolli mbretëror”.
@ Dëgjohet, tashmë me zë, se ndeshjet e fundit për eliminatoret e kampionatit evropian, u shitën nga lojtarë ose nga funksionarë të kombëtares tonë. Nuk më bind lajmi. Është e mundur, të ketë futbollist shqiptar ose drejtues federate që mund të ketë nevojë për para? Sikurse e dimë, kushtet u janë plotësuar të gjitha dhe, të tilla fenomene janë revizioniste dhe jashtë kulturës së rinisë sonë. Armiqtë që i duan të keqen partisë dhe vendit, mbjellin të tilla shpifje të rreme. Të mos biem në kurthin e tyre dhe të jemi vigjilentë. Të shtrëngojmë radhët rreth komitet qendror e të mprehim luftën e klasave. Të mos i bëjmë qejfin armikut. Internacionalja e re, vendimtare mbi dhe! Të mos ndjekim shembullin e revizionistëve sovjetikë që, me 68% të votave, zgjodhën partinë e re në pushtet. Pjesa tjetër, pse nuk mori pjesë në zgjedhje. Votat tona, plumb për armikun. Kush nuk voton, ti hiqet triska e frontit. Rroftë bashkimi i gruas.
@ Vizita e Romano Prodit në Tiranë, vetëm disa ditë pas vizitës së Bamir Topit në Athinë, tregon më së miri se, pula e gjitonit është më e majme. Xheloz nuk jam, deklaroi shoku Prodi, po sytë mbajini nga Italia. Sigurisht, senior Romano. Mësohet se, keni shqetësime të shumta për ngritjen e një stacioni bërthamor në Vlorë, dëgjoj. Thua, ndonjë ditë të akuzohemi për prodhim lëndësh bërthamore?! Frikë kam se, kjo dreq dynja, rrotullohet dhe, nuk i dihet se ku të nxjerr. I mbushet mendja një ditë ndonjë të përtej oqeani dhe, të shënon tek ai blloku i vogël e të heq një vizë të kuqe mbi gërma. Hajde pastaj e bëji derman.
@ Sipas ligjit të fundit për Akademinë e Shkencave, rezulton të jenë jashtë saj Ismail Kadare e Dritëro Agolli. Ku qëndron habia, njëherë?! A kanë qenë ndonjëherë, këta dy zotërinj, në mitingjet mbështetëse të PD-së? A kanë marrë pjesë me militantizëm, zotërinjtë në fjalë, në ngritjen e pushtetit demokratik dhe rrëzimin nga themelet të monizmit? Sa herë janë parë të tubojnë me flamurin amerikan në “Sheshin Skënderbej”? Cila ishte vepra e fundit që kanë shkruar, mbi arritjet madhështore të qeverive shqiptare? Përse akoma, nuk kanë gjetur mënyrën të zëvendësojnë gjeneratorët, dhe bëhen dritë elektrike?